Të pastruar si një popull për vepra të shkëlqyera
«Le të pastrohemi nga çdo ndotje e mishit dhe e frymës, duke e përsosur shenjtërinë në frikën e Perëndisë.»—2 KORINTASVE 7:1.
1. Çfarë kërkon Jehovai nga ata që e adhurojnë?
«KUSH do t’i ngjitet malit të Zotit? Kush do të qëndrojë në vendin e tij të shenjtë?» Mbreti David i Izraelit të lashtë ngriti këto pyetje që të vënë në mendime, për sa i përket adhurimit që pranon Jehovai. Pastaj dha përgjigjen: «Njeriu i pafajshëm nga duart dhe i pastër nga zemra, që nuk e ngre shpirtin për t’u dukur dhe nuk betohet në mënyrë të rreme.» (Psalmi 24:3, 4) Për t’u pranuar nga Jehovai, i cili është vetë personifikimi i shenjtërisë, duhet të jemi të pastër e të shenjtë. Më përpara, Jehovai i kishte rikujtuar kongregacionit të Izraelit: «Shenjtërohuni, pra, dhe jini të shenjtë, sepse unë jam i shenjtë.»—Levitiku 11:44, 45; 19:2.
2. Si e theksuan Pavli dhe Jakovi rëndësinë e pastërtisë në adhurimin e vërtetë?
2 Shekuj më vonë, apostulli Pavël u shkroi të bashkëkrishterëve që ishin në qytetin e degjeneruar të Korintit: «Prandaj, o të dashur, meqë kemi këto premtime, le të pastrohemi nga çdo ndotje e mishit dhe e frymës, duke e përsosur shenjtërinë në frikën e Perëndisë.» (2 Korintasve 7:1) Edhe ky shkrim thekson se për të pasur një marrëdhënie me Perëndinë dhe për të marrë bekimet që ai ka premtuar, një njeri duhet të jetë i pastër dhe i lirë nga ndotja e nga korruptimi fizik e frymor. Në mënyrë të ngjashme, duke shkruar për adhurimin që pranon Perëndia, dishepulli Jakov tha: «Forma e adhurimit që është e pastër dhe e pandotur nga këndvështrimi i Perëndisë dhe Atit tonë është kjo: të kujdesesh për jetimët dhe vejushat në shtrëngimet e tyre dhe ta ruash veten pa njollë nga bota.»—Jakovit 1:27.
3. Për çfarë duhet të interesohemi seriozisht, me qëllim që adhurimi ynë të jetë i pranueshëm për Perëndinë?
3 Pra, të jemi të pastër, të shenjtë e të pandotur janë faktorë shumë të rëndësishëm në adhurimin e vërtetë. Prandaj, kushdo që dëshiron të fitojë miratimin e Perëndisë duhet të interesohet seriozisht që t’i plotësojë këto kërkesa. Mirëpo, meqë njerëzit sot kanë norma dhe koncepte shumë të ndryshme për pastërtinë, duhet të kuptojmë dhe të përputhemi me atë që Jehovai e quan të pastër e të pranueshme. Duhet të zbulojmë se çfarë kërkon Perëndia nga adhuruesit e tij në këtë drejtim dhe si i ka ndihmuar që të bëhen dhe të mbeten të pastër e të pranueshëm për të.—Psalmi 119:9; Danieli 12:10.
Të pastër për adhurimin e vërtetë
4. Shpjegoni konceptin biblik të pastërtisë.
4 Për pjesën më të madhe të njerëzve, të jesh i pastër do të thotë thjesht të mos jesh pis ose i ndotur. Kurse në Bibël, për të përcjellë idenë e të qenët i pastër përdoren disa fjalë hebraike e greke, të cilat e përshkruajnë pastërtinë jo vetëm në kuptimin fizik, por më shpesh në atë moral e frymor. Kështu që një enciklopedi biblike thotë: «‘I pastër’ dhe ‘i papastër’ janë terma që rrallëherë përdoren thjesht për çështje higjiene, pasi janë kryesisht koncepte fetare. Si i tillë, parimi i ‘pastërtisë’ ka të bëjë pothuajse me çdo fushë të jetës.»
