ENGJËLL
Si fjala hebraike malʼákh ashtu edhe ajo greke ággelos fjalë për fjalë do të thonë «lajmëtar». Nga libri i parë i Biblës deri në të fundit, këto fjalë dalin rreth 400 herë. Kur flitet për lajmëtarë frymorë, përkthehen «engjëj», kurse kur është e sigurt që flitet për krijesa njerëzore, përkthehen «lajmëtarë». (Zn 16:7; 32:3; Jk 2:25; Zb 22:8; shih LAJMËTAR.) Sidoqoftë, në librin tejet simbolik të Zbulesës, disa referime për ‘engjëjt’ mund të zbatohen për krijesa njerëzore.—Zb 2:1, 8, 12, 18; 3:1, 7, 14.
Disa herë, engjëjt janë quajtur frymëra; ajo që është frymë, është e padukshme dhe e fuqishme. Kështu, lexojmë shprehje të tilla, si «një frymë doli e qëndroi para Jehovait» ose «a nuk janë të gjithë ata frymëra për shërbim publik». (1Mb 22:21; He 1:14) Përderisa kanë trupa frymorë të padukshëm, engjëjt banojnë «në qiej». (Mr 12:25; 1Ko 15:44, 50) Gjithashtu, janë quajtur edhe «bijtë e Perëndisë së vërtetë», «yjet e mëngjesit» dhe «moritë e shenjta» (ose «të shenjtët»).—Jb 1:6; 2:1; 38:7; Lp 33:2, shën., NW.
Engjëjt nuk janë krijesa që martohen e që riprodhojnë llojin e tyre, por u krijuan individualisht nga Jehovai, nëpërmjet Birit të tij të parëlindur, i cili është quajtur «fillimi i krijimit të Perëndisë». (Mt 22:30; Zb 3:14) «Me anë të tij [këtij Biri të parëlindur, Fjalës] u krijua gjithçka tjetër në qiej . . . gjërat e . . . padukshme . . . Gjithashtu, ai është para çdo gjëje tjetër, dhe me anë të tij erdhi në jetë gjithçka tjetër.» (Kl 1:15-17; Gjo 1:1-3) Engjëjt u krijuan shumë kohë para njeriut, sepse kur ‘iu vunë themelet tokës’, «yjet e mëngjesit lëshonin tok britma hareje, dhe gjithë bijtë e Perëndisë brohoritnin tërë ngazëllim».—Jb 38:4-7.
Sa për numrin e morive engjëllore në qiell, Danieli tha se pa «një mijë mijëra [që] i shërbenin [Perëndisë] dhe dhjetë mijë herë dhjetë mijë qëndronin pikërisht përpara tij».—Dn 7:10; He 12:22; Jd 14.
Rend e rang. Ashtu si në krijimin e dukshëm, edhe në sferën e padukshme, mes engjëjve, ka rend e rang. Engjëlli i parë, si nga fuqia dhe nga autoriteti, është Mikaeli, kryeengjëlli. (Dn 10:13, 21; 12:1; Jd 9; Zb 12:7; shih KRYEENGJËLL; MIKAELI nr. 1.) Falë epërsisë së tij dhe ngaqë është quajtur «princi i madh, që qëndron përkrah bijve të popullit [të Perëndisë]», mendohet se ai ishte engjëlli që i priu Izraelit përmes shkretëtirës. (Da 23:20-23) Serafinët janë të një rangu shumë të lartë mes engjëjve për sa u përket privilegjeve dhe nderit. (Is 6:2, 6; shih SERAFINËT.) Më shpesh (rreth 90 herë), Shkrimet përmendin kerubinët dhe, nga përshkrimi i detyrave dhe përgjegjësive të tyre, është e dukshme që edhe ata kanë një pozitë të veçantë mes engjëjve. (Zn 3:24; Ezk 10:1-22; shih KERUBINËT.) Pastaj, është edhe shumica e madhe e engjëjve lajmëtarë që shërbejnë si mjet komunikimi mes Perëndisë dhe njerëzve. Gjithsesi, ata bëjnë më shumë se thjesht përcjellin lajme. Si përfaqësues e të deleguar të Perëndisë Më të Lartë, ata shërbejnë si ekzekutues të besuar të qëllimit hyjnor, qoftë mbrojtje a çlirim i popullit të Perëndisë ose shkatërrim i të ligjve.—Zn 19:1-26.
