Dedikimi dhe liria e zgjedhjes
«Për një liri të tillë, Krishti na bëri të lirë.»—GALATASVE 5:1, BR.
1. Kujt i aplikohen kryesisht fjalët hebraike dhe greke të përkthyera «dedikim», «përurim» ose «shenjtërim»?
SHKRIMTARËT e Biblës përdorën shumë fjalë hebraike dhe greke për të përcjellë idenë e ndarjes dhe të veçimit, për t’i shërbyer një qëllimi të shenjtë. Te Biblat shqip, këto fjalë janë përkthyer me fjalë të tilla, si: «dedikim», «përurim» ose «shenjtërim». Hera-herës, këto fjalë janë përdorur në lidhje me strukturat, në përgjithësi për tempullin e Perëndisë në Jerusalemin e lashtë dhe për adhurimin që bëhej atje. Këto fjalë janë përdorur rrallë për çështje jofetare.
Dedikimi ndaj «Perëndisë së Izraelit»
2. Pse Jehovai mundi të quhej me të drejtë «Perëndia i Izraelit»?
2 Në vitin 1513 p.e.s., Perëndia i çliroi izraelitët nga skllavëria egjiptiane. Pak kohë pas kësaj, ai i ndau ata më vete si popullin e tij të veçantë, duke i marrë në një marrëdhënie besëlidhjeje me të. Atyre iu tha: «Tani, nëse do t’i bindeni rreptësisht zërit tim dhe do të ruani me të vërtetë besëlidhjen time, atëherë do të bëheni me siguri prona ime e veçantë nga të gjithë popujt e tjerë, sepse e tërë toka më përket mua.» (Dalja [Eksodi] 19:5, BR; Psalmi 135:4) Pasi i bëri izraelitët pronën e tij të veçantë, Jehovai mundi të quhej me të drejtë «Perëndia i Izraelit».—Josiu [Jozueu] 24:23.
3. Pse Jehovai nuk po tregonte anshmëri, duke e zgjedhur Izraelin si popullin e tij?
3 Duke i bërë izraelitët popullin e tij të dedikuar, Jehovai nuk po tregohej i anshëm, sepse me dashuri ai mendoi edhe për jo-izraelitët. Ai e udhëzoi popullin e tij: «Në rast se një banor i huaj banon me ju si i huaj në vendin tuaj, nuk duhet ta keqtrajtoni. Banori i huaj që banon si i huaj me ju, duhet t’ju bëhet si vendasi juaj dhe duhet ta doni si veten, sepse ju u bëtë banorë të huaj në vendin e Egjiptit. Unë jam Jehovai, Perëndia juaj.» (Levitiku 19:33, 34, BR) Shekuj më vonë, pikëpamja e Perëndisë ishte ngulitur fuqishëm tek apostulli Pjetër, i cili pranoi: «Në të vërtetë, e kuptoj se Perëndia nuk është i anshëm, por në çdo komb, njeriu që e ka frikë dhe që praktikon drejtësinë, është i pranueshëm prej tij.»—Veprat 10:34, 35, BR.
4. Cilat qenë kushtet e marrëdhënies ndërmjet Perëndisë dhe Izraelit dhe a jetuan izraelitët në lartësinë e tyre?
4 Vëre, gjithashtu, se të ishe popull i dedikuar i Perëndisë, ishte diçka me kushte. Vetëm nëse i bindeshin rreptësisht zërit të Perëndisë dhe ruanin besëlidhjen e tij, do të ishin «prona e veçantë» e tij. Mjerisht, izraelitët nuk i plotësuan këto kërkesa. Pasi hodhën poshtë Mesian e dërguar nga Perëndia në shekullin e parë të e.s., ata humbën pozitën e tyre të privilegjuar. Jehovai nuk ishte më «Perëndia i Izraelit». Gjithashtu, izraelitët natyrorë nuk ishin më populli i dedikuar i Perëndisë.—Krahaso Mateun 23:23.
