Të krishterët e vërtetë e respektojnë Fjalën e Perëndisë
«Fjala jote është e vërteta.»—GJONI 17:17.
1. Përmend nga përvoja jote një aspekt të rëndësishëm se si Dëshmitarët e Jehovait ndryshojnë nga grupet e tjera fetare.
KUJTO pak herën e parë kur bëre një bisedë domethënëse me një Dëshmitar të Jehovait. Çfarë mban mend? Shumë do të thoshin: «Më bëri përshtypje fakti që Dëshmitari përdori Biblën për t’iu përgjigjur të gjitha pyetjeve të mia.» Sa të lumtur ishim që zbuluam qëllimin e Perëndisë për tokën, çfarë ndodh kur vdesim dhe ç’e ardhme i pret njerëzit tanë të dashur që kanë vdekur!
2. Cilat janë disa arsye pse e çmon ti Biblën?
2 Por, ndërsa studiuam më shumë, kuptuam se Bibla nuk mjaftohet vetëm duke iu përgjigjur pyetjeve për jetën, vdekjen dhe të ardhmen. Arritëm të kuptonim se Bibla është libri më praktik në botë. Këshillat e saj nuk njohin kohë dhe ata që i ndjekin me kujdes, kanë një jetë të suksesshme e të lumtur. (Lexo Psalmin 1:1-3.) Të krishterët e vërtetë e kanë pranuar gjithmonë Biblën «jo si fjalë njerëzish, por siç është me të vërtetë, si fjalën e Perëndisë». (1 Sel. 2:13) Një rishikim i shkurtër historik do të nxjerrë në pah kontrastin midis atyre që e respektojnë Fjalën e Perëndisë dhe atyre që nuk e respektojnë.
ZGJIDHET NJË ÇËSHTJE E KOKLAVITUR
3. Cila çështje kërcënoi unitetin e kongregacionit të krishterë në shekullin e parë dhe ku qëndronte rreziku?
3 Gjatë 13 vjetëve pasi u miros Korneli, jojudeu i parë i parrethprerë, lindi një çështje që kërcënonte unitetin e kongregacionit të krishterë. Gjithnjë e më tepër jojudenj po përqafonin besimin e krishterë. Prandaj, pyetja që ngrihej, ishte: a duheshin rrethprerë burrat sipas zakonit judaik, para se të pagëzoheshin? Për një jude nuk ishte e lehtë t’i përgjigjej kësaj pyetjeje. Judenjtë që zbatonin Ligjin e Moisiut as që hynin në shtëpinë e një jojudeu, e jo më të krijonin shoqëri të ngushtë me të. Të krishterët judenj tashmë po përndiqeshin egërsisht ngaqë kishin braktisur fenë e mëparshme. Nëse shkonin deri aty sa të futnin në gjirin e tyre jojudenj të parrethprerë, kjo vetëm sa do ta thellonte hendekun mes judenjve besimtarë dhe të krishterëve duke u sjellë edhe më shumë sharje.—Gal. 2:11-14.
4. Cilët u thirrën për të zgjidhur çështjen? Cilat pyetje mund t’u kenë lindur në mendje vëzhguesve?
4 Në vitin 49 të e.s., apostujt dhe pleqtë në Jerusalem që ishin judenj të rrethprerë, «u mblodhën së bashku për ta parë këtë çështje». (Vep. 15:6) Ajo çka vijoi nuk ishte një debat teologjik bajat për hollësi teknike, por një diskutim i gjallë doktrinal. Kishte dy palë me opinione të forta që shprehën mendimin e tyre rreth çështjes. A do të mbizotëronin parapëlqimet ose paragjykimet? A do ta shtynin për më vonë vendimin pleqtë përgjegjës derisa të përmirësohej për ta klima fetare në Izrael? Apo do të arrihej ndonjë lloj kompromisi, ku secila palë do ta zbuste qëndrimin derisa të binin pak a shumë në një mendje?
5. Në cilat aspekte të rëndësishme ndryshonte mbledhja e vitit 49 të e.s. në Jerusalem, nga këshillat kishtarë që u mblodhën në shekujt e mëvonshëm?
5 Në këshillat kishtarë kanë qenë të zakonshme kompromiset dhe presionet. Por, në atë mbledhje në Jerusalem, nuk u bë asnjë kompromis dhe as iu bë presion njërës palë që të votonte në favor të palës tjetër. Për më tepër, u arrit një vendim unanim. Si vallë? Pavarësisht se sa pikëpamje të fortë mund të kishte secili pjesëmarrës, të gjithë e respektonin Fjalën e Perëndisë dhe këto shkrime të shenjta përmbanin çelësin për zgjidhjen e çështjes.—Lexo Psalmin 119:97-101.
