Libri biblik numër 31—Abdia
Shkrimtari: Abdia
Shkrimi përfundoi: rr. 607 p.e.s.
1. Nga kuptohet se më shumë rëndësi ka mesazhi dhe jo kush e përcjell atë?
VETËM në 21 vargje, Abdia, libri më i shkurtër i Shkrimeve Hebraike, shpall një gjykim të Perëndisë, që sjell si rrjedhim fundin e një kombi, ndërkohë që parathotë edhe triumfin përfundimtar të Mbretërisë së Perëndisë. Fjalët e para thonë thjesht: «Vegimi i Abdisë.» Nuk thuhet asgjë se kur dhe ku lindi, nga cili fis ishte apo hollësi nga jeta e tij. Qartë, identiteti i profetit nuk ka shumë rëndësi; kurse mesazhi po, dhe me të drejtë, sepse, siç tha vetë Abdia, është «një lajm nga Jehovai».
2. Në ç’vend përqendrohet profecia e Abdisë dhe përse banorët e tij ndiheshin të sigurt?
2 Vëmendja kryesore e lajmit përqendrohet tek Edomi. Vendi i Edomit, i njohur ndryshe edhe si mali Seir, është një rajon i vështirë, me male të larta e gryka të thella, që shtrihet në jug të Detit të Vdekur, përgjatë Arabahut. Në disa vende, vargmalet në lindje të Arabahut arrijnë një lartësi prej 1.700 metrash. Krahina e Temanit ishte e famshme për mençurinë dhe guximin e banorëve të saj. Pozita gjeografike e Edomit, me mbrojtjet natyrore, i bënte banorët e tij të ndiheshin të sigurt e krenarë.a
3. A u sollën edomitët si vëllezër me Izraelin?
3 Edomitët ishin pasardhës të Esaut, vëllait të Jakobit. Emri i Jakobit ndryshoi në Izrael, kështu që edomitët kishin lidhje të ngushta me izraelitët; aq sa ata konsideroheshin si ‘vëllezër’. (Ligj. 23:7) Por, sjellja e Edomit s’ishte aspak vëllazërore. Pak para se izraelitët të hynin në Tokën e Premtuar, Moisiu dërgoi njerëz te mbreti i Edomit, që të kërkonte leje për të kaluar paqësisht përmes vendit të tij, por edomitët refuzuan me armiqësi dhe ftohtë, madje e shoqëruan refuzimin e tyre me një demonstrim force. (Num. 20:14-21) Edhe pse u mundën nga Davidi, më vonë, në kohën e mbretit Jehozafat, ata komplotuan bashkë me Amonin dhe Moabin kundër Judës, u rebeluan kundër birit të Jehozafatit, mbretit Jehoram, mbajtën në burg robër izraelitë nga Gaza dhe Tiri, e madje në ditët e mbretit Akaz, e mësynë Judën që të kapnin edhe më shumë robër.—2 Kron. 20:1, 2, 22, 23; 2 Mbret. 8:20-22; Amo. 1:6, 9; 2 Kron. 28:17.
4. (a) Nga sa duket, cili veprim i përbuzshëm vuri bazën për dënimin që shpalli Abdia kundër Edomit? (b) Cila dëshmi sugjeron vitin 607 p.e.s. si datën më të mundshme kur u shkrua libri?
4 Kjo armiqësi arriti kulmin në vitin 607 p.e.s., kur Jerusalemi u shkretua nga hordhitë babilonase. Edomitët jo vetëm e panë këtë me miratim, por i nxitën pushtuesit që ta bënin edhe më të plotë shkretimin. «Rrënojeni, rrënojeni deri në themele!»—ulërinin ata. (Psal. 137:7) Kur u hodh short për plaçkën e luftës, ata ishin mes atyre që morën prej saj; dhe kur judenjtë përpiqeshin të arratiseshin nga vendi, ata u bllokonin rrugët dhe i dorëzonin në duart e armikut. Pikërisht kjo dhunë e treguar në kohën e shkatërrimit të Jerusalemit, është me sa duket baza e dënimit që shpalli Abdia, i cili s’ka dyshim që u shkrua ndërkohë që i kishin ende të freskëta në mendje veprat e përbuzshme të Edomit. (Abd. 11, 14) Meqë vetë Edomi me sa duket u pushtua dhe u plaçkit nga Nabukodonosori brenda pesë vitesh pas shkatërrimit të Jerusalemit, libri duhet të jetë shkruar përpara asaj kohe; viti 607 p.e.s. është sugjeruar si data më e mundshme.
5. (a) Nga duket se tregimi i Abdisë është autentik dhe i vërtetë? (b) Si i përmbushi Abdia kërkesat për të qenë një profet i vërtetë dhe përse emri i tij është i përshtatshëm?