Dedikimi i «Izraelit të Perëndisë»
5, 6. (a) Çfarë deshi të thoshte Jezui, me anë të fjalëve të tij profetike, të shkruara në Mateun 21:42, 43? (b) Kur dhe si erdhi në ekzistencë «Izraeli i Perëndisë»?
5 A donte të thoshte kjo se tani Jehovai do të ishte pa një popull të dedikuar? Jo. Duke cituar psalmistin, Jezu Krishti paratha: «Nuk e keni lexuar asnjëherë në Shkrimet se ‘guri që ndërtuesit e hodhën poshtë, është ai që u bë guri kryesor i qoshes. Kjo ka ndodhur prej Jehovait dhe është e mrekullueshme në sytë tanë’? Ja sepse ju them: Mbretëria e Perëndisë do t’ju hiqet dhe do t’i jepet një kombi që prodhon frytet e saj.»—Mateu 21:42, 43, BR.
6 «Kombi që prodhon frytet e saj» doli se qe kongregacioni i krishterë. Gjatë qëndrimit të tij të përkohshëm tokësor, Jezui zgjodhi anëtarët e parë të ardhshëm të saj. Por ditën e Rrëshajëve të vitit 33 të e.s., ishte vetë Perëndia Jehova ai që themeloi kongregacionin e krishterë, duke derdhur frymën e shenjtë mbi anëtarët e parë të tij, që ishin rreth 120. (Veprat 1:15; 2:1-4) Siç shkroi më vonë apostulli Pjetër, ky kongregacion i sapoformuar u bë atëherë «një racë e zgjedhur, një priftëri mbretërore, një komb i shenjtë, një popull për zotërim të veçantë». Të zgjedhur për ç’arsye? Se duhej të ‘deklaronin shkëlqesitë e atij që [i] thirri nga errësira në dritën e tij të mrekullueshme’. (1. Pjetrit 2:9, BR) Ithtarët e Krishtit, të mirosur me frymën e Perëndisë, ishin tani një komb i dedikuar, «Izraeli i Perëndisë».—Galatasve 6:16.
7. Çfarë do të gëzonin anëtarët e Izraelit të Perëndisë dhe prandaj, çfarë iu tha të shmangnin?
7 Megjithëse anëtarët e kombit të shenjtë ishin «një popull për zotërim të veçantë», ata nuk duhej të skllavëroheshin. Përkundrazi, duhej të gëzonin një liri më të madhe se ajo e zotëruar nga kombi i dedikuar i Izraelit natyror. Jezui u premtoi anëtarëve të ardhshëm të këtij kombi të ri: «Do ta njihni të vërtetën dhe e vërteta do t’ju bëjë të lirë.» (Gjoni 8:32, BR) Apostulli Pavël nxori në pah se të krishterët ishin liruar nga kërkesat e besëlidhjes së Ligjit. Në lidhje me këtë, ai i këshilloi bashkëbesimtarët në Galaci: «Për një liri të tillë, Krishti na bëri të lirë. Prandaj, qëndroni të patundur dhe mos lejoni të viheni përsëri nën një zgjedhë skllavërie.»—Galatasve 5:1, BR.
8. Në ç’aspekt rregullimi i krishterë u ofron individëve liri më të madhe se ajo e përjetuar nën besëlidhjen e Ligjit?
8 Ndryshe nga Izraeli natyror i kohëve të lashta, deri më sot Izraeli i Perëndisë i është bindur rreptësisht kërkesave të dedikimit të tij. Kjo nuk duhet të na habisë, sepse anëtarët e tij zgjodhën lirisht që të binden. Ndërsa anëtarët e Izraelit natyror bëheshin të dedikuar për arsye të lindjes, anëtarët e Izraelit të Perëndisë bëhen të tillë me anë të zgjedhjes. Kështu, rregullimi i krishterë ishte në kontrast me besëlidhjen hebraike të Ligjit, e cila ua impononte dedikimin individëve, pa u lejuar atyre lirinë e zgjedhjes.
