Kapitulli i dhjetë
Bëj pjesën tënde për të ndërtuar një jetë familjare që i pëlqen Perëndisë
1. Përse, në përgjithësi, Dëshmitarët e Jehovait kanë një jetë të lumtur familjare?
DËSHMITARËT E JEHOVAIT janë shumë të njohur për jetën e lumtur familjare që bëjnë. Profesori Brajan Uillson, që punon në Universitetin e Oksfordit, shkroi: «Dëshmitarët kanë këshilla praktike për shumë fusha të jetës . . . për jetën martesore, për çështjet morale, për rritjen e fëmijëve dhe për çështje të tjera praktike. [Ata] mund të japin një ndihmë të madhe me anë të këshillave të shëndosha që bazohen në Shkrimin e Shenjtë dhe që janë bërë pjesë e filozofisë së tyre të jetës.» Pa dyshim që ti personalisht ke mësuar nga Fjala e Perëndisë shumë gjëra për jetën e lumtur familjare.
2. (a) Çfarë ke vënë re për familjet në botën e sotme? (b) Në cilat libra të Biblës do të kërkojmë udhëzime për jetën familjare?
2 Me afrimin e ditës së Jehovait, Satanai po sulmon sidomos familjet. Prandaj, shumë njerëz kanë humbur besimin edhe te pjesëtarët e familjes, siç ndodhi në ditët e Mikeas. Ai shkroi: «Mos kini besim te shokët. . . . Ruaji portat e gojës sate edhe nga ajo që prehet në gjirin tënd. Sepse biri përbuz babanë; bija ngrihet kundër nënës; nusja kundër vjehrrës; armiqtë e njeriut janë ata të shtëpisë së tij.» (Mikea 7:5, 6) Jetojmë në një botë ku jeta familjare sa vjen e përkeqësohet, e megjithatë, secili prej nesh ka luftuar shumë që të mos ndikohet nga kjo. Si rrjedhojë, jeta jonë familjare është bërë më e këndshme dhe i pëlqen më tepër Perëndisë. Me siguri që ke zbatuar në jetën tënde shkrime të tilla, si Ligji i përtërirë 6:5-9; Efesianëve 5:22–6:4 dhe Kolosianëve 3:18-21. Por, a i ke parë ndonjëherë librat e 12 profetëve si burim nga i cili mund të marrësh këshilla për një jetë të lumtur familjare? Në këtë kapitull, do të shohim disa shembuj të këtyre këshillave që mund të gjejmë në këta libra. Por mos u mjafto vetëm duke i shqyrtuar këto këshilla specifike. Përpiqu të dallosh prej këtyre shembujve një metodë bazë që mund ta përdorësh për të nxjerrë mësime të tjera nga këta libra. Në fund të këtij kapitulli ka disa shkrime që do të të tregojnë në praktikë se si mund të nxjerrësh mësime prej këtyre 12 librave.
«AI E URREN DIVORCIN»
3, 4. (a) Si përpiqen t’i zgjidhin problemet martesore shumë njerëz sot? (b) Cili qëndrim tronditës ekzistonte në kohën e Malakisë për sa u përket martesave?
3 Logjikisht, fusha e parë që na intereson është lidhja burrë-grua. Deri kohët e fundit, shumica e njerëzve nuk e mendonin divorcin si një zgjidhje të kollajshme për problemet martesore. Në përgjithësi, ishte e vështirë të merrje divorcin. Madje në Angli, në shekullin e 19-të, duhej një vendim nga parlamenti për t’u divorcuar. Faktikisht, këto pikëpamje i mbronin familjet që të mos shpërbëheshin. Kurse tani gjërat janë krejt ndryshe. Një enciklopedi komenton: «Që nga Lufta II Botërore, shkalla e divorcit është rritur ndjeshëm në shumë vende . . . Qëndrimi kundrejt divorcit ka ndryshuar kryekëput . . . dhe tani, në përgjithësi, ekziston prirja për të qenë tolerantë ndaj kësaj praktike.» (Encyclopædia Britannica) Divorci po bëhet një dukuri e zakonshme edhe në vende si Koreja, ku deri dhjetë vjet më parë shihej me sy të keq. Sot, në shumë vende, njerëzit mendojnë se divorci është një alternativë e mundshme për bashkëshortët që kanë probleme në martesë.