6, 7. Si u përdorën Shkrimet për të zgjidhur çështjen?
6 Fragmenti që ndihmoi për zgjidhjen e çështjes ishte Amosi 9:11, 12. Siç citohet te Veprat 15:16, 17, në të thuhet: «‘Do të kthehem e do të rindërtoj kasollen e Davidit, që ka rënë. Do të rindërtoj rrënojat e saj dhe do ta ngre sërish, me qëllim që ata njerëz që mbeten, bashkë me njerëz nga të gjitha kombet, që thirren me emrin tim, të kërkojnë me ngulm Jehovain’,—thotë Jehovai.»
7 Por dikush mund të kundërshtojë duke thënë se shkrimi nuk tregon që ishte e panevojshme të rrethpriteshin besimtarët jojudenj. Kjo është e vërtetë, megjithatë të krishterët judenj duhet ta kenë kapur pikën. Ata nuk i konsideronin jojudenjtë e rrethprerë si ‘njerëz të kombeve’, por si vëllezër. (Dal. 12:48, 49) Për shembull, sipas versionit të Septuagintës nga Bagsteri, tek Estera 8:17 thuhet: «Shumë jojudenj u rrethprenë dhe u bënë judenj.» Kështu, kur Shkrimet parathoshin se ata që do të mbeteshin nga shtëpia e Izraelit (judenjtë dhe prozelitët e rrethprerë) bashkë me «njerëz nga të gjitha kombet» (jojudenjtë e parrethprerë) do të bëheshin një popull për emrin e Perëndisë, mesazhi ishte i qartë. Rrethprerja nuk ishte një kërkesë për jojudenjtë që donin të bëheshin të krishterë.
8. Pse të krishterët judenj kishin nevojë për guxim që të merrnin vendimin që morën?
8 Fjala e Perëndisë dhe fryma e tij i drejtuan ata të krishterë të sinqertë ‘që të binin dakord njëzëri’. (Vep. 15:25) Ndonëse kishte shumë të ngjarë që vendimi të shtonte përndjekjen ndaj të krishterëve judenj, ata besnikë e mbështetën plotësisht atë vendim të bazuar në Bibël.—Vep. 16:4, 5.
NJË KONTRAST I THELLË
9. Cili ishte një faktor i rëndësishëm që çoi në ndotjen e adhurimit të vërtetë? Cili mësim i krishterë i rëndësishëm u ndot?
9 Apostulli Pavël paratha se pas vdekjes së apostujve, besimi i krishterë do të ndotej nga mësimet e rreme. (Lexo 2 Selanikasve 2:3, 7.) Mes atyre që nuk do ta duronin dot «mësimin e shëndoshë», ishin disa me përgjegjësi në kongregacion. (2 Tim. 4:3) Pavli i paralajmëroi pleqtë në kohën e tij: «Nga gjiri juaj do të ngrihen njerëz e do të thonë gjëra të shtrembëruara, për të tërhequr pas vetes dishepujt.» (Vep. 20:30) Një enciklopedi përshkruan një faktor të rëndësishëm që çoi në arsyetime të shtrembëruara: «Të krishterët që kishin studiuar disi filozofinë greke, nisën të ndienin nevojën që ta shprehnin besimin e tyre me termat e saj, qoftë për kënaqësinë e tyre intelektuale, qoftë për të kthyer në besim paganët e arsimuar.» (The New Encyclopædia Britannica) Një doktrinë e rëndësishme që u shtrembërua nga një ide pagane, ishte ajo që lidhej me identitetin e Jezu Krishtit. Bibla e quan atë Biri i Perëndisë, por ata që e donin filozofinë greke këmbëngulnin se ai ishte Perëndia.
10. Si mund të ishte zgjidhur çështja e identitetit të Krishtit?
10 Ky argument u debatua në një sërë këshillash kishtarë. Çështja mund të ishte zgjidhur fare lehtë nëse delegatët do t’u kishin dhënë peshën e duhur Shkrimeve, por shumica nuk e bëri këtë. Madje pjesa më e madhe e tyre e kishin ndarë mendjen që para se të mbërrinin në këta këshilla dhe largoheshin prej tyre më të vendosur se kurrë në qëndrimet e veta. Kanonet dhe deklaratat që dilnin nga këto mbledhje, thuajse nuk u referoheshin fare Shkrimeve.