5. Deri në ç’pikë e kontrollonte Ligji i Moisiut pastërtinë në jetën e izraelitëve?
5 Në të vërtetë, në Ligjin e Moisiut kishte rregulla dhe udhëzime thuajse për çdo fushë të jetës së izraelitëve, duke shpjeguar me hollësi çfarë ishte e pastër dhe e pranueshme e çfarë jo. Për shembull, nga kapitulli 11 deri në kapitullin 15 të Levitikut gjejmë udhëzime të hollësishme që lidhen me pastërtinë dhe papastërtinë. Disa kafshë ishin të papastra dhe izraelitët nuk duhej t’i hanin. Kur një grua lindte fëmijë, do të ishte e papastër për një periudhë të caktuar kohe. Po ashtu, disa sëmundje të lëkurës e sidomos lebra, si edhe rrjedhjet nga organet gjenitale femërore e mashkullore, do ta bënin të papastër dikë. Ligji tregonte gjithashtu me hollësi se çfarë duhej bërë në rastet që kishin të bënin me papastërtinë. Fjala vjen, te Numrat 5:2 lexojmë: «Urdhëro bijtë e Izraelit të nxjerrin jashtë kampit çdo lebroz, këdo që ka një fluks ose është i papastër nga kontakti që ka pasur me një trup të vdekur.»
6. Përse u dhanë ligjet për pastërtinë?
6 S’ka asnjë dyshim se këto dhe ligje të tjera të Jehovait pasqyronin koncepte mjekësore e fiziologjike shumë të përparuara për atë kohë, dhe njerëzit nxirrnin dobi kur i zbatonin. Gjithsesi, këto ligje nuk ishin dhënë thjesht si një kod shëndetësor ose vetëm si udhëzime mjekësore. Ishin pjesë e adhurimit të vërtetë. Është e qartë se ato kishin të bënin me jetën e përditshme të njerëzve, pra me të ngrënët, lindjen, marrëdhëniet martesore e kështu me radhë. Por kjo vetëm theksonte se Jehovai, si Perëndia i tyre, kishte të drejtën të vendoste se çfarë ishte e përshtatshme ose jo në çdo fushë të jetës, të cilën ia kishin kushtuar vetëm Jehovait.—Ligji i përtërirë 7:6; Psalmi 135:4.
7. Cilin bekim do të merrte kombi i Izraelit po të zbatonte Ligjin?
7 Po ashtu, besëlidhja e Ligjit i mbronte izraelitët nga praktikat ndotëse të kombeve që i rrethonin. Duke e zbatuar me besnikëri Ligjin, me të gjitha kërkesat për të qëndruar të pastër në sytë e Jehovait, izraelitët do të ishin të denjë për t’i shërbyer Perëndisë së tyre dhe për të marrë bekimin e tij. Lidhur me këtë, Jehovai i tha kombit: «Në qoftë se do ta dëgjoni me vëmendje zërin tim dhe zbatoni besëlidhjen time, do të jeni thesari im i veçantë ndërmjet tërë popujve, sepse gjithë toka është imja. Dhe do të jeni për mua një mbretëri priftërinjsh dhe një komb i shenjtë.»—Eksodi (Dalja) 19:5, 6; Ligji i përtërirë 26:19.
8. Përse të krishterët sot duhet t’i kushtojnë vëmendje asaj që thuhet në Ligj për pastërtinë?
8 Duke qenë se Jehovai përfshiu në Ligj hollësi të tilla me qëllim që izraelitët të bëheshin të pastër, të shenjtë e të pranueshëm për të, a nuk është e përshtatshme që të krishterët sot të shohin me kujdes se si po i përmbushin ato? Edhe pse të krishterët nuk janë të kushtëzuar nga Ligji, duhet të kenë parasysh se, siç shpjegoi Pavli, të gjitha gjërat e shkruara në Ligj «janë një hije e atyre që do të vijnë, kurse realiteti i përket Krishtit». (Kolosianëve 2:17; Hebrenjve 10:1) Nëse Perëndia Jehova, i cili thotë «nuk ndryshoj», e shihte si faktor të rëndësishëm në atë kohë të qenët të pastër e të pandotur në adhurimin e vërtetë, aq më shumë është i tillë sot. Duhet ta marrim seriozisht çështjen e të qenët të pastër fizikisht, moralisht dhe frymësisht, nëse duam miratimin dhe bekimin e tij.—Malakia 3:6; Romakëve 15:4; 1 Korintasve 10:11, 31.
Pastërtia fizike flet në të mirën tonë
9, 10. (a) Përse pastërtia fizike është e rëndësishme për një të krishterë? (b) Çfarë komentesh bëhen shpesh për kongreset e Dëshmitarëve të Jehovait?