4 Gjatë kohës së Malakisë, në shekullin e pestë p.e.s., divorci ishte shumë i përhapur ndër judenjtë. Malakia u tha atyre: «Jehovai ka qenë dëshmitar mes teje dhe gruas së rinisë sate, me të cilën ti ke vepruar pabesisht.» Për shkak të veprimeve të pabesa të burrave, altari i Jehovait ishte mbuluar me lotët e grave të tradhtuara, «me të qara e psherëtima». Dhe priftërinjtë e korruptuar e toleronin këtë mizori.—Malakia 2:13, 14.
5. (a) Ç’mendon Jehovai për divorcin? (b) Pse është kaq e rëndë të veprosh me pabesi ndaj bashkëshortit?
5 Ç’mendonte Jehovai për qëndrimin skandaloz që kishin për martesën njerëzit në kohën e Malakisë? Vetë Malakia shkroi: «Ai e urren divorcin,—thotë Jehovai, Perëndia i Izraelit.» Gjithashtu, ai pohoi se Jehovai ‘nuk ka ndryshuar’. (Malakia 2:16; 3:6) A e kupton cila është pika? Më parë Perëndia e kishte treguar qartë se ishte kundër divorcit. (Zanafilla 2:18, 24) Njësoj ndihej në ditët e Malakisë e po njësoj ndihet edhe sot. Disa njerëz mund të vendosin ta prishin martesën e tyre vetëm sepse nuk janë të kënaqur me bashkëshortin. Por, sado e pabesë të jetë zemra e tyre, Jehovai e heton. (Jeremia 17:9, 10) Pavarësisht se çfarë justifikimesh nxjerr një individ, Jehovai e di mirë nëse ka plane të fshehta keqdashëse pse e kërkon divorcin. Po, «të gjitha gjërat janë lakuriq dhe fare sheshit në sytë e atij, të cilit do t’i japim llogari».—Hebrenjve 4:13.
6. (a) Si mund të të ndihmojë pasja e pikëpamjes së Jehovait për divorcin? (b) Çfarë donte të theksonte kryesisht Jezui kur foli për divorcin?
6 Ndoshta ti nuk je në këtë fazë kritike të martesës sa të mendosh për divorcin, po gjithsesi, duhet ta mbash në mend pikëpamjen e Jehovait. Askush s’është i përsosur, prandaj mund të presësh që në martesë të lindin vështirësi e mosmarrëveshje. Megjithatë, a do ta mendoje divorcin si një alternativë, si një rrugë të lehtë për të dalë nga situata? Kur je në mes të një debati të nxehtë, a do ta përmendje divorcin si mundësi? Shumë veta e kanë bërë këtë, por, në përputhje me pikëpamjen e Perëndisë për lidhjen martesore, njerëzit duhet të përpiqen më shumë që martesa e tyre të jetë e suksesshme. Vërtet që Jezu Krishti tha se ka një bazë ligjore për divorcin, domethënë kurvëria—çdo lloj marrëdhënieje seksuale jashtë martese. Megjithatë, çfarë donte të theksonte kryesisht? Ai u tha dëgjuesve të tij: «Atë që Perëndia e ka bashkuar, asnjeri të mos e ndajë.» Po, Jezui mbështeti normën e pandryshueshme të Jehovait, të cilën Malakia e kishte përmendur rreth 450 vjet më parë.—Mateu 19:3-9.