11. Sa rëndësi iu dha autoritetit të të ashtuquajturve etër të kishës dhe pse?
11 Pse udhëheqësit e kishës nuk i përdornin më tepër Shkrimet kur merrnin vendime? Sipas studiuesit Çarls Frimen, ata që besonin se Jezui është Perëndia «e kishin të vështirë të hidhnin poshtë shumë thënie të Jezuit që tregonin se ai ishte më i ulët se Perëndia Atë». Si pasojë, vendin e ungjijve e zuri tradita kishtare dhe opinionet e autoriteteve të mëvonshme. Deri sot e kësaj dite, mjaft klerikë i ngrenë thëniet jo të frymëzuara të të ashtuquajturve etër të kishës më lart se Fjalën e Perëndisë. Ndoshta e ke vënë re këtë nëse ke folur ndonjëherë për doktrinën e Trinitetit me dikë që ka studiuar për teologji.
12. Ç’ndikim negativ ushtronte perandori?
12 Një karakteristikë e veçantë e debateve në këshillat kishtarë ishte ndërhyrja e perandorëve romakë. Në lidhje me këtë, profesori Riçard Rubenstajn shkroi për Këshillin e Nicesë: «Kostandini i kishte favorizuar dhe pasuruar [peshkopët] përtej çdo imagjinate. Në më pak se një vit, perandori i ri kishte rikthyer ose rindërtuar thuajse të gjitha kishat e tyre, u kishte dhënë përsëri punën dhe prestigjin që u ishin hequr . . . Ai u kishte dhënë klerikëve të krishterë privilegje që dikur u jepeshin priftërinjve paganë.» Si pasojë, «Kostandini ishte në gjendje të ushtronte një ndikim të fortë—madje të diktonte—rrjedhën e ngjarjeve në Nice». Çarls Frimeni vërteton: «Tani ishte vendosur precedenti që perandori të ndërhynte jo vetëm për të forcuar Kishën, por edhe për të ndikuar te doktrina e saj.»—Lexo Jakovin 4:4.
13. Çfarë mund t’i ketë shtyrë udhëheqësit e mëvonshëm kishtarë të shpërfillnin të vërtetat e qarta të Biblës?
13 Ndërsa funksionarët kishtarë e kishin të vështirë të përcaktonin identitetin e saktë të Jezu Krishtit, për shumë njerëz të thjeshtë s’ishte problem. Meqë nuk u interesonte të mbushnin qeset me arin e perandorit ose të bënin karrierë në hierarkinë kishtare, mund t’i shihnin gjërat më me objektivitet, nën dritën e Shkrimeve. E me sa duket kështu bënë. Një teolog i asaj kohe, Gregori i Nisës, bëri këtë koment përçmues për njerëzit e thjeshtë: «Tregtarët e rrobave, këmbyesit e parave dhe shitësit e ushqimeve janë të gjithë teologë. Kur pyet për vlerën e parasë, njëfarë filozofi të shpjegon se ku ndryshon Biri nga Ati. Kur pyet për çmimin e bukës, të tregojnë se Ati është më i madh se Biri. Kur pyet a është gati banja për t’u larë, të thonë se Biri është krijuar.» Po, ndryshe nga pjesëtarët e hierarkisë, plot njerëz të thjeshtë i mbështetnin përfundimet e tyre në Fjalën e Perëndisë. Gregori dhe kolegët e tij do të kishin bërë mirë t’i dëgjonin.
«GRURI» DHE «EGJRAT» RRITEN BASHKË
14. Pse mund të nxjerrim përfundimin se, që prej shekullit të parë e më tej, duhet të ketë pasur gjithnjë disa të krishterë të mirosur në tokë?
14 Në një ilustrim, Jezui tregoi se, që prej shekullit të parë e më tej, në tokë do të kishte gjithmonë disa të krishterë të vërtetë të mirosur. Ai i krahasoi ata me «grurin» që rritet mes ‘egjrave’. (Mat. 13:30) Natyrisht, ne nuk mund të themi me siguri se cilët individë ose grupe i përkitnin klasës së të mirosurve, por nuk diskutohet se ka pasur gjithnjë disa që kanë mbrojtur me guxim Fjalën e Perëndisë dhe kanë demaskuar mësimet kishtare jobiblike. Le të shqyrtojmë disa shembuj.
15, 16. Përmend disa që e respektonin Fjalën e Perëndisë.
15 Kryepeshkopi Agobard i Lionit, Francë (779-840 të e.s.), foli kundër adhurimit të shëmbëlltyrave, kishave kushtuar shenjtorëve dhe liturgjive e praktikave jobiblike të kishës. Edhe një nga bashkëkohësit e tij, peshkopi Klaud, hodhi poshtë traditën kishtare dhe lutjet që u bëheshin shenjtorëve, si edhe përnderimin e sendeve të ashtuquajtura të shenjta. Në shekullin e 11-të, kryedhjakun Berengar të Turit, Francë, e shkishëruan ngaqë hidhte poshtë mësimin katolik të transubstancimit. Për më tepër, ai pohonte se Bibla qëndron më lart se tradita kishtare.