5 Profecia e Abdisë kundër Edomit u përmbush plotësisht! Në kulmin e saj profecia thotë: «Shtëpia e Esaut [ka për t’u bërë] si kashtë. Ata do t’i vënë zjarrin shtëpisë së Esaut e do ta gllabërojnë dhe prej saj s’do të mbetet asnjë i mbijetuar, sepse vetë Jehovai e ka thënë.» (Vrg. 18) Edomi jetoi me anë të shpatës dhe vdiq prej shpatës, dhe nga pasardhësit e tij s’mbeti asnjë gjurmë. Kështu, ky dokumentim ka dalë autentik dhe i vërtetë. Abdia i plotësonte të gjitha kërkesat për të qenë një profet i vërtetë: foli në emër të Jehovait, profecia e tij nderoi Jehovain dhe, siç e vërtetoi edhe historia më vonë, ajo doli e vërtetë. Me të drejtë, emri i tij do të thotë «Shërbëtor i Jah».
PËRMBAJTJA E ABDISË
6. Si i flet Jehovai Edomit dhe nga ç’vend do ta zbresë poshtë?
6 Gjykimi mbi Edomin (Vargjet 1-16). Me urdhër të Jehovait, Abdia shpall vegimin e tij. Kombet janë mbledhur bashkë për të luftuar kundër Edomit. «Çohuni e le të sulemi në betejë kundër tij»,—urdhëron Perëndia. Pastaj, i drejtohet vetë Edomit dhe përcakton pozitën e tij. Edomi është i vogël mes kombeve dhe i përbuzur, e megjithatë arrogant. Ai ndihet i sigurt në shkrepat e lartë, i qetë se askush s’mund ta zbresë poshtë. Megjithatë, Jehovai deklaron se, edhe sikur ta bënte banesën aq lart sa shqiponjat, edhe sikur ta vinte folenë mes yjeve, ai do ta zbriste që andej. Qyteti e ka hak ndëshkimin.—Vrg. 1.
7. Deri në ç’masë do të plaçkitet Edomi?
7 Ç’do t’i ndodhë? Nëse Edomin do ta plaçkitnin, hajdutët do të merrnin vetëm ç’të donin. Edhe vjelësit e rrushit do ta linin ndonjë bistak. Por ajo që i pret bijtë e Edomit, është më keq se kaq. Thesaret e tyre do të plaçkiten tërësisht. Vetë aleatët e Edomit do të ngrihen kundër tij. Miqtë e ngushtë do ta zënë në rrjetë, si të ishte pa aftësi dalluese. Burrat e tij, të njohur për mençuri, dhe luftëtarët e tij, të njohur për trimëri, nuk do ta ndihmojnë dot në kohën e gjëmës.
8. Përse është kaq i ashpër ndëshkimi për Edomin?
8 Por përse ky ndëshkim kaq i ashpër? Për shkak të dhunës që bijtë e Edomit ushtruan ndaj bijve të Jakobit, vëllezërve të tyre. Ata gëzuan kur ra Jerusalemi, madje u bashkuan me pushtuesit për të ndarë plaçkën e luftës. Si të kishte qenë dëshmitar i atyre veprave të liga, Abdia e denoncon fuqimisht Edomin me këto fjalë: Ti s’duhej të gëzoheshe ditën e katastrofës së vëllait tënd. Ti s’duhej të pengoje të mbijetuarit që po ia mbathnin e t’i dorëzoje në dorë të armikut. Dita kur Jehovai do të kërkojë llogari është afër dhe ty do të të kërkohet llogari. Siç bëre me të tjerët, ashtu do të bëhet edhe me ty.
9. Ç’rivendosje parathuhet?
9 Rivendosja e shtëpisë së Jakobit (Vargjet 17-21). Ndryshe nga Edomi, shtëpia e Jakobit do të rivendoset. Burrat do të kthehen në malin e Sionit. Ata do ta gllabërojnë shtëpinë e Esaut siç gllabëron zjarri kashtën. Do të shtien në dorë vendin në jug, Negebin, rajonin malor të Esaut dhe Shefelahun; në veri, do të shtien në dorë Efraimin dhe Samarinë, madje deri në rajonin e largët të Zarefatit; në lindje, do të marrin territorin e Galaadit. Edomi krenar s’do të jetë më, kurse Jakobi do të rivendoset dhe «mbretëria do të bëhet e Jehovait».—Vrg. 21.
PËRSE ËSHTË I DOBISHËM?
10. Ç’profeci të tjera parathonë katastrofën e Edomit dhe përse është e dobishme t’i shqyrtojmë ato bashkë me profecinë e Abdisë?