7. Si mund të mbash një lidhje të fortë martesore, në harmoni me këshillën që gjejmë në librin e Malakisë?
7 Po atëherë, si mund të mbajnë një lidhje të fortë bashkëshortët e krishterë? Malakia dha këtë zgjidhje: «Tregoni kujdes për frymën tuaj dhe mos veproni pabesisht.» (Malakia 2:16) Kjo do të thotë të tregojmë kujdes për prirjen e fortë që mund të kemi përbrenda. Në qoftë se po ‘tregojmë kujdes për frymën tonë’, do t’i rezistojmë çdo tundimi për t’i kushtuar vëmendje të tepruar dikujt që nuk është bashkëshorti ynë. (Mateu 5:28) Për shembull, ç’të themi nëse përbrenda na pëlqen kur dikush i seksit tjetër na kushton vëmendje ose na bën lajka? Kjo do të thotë që po ulim vigjilencën për sa i përket frymës sonë. Prandaj, një mësim kyç nga 12 profetët, që do të na ndihmojë të kemi një lidhje të fortë martesore, është të tregojmë kujdes për ‘frymën tonë’.
8, 9. Pse u përfshi në Bibël historia e Hozesë dhe Gomerës?
8 Pa dyshim, ti je i vendosur ta ruash martesën tënde nga çdo dëm. Por, nuk është e mundur të shmangen plotësisht problemet gjatë jetës martesore. Si t’i përballosh sa më mirë problemet që dalin, sidomos nëse mendon që fajin e ka më shumë bashkëshorti? Kujto atë që u përmend më parë në këtë libër, në kapitujt 2 dhe 4, për Hozenë. Gruaja e tij, Gomera, u bë ‘një grua që kryen kurvëri’ dhe pastaj ‘shkoi pas atyre që e donin plot zjarr’. Më vonë, ata e harruan dhe ajo u varfërua e u bë skllave. Hozea e bleu Gomerën nga burri me të cilin ajo jetonte, dhe Jehovai e nxiti që ta donte. Përse? Për të treguar me një shembull të gjallë atë që po ndodhte ndërmjet Jehovait dhe Izraelit. Populli i Jehovait ishte në një besëlidhje me të, si një grua, kurse Jehovai ishte «zotëria» ose burri i figurshëm.—Hozea 1:2-9; 2:5-7; 3:1-5; Jeremia 3:14; Isaia 62:4, 5.
9 Që në fillim izraelitët e lënduan Jehovain duke rendur pas perëndive të tjera. (Dalja 32:7-10; Gjykatësit 8:33; 10:6; Psalmi 78:40, 41; Isaia 63:10) Në veçanti mbretëria veriore prej dhjetë fisesh ishte fajtore pasi adhuronte viçin. (1 Mbretërve 12:28-30) Veç kësaj, izraelitët nuk u mbështetën te Zotëria i tyre, Jehovai, por kërkuan dashnorë politikë. Në një rast, si një zebër kokëshkretë që kishte ardhur në afsh, ata rendën pas Asirisë. (Hozea 8:9) Si do të ndiheshe nëse bashkëshortja ose bashkëshorti yt do të vepronte kështu?
10, 11. Si mund ta imitosh Jehovain, në qoftë se gjendesh në një situatë të jetës martesore ku duket se fajin e ka bashkëshorti?
10 Që nga koha kur izraelitët kishin hyrë në një besëlidhje me Jehovain deri në kohën e Hozesë, kishin kaluar më shumë se 700 vjet. Gjithsesi, Perëndia ishte i gatshëm t’i falte, me kusht që të ktheheshin tek ai. Mendohet se Hozea filloi të profetizonte para vitit 803 p.e.s., kështu që vetëpërmbajtja e Jehovait ndaj Izraelit zgjati më shumë se 60 vjet të tjerë, dhe ndaj Judës, pothuajse 200 vjet të tjerë. Duke përdorur si ilustrim situatën familjare të Hozesë, Jehovai ende po e ftonte popullin me të cilin kishte lidhur një besëlidhje, që të pendohej. Ai kishte arsye të vlefshme për ta prishur martesën figurative me Izraelin, e megjithatë vazhdoi të dërgonte profetë që ta ndihmonte gruan e tij simbolike të kthehej, edhe pse kjo do t’i kushtonte atij vetë.—Hozea 14:1, 2; Amosi 2:11.
