PJETRI
[copë shkëmbi].
Apostull i Jezu Krishtit që në Shkrime përmendet me pesë emra të ndryshëm: ‘Simion’, emër hebraik; ‘Simon’, emër grek (nga rrënja e fjalës hebraike që do të thotë «dëgjoj; mbaj vesh»); «Pjetër» (emër grek që në Shkrime e mban vetëm ai); «Kefa», ekuivalenti semitik (që ndoshta lidhet me fjalën hebraike kefím [shkëmbinj] që përdoret te Jb 30:6; Jr 4:29), dhe kombinimi ‘Simon Pjetër’.—Ve 15:14; Mt 10:2; 16:16; Gjo 1:42.
Pjetri ishte i biri i Gjonit ose i Jonait. (Mt 16:17; Gjo 1:42) Fillimisht banonte në Betsaidë (Gjo 1:44), por më vonë në Kapernaum (Lu 4:31, 38), qytete që gjendeshin në brigjet veriore të detit të Galilesë. Pjetri dhe i vëllai Andrea merreshin me peshkim bashkë me Jakovin dhe Gjonin, bijtë e Zebedeut, «të cilët ishin ortakë me Simonin». (Lu 5:7, 10; Mt 4:18-22; Mr 1:16-21) Kështu, Pjetri nuk punonte më vete, por ishte pjesë e një ndërmarrjeje që kishte njëfarë rëndësie. Megjithëse krerët judenj i shihnin Pjetrin dhe Gjonin si «njerëz të pashkolluar e të thjeshtë», kjo s’do të thotë se ata ishin analfabetë ose të pashkollë. Për fjalën agrámmatos që përdoret në lidhje me ta, një fjalor biblik (Dictionary of the Bible, nga Xh. Hejstinsi, 1905, vëll. III, f. 757) thotë se për një jude kjo fjalë «nënkuptonte dikë që nuk kishte marrë mësime në shkollat rabinike ku studioheshin Shkrimet».—Krahaso Gjo 7:14, 15; Ve 4:13.
Pjetri ishte i martuar dhe, të paktën gjatë viteve të fundit, duket se e shoqja e shoqëroi në misionet që iu ngarkuan (ose në disa prej tyre), njësoj si gratë e apostujve të tjerë. (1Ko 9:5) Jetonte në një shtëpi me të vëllanë, Andrean, dhe e vjehrra qëndronte me të.—Mr 1:29-31.
Shërbimi me Jezuin. Pjetri ishte një nga dishepujt e parë të Jezuit dhe tek ai e çoi Andrea, dishepull i Gjon Pagëzorit. (Gjo 1:35-42) Pikërisht në këtë rast, Jezui e quajti Kefa (Pjetër) (Gjo 1:42; Mr 3:16), ka të ngjarë emër profetik. Jezui që ishte në gjendje të dallonte se Natanaeli ishte një njeri ‘tek i cili nuk kishte mashtrim’, mund të dallonte edhe karakterin e Pjetrit. Pjetri, në të vërtetë, tregoi cilësi që ngjanin me ato të shkëmbit, sidomos pas vdekjes e ringjalljes së Jezuit, duke u dhënë forcë të bashkëkrishterëve.—Gjo 1:47, 48; 2:25; Lu 22:32.
Pak kohë më vonë, në Galile, Jezui e ftoi Pjetrin, të vëllanë, Andrean, dhe ortakët e tyre, Jakovin dhe Gjonin, që të bëheshin «peshkatarë njerëzish». (Gjo 1:35-42; Mt 4:18-22; Mr 1:16-18) Jezui kishte zgjedhur barkën e Pjetrit që t’u fliste turmave në breg. Më pas, me anë të një mrekullie ata zunë shumë peshk, saqë Pjetri që në fillim kishte qenë mosbesues, ra në gjunjë para Jezuit nga frika. Pa ngurruar, ai dhe tre shokët e tij e braktisën peshkimin për të ndjekur Jezuin. (Lu 5:1-11) Pas rreth një viti që ishte dishepull, Pjetri u bë një nga 12 ‘apostujt’ e zgjedhur ose ‘të dërguarit’.—Mr 3:13-19.
