Vegimet profetike të Mbretërisë së Perëndisë bëhen realitet
«Ju bëni mirë që i kushtoni vëmendje [fjalës profetike] si një llambe që ndriçon në një vend të errët.»—2 PJETRIT 1:19.
1. Çfarë kontrasti shohim në botën e sotme?
BOTA sot është në një gjendje të vazhdueshme krize. Që nga katastrofat ekologjike e deri te terrorizmi mbarëbotëror, problemet e njerëzimit duket se po dalin jashtë kontrollit. As fetë s’kanë bërë gjë për të ndihmuar. Përkundrazi, shpesh ato i keqësojnë gjërat, duke u fryrë flakëve të paragjykimit, urrejtjes dhe nacionalizmit, që i ndajnë njerëzit. Po, siç ishte parathënë, «popujt» i ka mbuluar «një errësirë e dendur». (Isaia 60:2) Por, në të njëjtën kohë, miliona veta e shohin të ardhmen me siguri. Përse? Sepse i kushtojnë vëmendje fjalës profetike të Perëndisë «si një llambe që ndriçon në një vend të errët». Ata lejojnë që t’ua drejtojë hapat ‘fjala’ ose mesazhi i Perëndisë, që është i dokumentuar në Bibël.—2 Pjetrit 1:19.
2. Vetëm cilëve u jepet kuptueshmëri për gjërat frymore, sipas profecisë së Danielit për «kohën e mbarimit»?
2 Profeti Daniel shkroi këto fjalë për «kohën e mbarimit»: «Shumë njerëz do ta shfletojnë dhe dituria do të shtohet. Shumë njerëz do të pastrohen, do të zbardhen dhe do të përsosen; por të pabesët do të veprojnë me pabesi dhe asnjë nga të pabesët nuk do të kuptojë, por do të kuptojnë njerëzit e ditur.» (Danieli 12:4, 10) Kuptueshmëria për gjërat frymore u jepet vetëm atyre që e «shfletojnë» ose e studiojnë sinqerisht dhe me zell Fjalën e Perëndisë, u nënshtrohen normave të tij dhe përpiqen të bëjnë vullnetin e tij.—Mateu 13:11-15; 1 Gjonit 5:20.
3. Cilën të vërtetë të rëndësishme kuptuan studentët e hershëm të Biblës gjatë viteve 70 të shekullit të 19-të?
3 Që në vitet 70 të shekullit të 19-të, para se të fillonin «ditët e fundit», Perëndia Jehova nisi të hidhte më shumë dritë mbi «sekretet e shenjta të mbretërisë së qiejve». (2 Timoteut 3:1-5; Mateu 13:11) Në atë kohë, një grup studentësh të Biblës kuptoi se, krejt ndryshe nga ç’mendonte shumica, kthimi i Krishtit do të ishte i padukshëm. Pasi të hipte në fron në qiell, Jezui do të kthehej në kuptimin që tani vëmendjen e tij si Mbret do ta drejtonte nga toka. Një shenjë e dukshme e përbërë do t’i sinjalizonte dishepujt se prania e tij e padukshme kishte filluar.—Mateu 24:3-14.
Kur një vegim profetik bëhet realitet
4. Si ua ka forcuar besimin Jehovai shërbëtorëve të tij të sotëm?
4 Shpërfytyrimi ishte një vegim mahnitës profetik i Krishtit në lavdinë e Mbretërisë. (Mateu 17:1-9) Ky vegim ia forcoi besimin Pjetrit, Jakovit dhe Gjonit, në një kohë kur shumë veta nuk po e ndiqnin më Jezuin, sepse s’kishte përmbushur shpresat e tyre të pabazuara në Shkrime. Po kështu, në këtë kohë të fundit, Jehovai ua ka forcuar besimin shërbëtorëve të tij duke hedhur dritë gjithnjë e më shumë në përmbushjen e këtij vegimi mbresëlënës dhe të shumë profecive që lidheshin me të. Tani, le të shqyrtojmë disa nga këto realitete frymore që na forcojnë besimin.