11 Po të gjendeshe në një situatë të jetës martesore ku duket se fajin e ka bashkëshorti, a do të reagoje si Jehovai? A do ta bëje ti hapin i pari për ta rikthyer martesën në gjendjen e mëparshme? (Kolosianëve 3:12, 13) Kjo kërkon përulësi. Por, sa shembull të mrekullueshëm la Jehovai me mënyrën si veproi me izraelitët! (Psalmi 18:35; 113:5-8) Perëndia ‘i foli zemrës së izraelitëve’, madje duke iu përgjëruar. A nuk kemi ne, si njerëz të papërsosur, edhe më shumë arsye për t’i folur zemrës së bashkëshortit tonë, duke u përpjekur t’i zgjidhim problemet dhe t’i anashkalojmë gabimet? Është domethënëse që përpjekjet e Jehovait sollën disa rezultate. Një mbetje e kombit ia hapi zemrën atij kur ishte në ‘shkretëtirën’ e mërgimit në Babiloni, dhe më vonë u kthye në atdhe, duke e quajtur Jehovain në kuptimin e figurshëm «Burri im».—Hozea 2:14-16.a
12. Si mund t’i sjellë dobi martesës sate meditimi rreth mënyrës si veproi Jehovai me gruan e tij simbolike?
12 Në rast se lind një problem i rëndë, përpjekjet e tua të sinqerta për të rregulluar marrëdhënien mund të japin fryte të mira. Perëndia ishte gati t’ia falte gruas së tij simbolike edhe mëkatin e rëndë të kurvërisë frymore. Shumica e problemeve martesore midis të krishterëve të vërtetë nuk ka arritur në një pikë të tillë kritike. Shumë probleme e kanë fillesën te fjalët e ashpra ose lënduese. Prandaj, nëse je lënduar nga fjalët therëse të bashkëshortit, shqyrto atë që kaloi Hozea ose edhe vetë Jehovai. (Proverbat 12:18) A mund të të ndihmojë kjo që të falësh?
13. Ç’mësim nxjerrim nga fakti që Jehovai kërkonte pendim nga populli i tij i pabindur?
13 Vlen të përmendet edhe një aspekt tjetër i këtij tregimi historik. A ishte i gatshëm Perëndia të rivendoste lidhjet me popullin e tij, ndërkohë që këta vazhdonin të kryenin kurvëri? Perëndia i tha Hozesë për kombin kurorëshkelës: «Ajo duhet të flakë kurvërinë nga vetja dhe veprat e kurorëshkeljes nga gjinjtë e saj.» (Hozea 2:2) Njerëzit duhej të pendoheshin dhe ‘të jepnin fryte të denja për pendim’. (Mateu 3:8) Në këtë aspekt, mos u përqendro te mangësitë e bashkëshortit, por më shumë te mangësitë e tua. Nëse e ke trajtuar në mënyrë të padrejtë bashkëshortin, pse të mos përpiqesh t’i rivendosësh marrëdhëniet e mira duke kërkuar falje sinqerisht e duke ndryshuar mënyrën e të vepruarit? Shpërblimi mund të jetë falja.
«KORDONËT E DASHURISË»—BAZË PËR TË DHËNË DISIPLINË
14, 15. (a) Duke pasur parasysh Malakinë 4:1, pse duhet t’i kushtosh vëmendje të madhe përgjegjësisë për t’i mësuar fëmijët e tu? (b) Si t’i ndihmosh fëmijët e tu që të njohin Jehovain?
14 Për jetën familjare, mund të mësojmë edhe më shumë nga mënyra si veproi Jehovai me izraelitët, siç lexojmë në librat e 12 profetëve. Në këta libra do të gjesh këshilla se si të ndihmosh fëmijët e tu. Pa dyshim, sot nuk është e lehtë të rritësh fëmijë. Prindërit duhet t’i kushtojnë shumë vëmendje kësaj përgjegjësie që kanë. Ja çfarë lexojmë: «Dita që po vjen ka për t’i përpirë [njerëzit],—ka thënë Jehovai i ushtrive,—aq sa s’ka për t’u lënë as rrënjë, as degë.» (Malakia 4:1) Atë ditë, kur Perëndia të kërkojë llogari, fëmijët e vegjël (degët) do të trajtohen me drejtësi, sipas vlerësimit që do t’u bëjë Jehovai prindërve (rrënjëve), që janë përgjegjës për fëmijët e mitur. (Isaia 37:31) Mënyra si jetojnë prindërit mund të përcaktojë të ardhmen e fëmijëve të tyre, për mirë a për keq. (Hozea 13:16) Nëse ti (rrënja) nuk po mban qëndrim të mirë para Jehovait, ç’mund t’u ndodhë fëmijëve të tu (degëve) ditën e furisë së tij? (Sofonia 1:14-18; Efesianëve 6:4; Filipianëve 2:12) Nga ana tjetër, përpjekjet e tua besnike për të pasur miratimin e Perëndisë, mund t’u sjellin dobi fëmijëve të tu të vegjël.—1 Korintasve 7:14.