Në disa raste, Jezui zgjodhi mes apostujve Pjetrin, Jakovin dhe Gjonin që ta shoqëronin në ngjarje të veçanta, si në rastin e shpërfytyrimit (Mt 17:1, 2; Mr 9:2; Lu 9:28, 29), ringjalljes të së bijës së Jairit (Mr 5:22-24, 35-42) dhe në sprovën që përballoi në kopshtin e Getsemanisë (Mt 26:36-46; Mr 14:32-42). Këta të tre bashkë me Andrean, e pyetën Jezuin veçanërisht për shkatërrimin e Jerusalemit, praninë e tij në të ardhmen dhe përfundimin e sistemit. (Mr 13:1-3; Mt 24:3) Megjithëse në listat e apostujve Pjetri përmendet me të vëllanë, Andrean, në tregimin biblik ai shfaqet më shpesh me Gjonin, si para edhe pas vdekjes e ringjalljes së Jezuit. (Lu 22:8; Gjo 13:24; 20:2; 21:7; Ve 3:1; 8:14; krahaso Ve 1:13; Ga 2:9.) Tregimi nuk thotë nëse kjo ishte për shkak të miqësisë e ngjashmërisë apo ngaqë Jezui i kishte caktuar të punonin bashkë.—Krahaso Mr 6:7.
Në Ungjij Pjetri citohet më shpesh se secili nga 11 apostujt e tjerë. Dukej qartë se ai ishte një njeri dinamik që kishte besim te vetja dhe nuk ngurronte. Kjo pa dyshim e bënte të merrte fjalën i pari ose të shprehej kur të tjerët heshtnin. Ai bëri pyetje që e shtynë Jezuin të sqaronte dhe të shtjellonte disa ilustrime. (Mt 15:15; 18:21; 19:27-29; Lu 12:41; Gjo 13:36-38; krahaso Mr 11:21-25.) Ndonjëherë tregohej impulsiv e madje i rrëmbyer. Pikërisht Pjetri mendoi se duhej të thoshte diçka tek shihte vegimin e shpërfytyrimit. (Mr 9:1-6; Lu 9:33) Disi i turbulluar, ai tha se ishte i kënaqur që ishte atje dhe propozoi të ngrinte tri tenda, me sa duket, sepse donte që vegimi (ku Moisiu dhe Elija sa po ndaheshin nga Jezui) të mos ndërpritej, por të vazhdonte. Natën e Pashkës së fundit, Pjetri në fillim nuk pranoi në asnjë mënyrë që Jezui t’i lante këmbët, mirëpo pasi Jezui e qortoi, i kërkoi t’i lante edhe kokën e duart. (Gjo 13:5-10) Megjithatë, mund të kuptohet lehtë se shprehjet e Pjetrit vinin në fund të fundit nga interesi i gjallë, konsiderata dhe ndjeshmëria e madhe. Përderisa fjalët e tij janë përmendur në Shkrime do të thotë se kanë vlerë, ndonëse me raste zbulojnë njëfarë dobësie njerëzore.
Për shembull, kur shumë dishepuj u penguan nga mësimi i Jezuit dhe e braktisën, Pjetri foli në emër të gjithë apostujve duke pohuar se ishin të vendosur të qëndronin me Zotërinë, me Atë që kishte ‘fjalë jete të përhershme . . . të Shenjtin e Perëndisë’. (Gjo 6:66-69) Pasi apostujt në përgjithësi i ishin përgjigjur pyetjes së Jezuit se çfarë thoshin njerëzit për të, përsëri Pjetri shprehu bindjen e fortë: «Ti je Krishti, Biri i Perëndisë së gjallë.» Për këtë, Jezui i tha Pjetrit: «Lum ti.»—Mt 16:13-17.