5. Kush ishte ylli i mëngjesit dhe kur e si ‘u ngrit’ ai?
5 Apostulli Pjetër shkroi për shpërfytyrimin: «Prandaj, ne e kemi fjalën profetike më të sigurt; dhe ju bëni mirë që i kushtoni vëmendje si një llambe që ndriçon në një vend të errët, në zemrat tuaja, derisa të agojë dita e të ngrihet ylli i mëngjesit.» (2 Pjetrit 1:19) Ky yll figurativ i mëngjesit ose ‘yll i shndritshëm i mëngjesit’ është Jezu Krishti në pozitën e tij të lartësuar. (Zbulesa 22:16) Ai ‘u ngrit’ në vitin 1914, kur lindi në qiell Mbretëria e Perëndisë, duke shënuar agimin e një epoke të re. (Zbulesa 11:15) Në vegimin e shpërfytyrimit, bashkë me Jezuin u shfaqën edhe Moisiu me Elijan, duke biseduar me të. Kë paraqesin ata?
6, 7. Kë paraqesin Moisiu dhe Elija në vegimin e shpërfytyrimit dhe ç’hollësi të rëndësishme zbulojnë Shkrimet për ata që përfaqësohen nga dy profetët?
6 Meqë Moisiu dhe Elija ishin bashkë me Krishtin në lavdinë e tij, këta dy dëshmitarë besnikë duhet të paraqesin ata që sundojnë me Jezuin në Mbretërinë e tij. Shpjegimi që Jezui ka edhe bashkësundimtarë është në përputhje me një vegim profetik që iu dha profetit Daniel për Mesinë të ulur në fron si Mbret. Danieli pa ‘dikë që i ngjante një biri njeriu’ që merrte ‘sundimin e përjetshëm’ prej ‘të Lashtit të ditëve’, Perëndisë Jehova. Por, shqyrto se çfarë i tregohet Danielit pak më pas. Ai shkruan: «Mbretëria, sundimi dhe madhështia e mbretërive nën të gjithë qiejt do t’i jepen popullit të shenjtorëve të Më të Lartit.» (Danieli 7:13, 14, 27) Pikërisht, më shumë se pesë shekuj para shpërfytyrimit, Perëndia zbuloi se disa ‘të shenjtë’ do të merrnin pjesë në madhështinë mbretërore të Krishtit.
7 Cilët janë të shenjtët në vegimin e Danielit? Duke e pasur fjalën për këta individë, apostulli Pavël thotë: «Vetë fryma jep dëshmi me frymën tonë se jemi fëmijë të Perëndisë. Nëse, pra, jemi fëmijë, jemi edhe trashëgimtarë: vërtet trashëgimtarë të Perëndisë, por bashkëtrashëgimtarë me Krishtin, me kusht që të vuajmë bashkë me të, që edhe të na jepet lavdi bashkë me të.» (Romakëve 8:16, 17) Pra, të shenjtët janë dishepujt e Jezuit, të cilët janë mirosur nga fryma. Te libri i Zbulesës, Jezui thotë: «Atij që do të dalë fitimtar, do t’i lejoj të ulet me mua në fronin tim, sikurse unë dola fitimtar dhe u ula me Atin tim në fronin e tij.» Këta ‘fitimtarë’ të ringjallur, që janë gjithsej 144.000, do të sundojnë së bashku me Jezuin mbi gjithë tokën.—Zbulesa 3:21; 5:9, 10; 14:1, 3, 4; 1 Korintasve 15:53.