15 Pasi citoi profecinë e Joelit që thotë se njerëzit duhet të thërrasin emrin e Jehovait, apostulli Pavël shkroi: «Si do ta thërrasin atë, tek i cili nuk kanë treguar besim? Si do të tregojnë besim tek ai, për të cilin nuk kanë dëgjuar?» (Romakëve 10:14-17; Joeli 2:32) Pavli po fliste për shërbimin publik, por parimi mund të zbatohet edhe për mësimin e fëmijëve. Si mund të tregojnë ata besim te Jehovai nëse nuk dëgjojnë për të? A kalon ti si prind mjaft kohë, ditë për ditë, duke u mësuar fëmijëve të tu se sa i mirë është Jehovai, duke u ngulitur një dashuri të thellë për të dhe për udhëheqjen që siguron? Ka shumë të ngjarë që fëmijët të përparojnë frymësisht, nëse në shtëpi dëgjojnë vazhdimisht të flitet për Jehovain.—Ligji i përtërirë 6:7-9.
16. Në harmoni me Mikenë 6:3-5, si mund ta imitosh Jehovain kur disiplinon fëmijët e tu?
16 Kur fëmijët janë shumë të vegjël, është pak a shumë e lehtë t’i marrësh në mbledhjet e krishtere. Por, duke u rritur, fillojnë të kenë mendje më vete. Si të veprosh, nëse fëmijët e tu nganjëherë shfaqin prirje rebelimi? Mund të mësosh nga librat e 12 profetëve, duke vënë re se si veproi Jehovai me Izraelin e me Judën. (Zakaria 7:11, 12) Për shembull, ndërsa lexon Mikenë 6:3-5, shiko me çfarë toni thuhen gjërat. Izraelitët kishin gabuar, e megjithatë, Perëndia iu drejtua si «populli im». Ai iu lut: «O populli im, kujto të lutem.» Në vend që t’i qortonte ashpër, u përpoq t’u prekte zemrën. A mund ta imitosh Jehovain edhe atëherë kur je duke disiplinuar fëmijët e tu? Sado rëndë të kenë gabuar, trajtoji si pjesë e pandashme e familjes, dhe mos iu drejto me fjalë përçmuese. Në vend që t’i dënosh, përgjëroju me butësi. Bëju pyetje që t’i nxitësh të flasin. Përpiqu t’u prekësh zemrën, që të të hapen e të t’i zbulojnë ndjenjat e tyre.—Proverbat 20:5.
17, 18. (a) Çfarë duhet të të motivojë që t’i disiplinosh fëmijët? (b) Si t’i mbash «kordonët e dashurisë» me fëmijët e tu?
17 Cila është arsyeja pse po i disiplinon fëmijët? Disa prindër e bëjnë këtë sepse nuk duan të njolloset emri i mirë i familjes. Jehovai e tregoi arsyen pse i disiplinoi: «E mësova Efraimin të ecte, duke e marrë në krahë . . . Me litarët e njeriut i tërhiqja, me kordonët e dashurisë.» (Hozea 11:3, 4) Në këtë rast, Hozea e krahason lidhjen ndërmjet Jehovait dhe Izraelit me lidhjen atë e bir. Përfytyro këtë skenë: një prind i dashur e drejton fëmijën duke e mbajtur me anë të ca kordonëve, që ta ndihmojë foshnjën të mësojë të ecë. Kordonët mund të përdoren si mbështetje nëse fëmija pengohet, si ndihmë kur shkon në drejtimin e gabuar.—Jeremia 31:1-3.