Meqenëse hidhej i pari për të folur, Pjetri edhe qortohej, ndreqej ose korrigjohej më shpesh. Ai pati guximin ta merrte mënjanë Jezuin e ta qortonte kur ky paratha vuajtjet e tij në të ardhmen dhe vdekjen si Mesia, ndonëse e bëri nga dhembshuria. Jezui i ktheu shpinën Pjetrit duke e quajtur kundërshtar ose Satana, sepse me anë të arsyetimeve njerëzore u kundërvihej mendimeve të Perëndisë të shprehura në profeci. (Mt 16:21-23) Megjithatë, duhet thënë se kur foli kështu, Jezui ‘pa nga dishepujt e tjerë’ si për të treguar se e dinte që Pjetri shprehu me zë atë që mendonin edhe të tjerët. (Mr 8:32, 33) Kur Pjetri i dha vetes lirinë të fliste në emër të Jezuit për pagimin e një takse, Jezui me butësi e ndihmoi të kuptonte se duhej të mendohej mirë para se të fliste. (Mt 17:24-27) Pjetri tregoi se kishte një siguri të tepruar te vetja dhe mendonte që ishte më i mirë se 11 të tjerët kur tha se, edhe nëse ata largoheshin nga Jezui, ai nuk do ta bënte kurrë, pasi ishte gati të shkonte në burg e madje të vdiste me Jezuin. Faktikisht, të gjithë të tjerët pohuan të njëjtën gjë, por Pjetri e bëri i pari dhe «me këmbëngulje». Atëherë Jezui paratha se Pjetri do ta mohonte tri herë Zotërinë e tij.—Mt 26:31-35; Mr 14:30, 31; Lu 22:33, 34.
Pjetri nuk kishte vetëm fjalë, por edhe vepra. Ai tregoi se kishte iniciativë e guxim, si edhe një ndjenjë të fortë besnikërie ndaj Zotërisë. Njëherë, pa zbardhur ende mirë, Jezui kërkoi një vend të vetmuar që të lutej dhe Simoni pa vonuar mori një grup e ‘iu qep nga pas’. (Mr 1:35-37) Në një rast tjetër, ishte përsëri Pjetri që i kërkoi Jezuit ta urdhëronte të ecte mbi ujërat e trazuara nga stuhia që ta takonte, e madje bëri disa hapa derisa e mposhti dyshimi e nisi të fundosej.—Mt 14:25-32.
Në kopshtin e Getsemanisë, natën e fundit të jetës së Jezuit në tokë, Pjetri bashkë me Jakovin dhe Gjonin, pati privilegjin ta shoqëronte Jezuin në vendin ku u lut me zjarr. Pjetrin, njësoj si apostujt e tjerë, e zuri gjumi nga lodhja dhe hidhërimi. Sigurisht, meqë Pjetri kishte pohuar me këmbëngulje se do të qëndronte me të, Jezui iu drejtua në veçanti atij kur tha: «Nuk mundët të vigjilonit me mua as edhe një orë?» (Mt 26:36-45; Lu 22:39-46) Pjetri nuk ‘ishte lutur vazhdimisht’ dhe vuajti pasojat.
Kur panë se turma po e kapte Jezuin, dishepujt pyetën nëse duhej të luftonin. Pjetri, pa pritur përgjigje, nxori shpatën dhe i këputi veshin një burri (ka të ngjarë që peshkatari të ketë pasur ndër mend ta dëmtonte më shumë) dhe Jezui e qortoi për këtë. (Mt 26:51, 52; Lu 22:49-51; Gjo 18:10, 11) Njësoj si dishepujt e tjerë, Pjetri e braktisi Jezuin, megjithatë më pas ai e ndoqi «nga larg» turmën që e arrestoi, me sa duket ca nga frika për jetën e vet e ca nga meraku se ç’do t’i ndodhte Jezuit.—Mt 26:57, 58.