10 Për të vërtetuar se përmbushja e këtij mesazhi gjykimi kundër Edomit është e sigurt, Jehovai dërgoi edhe profetë të tjerë me mesazhe të ngjashme. Mes tyre spikatin ato që janë regjistruar te Joeli 3:19; Amosi 1:11, 12; Isaia 34:5-7; Jeremia 49:7-22; Ezekieli 25:12-14; 35:2-15. Është e qartë që shpalljet më të hershme u referohen veprave të armiqësisë në të shkuarën, kurse shpalljet e mëvonshme janë sigurisht akuza kundër Edomit për sjelljen e tij të pafalshme në kohën kur babilonasit pushtuan Jerusalemin, për të cilën flet Abdia. Po të shqyrtojmë se si ranë mbi Edomin gjëmat e parathëna, do të na forcohet besimi te fuqia e Jehovait për të profetizuar. Për më tepër, kjo do të na rritë sigurinë te Jehovai, si Perëndia që gjithmonë e plotëson qëllimin që ka shpallur.—Isa. 46:9-11.
11, 12. (a) Si ngadhënjyen mbi Edomin ata që ‘ishin në paqe’ me të? (b) Ç’hapa çuan deri aty sa Edomi ‘të shfarosej përgjithmonë’?
11 Abdia kishte parathënë se ‘të gjithë ata me të cilët [Edomi] bëri besëlidhje’, njerëzit me të cilët ‘ishte në paqe’, do të ngadhënjenin mbi të. (Abd. 7) Paqja mes Babilonisë dhe Edomit nuk zgjati shumë. Gjatë shekullit të gjashtë p.e.s., forcat babilonase të drejtuara nga mbreti Nabonid pushtuan Edomin.b Gjithsesi, një shekull pas pushtimit nga Nabonidi, Edomi i sigurt shpresonte ende ta merrte veten, dhe në lidhje me këtë Malakia 1:4 thotë: «Meqë Edomi vazhdon të thotë: ‘Jemi shkatërruar, por do të kthehemi dhe do të ndërtojmë vendet e shkretuara’, kështu thotë Jehovai i ushtrive: ‘Ata do të ndërtojnë, por unë do të rrëzoj.’» Pavarësisht nga përpjekjet e Edomit për ta rimarrë veten, brenda shekullit të katërt p.e.s., nabateasit kishin hedhur rrënjë të forta në vend. Të përzënë nga vendi i tyre, edomitët banuan në pjesën jugore të Judesë, vend që u quajt Idume. Ata nuk ia dolën kurrë të rimerrnin vendin e Seirit.
12 Sipas Jozefit, në shekullin e dytë të e.s. edomitët e mbetur u vunë nën sundimin e mbretit jude Gjon Hirkani I, u detyruan të rrethpriteshin e dalëngadalë u asimiluan në territorin judaik nën një guvernator jude. Pas shkatërrimit të Jerusalemit nga romakët në vitin 70 të e.s., emri i tyre u fshi nga historia.c Doli si kishte parathënë Abdia: «Do të shfarosesh përgjithmonë. . . . Prej saj [shtëpisë së Esaut] s’do të mbetet asnjë i mbijetuar.»—Abd. 10, 18.
13. Në dallim nga edomitët, ç’ndodhi me judenjtë?
13 Në dallim nga shkretimi i Edomit, judenjtë u rivendosën në atdheun e tyre në vitin 537 p.e.s. nën drejtimin e guvernatorit Zorobabel. Aty rindërtuan tempullin e Jerusalemit dhe u vendosën patundshmërisht.
14. (a) Ç’paralajmërim gjejmë te fati i Edomit? (b) Ashtu si Abdia, çfarë duhet të pranojnë të gjithë dhe përse?
14 Sa e qartë është që krenaria dhe arroganca të çojnë në shkatërrim! Fati i Edomit qoftë një paralajmërim për të gjithë ata që lartësojnë veten me krenari dhe mizorisht rrinë e bëjnë sehir mbi vështirësitë që kalojnë shërbëtorët e Perëndisë! Le ta pranojnë, ashtu si bëri Abdia, se «mbretëria do të bëhet e Jehovait». Ata që luftojnë kundër Jehovait dhe popullit të tij, do të shfarosen plotësisht një herë e mirë, kurse Mbretëria madhështore dhe pozita e përjetshme mbretërore e Jehovait, do të shfajësohen përgjithmonë!—Vrg. 21.
[Shënimet]
a Të fitojmë gjykim të thellë nga Shkrimet, vëll. 1, faqja 679, anglisht.
b Të fitojmë gjykim të thellë nga Shkrimet, vëll. 1, faqja 682, anglisht.
c Antikitete judaike, vëll. XIII, faqet 257, 258 (kap. ix, par. 1); vëll. XV, faqet 253, 254 (kap. vii, par. 9).