8. Cilën vepër të ngjashme me Moisiun dhe Elijan kanë kryer dishepujt e mirosur të Jezuit, e cilat kanë qenë rezultatet?
8 Por, pse të krishterët e mirosur janë përfaqësuar nga Moisiu dhe Elija? Arsyeja është se këta të krishterë, ndërsa janë ende në tokë, bëjnë një vepër të ngjashme me atë që bëri Moisiu dhe Elija. Për shembull, shërbejnë si dëshmitarë të Jehovait, edhe atëherë kur kanë përndjekje. (Isaia 43:10; Veprat 8:1-8; Zbulesa 11:2-12) Ashtu si Moisiu dhe Elija, me guxim demaskojnë fenë e rreme dhe nxitin njerëzit e sinqertë që t’i japin përkushtim të plotë Perëndisë. (Eksodi 32:19, 20; Ligji i përtërirë 4:22-24; 1 Mbretërve 18:18-40) A ka pasur fryt vepra e tyre? Patjetër që po! Përveçse kanë ndihmuar për të mbledhur gjithë të mirosurit, ata kanë ndihmuar miliona «dele të tjera» që t’i nënshtrohen me gatishmëri Jezu Krishtit.—Gjoni 10:16; Zbulesa 7:4.
Krishti plotëson fitoren e tij
9. Si e paraqet Zbulesa 6:2 Jezuin në pozitën e sotme?
9 Tani Jezui nuk është më një njeri që vjen hipur mbi një kërriç, por një Mbret i fuqishëm. Përshkruhet i hipur mbi një kalë, që është simbol biblik i luftës. (Fjalët e urta 21:31) Zbulesa 6:2 thotë: «Ja, një kalë i bardhë; dhe ai që rrinte mbi të kishte një hark; atij iu dha një kurorë e ai doli duke fituar dhe për të plotësuar fitoren e tij.» Gjithashtu, psalmisti David shkroi për Jezuin: «Jehovai do të shtrijë nga Sioni shkopin tënd të forcës, duke thënë: ‘Shko mes armiqve të tu dhe nënshtroji.’»—Psalmi 110:2, BR.
10. (a) Çfarë fillimi të lavdishëm pati kalërimi i Jezuit për të plotësuar fitoren? (b) Si ndikoi fitorja e parë e Krishtit te bota në përgjithësi?
10 Fitoren e parë Jezui e pati mbi armiqtë e tij më të fuqishëm, që janë Satanai dhe demonët. I dëboi ata nga qielli dhe i hodhi poshtë në tokë. Duke e ditur se kanë shumë pak kohë, këto krijesa të liga frymore kanë shfryrë zemërimin e tyre të egër mbi njerëzimin, duke shkaktuar mjerim të madh. Në librin e Zbulesës, ky mjerim simbolizohet nga tre kalorës të tjerë të hipur mbi kuaj. (Zbulesa 6:3-8; 12:7-12) Në përputhje me profecinë e Jezuit për ‘shenjën e pranisë së tij dhe të përfundimit të sistemit’, këta kalorës kanë sjellë luftëra, zi buke dhe murtaja vdekjeprurëse. (Mateu 24:3, 7; Luka 21:7-11) Këto ‘dhembje të lindjes’ pa dyshim që do të vazhdojnë të shtohen derisa Krishti ‘ta plotësojë fitoren e tij’, duke shkatërruar çdo gjurmë të organizatës së dukshme të Satanait.a—Mateu 24:8.
11. Si dëshmon historia e kongregacionit të krishterë për autoritetin e Krishtit si Mbret?
11 Autoriteti që ka Jezui si mbret duket qartë edhe ngaqë ai e ka ruajtur kongregacionin e krishterë, me qëllim që të përmbushë detyrën për të predikuar mesazhin e Mbretërisë në mbarë botën. Me gjithë kundërshtimin e ashpër nga Babilonia e Madhe, që është perandoria botërore e fesë së rreme, si edhe nga qeveritë armiqësore, vepra e predikimit jo vetëm që ka vazhduar, por edhe ka arritur një shkallë të paparë ndonjëherë në historinë e botës. (Zbulesa 17:5, 6) Sa dëshmi e fuqishme se Krishti është bërë Mbret!—Psalmi 110:3.
