«Sillni gjithë të dhjetat nëpër depo»
«Ju lutem, më vini në provë mbi këtë, . . . nëse nuk do t’ju hap kataraktet e qiellit.»—MALAKIA 3:10.
1. (a) Çfarë ftese i drejtoi Jehovai popullit të tij në shekullin e pestë p.e.s.? (b) Cili qe rezultati i ardhjes së Jehovait, në shekullin e parë e.s., për të gjykuar në tempull?
NË SHEKULLIN e pestë p.e.s., izraelitët kishin qenë të pabesë ndaj Jehovait. Nuk i kishin derdhur të dhjetat dhe kishin sjellë në tempull kafshë të papërshtatshme për flijim. Megjithatë, Jehovai premtoi se do të derdhte mbi ta një bekim të tillë aq sa të mos kishin më nevojë, por nëse do të sillnin të gjithë të dhjetën nëpër depo. (Malakia 3:8-10) Rreth 500 vjet më vonë, Jehovai, i përfaqësuar nga Jezui si lajmëtar i besëlidhjes, erdhi në tempullin e Jeruzalemit për gjykim. (Malakia 3:1) Si komb, Izraeli u gjend me mungesa, por individë të veçantë që u kthyen tek Jehovai, u bekuan në mënyrë të pasur. (Malakia 3:7) U mirosën, për t’u bërë bij frymorë të Jehovait, një krijesë e re, «Izraeli i Perëndisë.»—Galatasve 6:16; Romakëve 3:25, 26.
2. Kur do të kishte një përmbushje të dytë Malakia 3:1-10 dhe për çfarë jemi të ftuar në lidhje me këtë?
2 Gati 1.900 vjet më vonë, Jezui hypi në fron si Mbret i Mbretërisë qiellore të Perëndisë dhe fjalët e frymëzuara hyjnore, tek Malakia 3:1-10, duhet të kishin një përmbushje të dytë. Në lidhje me këtë ngjarje të jashtëzakonshme, të krishterët e sotëm janë të ftuar që të sjellin gjithë të dhjetën nëpër depo. Nëse veprojmë kështu, edhe ne do të marrim aq bekime, sa të mos kemi më nevojë.
3. Kush ishte lajmëtari që përgatiti rrugën para Jehovait (a) në shekullin e parë? (b) para Luftës së Parë Botërore?
3 Në lidhje me ardhjen e tij në tempull, Jehovai tha: «Ja! Unë do të dërgoj lajmëtarin tim dhe ai duhet të pastrojë rrugën përpara meje.» (Malakia 3:1) Në përmbushje të këtyre fjalëve në shekullin e parë, Gjon Pagëzuesi u dërgua në Izrael për të predikuar pendimin nga mëkatet. (Marku 1:2, 3) A pati ndonjë punë parapërgatitëse edhe mbi ardhjen e dytë të Jehovait në tempullin e tij? Po. Në dhjetëvjeçarët që i paraprinë Luftës së Parë Botërore, Studentët Biblikë u shfaqën në skenën botërore, duke mësuar doktrinën e pastër biblike dhe duke demaskuar gënjeshtra që e çnderojnë Perëndinë, të tilla si doktrina e Trinitetit dhe e zjarrit të ferrit. Lajmëruan, gjithashtu, se në 1914 do të përfundonin kohët e paganëve. Shumë veta iu përgjigjën të vërtetës që lajmëronin këta mbajtës të dritës.—Psalmi 43:3; Mateu 5:14, 16.
4. Cila pyetje kërkonte përgjigje gjatë ditës së Zotit?
4 Në 1914, filloi ajo që Bibla e quan «dita e Zotit ». (Zbulesa 1:10, Dhiata e re dhe Psalmet) Në këtë ditë do ndodhnin ngjarje me rëndësi historike, duke përfshirë edhe identifikimin e «skllavit besnik e të matur» dhe vendosjen e tij «mbi mbarë pasurinë [e Zotërisë]». (Mateu 24:45-47, NW) Në 1914, kishte me mijëra kisha që deklaronin se ishin të krishtere. Cili grup do të njihej prej Zotërisë, Jezu Krishtit, si skllavi besnik dhe i matur? Kjo pyetje do të zgjidhej kur Jehovai të vinte në tempull.