18 A do ta imitosh dashurinë që kishte Perëndia për izraelitët? Ata vazhdimisht i kthenin shpinën, por ai nuk i lëshoi menjëherë ato kordonë dashurie. Fëmijët mund të jenë të prirur që nganjëherë të devijojnë dhe të pengohen në gjëra të vogla, por ti përpiqu t’i mbash të forta lidhjet e dashurisë mes jush. Mos harro se Jehovai nuk ishte i njëanshëm me popullin e tij dhe t’i mbyllte sytë para gabimeve që bënin. Ai foli hapur për situatën, i disiplinoi me dashuri dhe kaloi kohë me ta, duke u siguruar ndihmën e nevojshme. Në qoftë se vëren që djali ose vajza jote duket sikur po largohet paksa nga udha e së vërtetës, mos i mbyll sytë para kësaj. Përpiqu ta drejtosh në rrugën e duhur, si me kordonë, duke i dhënë ndihmë të përzemërt në këtë periudhë të vështirë. Kalo kohë me fëmijën tënd që mund të jetë i trazuar. Kjo është diçka që do të thuhet e do të rithuhet gjithnjë: kalo kohë me ta!
19. Pse nuk duhet t’i humbasësh shpresat për fëmijët e tu?
19 Hozea paratha se një mbetje izraelitësh do ta pranonin disiplinën: «Bijtë e Izraelit do të kthehen e do të kërkojnë Jehovain, Perëndinë e tyre, si dhe Davidin, mbretin e tyre. Në ditët e fundit ata do të vijnë duke u dridhur para Jehovait dhe mirësisë së tij.» (Hozea 3:5) Po, masa disiplinore që dha Perëndia, pati rezultat te një mbetje e popullit të tij. Ji optimist se do të jetë kështu edhe me fëmijët e tu. Përpiqu të shohësh gjërat e mira që kanë. Ji i përzemërt kur flet me ta, por i vendosur për të mbajtur fort parimet e Biblës. Edhe nëse një fëmijë rebel nuk përgjigjet mirë tani, kushedi nëse me kalimin e kohës vjen në vete!
RUHU NGA SHOQËRITË E KËQIJA
20. Përgjigjen e cilës pyetje për shoqëritë mund të gjejnë fëmijët në librat e 12 profetëve?
20 Po ju fëmijë, ç’mund të mësoni nga librat e 12 profetëve? Një nga shkrimet që përmendet më shpesh në bisedat që bëni me prindërit tuaj, mund të jetë 1 Korintasve 15:33, që thotë se duhet të shmangim shoqëritë e këqija. ‘Po vërtet kaq keq është të shoqërohesh me njerëz që nuk adhurojnë Jehovain?’—mund të pyesin disa nga ju. Përgjigjen për këtë pyetje mund ta gjeni në këta 12 libra.
21-23. (a) Ç’mund të mësoni ju fëmijë nga rruga që ndoqën edomitët? (b) Cilët janë vërtet miqtë tuaj?
21 Edhe pse librat e 12 profetëve i drejtoheshin kryesisht popullit të Perëndisë, libri i Abdisë iu drejtua edomitëve, që më parë ishin quajtur vëllezër të izraelitëve.b (Ligji i përtërirë 2:4) Ndryshe nga pjesa më e madhe e librave të 12 profetëve, Abdia përdor përemrin ‘ti’ kur flet për edomitët. Tani mendo pak për këta. Është afërsisht viti 607 p.e.s., kur po rrethohet Jerusalemi. Ndonëse edomitët janë të afërm gjaku me Jakobin, ata marrin anën e babilonasve. «Rrënojeni, rrënojeni deri në themele!»—thërrasin me qesëndi edomitët. (Psalmi 137:7; Abdia 10, 12) Ata kanë në plan ta marrin për vete tokën e Judës. Madje hanë bukë me babilonasit, veprim që në Lindje mund të tregojë se dy palët kanë bërë marrëveshje bashkë.