9 A është ende pastërtia fizike një element i rëndësishëm i adhurimit të vërtetë? Ndonëse nuk mjafton vetëm pastërtia fizike për ta bërë dikë adhurues të vërtetë të Perëndisë, është patjetër me vend që një adhurues i vërtetë të jetë i pastër fizikisht, për sa e lejojnë rrethanat. Sot, sidomos, kur shumë njerëz s’i kushtojnë vëmendje pastërtisë vetjake, të rrobave ose të vendit ku jetojnë, ata që i kushtojnë vëmendje shpesh vihen re nga njerëzit që i rrethojnë. Nga kjo mund të vijnë përfundime pozitive, siç u tha Pavli të krishterëve korintas: «Në asnjë mënyrë nuk po japim asnjë shkak për pengesë, që në shërbimin tonë të mos gjendet e metë; por në çdo mënyrë e rekomandojmë veten si administrues të Fjalës të Perëndisë.»—2 Korintasve 6:3, 4.
10 Dëshmitarët e Jehovait janë lavdëruar vazhdimisht nga nëpunësit publikë për sjelljen e respektueshme dhe për shprehitë e të qenët të pastër e të rregullt, të cilat shihen sidomos në kongreset e mëdha që mbajnë. Për shembull, gazeta La Stampa komentoi për një kongres të mbajtur në provincën e Savonës, Itali: «Ajo që menjëherë dallohet kur shkon në ndërtesën ku mbahet kongresi është pastërtia dhe rregullsia e njerëzve që po e përdorin.» Pas kongresit që kishin mbajtur Dëshmitarët në një stadium të San-Paulos në Brazil, një nëpunës i stadiumit i tha përgjegjësit të skuadrës së pastrimit: «Që tani e tutje, duam që stadiumi të pastrohet siç e pastruan Dëshmitarët e Jehovait.» Një tjetër nëpunës i këtij stadiumi tha: «Kur Dëshmitarët e Jehovait duan ta marrin me qira stadiumin, ajo që na intereson janë vetëm datat kur e duan. Nuk na shqetëson asgjë tjetër.»
11, 12. (a) Cilin parim biblik duhet të kemi parasysh për sa i përket pastërtisë vetjake? (b) Ç’pyetje mund të dalin për zakonet tona personale dhe për mënyrën e të jetuarit?
11 Meqë pastërtia dhe rregullsia në vendin tonë të adhurimit mund të jenë burim lavdërimi për Perëndinë që adhurojmë, po aq e rëndësishme është t’i shfaqim këto cilësi në jetën tonë private. Sidoqoftë, kur jemi në shtëpi mund të mendojmë se kemi të drejtën të sillemi shpenguar e të veprojmë si të duam. E për sa i përket mënyrës se si vishemi e rregullohemi, patjetër që kemi lirinë të zgjedhim atë që na duket e rehatshme dhe tërheqëse. Megjithatë, në përgjithësi kjo liri është relative. Sillni ndër mend se kur po fliste për zgjedhjen e një njeriu për të ngrënë ose jo disa lloj ushqimesh, Pavli i paralajmëroi të bashkëkrishterët: «Vazhdoni të shikoni që ky autoritet që keni, të mos bëhet në njëfarë mënyre gur pengese për ata që janë të dobët.» Pastaj shprehu një parim të vlefshëm: «Gjithçka është e ligjshme, por jo gjithçka është dobiprurëse. Gjithçka është e ligjshme, por jo gjithçka ndërton.» (1 Korintasve 8:9; 10:23) Si zbatohet për ne këshilla e Pavlit, për sa i përket çështjes së pastërtisë?
12 Është e arsyeshme që njerëzit të presin nga një shërbëtor i Perëndisë që të jetë i pastër e i rregullt në mënyrën e të jetuarit. Prandaj duhet të sigurohemi se mënyra si e mbajmë shtëpinë dhe mjedisin përreth saj nuk ia ul vlerën asaj që pohojmë se jemi, pra, shërbëtorë të Perëndisë. Çfarë lloj dëshmie jep shtëpia jonë për ne dhe për bindjet që kemi? A tregon se dëshirojmë vërtet të jetojmë në një botë të re të pastër e të rregullt të drejtësisë, të cilën ia rekomandojmë kaq shumë të tjerëve? (2 Pjetrit 3:13) Po ashtu, paraqitja jonë e jashtme, si gjatë kohës së lirë, ashtu edhe në shërbim, mund ta bëjë më shumë ose më pak tërheqës mesazhin që predikojmë. Për shembull, vini re këtë koment të bërë nga një gazetar në Meksikë: «Vërtet, të rinjtë përbëjnë një pjesë të madhe të Dëshmitarëve të Jehovait dhe ajo që dallohet tek ata është mënyra se si i kanë prerë flokët, pastërtia dhe veshja e përshtatshme.» Ç’gëzim është që kemi mes nesh të rinj të tillë!
