A është feja shkaku i problemeve të njerëzimit?
«KUR nuk është e zënë duke nxitur konflikte, feja vepron si opium që ua mpin ndërgjegjen njerëzve dhe ua mbush trurin me fantazira për t’i larguar nga realiteti. . . . I bën njerëzit mendjengushtë, besëtytë, plot urrejtje dhe frikë.» Ky ish-misionar metodist që shkroi këto fjalë shtoi: «Këto akuza janë të vërteta. Ka fe të mirë dhe fe të keqe.»—Krijo fenë tënde (anglisht).
‘Patjetër që këto kritika janë të padrejta’,—mund të thonë disa. Megjithatë, kush i mohon dot faktet e historisë? Në një masë të madhe, feja, e cila sipas një fjalori përkufizohet si shërbim dhe adhurim i Perëndisë ose i një qenieje të mbinatyrshme, ka një histori tronditëse. Feja duhet të na hapë sytë e të na frymëzojë. Por në shumicën e rasteve ajo çfarë bën feja është që nxit konflikte, intolerancë dhe urrejtje. Pse ndodh kështu?
Një «engjëll drite» që mashtron
Sipas Biblës përgjigjja është shumë e thjeshtë. Duke u shfaqur si «engjëll drite», Satana Djalli ka mashtruar miliona veta që të ndjekin mësimet e tij, jo të Perëndisë. (2 Korintasve 11:14) Apostulli Gjon tregoi se ndikimi i Satanait është kaq i madh, saqë «e gjithë bota dergjet nën pushtetin e të ligut». (1 Gjonit 5:19) Gjoni e dinte se Satanai ‘po mashtronte gjithë tokën e banuar’.—Zbulesa 12:9.
Çfarë pasojash ka pasur kjo? Satanai ka krijuar sisteme fetare që nga pamja e jashtme duken sikur janë të shenjta. Kanë «një fasadë ‘feje’», por gjendjen e tyre të vërtetë e demaskojnë frytet e liga që prodhojnë. (2 Timoteut 3:5, J. B. Phillips; Mateu 7:15-20) Në vend që të ndihmojë për të zgjidhur problemet e njerëzimit, feja në të vërtetë bëhet pjesë e problemeve.
Mos e hidhni poshtë menjëherë këtë mendim, duke e parë si të pamundur ose të paarsyeshëm. Mos harroni se vetë thelbi i mashtrimit është që personi që po mashtrohet të mos e kuptojë këtë. Apostulli Pavël dha një shembull kur shkroi: «Gjërat që flijojnë kombet, ua flijojnë demonëve dhe jo Perëndisë.» (1 Korintasve 10:20) Ndoshta ata njerëz do të ishin tronditur po ta mendonin se po adhuronin demonët. Ata mendonin se po adhuronin ndonjë perëndi ose disa perëndi të mira. Megjithatë, e vërteta është se ishin mashtruar nga ‘forcat e liga frymore në vendet qiellore’, të cilat mbështetin Satanain në përpjekjet e tij për të mashtruar njerëzimin.—Efesianëve 6:12.
Për shembull, le të marrim në shqyrtim se si arriti të mashtronte Satanai shumë veta që pohonin se ishin të krishterë, të cilët nuk ia vunë veshin paralajmërimit të apostullit Gjon për këtë ndikim të lig.—1 Korintasve 10:12.
Ajo që mësonte Jezui vinte nga Perëndia
Jezu Krishti tha: «Ajo që mësoj nuk është e imja, por i përket atij që më dërgoi.» (Gjoni 7:16) Po, gjërat që mësonte Jezui vinin nga Perëndia i Plotfuqishëm, kështu që mësimet e tij kishin një ndikim të fuqishëm dhe nxitës tek ata që e dëgjonin. Këto mësime nuk ‘ua mpinin ndërgjegjen njerëzve e nuk ua mbushnin trurin me fantazira për t’i larguar nga realiteti’. Përkundrazi, mësimet e Jezuit i çlironin njerëzit nga shtrembërimet fetare dhe nga filozofitë njerëzore që kishte nxjerrë bota, e cila ishte «në errësirë mendërisht» sepse ishte mashtruar nga Djalli.—Efesianëve 4:18; Mateu 15:14; Gjoni 8:31, 32.
Të krishterët e vërtetë identifikoheshin jo thjesht nga pohimet e tyre se ishin të devotshëm, por nga besimi që pasqyronte cilësitë tërheqëse që prodhon fryma e shenjtë e Perëndisë. (Galatasve 5:22, 23; Jakovit 1:22; 2:26) Ajo që spikat ndër këto cilësi dhe është shenja identifikuese e krishterimit të vërtetë, është cilësia e lartë e dashurisë.—Gjoni 13:34, 35.