Ardhja në tempullin frymor
5, 6. (a) Në cilin tempull erdhi Jehovai për gjykim? (b) Çfarë gjykimi mori krishterimi prej Jehovait?
5 Por, kur erdhi Jehovai në tempull? Është e qartë që jo në ndonjë tempull të vërtetë në Jeruzalem. I fundit prej këtyre tempujve u shkatërrua në vitin 70 e.s. Jehovai, megjithatë, ka një tjetër tempull më të madh, që u shëmbëllye me atë të Jeruzalemit. Pavli foli mbi këtë tempull më të madh dhe tregoi se sa madhështor është me të vërtetë, me një vend të shenjtë në qiell dhe një kopsht këtu në tokë. (Hebrenjve 9:11, 12, 24; 10:19, 20) Në këtë tempull frymor Jehovai erdhi për një vepër gjykimi.—Krahaso Zbulesa 11:1; 15:8.
6 Kur ndodhi kjo? Duke u mbështetur mbi dëshmi të bollshme që disponohen, në 1918.a Cili qe rezultati? Për sa i përket krishterimit, Jehovai pa një organizatë duart e së cilës kullonin gjak, një sistem fetar të korruptuar që kurvërohej me botën, që bashkohej me të pasurit dhe shtypte të varfrit, duke mësuar doktrina pagane në vend se të praktikonte adhurimin e pastër. (Jakovit 1:27; 4:4) Nëpërmjet Malakisë, Jehovai kishte paralajmëruar: «Me siguri do të jem një dëshmitar i shpejtë kundër shtriganëve dhe kundër tradhtarëve bashkëshortorë dhe kundër atyre që betohen për gënjeshtra dhe kundër atyre që sillen me mashtrime ndaj pagës së punëtorëve me pagesë, ndaj të vejave dhe jetimëve pa baba.» (Malakia 3:5) Krishterimi i kish bërë të gjitha këto, madje edhe më keq. Në 1919, u bë e qartë se Jehovai e kishte dënuar me shkatërrim së bashku me pjesën tjetër të Babilonisë së Madhe, sistemit botëror të fesë së rreme. Qysh nga ajo kohë e deri më sot, për ata që janë me zemër të drejtë, ka dalë thirrja: «Dilni prej saj, populli im!»—Zbulesa 18:1, 4.
7. Kush u njoh prej Jezuit si skllavi i tij besnik e i matur?
7 Kush ishte, pra, skllavi besnik dhe i matur? Në shekullin e parë, filloi me grupin e vogël që iu përgjigj punës së dëshmisë së Gjon Pagëzuesit dhe Jezuit, lajmëtarit të besëlidhjes. Në shekullin tonë, ishin ato pak mijëra që iu përgjigjën punës parapërgatitëse të Studentëve të Biblës gjatë viteve që i paraprinë 1914-ës. Ata pësuan prova të rënda gjatë Luftës së Parë Botërore, por treguan se zemra e tyre ishte me Jehovain.
Një vepër pastrimi
8, 9. Në çfarë aspektesh kishte nevojë për t’u pastruar skllavi besnik e i matur në 1918 dhe çfarë premtoi për të bërë Jehovai në këtë drejtim?