Me ndihmën e një dishepulli tjetër që me sa duket e kishte ndjekur ose kishte shkuar me të deri te banesa e kryepriftit, Pjetri hyri deri në oborr. (Gjo 18:15, 16) Ai nuk qëndroi i strukur në një cep që të mos binte në sy, por u afrua te zjarri që të ngrohej. Nën dritën e zjarrit të tjerët e njohën se ishte një nga shokët e Jezuit dhe theksi i tij galileas ua shtoi dyshimet. Kur e akuzuan, Pjetri tha tri herë rresht se as nuk e njihte Jezuin, aq sa në vrullin e mohimit arriti deri aty sa të mallkonte. Diku në qytet, një gjel këndoi për herë të dytë dhe Jezui ‘u kthye dhe e vështroi’. Pjetri doli jashtë, s’u përmbajt dot dhe qau me hidhërim. (Mt 26:69-75; Mr 14:66-72; Lu 22:54-62; Gjo 18:17, 18; shih BEJA, BETIMI; KËNGA E GJELIT.) Megjithatë, përgjërimi që kishte bërë më parë Jezui për Pjetrin u dëgjua dhe besimi i Pjetrit nuk u mpak fare.—Lu 22:31, 32.
Pas vdekjes dhe ringjalljes së Jezuit, engjëlli u tha grave që kishin shkuar te varri t’u çonin një mesazh «dishepujve të tij dhe Pjetrit». (Mr 16:1-7; Mt 28:1-10) Maria Magdalena ia çoi mesazhin Pjetrit dhe Gjonit, që shkuan me vrap te varri. Gjoni arriti para Pjetrit, por ndaloi para varrit dhe vetëm pa brenda, kurse Pjetri hyri drejt e brenda, e pas tij hyri edhe Gjoni. (Gjo 20:1-8) Para se t’u shfaqej dishepujve në grup, Jezui iu shfaq Pjetrit. Kjo, si edhe fakti që engjëlli kishte përmendur Pjetrin me emër, duhet ta kenë siguruar Pjetrin e penduar se, megjithëse e kishte mohuar tri herë Zotërinë, ai nuk i kishte prerë lidhjet me të.—Lu 24:34; 1Ko 15:5.
Para se Jezui t’u shfaqej dishepujve në detin e Galilesë (Tiberiadë), Pjetri energjik tha se do të shkonte të peshkonte e bashkë me të shkuan edhe të tjerët. Më vonë, kur Gjoni njohu Jezuin në breg, Pjetri u hodh në ujë rrëmbimthi për të dalë me not dhe ua la barkën të tjerëve që ta nxirrnin në breg. Më pas, kur Jezui kërkoi peshk, Pjetri shkoi të nxirrte në tokë rrjetën. (Gjo 21:1-13) Në këtë rast, Jezui e pyeti tri herë Pjetrin (që e kishte mohuar tri herë Zotërinë e tij) a e donte dhe e ngarkoi ‘të kulloste delet e tij’. Gjithashtu, Jezui paratha se si do të vdiste Pjetri dhe ky kur pa apostullin Gjon, pyeti: «Zotëri, ç’do të bëhet me këtë njeri?» Jezui e ndreqi edhe një herë pikëpamjen e Pjetrit dhe theksoi se e rëndësishme ishte ‘të vazhdonte ta ndiqte’ pa u shqetësuar se çfarë mund të bënin të tjerët.—Gjo 21:15-22.