16 Në shekullin e 12-të, dolën në skenë dy individë që e donin të vërtetën biblike, Pierri i Bruisë dhe Henri i Lozanës. Pierri hoqi dorë nga priftëria ngaqë nuk mund të pajtonte Shkrimet me mësimet katolike, si pagëzimi i foshnjave, transubstancimi, lutjet për të vdekurit dhe adhurimi i kryqit. Në vitin 1140, Pierri i pagoi me jetë bindjet e tij. Henri, një murg, foli kundër praktikave të korruptuara të kishës, si edhe kundër aspekteve jobiblike të liturgjisë kishtare. E arrestuan në vitin 1148 dhe e kaloi jetën në burg.
17. Cilët hapa të rëndësishëm ndërmori Valdoja dhe ithtarët e tij?
17 Rreth kohës kur Pierrin e Bruisë e dogjën të gjallë sepse guxoi të kritikonte kishën, lindi dikush që më vonë do të ndikonte fuqimisht në përhapjen e së vërtetës biblike. Mbiemri i tij ishte Valdez ose Valdo.a Ndryshe nga Pierri i Bruisë dhe Henri i Lozanës, ai ishte laik, por e vlerësonte aq shumë Fjalën e Perëndisë, saqë hoqi dorë nga të mirat materiale dhe mori masa që të përktheheshin pjesë të Biblës në një gjuhë që flitej gjerësisht në juglindje të Francës. Disa ishin aq të entuziazmuar kur dëgjonin mesazhin e Biblës në gjuhën e tyre, saqë i falën edhe ata të mirat e tyre e ia kushtuan jetën përhapjes së të vërtetës biblike. Kjo e shqetësoi shumë kishën. Në vitin 1184, këta burra e gra të zellshëm, që më vonë u quajtën valdezë, u shkishëruan nga papa dhe peshkopi i dëboi nga shtëpitë e tyre. Faktikisht ky veprim shërbeu për të përhapur mesazhin e Biblës në zona të tjera. Në fund, ithtarët e Valdos, të Pierrit të Bruisë dhe të Henrit të Lozanës, si edhe disidentë të tjerë të kishës gjendeshin në shumë vise të Evropës. Në shekujt e mëvonshëm pati edhe të tjerë që mbrojtën të vërtetën biblike, si për shembull: Xhon Uajklif (rr. 1330-1384), Uilliam Tindal (rr. 1494-1536), Henri Gru (1781-1862) dhe Xhorxh Stors (1796-1879).
«FJALA E PERËNDISË NUK ËSHTË E LIDHUR ME VARGONJ»
18. Shpjego metodën e studimit të Biblës që përdornin studentë të sinqertë të Biblës në shekullin e 19-të. Pse ishte e efektshme kjo metodë?
18 Sado që janë përpjekur, armiqtë e së vërtetës biblike nuk kanë mundur të ndalin përhapjen e saj. «Fjala e Perëndisë nuk është e lidhur me vargonj»,—thuhet te 2 Timoteut 2:9. Në vitin 1870, një grup studentësh të sinqertë të Biblës filluan të kërkonin të vërtetën. Çfarë metode studimi përdornin? Dikush ngrinte një pyetje, pastaj e diskutonin. Kërkonin të gjitha shkrimet që lidheshin me atë pikë dhe, kur ishin të kënaqur me harmoninë e këtyre vargjeve, e pohonin përfundimin e tyre dhe e dokumentonin. Ashtu si apostujt dhe pleqtë në shekullin e parë, këta besnikë, «paraardhësit tanë frymorë» të fundit të shekullit të 19-të, ishin të vendosur t’i pajtonin plotësisht bindjet e tyre me Fjalën e Perëndisë. A nuk të jep siguri kjo?
19. Cili është shkrimi i vitit 2012? Pse është me vend?
19 Bibla është ende themeli i bindjeve tona. Me këtë në mendje, Trupi Udhëheqës i Dëshmitarëve të Jehovait ka zgjedhur si shkrim për vitin 2012 fjalët që tha plot siguri Jezui: «Fjala jote është e vërteta.» (Gjoni 17:17) Meqë kushdo që dëshiron miratimin e Perëndisë duhet të ecë në të vërtetën, le të përpiqemi të gjithë që të vazhdojmë të drejtohemi nga Fjala e Perëndisë.
[Shënimi]
a Valdezi është quajtur ndonjëherë Pierr Valdez ose Piter Valdo, por emri i tij nuk mund të vërtetohet.
[Diçitura në faqen 8]
Shkrimi i vitit për 2012-n është: «Fjala jote është e vërteta.»—Gjoni 17:17
[Figura në faqen 7]
Valdo
[Figura në faqen 7]
Uajklif
[Figura në faqen 7]
Tindal
[Figura në faqen 7]
Gru
[Figura në faqen 7]
Stors