Por, vini re këtë pikë thelbësore: As Jezui e as apostujt e tij nuk pritnin që kongregacioni i krishterë të qëndronte ashtu si u krijua fillimisht. Ata e dinin se do të zhvillohej apostazia dhe se feja e vërtetë nuk do të ishte e dukshme për njëfarë kohe.
Feja e vërtetë mbulohet për njëfarë kohe
Në një ilustrim që bëri për grurin dhe egjrat, Jezui paratha se për njëfarë kohe feja e vërtetë do të mbetej pothuajse fare në hije. Lexojeni vetë këtë tregim te Mateu 13:24-30, 36-43. Jezui e mbolli një arë me grurë, pra me ‘farën e shkëlqyer’ që paraqiste dishepujt e tij besnikë që do të përbënin kongregacionin e hershëm të krishterë. Ai paralajmëroi se «një armik», Satana Djalli, me kalimin e kohës do të mbillte «egjër» nëpër grurë. Egjra do të ishin njerëz që thoshin se ndiqnin Jezu Krishtin, por që në të vërtetë i hidhnin poshtë mësimet e tij.
Shumë shpejt pas vdekjes së apostujve të Jezuit dolën në skenë individë që treguan se ishin ‘egjra’, pasi pëlqyen më shumë mësime të shtrembëruara njerëzore sesa «fjalën e Zotit». (Jeremia 8:8, 9; Veprat 20:29, 30) Si pasojë, në botë u shfaq një krishterim i shtrembëruar dhe i rremë. Ai sundohej nga ‘i paligjshmi’ siç e quan Bibla, pra nga një klasë e korruptuar kleri që ishte vetë e zhytur në «çdo mashtrim të padrejtë». (2 Selanikasve 2:6-10) Jezui paratha se kjo gjendje do të ndryshonte «në përfundimin e sistemit». Të krishterët ngjashëm grurit do të mblidheshin së bashku në unitet, kurse ‘egjrat’ përfundimisht do të shfaroseshin.
Është ky krishterim i rremë përgjegjësi për «shekujt me mizori të jashtëzakonshme» dhe për errësirën frymore që e mbuloi të ashtuquajturin krishterim në shekujt që pasuan. Duke e parashikuar këtë, si dhe gjithë veprimet e tjera të degjeneruara e të dhunshme që janë bërë që nga ajo kohë në emër të fesë, apostulli Pjetër me të drejtë paratha se «për shkak të këtyre [të ashtuquajturve të krishterë] do të [shahej] udha e së vërtetës».—2 Pjetrit 2:1, 2.
«Një teologji që nxit zemërim e urrejtje»
Sigurisht, nuk është vetëm i ashtuquajturi krishterim që i ka dhënë nam të keq fesë. Mendoni, për shembull, për format fondamentaliste të «devotshmërisë agresive», për të cilat ish-murgesha Karen Armstrong thotë se kanë lindur nga «çdo fe tradicionale kryesore». Sipas Armstrongut, një kriter i domosdoshëm i çdo feje është që duhet të nxitë «dhembshuri me veprime». Çfarë provash kanë dhënë fetë fondamentaliste në këtë drejtim? «Besimi fondamentalist,—shkruan ajo,—qoftë ky judaik, i krishterë ose mysliman, nuk e plotëson këtë kriter të domosdoshëm, në qoftë se bëhet një teologji që nxit zemërim e urrejtje.» (Beteja për Perëndinë: Fondamentalizmi në judaizëm, krishterim dhe në islamizëm) Por, a janë vetëm fetë «fondamentaliste» ato që nuk e kanë arritur këtë kriter, duke u bërë ‘teologji që nxitin zemërim e urrejtje’? Historia flet ndryshe.
E vërteta është se Satanai ka ndërtuar një perandori botërore të fesë së rreme, e cila karakterizohet nga zemërimi, urrejtja dhe gjakderdhja pothuajse e pafund. Këtë perandori Bibla e quan «Babilonia e Madhe, nëna . . . e gjërave të neveritshme të tokës» dhe e përshkruan si një prostitutë që kalëron mbi një sistem politik ngjashëm një bishe. Vlen të përmendet se ajo konsiderohet përgjegjëse për ‘gjakun e profetëve, të të shenjtëve dhe të tërë atyre që janë therur mbi tokë’.—Zbulesa 17:4-6; 18:24.