22 Shiko se çfarë parathotë Abdia për edomitët: «Ata [babilonasit] me të cilët bëre besëlidhje të mashtruan. Njerëzit me të cilët ishe në paqe ngadhënjyen mbi ty. Ata që hanin bashkë me ty, do të të vënë poshtë një rrjetë, përderisa ti je si ata që s’kanë aftësi dalluese.» (Abdia 7) Çfarë u ndodhi faktikisht edomitëve, që lanë në baltë vëllanë e tyre, Jakobin, dhe zgjodhën si shokë babilonasit? Pas njëfarë kohe, babilonasit, nën drejtimin e Nabonidit, i shkatërruan edomitët. Në kohën e Malakisë, Perëndia i kishte bërë malet e Edomit një vend të shkretë dhe trashëgiminë e Edomit ua kishte dhënë çakejve.—Malakia 1:3.
23 Tani mendo për ata që ti i quan shokë, por që nuk adhurojnë Jehovain. A nuk e ke vënë re se ‘ata djem [ose vajza] me të cilët ke bërë besëlidhje’ ose ke lidhur miqësi, shpesh e mashtrojnë njëri-tjetrin dhe u «vënë poshtë një rrjetë» të ashtuquajturve miq të tyre? Dhe, çfarë thonë nëse u del në shesh mashtrimi? Ndoshta i quajnë naivë shokët që kanë mashtruar dhe thonë se nuk janë aq të shkathët sa t’i kuptojnë dredhitë që u bëhen. Sa ngjan kjo me atë që u punuan babilonasit shokëve të tyre, edomitëve! A mendon se «miq» të tillë do të interesoheshin vërtet për ty kur të kishe probleme? (Abdia 13-16) Nga ana tjetër, mendo për Perëndinë Jehova dhe për popullin e tij sot. Jehovai është gjithnjë pranë për të të ndihmuar. Ai do të të mbështetë në periudhat e vështira. Edhe shërbëtorët e tij kanë dhënë prova se janë ‘shokë të vërtetë që të duan në çdo kohë’, njerëz besnikë «në ditë të vështira».—Proverbat 17:17.
VLERËSO LIDHJEN MË TË RËNDËSISHME
24, 25. Çfarë duhet të jetë gjëja kryesore në jetën tonë?
24 Po, lidhjet familjare janë të rëndësishme dhe ia vlen t’i forcosh. Nga 12 profetët mund të nxjerrësh shumë mësime për këto lidhje. Ndoshta dëshiron t’i lexosh këta libra dhe të zbatosh metodën që kemi përdorur këtu. Kjo do të të japë mundësi të nxjerrësh edhe mësime të tjera se si të përmirësosh jetën familjare. Por, a është jeta e lumtur familjare gjëja më e rëndësishme për adhuruesit e Perëndisë sot?
25 Vlen të përmendet se, kur foli për ardhjen e ditës të Jehovait, Joeli profetizoi: «Mblidhni njerëzit. Shenjtëroni kongregacionin. . . . Le të dalë dhëndri nga dhoma e tij e brendshme dhe nusja nga dhoma e saj e nusërisë.» (Joeli 2:15, 16) Të gjithë pjesëtarët e familjes duhej të mblidheshin bashkë për adhurimin e Jehovait. Nuk bënin përjashtim as të sapomartuarit, që normalisht janë paksa të shpërqendruar. Gjëja më e rëndësishme për ne duhet të jetë ta adhurojmë Perëndinë së bashku me popullin e tij. Tani që dita e Jehovait po afrohet me të shpejtë, qëndrimi i mirë para tij duhet të jetë gjëja kryesore në jetën tonë. Në pjesën e fundit të këtij libri, do të shohim se çfarë duhet të bëjmë sot me një frymë të gëzuar.
a Në rastin kur një bashkëshort i krishterë është fajtor për kurorëshkelje, bashkëshorti i pafajshëm duhet të vendosë nëse do të falë apo jo.—Mateu 19:9.
b Libri tjetër që bën përjashtim është libri i Naumit, i cili u drejtohej ninevitëve.