Shërbimi i tij më vonë. Edhe pse ra në lakun e frikës, shkaktuar kryesisht nga besimi i tepruar te vetja (krahaso Pr 29:25), Pjetri si të thuash ‘u kthye’ dhe tani duhej ‘të forconte vëllezërit’ siç e kishte porositur Krishti (Lu 22:32) e të kryente veprën baritore mes deleve të Tij. (Gjo 21:15-17) Në përputhje me këtë, shohim që Pjetri luajti një rol të rëndësishëm në aktivitetin që zhvilluan dishepujt pas ngjitjes së Jezuit në qiell. Para festës së Ditës së Pesëdhjetë të vitit 33 të e.s., Pjetri ngriti çështjen e zëvendësimit të Judës jobesnik, duke paraqitur prova nga Shkrimet për këtë. Asambleja veproi sipas rekomandimit të tij. (Ve 1:15-26) Përsëri në festën e Ditës së Pesëdhjetë, nën drejtimin e frymës së shenjtë, Pjetri veproi si zëdhënësi i apostujve dhe përdori të parin nga «çelësat» që i besoi Jezui, duke u hapur kështu rrugën judenjve që të merrnin pjesë në Mbretëri.—Ve 2:1-41; shih ÇELËSI.
Roli i tij i rëndësishëm në kongregacionin e krishterë nuk mori fund në festën e Ditës së Pesëdhjetë. Nga gjithë apostujt e parë, vetëm ai dhe Gjoni përmenden më pas në librin e Veprave, me përjashtim të fragmentit të shkurtër ku tregohet për ekzekutimin e ‘Jakovit, vëllait të Gjonit’, njërit prej tre apostujve që kishin qenë më të lidhur me Jezuin. (Ve 12:2) Duket se Pjetri spikati në mënyrë të veçantë për mrekullitë që kreu. (Ve 3:1-26; 5:12-16; krahaso Ga 2:8.) Me ndihmën e frymës së shenjtë, ai foli me guxim para krerëve judenj që kishin arrestuar atë dhe Gjonin (Ve 4:1-21), dhe një herë tjetër veproi si zëdhënësi i të gjithë apostujve para Sinedrit, duke shprehur me forcë vendosmërinë e tyre ‘për t’iu bindur Perëndisë si sundimtar’ dhe jo atyre që kundërshtonin vullnetin e Perëndisë. (Ve 5:17-31) Pjetri duhet të ketë provuar mjaft kënaqësi që shfaqi një qëndrim kaq të ndryshëm nga nata kur mohoi Jezuin dhe që po duronte rrahjen nga ana e qeveritarëve. (Ve 5:40-42) Para se ta arrestonin për herë të dytë, me anë të frymës së shenjtë Pjetri demaskoi hipokrizinë e Ananisë dhe të Safirës dhe shpalli gjykimin e Perëndisë mbi ta.—Ve 5:1-11.
Jo shumë kohë pas martirizimit të Stefanit, kur Filipi (ungjillëzuesi) kishte ndihmuar dhe pagëzuar disa besimtarë në Samari, Pjetri dhe Gjoni shkuan në atë qytet që besimtarët të merrnin frymën e shenjtë. Atje Pjetri përdori ‘çelësin e dytë të Mbretërisë’. Më pas, kur u kthyen në Jerusalem, dy apostujt vazhduan ‘të shpallnin lajmin e mirë’ në shumë fshatra të samaritanëve. (Ve 8:5-25) Me sa duket Pjetri u nis përsëri dhe gjatë këtij misioni, në Lidë, ai shëroi Enean që kishte tetë vjet i paralizuar dhe, në Jopë, ringjalli Dorkën. (Ve 9:32-43) Gjatë kohës që ishte në Jopë, Pjetrit iu kërkua të përdorte ‘çelësin e tretë të Mbretërisë’. Kështu, ai shkoi në Cezare që t’i predikonte Kornelit e të afërmve e miqve të tij dhe ata u bënë besimtarët e parë jojudenj të parrethprerë që morën frymën e shenjtë si trashëgimtarë të Mbretërisë. Kur u kthye në Jerusalem, iu desh të përballej me ata që nuk ishin dakord me ç’kishte bërë. Pasi u tregoi se kishte vepruar siç i kishte thënë Fryma, ata ranë në një mendje.—Ve 10:1–11:18; krahaso Mt 16:19.