Jo të gjithë janë mashtruar
Gjithsesi, historia tregon se jo të gjithë janë mashtruar. Melvin Bragu thotë se edhe në epokat më të errëta, «shumë njerëz të mirë bënin gjëra të mira edhe kur përreth tyre kishte kudo ligësi». Të krishterët e vërtetë vazhduan ‘ta adhuronin Perëndinë me frymë dhe të vërtetë’. (Gjoni 4:21-24) Ata qëndruan të ndarë nga sistemi fetar mbarëbotëror që ka vepruar si prostitutë duke «mbështetur çdo fuqi ushtarake». Të krishterët e vërtetë nuk pranuan të përfshiheshin në marrëdhënien e ndërsjellë të kishës me shtetin, marrëdhënie që historia e përshkruan «më shumë si një pakt të bërë nga Satanai sesa nga ndonjë Jezu i Nazaretit».—Dy mijë vjet: Mijëvjeçari i dytë: Nga krishterimi i Mesjetës në krishterimin global (anglisht).
Në këto kohë të fundit, Dëshmitarët e Jehovait janë dalluar sepse ushtrojnë një ndikim për mirë. Që të mos lejojnë asnjë ndotje nga feja e rreme, ata i kanë bazuar bindjet dhe veprimet e tyre vetëm në Fjalën e frymëzuar të Perëndisë, në Bibël. (2 Timoteut 3:16, 17) E po ashtu si të krishterët e shekullit të parë, ata kanë ndjekur urdhrin e Jezuit që ‘të mos jenë pjesë e botës’. (Gjoni 15:17-19; 17:14-16) Për shembull, Dëshmitarët e Jehovait në Gjermaninë naziste nuk pranuan të shkelnin parimet e krishtere, kështu që sipas ideologjisë naziste nuk ishin të pranueshëm. Hitleri i urrente për këtë qëndrim që kishin. Një libër shkollor thotë: «Dëshmitarët e Jehovait . . . ndoqën mësimin e Biblës për të mos marrë armët për asnjë kauzë. Prandaj, nuk pranuan të shërbenin në ushtri ose të kishin të bënin me nazistët. Si kundërpërgjigje, ushtarët SS burgosën familje të tëra Dëshmitarësh të Jehovait. Rreth një e treta e gjithë Dëshmitarëve të Jehovait [në Gjermani] u vranë nëpër kampe përqendrimi.»—Gjermania—1918-1945 (anglisht).
Sigurisht që kishte edhe individë të tjerë të guximshëm nga fe të ndryshme që vuajtën për bindjet e tyre. Por Dëshmitarët e Jehovait vuajtën të tërë si grup i bashkuar fetar. Shumica dërrmuese e tyre i qëndruan besnikë parimit themelor të Biblës: «T’i bindemi Perëndisë si sundimtar në vend të njerëzve.»—Veprat 5:29; Marku 12:17.
Rrënja e problemit
Prandaj, vetëm pjesërisht është e vërtetë që feja është shkaku i të gjitha problemeve të njerëzimit. Feja e rreme po. Gjithsesi, Perëndia ka ndër mend që shumë shpejt ta heqë gjithë fenë e rreme. (Zbulesa 17:16, 17; 18:21) Urdhri i tij për të gjithë ata që e duan drejtësinë është: «Dilni prej saj [domethënë prej Babilonisë së Madhe, perandorisë botërore të fesë së rreme], o populli im, nëse nuk doni të merrni pjesë me të në mëkatet e saj dhe nëse nuk doni të merrni nga plagët e saj. Sepse mëkatet e saj janë grumbulluar deri në qiell dhe Perëndia ka sjellë ndër mend veprat e saj të padrejtësisë.» (Zbulesa 18:4, 5) Po, vetë Perëndia është thellësisht i fyer nga feja që ‘nxit konfliktet, u mpin ndërgjegjen njerëzve, u mbush trurin me fantazira për t’i larguar nga realiteti dhe i bën mendjengushtë, besëtytë e plot me urrejtje dhe frikë’.
Ndërkohë, Perëndia po mbledh në fenë e vërtetë ata që e duan të vërtetën. Kjo është feja që u përmbahet parimeve dhe mësimeve të një Krijuesi të dashur, të drejtë e të dhembshur. (Mikea 4:1, 2; Sofonia 3:8, 9; Mateu 13:30) Edhe ju mund të jeni pjesë e saj. Nëse do të donit më shumë informacione se si ta identifikoni fenë e vërtetë, ndihuni të lirë t’u shkruani botuesve të kësaj reviste ose t’i kërkoni ndihmë çdo Dëshmitari të Jehovait.
[Figura në faqen 7]
Njerëz nga të gjitha formimet kanë gjetur gëzim në fenë e vërtetë