8 Megjithatë, edhe ky grup kishte nevojë për t’u pastruar. Disa që ishin bashkuar me të, u zbuluan si armiq të besimit dhe u desh të përjashtoheshin. (Filipianëve 3:18) Të tjerë nuk qenë në gjendje të zgjidhnin përgjegjësitë që sjell shërbimi ndaj Jehovait dhe u larguan. (Hebrenjve 2:1) Veç kësaj, kishte praktika babilonase që duheshin eliminuar. Edhe nga ana organizative skllavi besnik dhe i matur duhej të pastrohej. Duhej të mësonte dhe të merrte një qëndrim të duhur asnjanës përballë kësaj bote. Dhe dora-dorës që bota bëhej gjithnjë e më e korruptuar, duhej të luftonte fuqishëm për të mbajtur jashtë kongregacioneve papastërtinë morale dhe frymore.—Krahaso Judës 3, 4.
9 Po, pastrimi ishte i nevojshëm, por në lidhje me Jezuin e ulur në fron, Jehovai kishte premtuar me dashuri: «Duhet të ulet si një rafinues dhe pastrues argjendi dhe duhet të pastrojë bijtë e Levit; dhe duhet t’i kullojë si ari dhe argjendi dhe ata me siguri do të bëhen për Jehovain një popull që do të ofrojë flijime dhuratash në drejtësi.» (Malakia 3:3) Duke filluar prej 1918, Jehovai, nëpërmjet këtij lajmëtari të besëlidhjes, ka përmbushur premtimin e vet dhe e ka pastruar popullin e tij.
10. Çfarë lloj flijimesh kanë sjellë shërbëtorët e Perëndisë dhe çfarë ftese u drejtoi atyre Jehovai?
10 Vëllezërit e mirosur të Krishtit dhe shumica e madhe që u bashkua më vonë me ta në shërbim të Jehovait, kanë përfituar të gjithë nga fakti se Jehovai ka vepruar si një rafinues dhe pastrues argjendi. (Zbulesa 7:9, 14, 15) Si një organizatë kanë dhënë e japin akoma një flijim dhurate në drejtësi. Dhe flijimi i tyre është «i pëlqyeshëm për Jehovain, si në ditët e shumë kohëve më parë dhe si në vitet e lashta.» (Malakia 3:4) Pikërisht ata u ftuan prej Jehovait në mënyrë profetike: «Sillni gjithë të dhjetat nëpër depo, që të ketë ushqim në shtëpinë time; dhe, ju lutem, më vini në provë mbi këtë,—ka thënë Jehovai i ushtrive,—nëse nuk do t’ju hap kataraktet e qiellit e me të vërtetë do të derdh mbi ju një bekim të tillë, aq sa të mos kini më nevojë.»—Malakia 3:10.
Flijime dhe të dhjeta
11. Përse nuk kërkohen më flijimet e përshkruara në Ligjin e Moisiut?
11 Në ditët e Malakisë, populli i Perëndisë sillte flijime dhe të dhjeta të vërteta, si drithëra, fruta dhe kafshë. Edhe në ditët e Jezuit, izraelitët besnikë sillnin flijime të vërteta në tempull. Megjithatë, pas vdekjes së Jezuit e gjithë kjo ndryshoi. Ligji u anulua, duke përfshirë edhe urdhrin për të ofruar flijime specifike dhe të dhjeta materiale. (Efesianëve 2:15) Jezui përmbushi tipin profetik të flijimeve nën Ligj. (Efesianëve 5:2; Hebrenjve 10:1, 2, 10) Në ç’mënyrë, pra, të krishterët mund të sjellin flijime dhe të dhjeta?
12. Çfarë lloj ofrimesh dhe flijimesh frymore bëjnë të krishterët?