13. Çfarë mund të bëjmë për t’u siguruar se jemi të pastër e të rregullt në çdo fushë të jetës së përditshme?
13 Patjetër, të sigurohemi se ne vetë, zotërimet tona dhe shtëpia jonë janë gjithnjë të pastra e të rregullta është më e lehtë të thuhet se të bëhet. Për këtë nuk nevojiten shumë pajisje ose mjete të ndërlikuara e të kushtueshme, por një planifikim i mirë dhe përpjekje të vazhdueshme. Duhet të lëmë kohë për të pastruar trupin, rrobat, shtëpinë, makinën e kështu me radhë. Vërtet që mund të jemi të zënë me shërbimin, me mbledhjet dhe me studimin personal, përveçse të kujdesemi për detyrimet e tjera në jetën e përditshme. Por kjo nuk është një justifikim për të mos qenë të pastër e të pranueshëm në sytë e Perëndisë dhe të njerëzve. Parimi i njohur se «gjithçka e ka kohën e vet» zbatohet po njësoj edhe për këtë pjesë të jetës sonë.—Predikuesi (Eklisiastiu) 3:1, DSF.
Një zemër që është e pandotur
14. Përse mund të thuhet që pastërtia morale dhe ajo frymore janë edhe më të rëndësishme se pastërtia fizike?
14 Sido që vëmendja ndaj pastërtisë fizike është e rëndësishme, edhe më e rëndësishme është të kujdesemi për pastërtinë morale dhe atë frymore. Arrijmë në këtë përfundim duke kujtuar se Jehovai e hodhi poshtë kombin e Izraelit, jo sepse ishin fizikisht të papastër, por sepse u korruptuan moralisht e frymësisht. Nëpërmjet profetit Isaia, Jehovai u tha se flijimet e tyre, mbajtja e hënës së re dhe e sabatit, e madje edhe lutjet e tyre ishin bërë një barrë për të. Kjo sepse ata ishin një «komb mëkatar, popull i ngarkuar me paudhësi». Çfarë duhej të bënin që të fitonin përsëri miratimin e Perëndisë? Jehovai tha: «Lahuni, pastrohuni, largoni nga prania ime ligësinë e veprimeve tuaja; mos bëni më keq.»—Isaia 1:4, 11-16.
15, 16. Sipas Jezuit, çfarë e ndot një njeri dhe si mund të nxjerrim dobi nga fjalët e tij?
15 Për të kuptuar më tej rëndësinë e pastërtisë morale dhe të pastërtisë frymore, shqyrtoni atë që tha Jezui kur farisenjtë dhe skribët pohuan se dishepujt e tij ishin të papastër, ngaqë nuk lanin duart para se të hanin. Jezui i qartësoi gjërat, duke thënë: «Ç’hyn në gojë nuk e ndot njeriun, por ç’del nga goja, kjo e ndot njeriun.» Më tej, Jezui shpjegoi: «Gjërat që dalin nga goja vijnë nga zemra, dhe ato gjëra e ndotin njeriun. Për shembull, nga zemra vijnë arsyetime të liga, vrasje, kurorëshkelje, kurvëri, vjedhje, dëshmi të rreme, blasfemi. Këto janë gjërat që e ndotin njeriun; por të hash bukë me duar të palara nuk e ndot njeriun.»—Mateu 15:11, 18-20.
16 Çfarë mund të mësojmë nga fjalët e Jezuit? Ai po theksonte se veprimet e liga, imorale e të papastra paraprihen nga prirje të liga, imorale e të papastra të zemrës. Siç u shpreh dishepulli Jakov, «secili sprovohet, duke u tërhequr dhe joshur nga dëshira e vet». (Jakovit 1:14, 15) Prandaj, nëse nuk duam të biem në mëkatet e rënda që përshkroi Jezui, duhet të çrrënjosim dhe t’i mbajmë larg zemrës prirjet që çojnë në këto mëkate. Kjo do të thotë se duhet të jemi të kujdesshëm për atë që lexojmë, që shohim e që dëgjojmë. Sot, në emër të lirisë së fjalës dhe të lirisë artistike, industritë e zbavitjes dhe të reklamave prodhojnë me bollëk melodi e pamje që nxitin dëshirat e mishit mëkatar. Duhet të jemi të vendosur që të mos i lejojmë ide të tilla të zënë rrënjë në zemrën tonë. Pika kryesore është që për t’i pëlqyer Perëndisë e për t’u pranuar nga ai, duhet të jemi vazhdimisht vigjilentë që të mbajmë një zemër të pastër e të pandotur.—Fjalët e urta (Proverbat) 4:23.