12. Pse shumica e njerëzve nuk e dallojnë praninë e padukshme të Krishtit?
12 Mirëpo, mjerisht shumica e njerëzve, përfshirë këtu edhe miliona që quhen të krishterë, nuk i dallojnë realitetet e padukshme që janë pas ngjarjeve historike që po ndodhin në tokë. Madje tallen me ata që lajmërojnë Mbretërinë e Perëndisë. (2 Pjetrit 3:3, 4) Përse? Sepse ua ka verbuar mendjen Satanai. (2 Korintasve 4:3, 4) Në fakt, velin e errësirës frymore ai filloi ta hidhte mbi të ashtuquajturit të krishterë shumë shekuj më parë, duke i bërë që të braktisnin shpresën e çmuar të Mbretërisë.
Braktisin shpresën e Mbretërisë
13. Në ç’gjë çoi errësira frymore që ra mbi të ashtuquajturit të krishterë?
13 Jezui paratha se në kongregacionin e krishterë do të depërtonin apostatë, si egjra e mbjellë mes grurit, të cilët do të mashtronin shumë veta. (Mateu 13:24-30, 36-43; Veprat 20:29-31; Juda 4) Me kalimin e kohës këta të ashtuquajtur të krishterë përvetësuan festa, praktika dhe mësime pagane, duke i quajtur madje «të krishtera». Për shembull, Krishtlindjet e kanë origjinën nga ritet e adhurimit të hyjnive pagane Mitra dhe Saturn. Por, çfarë i shtyu këta që të përvetësonin këto festa jo të krishtere? Një enciklopedi thotë: «Krishtlindjet, festa e lindjes së Jezu Krishtit, hynë në skenë kur filloi të venitej shpresa për kthimin e menjëhershëm të Krishtit.»—The New Encyclopædia Britannica (1974).
14. Si e shtrembëruan të vërtetën e Mbretërisë mësimet e Origjenit dhe të Agustinit?
14 Shqyrtoni edhe shtrembërimin e kuptimit të fjalës «mbretëri». Një libër thotë: «Mendimet e Origjenit [teolog i shekullit të tretë] shënuan ndryshimin e mënyrës se si e përdornin të krishterët fjalën ‘mbretëri’, duke e përkufizuar si diçka të brendshme, pra si sundimi i Perëndisë në zemrën e njeriut.» (The Kingdom of God in 20th-Century Interpretation) Ku e bazoi Origjeni mësimin e tij? Jo në Shkrime, por në «parimet ku mbështeteshin filozofitë dhe pikëpamjet botërore, që ishin krejt të ndryshme nga mënyra e të menduarit e Jezuit dhe e kishës së hershme». Në veprën e tij, Qyteti i Perëndisë (De Civitate Dei), Agustini i Hipos (354-430 të e.s.) tha se vetë kisha është Mbretëria e Perëndisë. Kjo pikëpamje jobiblike u dha kishave të të ashtuquajturit krishterim bazën për të marrë pushtet politik. Këtë pushtet e ushtruan për shumë shekuj, shpeshherë në mënyrë mizore.—Zbulesa 17:5, 18.
15. Si është përmbushur Galatasve 6:7 për shumë nga kishat e të ashtuquajturit krishterim?
15 Por sot, kishat po korrin atë që kanë mbjellë. (Galatasve 6:7) Shumë prej tyre me sa duket po humbasin jo vetëm pushtetin, por edhe besimtarët. Një prirje e tillë duket fare lehtë në Evropë. Sipas një reviste, «katedralet e mëdha në Evropë tani [shërbejnë] jo si shtëpi adhurimi, por si muze, ku përveç turistëve s’ka frymë njeriu». (Christianity Today) E njëjta prirje mund të shihet edhe në pjesë të tjera të botës. Çfarë tregon kjo për fenë e rreme? A do të zhduket vetëm si pasojë e mungesës së përkrahjes dhe të besimtarëve? E ç’ndikim do të ketë kjo tek adhurimi i vërtetë?