12 Për ta, flijimet janë me një natyrë të spikatur frymore. (Krahaso Filipianëve 2:17; 2. Timoteut 4:6) Për shembull, Pavli foli për veprën e predikimit si për një flijim, kur tha: «Këndej, me anë të tij t’ i kushtojmë vazhdimisht Hyut [Perëndisë, NW] fli lavdie, d.m.th. frytin e buzëve që dëshmojnë Emrin e tij.» Theksoi, pastaj edhe një tjetër lloj flijimi frymor, kur nxiti: «Mos e harroni bamirësinë dhe ndihmën bashkësisë, sepse flitë e tilla i pëlqejnë Hyut.» (Hebrenjve 13:15, 16) Kur prindërit u japin zemër fëmijëve për të ndërmarrë shërbimin si pionierë, mund të thuhet se po ia ofrojnë Jehovait, siç bëri Jeftai kur ofroi të bijën si «theror» për Perëndinë që i kishte dhënë fitoren.—Gjykatësit 11:30, 31, 39.
13. Përse të krishterët nuk janë të detyruar për të dhënë një të dhjetën e të ardhurave të tyre?
13 Ç’mund të themi për të dhjetat? A janë të detyruar të krishterët që të vënë mënjanë një të dhjetën pjesë të të ardhurave të tyre materiale, për t’ia dhënë organizatës së Jehovait, siç ndodh në disa kisha të krishterimit? Jo, kjo nuk kërkohet. Nuk ka asnjë shkrim biblik që vendos këtë rregull për të krishterët. Ndërsa mblidhte kontributet për vëllezërit nevojtarë në Judea, Pavli nuk përmendi asnjë përqindje specifike. Përkundrazi, tha: «Gjithë-sicili letë apë sikundrë t’i dojë zemëra, jo me hidhërim, a prej nevoje; sepse Perëndia do atë që ep me zëmërë të-gëzuarë.» (2. Korintasve 9:7, BK) Duke folur për ata që kryenin shërbime të veçanta, Pavli tregoi se ai ishte gati që të punonte për të mbajtur vetveten edhe pse disa vetë në mënyrë të përshtatshme mbështeteshin nga kontribute vullnetare. (Veprat 18:3, 4; 1. Korintasve 9:13-15) Nuk kishte të dhjeta për këtë qëllim.
14. (a) Përse sjellja e të dhjetave nuk përfaqëson dhënien tonë të plotë tek Jehovai? (b) Çfarë përfaqëson e dhjeta?
14 Është e qartë, se për të krishterët e dhjeta simbolizon apo përfaqëson diçka. Pasi bëhet fjalë për një të dhjetë dhe në Bibël numri dhjetë simbolizon plotësinë tokësore, a bëhet fjalë, ndoshta, për dhënien tonë të plotë tek Jehovai? Kur i dedikohemi Jehovait dhe e simbolizojmë këtë akt me pagëzimin në ujë, atëherë i jepemi atij me gjithçka. Që nga koha e dedikimit tonë, s’kemi më asgjë që të mos jetë tashmë e Jehovait. Megjithatë, Jehovai u lejon individëve të veçantë që të vënë në përdorim atë çka është e tyre. Prandaj, e dhjeta përfaqëson atë pjesë të asaj që ne kemi dhe ia sjellim Jehovait, apo e përdorim në shërbim të Tij, në shenjë të dashurisë tonë për të dhe të faktit se e dimë që i përkasim atij. E dhjeta moderne nuk është e thënë që të jetë patjetër e dhjetë. Disa herë do të jetë më pak. Në të tjera më shumë. Secili jep atë që zemra e shtyn për të dhënë dhe që rrethanat ia lejojnë.
15, 16. Çfarë përfshin e dhjeta jonë frymore?
15 Çfarë përfshihet në këtë të dhjetë frymore? Para së gjithash, i japim Jehovait nga koha dhe energjitë tona. Koha që dedikojmë nëpër mbledhje, për të qenë të pranishëm në asamble dhe kongrese dhe në shërbimin në fushë, është diçka që i japim Jehovait, një pjesë e së dhjetës sonë. Koha dhe energjitë që shpenzojmë për të vizituar të sëmurët dhe për të ndihmuar të tjerët, janë edhe këto pjesë të së dhjetës. Po kështu mund të themi për pjesëmarrjen në ndërtimin e Sallave të Mbretërisë dhe në punimet për mirëmbajtjen dhe pastrimin e tyre.
