KAPITULLI 64
Duhet t’i falim të tjerët
A DUHET TË FALIM 7 HERË?
ILUSTRIMI PËR SKLLAVIN E PAMËSHIRSHËM
Pjetri dëgjoi këshillën e Jezuit se si duhet vepruar kur dy vëllezër kanë një mosmarrëveshje. Duhet të përpiqen ta zgjidhin problemin duke folur vetëm për vetëm me njëri-tjetrin. Mirëpo, me sa duket, Pjetri dëshiron të përcaktojë fiks sa herë duhet ta bëjë këtë.
Ai pyet: «Zotëri, sa herë duhet ta fal vëllanë tim, nëse ai mëkaton kundër meje? Deri në 7 herë?» Disa krerë fetarë mësojnë se të tjerët duhen falur deri në tri herë. Prandaj Pjetrit mbase i duket vetja bujar po ta falë vëllanë «deri në 7 herë».—Mateu 18:21.
Por mbajtja llogari e gabimeve të të tjerëve s’ka lidhje fare me mësimin e Jezuit. Ja pse ai e ndreq Pjetrin me këto fjalë: «Unë po të them: jo deri në 7 herë, por deri në 77 herë.» (Mateu 18:22) Pra, me fjalë të tjera, pafundësisht. Nuk duhet të kenë limit herët që Pjetri fal vëllanë.
Pastaj për t’u ngulitur në mendje Pjetrit dhe të tjerëve se kanë detyrimin të falin, Jezui u tregon një ilustrim. Ai flet për një skllav që nuk imiton zotërinë e tij të mëshirshëm. Mbreti dëshiron të mbyllë llogaritë me skllevërit e tij. I çojnë një skllav që i ka një borxh kolosal prej 10.000 talentash [60.000.000 denarë]. Nuk ka shanse që ai t’ia paguajë borxhin. Prandaj mbreti urdhëron që të shitet ai, e shoqja dhe fëmijët që të shlyhet borxhi. Atëherë skllavi bie në gjunjë para zotërisë së tij dhe i përgjërohet: «Ji i duruar me mua dhe do të të kthej gjithçka.»—Mateu 18:26.
I shtyrë nga keqardhja dhe mëshira, mbreti ia fal skllavit borxhin e stërmadh. Pas kësaj, ky skllav del dhe gjen një shok të tij, gjithashtu skllav, i cili i detyrohet 100 denarë. E mbërthen prej fyti gati ta mbysë dhe i thotë: «M’i kthe të gjitha ato që më ke borxh.» Por shoku i bie në gjunjë dhe i përgjërohet: «Ji i duruar me mua dhe do të t’i kthej.» (Mateu 18:28, 29) Megjithatë, skllavi të cilit mbreti ia fali borxhin, nuk imiton zotërinë e tij. E hedh në burg skllavin tjetër, i cili i detyrohet shumë më pak, derisa të lajë borxhin.
Më pas Jezui thotë se skllevërit e tjerë që shohin këtë veprim të pamëshirshëm shkojnë dhe i tregojnë mbretit. Tërë inat, mbreti e thërret këtë skllav dhe i thotë: «Skllav i lig, unë të fala gjithë atë borxh kur m’u përgjërove. A nuk duhej që edhe ti të tregoje mëshirë për shokun tënd, siç tregova edhe unë mëshirë për ty?» I nxehur, mbreti ua dorëzon skllavin e pamëshirshëm rojave të burgut derisa t’i kthejë gjithë sa i detyrohet. Për ta përmbledhur, Jezui thotë: «Po kështu do të veprojë edhe Ati im qiellor me ju, nëse secili nuk e fal vëllanë e vet me gjithë zemër.»—Mateu 18:32-35.
Çfarë mësimi i bukur për faljen! Perëndia na ka falur një borxh të madh, mëkatet. Çfarëdo të keqe të bëjë një vëlla ndaj nesh, është e papërfillshme para borxhit që i kemi Perëndisë. Veç kësaj, Jehovai nuk na fal një herë, por mijëra herë. Po ne, a nuk e falim dot disa herë vëllanë tonë, edhe nëse kemi arsye për t’u ankuar?! Siç mësoi Jezui në Predikimin në Mal, Perëndia ‘do të na i falë mëkatet, sikurse edhe ne i kemi falur ata që kanë mëkatuar kundër nesh’.—Mateu 6:12.