9, 10. (a) Si e tregoi Jeremia se në lidhje me dedikimin do të kishte një ndryshim? (b) Pse do të thoshe se jo të gjithë të krishterët e dedikuar sot, janë anëtarë të Izraelit të Perëndisë?
9 Profeti Jeremia paratha një ndryshim në lidhje me dedikimin, kur shkroi: «“Ja! Ditët po vijnë,—është thënia e Jehovait,—dhe unë do të përfundoj një besëlidhje të re me shtëpinë e Izraelit dhe me shtëpinë e Judës; jo një besëlidhje si ajo që përfundova me etërit e tyre ditën që i kapa për dore, për t’i nxjerrë nga vendi i Egjiptit, ‘atë besëlidhje timen që ata vetë e thyen, ndonëse unë i kisha në pronësi prej bashkëshorti’,—është thënia e Jehovait.—Sepse kjo është besëlidhja që unë do të përfundoj me shtëpinë e Izraelit pas atyre ditëve,—është thënia e Jehovait.—Unë do ta vendos ligjin tim brenda tyre dhe do ta shkruaj në zemrat e tyre. Dhe unë do të bëhem Perëndia i tyre e ata vetë do të bëhen populli im.”»—Jeremia 31:31-33, BR.
10 Duke e pasur ligjin e Perëndisë «brenda tyre», si të thuash «në zemrën e tyre», anëtarët e Izraelit të Perëndisë janë të nxitur të jetojnë në lartësinë e dedikimit të tyre. Motivimi i tyre është më i fuqishëm se ai i izraelitëve natyrorë, të cilët ishin të dedikuar sipas lindjes, jo sipas zgjedhjes. Sot, motivimin e fuqishëm për të bërë vullnetin e Perëndisë, siç tregohet nga Izraeli i Perëndisë, e kanë më shumë se pesë milionë bashkadhurues anembanë botës. Ngjashëm, edhe ata ia kanë dedikuar jetën e tyre Perëndisë Jehova, për të bërë vullnetin e tij. Ndonëse këta individë nuk kanë shpresën e jetës qiellore, siç e kanë ata që përbëjnë Izraelin e Perëndisë, gëzojnë perspektivën për të jetuar përgjithmonë në tokë, nën sundimin e Mbretërisë qiellore të Perëndisë. Ata tregojnë çmueshmëri për Izraelin frymor, duke mbështetur aktivisht anëtarët e paktë të tij që kanë mbetur, në përmbushjen e caktimit të tyre për të «deklaruar shkëlqesitë e atij që [i] thirri nga errësira në dritën e tij të mrekullueshme».
Të ushtrojmë me mençuri lirinë e dhënë nga Perëndia
11. Me çfarë aftësie u krijua njeriu dhe si duhet përdorur ajo?
11 Perëndia i krijoi njerëzit që ta ruanin si thesar lirinë. Ai u dha atyre aftësinë e vullnetit të lirë. Çifti i parë njerëzor e vuri në përdorim lirinë e tij të zgjedhjes. Por, në mënyrë jo të mençur dhe jo të dashur, ata bënë një zgjedhje që çoi në shkatërrim si për ata, ashtu edhe për pasardhësit e tyre. Megjithatë, kjo tregon qartë se Jehovai nuk i detyron kurrë krijesat inteligjente të marrin një rrugë që është kundër motiveve dhe dëshirave të brendshme të tyre. Gjithashtu, përderisa «Perëndia e do një dhënës të gëzuar», i vetmi dedikim i pranueshëm për të është ai i bazuar në dashuri, ai i bërë gatishmërisht me gëzim, ai me themele në lirinë e zgjedhjes. (2. Korintasve 9:7, BR) Çdo lloj tjetër është i papranueshëm.
12, 13. Në ç’mënyrë Timoteu shërben si model për stërvitjen e duhur të fëmijëve dhe në ç’gjë i ka çuar shembulli i tij shumë të rinj?