Ka mundësi që rreth këtij viti (36 të e.s.) Pavli të ketë shkuar për herë të parë në Jerusalem si një që kishte përqafuar krishterimin dhe ishte bërë apostull. Ai shkoi ‘të vizitonte Kefën [Pjetrin]’ dhe qëndroi 15 ditë me të. Gjithashtu, pa edhe Jakovin (gjysmëvëllanë e Jezuit), por nuk pa asnjë nga apostujt e tjerë të parë.—Ga 1:18, 19; shih APOSTULL (Apostuj të kongregacioneve).
Ka të dhëna se në vitin 44 të e.s. Herod Agripa I ekzekutoi apostullin Jakov dhe, meqë kjo u pëlqeu autoriteteve judaike, më pas arrestoi edhe Pjetrin. (Ve 12:1-4) Kongregacioni «lutej me zjarr» për Pjetrin dhe engjëlli i Jehovait e liroi nga burgu (e ndoshta e shpëtoi nga vdekja). Pasi u tregoi atyre që ndodheshin në shtëpinë e Gjon Markut se ishte liruar me anë të një mrekullie, Pjetri kërkoi që lajmi t’i jepej edhe «Jakovit dhe vëllezërve» e më pas «u nis për në një vend tjetër».—Ve 12:5-17; krahaso Gjo 7:1; 11:53, 54.
Pjetri përmendet përsëri në tregimin e Veprave, kur «apostujt dhe pleqtë» u mblodhën në Jerusalem për të shqyrtuar çështjen e rrethprerjes së jojudenjve të kthyer në besim, ka të ngjarë në vitin 49 të e.s. Pasi diskutimi zgjati ca, Pjetri u ngrit dhe dëshmoi se çfarë kishte bërë Perëndia me besimtarët jojudenj. «E gjithë turma heshti», dhe kjo tregon se argumenti i tij ishte i fortë dhe ndoshta se për të kishin shumë respekt. Në njëfarë mënyre, Pjetri doli të dëshmonte para asamblesë njësoj si bënë Pavli dhe Barnaba pas tij. (Ve 15:1-29) Me sa duket, Pavli e kishte fjalën për këtë rast kur i quajti Pjetrin, Jakovin dhe Gjonin «njerëz me emër», «ata që ishin të pranuar si shtylla» në kongregacion.—Ga 2:1, 2, 6-9.
Nga të dhënat biblike në tërësi duket qartë se Pjetri, ndonëse pa dyshim shumë i rëndësishëm dhe i respektuar, nuk pati epërsi mbi apostujt e tjerë në kuptimin e rangut ose të postit. Në fakt, sipas tregimit biblik, kur vepra e Filipit në Samari dha fryt, apostujt sigurisht si një trup, «dërguan atje Pjetrin dhe Gjonin». (Ve 8:14) Pjetri nuk qëndroi përherë në Jerusalem sikur prania e tij të ishte e domosdoshme për ecurinë e mirë të kongregacionit të krishterë. (Ve 8:25; 9:32; 12:17; shih edhe MBIKËQYRËS; MOSHUAR (I), PLAK.) Ai vazhdoi veprën në Antioki të Sirisë në të njëjtën kohë kur atje ishte edhe Pavli i cili, në një rast, e pa të nevojshme ta qortonte Pjetrin (Kefën) «ballë për ballë . . . përpara të gjithëve». Arsyeja ishte se Pjetrit i vinte turp të hante e të shoqërohej me të krishterët jojudenj kur nga Jerusalemi erdhën disa të krishterë judenj të dërguar nga Jakovi.—Ga 2:11-14.
Më shumë informacion lidhur me pozitën e Pjetrit në kongregacionin e krishterë gjendet në zërin SHKËMBI (Themeli i kongregacionit). Mendimi se Pjetri ishte në Romë dhe drejtoi kongregacionin atje bazohet vetëm në një traditë të dyshimtë që nuk përkon me faktet biblike. Për këtë argument dhe për qëndrimin e Pjetrit në Babiloni, ku shkroi dy letrat e tij, shih LETRAT E PJETRIT.