Të përgatitemi për ditën e madhe të Perëndisë
16. Pse është domethënëse armiqësia gjithnjë e më e madhe që po zhvillohet ndaj Babilonisë së Madhe?
16 Kur shohim se nga krateri i një vullkani të fjetur del tym e hi, kuptojmë se së shpejti mund të shpërthejë. Po ashtu, shtimi gjithnjë e më shumë i armiqësisë ndaj fesë në shumë vende të botës tregon se feja e rreme i ka ditët të numëruara. Së shpejti, Jehovai do t’i shtyjë elementët politikë të botës që të bashkohen për të demaskuar e për të shkretuar Babiloninë e Madhe, prostitutën frymore. (Zbulesa 17:15-17; 18:21) A duhet t’i frikësohen të krishterët e vërtetë kësaj ngjarjeje dhe aspekteve të tjera të ‘shtrëngimit të madh’ që do ta pasojnë? (Mateu 24:21) Aspak! Madje do të kenë arsye për të gëzuar kur Perëndia të veprojë kundër të ligjve. (Zbulesa 18:20; 19:1, 2) Shqyrtoni shembullin e Jerusalemit në shekullin e parë dhe të krishterëve që jetonin atje.
17. Pse shërbëtorët besnikë të Jehovait mund ta presin fundin e këtij sistemi pa frikë?
17 Kur ushtritë romake e rrethuan Jerusalemin në vitin 66 të e.s., të krishterët që ishin zgjuar frymësisht as u tronditën, as u tmerruan. Duke qenë studiues të mirë të Fjalës së Perëndisë, ata e dinin se ‘shkretimi i tij [Jerusalemit] ishte afruar’. (Luka 21:20) E dinin edhe se Perëndia do t’u krijonte mundësinë që të iknin prej andej shëndoshë e mirë. Kur Perëndia e krijoi këtë mundësi, të krishterët ikën. (Danieli 9:26; Mateu 24:15-19; Luka 21:21) Po kështu edhe sot, ata që e njohin Perëndinë dhe që i binden Birit të tij mund ta presin fundin e këtij sistemi pa frikë. (2 Selanikasve 1:6-9) Në fakt, kur të fillojë shtrëngimi i madh, ata me gëzim ‘do të drejtojnë trupin dhe do të ngrenë kokat lart, sepse e dinë që çlirimi i tyre po afrohet’.—Luka 21:28.
18. Si do të përfundojë sulmi i përgjithshëm që do të bëjë Gogu mbi shërbëtorët e Jehovait?
18 Pas shkatërrimit të Babilonisë së Madhe, Satanai, në rolin e Gogut të Magogut, do të bëjë një sulm të përgjithshëm kundër Dëshmitarëve të Jehovait që janë paqësorë. «Si një re që mbulon vendin», hordhitë e Gogut do të sulmojnë duke menduar se do ta kenë të lehtë fitoren. Por sa do të zhgënjehen e do të tronditen! (Ezekieli 38:14-16, 18-23) Apostulli Gjon shkruan: «Pashë qiellin të hapur dhe ja, një kalë i bardhë. Dhe ai që rrinte mbi të quhet i Besueshëm e i Vërtetë . . . Nga goja e tij del një shpatë e gjatë e mprehtë, që të godasë kombet me të.» Ky «Mbret i mbretërve» i pamposhtur do të shpëtojë adhuruesit besnikë të Jehovait dhe do të asgjësojë gjithë armiqtë e tyre. (Zbulesa 19:11-21) Kjo do të jetë me të vërtetë një pikë kulmore madhështore e përmbushjes së vegimit të shpërfytyrimit.
19. Ç’ndikim do të ketë te dishepujt besnikë të Krishtit fitorja e tij e plotë dhe çfarë duhet të përpiqen të bëjnë ata tani?
19 Jezui ‘atë ditë do të admirohet në lidhje me të gjithë ata që ushtruan besim’. (2 Selanikasve 1:10) A dëshiron të jesh ndër ata që do të shohin tërë admirim Birin e Perëndisë që ka dalë fitimtar? Atëherë vazhdo ta ushqesh besimin tënd dhe ‘të tregohesh gati, sepse Biri i njeriut vjen në një orë që ti s’e mendon’.—Mateu 24:43, 44.