Personaliteti. Ndonëse disa mund të mohojnë faktin që secili engjëll ka personalitetin e vet, duke pohuar se janë forca pa personalitet të dërguar për të kryer vullnetin e Perëndisë, Bibla na mëson krejt ndryshe. Emrat individualë nënkuptojnë individualitete. Fakti që përmenden emrat e dy engjëjve, Mikaelit dhe Gabrielit, mjafton për të vërtetuar këtë pikë. (Dn 12:1; Lu 1:26) Mospërmendja e më shumë emrave ishte një mbrojtje, e cila nuk lejonte që këtyre krijesave t’u jepej nderim i pavend dhe të adhuroheshin. Engjëjt dërgoheshin nga Perëndia si përfaqësues që të vepronin në emër të tij, jo në emër të tyre. Për këtë arsye, kur Jakobi kërkoi të dinte emrin e një engjëlli, ky i fundit nuk pranoi t’ia thoshte. (Zn 32:29) Kur i kërkuan të identifikohej, engjëlli që iu afrua Josiut, u përgjigj thjesht se ishte «princ i ushtrisë së Jehovait». (Js 5:14) Kur prindërit e Samsonit e pyetën një engjëll se si quhej, ai nuk ua tha, por u përgjigj: «Pse më pyet për emrin? Sido që jetë, ai është i mrekullueshëm.» (Gjy 13:17, 18) Apostulli Gjon u përpoq të adhuronte engjëjt dhe dy herë e qortuan: «Kujdes! Mos e bëj! . . . Perëndinë adhuro!»—Zb 19:10; 22:8, 9.
Përderisa janë persona më vete, engjëjt kanë aftësi të komunikojnë me njëri-tjetrin (1Ko 13:1), të flasin gjuhë të ndryshme të njerëzve (Nu 22:32-35; Dn 4:23; Ve 10:3-7), si dhe kanë aftësi mendore me të cilën i japin lavdi e lëvdojnë Jehovain (Ps 148:2; Lu 2:13). Është e vërtetë që engjëjt nuk kanë gjini, jo ngaqë janë forca pa personalitet, por sepse Jehovai i bëri në këtë mënyrë. Zakonisht, engjëjt janë paraqitur si meshkuj dhe kur janë materializuar, kanë marrë gjithnjë formën e meshkujve, sepse edhe për Perëndinë dhe Birin e tij flitet si për meshkuj. Sidoqoftë, kur disa engjëj të materializuar u dhanë pas kënaqësive seksuale në ditët e Noesë, u përjashtuan nga oborret qiellore të Jehovait. Kjo ishte një shfaqje e individualitetit të engjëjve, sepse, ashtu si njerëzit, edhe ata janë me vullnet të lirë, me aftësinë që të zgjedhin personalisht mes së drejtës dhe së gabuarës. (Zn 6:2, 4; 2Pj 2:4) Hordhi engjëllore zgjodhën vetë të bashkoheshin në rebelimin e Satanait.—Zb 12:7-9; Mt 25:41.
Fuqi dhe privilegje. Meqë Perëndia i bëri njerëzit «pak më të ulët se engjëjt» (He 2:7), vetëkuptohet që engjëjt kanë aftësi mendore më të lartë se njerëzit. Gjithashtu, janë mbinjerëzorë edhe për nga fuqia. «Bekoni Jehovain, ju, o engjëjt e tij shumë të fuqishëm, që përmbushni fjalën e tij.» Njohuria dhe fuqia engjëllore u bënë të dukshme kur dy engjëj sollën shkatërrimin e zjarrtë mbi Sodomën dhe Gomorrën. Një engjëll i vetëm vrau 185.000 ushtarë asirianë.—Ps 103:20; Zn 19:13, 24; 2Mb 19:35.
Po ashtu, engjëjt mund të udhëtojnë me shpejtësi të jashtëzakonshme, e cila i tejkalon së tepërmi kufijtë e botës fizike. Kështu, kur Danieli po lutej, Perëndia dërgoi një engjëll që t’i përgjigjej; engjëlli ia behu brenda pak çastesh, madje përpara se të mbaronte lutja.—Dn 9:20-23.
Gjithsesi, pavarësisht aftësive të mëdha mendore e frymore, engjëjt kanë kufizimet e veta. Jezui tha se ata nuk e dinë «atë ditë dhe atë orë» kur do të marrë fund ky sistem. (Mt 24:36) Ata kanë interes të zjarrtë të dinë se si do të përmbushen qëllimet e Jehovait, por ka disa gjëra që nuk i kuptojnë. (1Pj 1:12) Gëzohen kur një mëkatar pendohet dhe shohin ‘teatrin’ e aktivitetit publik që shfaqin të krishterët në skenën e kësaj bote. Vëzhgojnë edhe shembullin e mirë që lënë gratë e krishtere, të cilat mbajnë në kokë një shenjë nënshtrimi.—Lu 15:10; 1Ko 4:9; 11:10; shih PAVDEKËSIA (Trashëgimtarëve të Mbretërisë u jepet pavdekësia).
