KAPITULLI 30
Lidhja që ka Jezui me Perëndinë
PERËNDIA ËSHTË ATI I JEZUIT
PREMTOHET RINGJALLJA
Kur disa judenj e akuzojnë Jezuin se po shkel Sabatin ngaqë shëroi një burrë, ai u përgjigjet: «Ati im vazhdon të punojë deri më tani, prandaj dhe unë vazhdoj të punoj.»—Gjoni 5:17.
Ajo që po bën Jezui, nuk bie ndesh me atë që thuhet në Ligjin Perëndisë për Sabatin. Jezui imiton të atin ndërsa predikon dhe shëron. Ndaj vazhdon të bëjë vepra të mira çdo ditë. Megjithatë, përgjigjja e Jezuit i tërbon fare akuzuesit, të cilët përpiqen ta vrasin. Përse?
Sepse, përveçse e kanë gabim që mendojnë se Jezui po shkel Sabatin duke kryer shërime, ata edhe ofendohen shumë nga pohimi i tij se është Biri i Perëndisë. E konsiderojnë blasfemi faktin që Jezui e quan Perëndinë Atin e tij, pasi u duket se me këtë shprehje po e barazon veten me Perëndinë. Megjithatë, Jezui nuk ka frikë dhe u shpjegon më tepër për lidhjen e veçantë që ka me Perëndinë. Ai thotë: «Ati e ka për zemër Birin dhe i tregon gjithçka që bën.»—Gjoni 5:20.
Ati është Jetëdhënësi, dhe e ka treguar këtë në të kaluarën, duke u dhënë disa njerëzve fuqinë për të ringjallur. Jezui vazhdon: «Ashtu si Ati i ngre të vdekurit dhe u jep jetë, po kështu edhe Biri u jep jetë atyre që dëshiron.» (Gjoni 5:21) Çfarë pohimi domethënës që na mbush plot shpresë për të ardhmen! Tashmë Biri po ngre të vdekurit në një kuptim të figurshëm. Ja pse Jezui thotë: «Kush i dëgjon fjalët e mia dhe i beson Atij që më dërgoi, ka jetë të përhershme dhe nuk gjykohet, por kalon nga vdekja në jetë.»—Gjoni 5:24.
Në bazë të asaj që dimë, deri tani Jezui ende nuk ka ringjallur në kuptimin e mirëfilltë dikë, por u thotë akuzuesve se shumë shpejt do të ndodhë edhe kjo lloj ringjalljeje. Ai premton: «Po vjen ora kur të gjithë ata që janë në varre, do ta dëgjojnë zërin e tij dhe do të dalin.»—Gjoni 5:28, 29.
Ndonëse Jezui ka një rol të jashtëzakonshëm, ai e tregon qartë se i nënshtrohet Perëndisë, kur thotë: «Unë s’mund të bëj as edhe një gjë të vetme me nismën time. . . . Nuk kërkoj të bëj vullnetin tim, por vullnetin e atij që më dërgoi.» (Gjoni 5:30) Kjo është hera e parë që shpjegon kaq hapur rolin e tij jetësor në qëllimin e Perëndisë. Jezui u kujton akuzuesve të tij se për të ka edhe dëshmi të tjera: ‘Ju dërguat njerëz te Gjon [Pagëzori], dhe ai ka dhënë dëshmi të vërtetë.’—Gjoni 5:33.
Akuzuesit e Jezuit mund të kenë dëgjuar që, rreth dy vjet më parë, Gjoni u kishte treguar krerëve fetarë judenj për atë që do të vinte pas tij, të cilin ata e quanin «Profeti» dhe «Krishti». (Gjoni 1:20-25) Duke u kujtuar akuzuesve të tij sa respekt kishin pasur dikur për Gjonin, që tani është në burg, Jezui u thotë: «Juve ju pëlqeu që për pak kohë të gjenit gëzim falë dritës së tij.» (Gjoni 5:35) E megjithatë dëshmia e Jezuit është më e madhe se ajo e Gjon Pagëzorit.
Teksa i referohet edhe shërimit që sapo ka kryer, Jezui thotë: «Veprat që po bëj, japin dëshmi se më dërgoi Ati.» Pastaj vazhdon: «Vetë Ati që më dërgoi, dha dëshmi për mua.» (Gjoni 5:36, 37) Për shembull, Perëndia dha dëshmi për Jezuin gjatë pagëzimit të tij.—Mateu 3:17.
Vërtet, akuzuesit nuk kanë asnjë justifikim për ta hedhur poshtë Jezuin. Shkrimet që ata pretendojnë se i studiojnë me kujdes, dëshmojnë për të. Jezui përfundon me këto fjalë: «Po t’i besonit vërtet Moisiut, do të më besonit edhe mua, sepse ai shkroi për mua. Por, nëse nuk u besoni shkrimeve të tij, si do t’u besoni fjalëve të mia?!»—Gjoni 5:46, 47.