Të pastruar për vepra të shkëlqyera
17. Përse Jehovai e ka sjellë popullin e tij në një gjendje të pastër?
17 Patjetër, është një bekim e një mbrojtje që me ndihmën e Jehovait mund të kemi një qëndrim të pastër para tij. (2 Korintasve 6:14-18) Megjithatë, kuptojmë gjithashtu që Jehovai e ka sjellë popullin e tij në një gjendje të pastër për një qëllim të veçantë. Pavli i tha Titit se Krishti Jezu «e dha veten për ne, për të na çliruar nga çdo lloj paligjshmërie dhe për të pastruar për vete një popull posaçërisht të vetin, të zellshëm për vepra të shkëlqyera». (Titit 2:14) Për çfarë veprash duhet të jemi të zellshëm, si popull i pastruar?
18. Si mund ta tregojmë se jemi të zellshëm për vepra të shkëlqyera?
18 Para së gjithash, duhet të bëjmë përpjekje që t’u shpallim të tjerëve lajmin e mirë të Mbretërisë së Perëndisë. (Mateu 24:14) Duke bërë kështu, u japim njerëzve kudo që janë shpresën për të jetuar përgjithmonë në një tokë që do të jetë e lirë nga çdo lloj ndotjeje. (2 Pjetrit 3:13) Veprat tona të shkëlqyera përfshijnë edhe shfaqjen e fryteve të frymës së Perëndisë në jetën e përditshme, duke i dhënë lavdi kështu Atit tonë qiellor. (Galatasve 5:22, 23; 1 Pjetrit 2:12) Por nuk lëmë pas dore edhe ata që s’janë në të vërtetën e që mund të jenë rrënuar nga katastrofa natyrore ose tragjedi njerëzore. Mbajmë parasysh këshillën e Pavlit: «Vërtet, pra, derisa të kemi kohë të volitshme, le të bëjmë atë që është e mirë ndaj të gjithëve, por sidomos ndaj atyre që janë të lidhur me ne në besim.» (Galatasve 6:10) Perëndisë i pëlqejnë shumë të gjitha këto shërbime, të bëra nga një zemër e pastër dhe me një motiv të pastër.—1 Timoteut 1:5.
19. Çfarë bekimesh na presin, nëse vazhdojmë të mbajmë një normë të lartë pastërtie fizike, morale dhe frymore?
19 Si shërbëtorë të Më të Lartit, i marrim për zemër fjalët e Pavlit: «O vëllezër, ju përgjërohem nëpërmjet dhembshurisë së Perëndisë, t’i paraqitni trupat tuaj si një flijim të gjallë, të shenjtë e të pranueshëm për Perëndinë, një shërbim të shenjtë me fuqinë tuaj për të arsyetuar.» (Romakëve 12:1) Le të vazhdojmë ta vlerësojmë privilegjin që të jemi të pastruar nga Jehovai! Le të bëjmë çmos që të mbajmë një normë të lartë pastërtie fizike, morale e frymore! Kjo do të na bëjë të kemi respekt për veten dhe kënaqësi tani. Por do të kemi edhe mundësinë që të shohim të kalojnë «gjërat e mëparshme»—sistemin e tanishëm të lig e të ndotur—në kohën kur Perëndia ‘ta bëjë çdo gjë të re’.—Zbulesa 21:4, 5.
A ju kujtohet?
• Përse izraelitëve iu dhanë shumë ligje për pastërtinë?
• Si e bën më tërheqës pastërtia fizike mesazhin që predikojmë?
• Përse pastërtia morale dhe ajo frymore janë edhe më të rëndësishme se pastërtia fizike?
• Si mund ta tregojmë se jemi një popull ‘i zellshëm për vepra të shkëlqyera’?
[Figurat në faqen 21]
Pastërtia fizike e bën edhe më tërheqës mesazhin që predikojmë
[Figura në faqen 22]
Jezui paralajmëroi se mendimet e këqija çojnë në vepra të këqija
[Figurat në faqen 23]
Si një popull i pastruar, Dëshmitarët e Jehovait janë të zellshëm për vepra të shkëlqyera