Si shërbëtorë të Jehovait, engjëjt kanë pasur mjaft privilegje gjatë epokave të shkuara. Engjëjt shërbyen në përkrahje të Abrahamit, Jakobit, Moisiut, Josiut, Isaisë, Danielit, Zakarisë, Pjetrit, Pavlit dhe Gjonit, për të përmendur vetëm pak. (Zn 22:11; 31:11; Js 5:14, 15; Is 6:6, 7; Dn 6:22; Za 1:9; Ve 5:19, 20; 7:35; 12:7, 8; 27:23, 24; Zb 1:1) Mesazhet e tyre ndihmuan në shkrimin e Biblës. Në librin e Zbulesës, ata përmenden më shumë se në çdo libër tjetër të Biblës. Engjëj të panumërt u panë përreth fronit të madh të Jehovait; shtatë u ranë shtatë trumbetave, kurse shtatë të tjerë derdhën shtatë kupat e zemërimit të Perëndisë; një engjëll që fluturonte në mes të qiellit kishte «një lajm të mirë të përhershëm»; kurse një tjetër shpalli: «Ra Babilonia e Madhe!»—Zb 5:11; 7:11; 8:6; 14:6, 8; 16:1.
Mbështetin Krishtin dhe ithtarët e tij. Prej fillimit e deri në fund, engjëjt e shenjtë të Perëndisë e ndoqën me mjaft interes jetën e Jezuit këtu në tokë. Ata shpallën ngjizjen dhe lindjen e tij, si dhe i shërbyen pasi kishte agjëruar për 40 ditë. Një engjëll e forcoi kur ai u lut në Getsemani, natën e fundit si njeri. Kur turma vajti ta arrestonte, ai mund të thërriste jo pak, por 12 legjione engjëjsh, po të donte. Gjithashtu, engjëjt lajmëruan ringjalljen e tij dhe ishin të pranishëm kur u ngjit në qiell.—Mt 4:11; 26:53; 28:5-7; Lu 1:30, 31; 2:10, 11; 22:43; Ve 1:10, 11.
Edhe më pas, lajmëtarët frymorë të Perëndisë vazhduan t’u shërbenin shërbëtorëve të tij në tokë, pikërisht siç premtoi Jezui: «Mos përbuzni një nga këta të vegjlit, sepse po ju them se engjëjt e tyre në qiell shohin gjithnjë fytyrën e Atit tim.» (Mt 18:10) «A nuk janë të gjithë ata frymëra për shërbim publik, të dërguar që t’u shërbejnë atyre që do të trashëgojnë shpëtimin?» (He 1:14) Këta engjëj të fuqishëm nuk bëhen më të dukshëm kur mbështetin shërbëtorët e Jehovait në tokë, sikurse bënë kur liruan apostujt nga burgu. Gjithsesi, shërbëtorët e Perëndisë kanë sigurinë se ushtritë e padukshme mbrojtëse janë gjithnjë të pranishme, po aq reale sa ato që rrethuan profetin Elise dhe shërbëtorin e tij. «Ai do t’u japë urdhër engjëjve të tij për ty, që të të ruajnë në të gjitha udhët e tua.» Po, «engjëlli i Jehovait fushon përreth atyre që i frikësohen atij, dhe i çliron».—Ps 91:11; 34:7; Ve 5:19; 2Mb 6:15-17.
Për më tepër, engjëjt shfaqen duke shoqëruar Jezu Krishtin kur vjen që të ekzekutojë gjykimin, në tregimin ku flitet për ndarjen e ‘grurit’ nga ‘egjra’ dhe në tregimin për ndarjen e ‘deleve’ nga ‘cjeptë’. Engjëjt ishin bashkë me Mikaelin kur ai luftoi kundër dragoit dhe demonëve, në kohën kur në qiell lindi Mbretëria e Perëndisë. Po ashtu, ata do të mbështetin Mbretin e mbretërve në luftën e ditës së madhe të Perëndisë së Plotfuqishëm.—Mt 13:41; 25:31-33; Zb 12:7-10; 19:14-16.