12 Duke e pranuar plotësisht këtë kërkesë, Dëshmitarët e Jehovait përkrahin dedikimin e vetvetes ndaj Perëndisë, por kurrë nuk shtrëngojnë askënd të bëjë një dedikim të tillë, madje as fëmijët e tyre. Në kontrast me shumë kisha, Dëshmitarët nuk i pagëzojnë pasardhësit e tyre që kur janë foshnja, si të ishte e mundur t’i detyronin të dedikoheshin pa pasur dobinë e zgjedhjes personale. Modeli biblik që duhet ndjekur, është ai që ndoqi i riu Timote. Si i rritur, apostulli Pavël i tha atij: «Vazhdo në gjërat që mësove dhe që u binde për t’i besuar, duke e ditur se nga cilët persona i mësove dhe se që nga foshnjëria i ke njohur shkrimet e shenjta, të cilat janë në gjendje të të bëjnë të mençur për shpëtimin nëpërmjet besimit në lidhje me Krishtin Jezu.»—2. Timoteut 3:14, 15, BR.
13 Vlen të vërehet që Timoteu i njihte shkrimet e shenjta, sepse ia kishin mësuar që prej foshnjërisë. Ai ishte bindur, jo detyruar, për t’i besuar mësimet e krishtere nga nëna dhe nga gjyshja e tij. (2. Timoteut 1:5) Si rezultat, Timoteu kuptoi mençurinë për t’u bërë një ithtar i Krishtit dhe kështu bëri zgjedhjen personale të dedikimit të krishterë. Në kohët moderne, me dhjetëra mijë të krishterë të rinj dhe të reja, prindërit e të cilëve janë Dëshmitarë të Jehovait, kanë ndjekur këtë shembull. (Psalmi 110:3) Të tjerë nuk e kanë ndjekur. Është çështje zgjedhjeje të lirë.
Të zgjedhësh të jesh skllav i kujt?
14. Çfarë na thotë Romakëve 6:16 në lidhje me lirinë e plotë?
14 Asnjë qenie njerëzore nuk është krejtësisht e lirë. Kushdo është i kufizuar në lirinë e tij nga ligjet fizike, të tilla si ligji i gravitetit, i cili nuk mund të shpërfillet pa pasur pasoja. Po kështu, në kuptimin frymor, askush nuk është krejtësisht i lirë. Pavli arsyetoi: «A nuk e dini se nëse vazhdoni t’i paraqiteni kujtdo si skllevër për t’iu bindur, jeni skllevër të tij, qoftë të mëkatit, me rezultat vdekjen, qoftë të bindjes, me rezultat drejtësinë, sepse i bindeni?»—Romakëve 6:16, BR.
15. (a) Si ndihen njerëzit në lidhje me të qenët skllav, por ku përfundojnë shumica e tyre me atë që bëjnë? (b) Cilat pyetje të përshtatshme duhet t’i bëjmë vetes?
15 Për shumicën e njerëzve, ideja e të qenët skllav i dikujt krijon përshtypjen e diçkaje të pakëndshme. Por megjithatë, në botën e sotme, realiteti është që shpesh njerëzit lënë që të manipulohen dhe të ndikohen në kaq shumë mënyra tinëzare, saqë përfundojnë duke bërë jovullnetarisht atë që të tjerët dëshirojnë prej tyre të bëjnë. Për shembull, industria e reklamës dhe fusha e zbavitjes përpiqen t’i shabllonizojnë njerëzit, duke vendosur standarde që duhen ndjekur prej tyre. Organizatat politike dhe fetare i bëjnë njerëzit të mbështetin idetë dhe synimet e tyre, jo gjithmonë me anë të argumenteve bindëse, por shpesh duke i bërë thirrje një ndjenje solidariteti ose besnikërie. Meqenëse Pavli vërejti se ‘jemi skllevër të atyre, të cilëve u bindemi’, secili prej nesh bën mirë të pyesë veten: ‘Skllav i kujt jam? Kush ushtron ndikimin më të madh në vendimet dhe në mënyrën time të jetesës? Klerikët fetarë, udhëheqësit politikë, pasanikët ose personalitetet në fushën e zbavitjeve? Kujt i bindem: Perëndisë apo njerëzve?’