16 E dhjeta jonë, përfshin edhe kontributet në para. Me rritjen e jashtëzakonshme të organizatës së Jehovait në vitet e fundit, janë rritur edhe detyrimet financiare. Janë të nevojshme Salla të reja të Mbretërisë, lokale të reja për degët dhe Sallat e reja të Asambleve dhe bashkë me këto nevojitet edhe mirëmbajtja e ndërtesave ekzistuese. Mbulimi i shpenzimeve për ata që janë treguar të gatshëm për shërbime të veçanta—shpeshherë me sakrifica të mëdha personale—përbën gjithashtu, një sfidë tepër të vështirë. Në 1991, vetëm mbështetja ndaj misionarëve, mbikëqyrësve udhëtues dhe pionierëve specialë, ka kushtuar më shumë se 40 milion dollarë, krejtësisht fryt i kontributeve vullnetare.
17. Sa duhet të japim për të dhjetën tonë frymore?
17 Sa duhet të japim për të dhjetën tonë frymore? Jehovai nuk vendos një përqindje. Megjithatë, ndjenja e dedikimit, dashuria e sinqertë për Jehovain dhe vëllezërit si dhe ndjenja e urgjencës që vjen prej vetëdijes se ekzistojnë jetë që duhen shpëtuar, na inkurajojnë që të sjellim plotësisht të dhjetën tonë frymore. Ndihemi të shtyrë që t’i shërbejmë Jehovait sa më shumë të jetë e mundur. Nëse do të kursenim apo të jepnim me zor vetveten dhe pasuritë tona, do të ishte njësoj sikur të plaçkisnim Jehovain.—Krahaso Luka 21:1-4.
Të bekuar derisa të mos ketë më nevojë
18, 19. Si është bekuar populli i Jehovait, pasi ka sjellë plotësisht të dhjetën?
18 Qysh prej 1919, populli i Jehovait është përgjigjur bujarisht me kohën, energjitë dhe pasuritë financiare ndaj nevojave të veprës së predikimit. Ka sjellë me të vërtetë, plotësisht të dhjetat nëpër depo. Si rezultat, Jehovai e ka përmbushur premtimin e tij dhe ka derdhur një bekim të tillë, aq sa të mos ketë më nevojë. Kjo është parë në mënyrë dramatike në rritjen numerike të popullit të tij. Nga ata pak mijëra të mirosur që i shërbenin Jehovait kur erdhi në tempullin e tij në 1918, ka pasur një rritje të tillë, aq sa sot, të mirosurit dhe shokët e tyre, delet e tjera, numërojnë më shumë se katër milion njerëz në 211 vende të ndryshme. (Isaia 60:22) Janë bekuar gjithashtu, me një rritje të vazhdueshme në kuptueshmërinë e së vërtetës. Fjala profetike është më e sigurt për ta. Besimi i tyre në përmbushjen e qëllimeve të Jehovait është fortësuar fuqishëm. (2. Pjetrit 1:19) Janë me të vërtetë një popull «i mësuar prej Jehovait».—Isaia 54:13.
19 Nëpërmjet Malakisë, Jehovai paratha një bekim të mëtejshëm: «Në atë kohë ata që i frikësoheshin Jehovait flisnin me njëri-tjetrin, secili me shokun e tij, dhe Jehovai i kushtonte vëmendje dhe dëgjonte. Dhe filloi të shkruhej para tij një libër kujtimesh për ata që i frikësohen emrit të Jehovait dhe për ata që mendonin për emrin e tij.» (Malakia 3:16) Nga të gjitha organizatat që deklaroheshin të krishtere, vetëm Dëshmitarët e Jehovait mendojnë për emrin e tij dhe e lavdërojnë, gjithashtu, mes kombeve. (Psalmi 34:3) Sa të lumtur janë, duke ditur se Jehovai nuk e harron besnikërinë e tyre!