Të ruajmë gjykimin
20. (a) Si mund ta tregojmë çmueshmërinë për ‘skllavin e besueshëm dhe të matur’, këtë masë që ka marrë Perëndia? (b) Ç’pyetje duhet t’i bëjmë vetes?
20 Rregullisht «skllavi i besueshëm dhe i matur» i nxit shërbëtorët e Perëndisë që të qëndrojnë vigjilentë frymësisht dhe të ruajnë gjykimin. (Mateu 24:45, 46; 1 Selanikasve 5:6) A i vlerëson këta përkujtues që vijnë në kohën e duhur? A i përdor kur përcakton se çfarë do të ketë përparësi në jetën tënde? Pse të mos pyesësh veten: ‘A kam një shikim të qartë frymor, që më jep mundësi ta shoh Birin e Perëndisë duke sunduar në qiell? A e shoh që është gati për të ekzekutuar gjykimin hyjnor kundër Babilonisë së Madhe dhe pjesës tjetër të sistemit të Satanait?’
21. Pse disa kanë lejuar t’u mjegullohet shikimi frymor dhe çfarë është urgjente të bëjnë?
21 Disa që tani shoqërohen me popullin e Jehovait kanë lejuar që shikimi i tyre frymor të mjegullohet. Mos ndoshta u mungon durimi a qëndrueshmëria, siç ndodhi me disa dishepuj të hershëm të Jezuit? Mos vallë janë ndikuar nga ankthet e jetës, nga materializmi ose nga përndjekja? (Mateu 13:3-8, 18-23; Luka 21:34-36) Ndoshta disa e kanë pasur të vështirë të kuptojnë ndonjë informacion që ka botuar «skllavi i besueshëm dhe i matur». Nëse edhe ty të ka ndodhur diçka e tillë, të inkurajojmë ta studiosh Fjalën e Perëndisë përsëri me zell dhe t’i përgjërohesh Jehovait që të rifitosh një marrëdhënie të fortë e të ngushtë me të.—2 Pjetrit 3:11-15.
22. Si ka ndikuar te ti shqyrtimi i vegimit të shpërfytyrimit dhe i profecive që kanë lidhje me të?
22 Vegimi i shpërfytyrimit iu dha dishepujve të Jezuit në kohën kur kishin nevojë për inkurajim. Sot ne kemi diçka shumë më të madhe që mund të na japë forcë. Kjo është përmbushja e atij vegimi profetik mbresëlënës dhe e shumë profecive që lidhen me të. Ndërsa mendojmë për këto realitete të lavdishme dhe për domethënien që kanë për të ardhmen tonë, le të shprehim edhe ne me gjithë zemër ndjenjat e apostullit Gjon që tha: «Amin! Eja, o Zotëri Jezu!»—Zbulesa 22:20.
[Shënimi]
a Kjo shprehje tregon se, ashtu si ‘dhembjet e lindjes’, problemet e botës do të bëhen më të shpeshta, më të forta e do të zgjasin më shumë, duke arritur kulmin në shtrëngimin e madh.
A ju kujtohet?
• Çfarë arriti të kuptonte në vitet 70 të shekullit të 19-të një grup studentësh të Biblës për kthimin e Krishtit?
• Si është përmbushur vegimi i shpërfytyrimit?
• Si ndikon te bota në përgjithësi dhe te kongregacioni i krishterë kalërimi i Jezuit për të plotësuar fitoren e tij?
• Ç’duhet të bëjmë për të qenë ndër ata që do të mbijetojnë kur Jezui të plotësojë fitoren e tij?
[Figurat në faqet 16, 17]
Një vegim profetik bëhet realitet
[Figurat në faqen 18]
A e dini çfarë ndodhi kur Krishti filloi të plotësonte fitoren e tij?