20, 21. (a) Çfarë lidhje të veçantë gëzojnë të krishterët e vërtetë? (b) Çfarë dallimi po bëhet gjithnjë e më i dukshëm, për sa i përket krishterimit?
20 Mbetja e mirosur është populli i veçantë i Jehovait dhe shumica e madhe, që në numër të madh i bashkohet asaj, mbledh së bashku me mbetjen, bekimet e adhurimit të pastër. (Zaharia 8:23) Me anë të Malakisë, Jehovai premtoi: «‘Me siguri do të bëhen të mitë’—ka thënë Jehovai i ushtrive—‘ditën kur të prodhoj një pronë të veçantë. Dhe sigurisht do të tregoj dhembshuri, ashtu si një njeri tregon dhembshuri për birin e tij që i shërben.’» (Malakia 3:17) Kujdesi i butë që Jehovai ka për ta është me të vërtetë një bekim!
21 Në të vërtetë, ndryshimi mes të krishterëve të vërtetë dhe të rremë po bëhet gjithnjë e më i qartë. Ndërsa populli i Jehovait përpiqet të respektojë normat e Tij, krishterimi po zhytet gjithnjë e më shumë në baltën e kësaj bote. Fjalët e Jehovait janë vërtetuar: «Ju njerëz, me siguri do të shihni përsëri dallimin në mes të të drejtit dhe të ligut, në mes të atij që i shërben Perëndisë dhe atij që nuk i ka shërbyer.»—Malakia 3:18.
22. Për cilat bekime mund të jemi të sigurt se do t’i gëzojmë nëse vazhdojmë të sjellim plotësisht të dhjetën?
22 Për të krishterët e rremë dita e larjes së llogarive do të vijë shpejt. «‘Ja! Po vjen dita që djeg si një furrë dhe të gjithë arrogantët dhe të gjithë ata që bëjnë ligësi duhet të bëhen si kallami. Dhe dita që po vjen, me siguri do t’i përpijë’—ka thënë Jehovai i ushtrive.» (Malakia 4:1) Shërbëtorët e Jehovait e dinë se në atë kohë ai do t’i mbrojë, siç mbrojti edhe kombin e tij frymor në vitin e largët 70 e.s. (Malakia 4:2) Sa të lumtur ndihen që kanë një siguri të tillë! Prandaj, deri në atë kohë, secili prej nesh le të tregojë mirënjohjen dhe dashurinë e vet për Jehovain, duke sjellë gjithë të dhjetën nëpër depo. Mund të besojmë kështu, se ai do të vazhdojë të na bekojë, derisa të mos ketë më nevojë.
[Shënimi]
a Për informata të mëtejshme, shiko Kulla e Rojës, 15 qershor 1987, faqe 14-20. (ang.)
Pyetjet për përsëritje
◻ Në kohët moderne, kur erdhi Jehovai në tempull me lajmëtarin e besëlidhjes?
◻ Kush është skllavi besnik dhe i matur dhe për çfarë pastrimi kishte nevojë pas 1918-ës?
◻ Çfarë lloj flijimesh frymore sjellin të krishterët e vërtetë?
◻ Çfarë është e dhjeta për të cilën të krishterët janë të ftuar që ta sjellin nëpër depo?
◻ Cilat bekime gëzojnë shërbëtorët e Jehovait nga fakti që ofrojnë të dhjetën frymore?
[Figura në faqen 29]
Bekimi që Jehovai i ka dhënë popullit të tij, ka bërë të nevojshme një punë të madhe ndërtimi ku përfshihen Salla të Mbretërisë dhe Sallat e Asambleve
[Figura në faqen 30]
Të dhjetat tona frymore përfshijnë energjitë dhe pasuritë që ofrojmë për ndërtimin e Sallave të Mbretërisë