16. Në ç’kuptim janë skllevër të Perëndisë të krishterët dhe cila është pikëpamja e duhur në lidhje me një skllavëri të tillë?
16 Të krishterët nuk e konsiderojnë bindjen ndaj Perëndisë si një dhunim të pajustifikueshëm të lirisë personale. Me gatishmëri, ata e ushtrojnë lirinë e tyre në mënyrë të njëjtë me Shembullin e tyre, Jezu Krishtin, duke i vënë dëshirat dhe përparësitë personale në harmoni me vullnetin e Perëndisë. (Gjoni 5:30; 6:38) Ata zhvillojnë «mendjen e Krishtit», duke iu nënshtruar atij si Kreu i kongregacionit. (1. Korintasve 2:14-16; Kolosianëve 1:15-18) Kjo është shumë e ngjashme me një grua që martohet dhe me gatishmëri bashkëpunon me njeriun që do. Në fakt, për trupin e të krishterëve të mirosur flitet si për një virgjëreshë të dëlirë, që i është premtuar Krishtit në martesë.—2. Korintasve 11:2; Efesianëve 5:23, 24; Zbulesa 19:7, 8.
17. Çfarë kanë zgjedhur të bëhen të gjithë Dëshmitarët e Jehovait?
17 Secili prej Dëshmitarëve të Jehovait, qoftë nëse ka shpresë qiellore ose tokësore, ka bërë një dedikim personal ndaj Perëndisë, për të bërë vullnetin e tij dhe për t’iu bindur si Sundimtar. Për secilin Dëshmitar, dedikimi ka qenë një zgjedhje personale për t’u bërë skllav i Perëndisë, në vend se të mbetej skllav i njerëzve. Kjo është në harmoni me këshillën e apostullit Pavël: «Ju u bletë me një çmim; mjaft u bëtë skllevër të njerëzve.»—1. Korintasve 7:23, BR.
Të mësojmë t’i sjellim dobi vetes
18. Kur kualifikohet për pagëzim një Dëshmitar i mundshëm?
18 Përpara se një person të mund të kualifikohet për t’u bërë Dëshmitar i Jehovait, ai duhet të përmbushë kualifikimet biblike. Pleqtë ushtrojnë kujdes në përcaktimin e faktit nëse një Dëshmitar i mundshëm kupton apo jo me të vërtetë se çfarë përfshin dedikimi i krishterë. A dëshiron me të vërtetë të jetë Dëshmitar i Jehovait? A është i gatshëm të jetojë në lartësinë e asaj që sjell me vete kjo gjë? Nëse jo, ai nuk është i kualifikuar për pagëzim.
19. Pse nuk ka asnjë arsye për ta kritikuar dikë që vendos të bëhet shërbëtor i dedikuar i Perëndisë?
19 Por, nëse një individ përmbush të gjitha kërkesat, përse duhet kritikuar se ka marrë vullnetarisht një vendim personal, që të lërë të ndikohet nga Perëndia dhe nga Fjala e tij e frymëzuar? Mos vallë është më pak e pranueshme të lësh të ndikohesh nga Perëndia sesa nga njerëzit? Apo kjo gjë sjell më pak dobi? Dëshmitarët e Jehovait nuk mendojnë kështu. Ata janë dakord me gjithë zemër me fjalët e Perëndisë të shkruara nga Isaia: «Unë, Jehovai, jam Perëndia yt, Ai që të mëson t’i sjellësh dobi vetes, Ai që të bën të shkelësh në rrugën në të cilën duhet të ecësh.»—Isaia 48:17, BR.
20. Në cilat aspekte janë liruar njerëzit me anë të së vërtetës biblike?
20 E vërteta biblike i liron njerëzit nga të besuarit e doktrinave të rreme fetare, të tilla si mundimi i përjetshëm në një ferr të zjarrtë. (Eklisiastiu [Predikuesi] 9:5, 10) Në vend të kësaj, ajo i mbush zemrat e tyre me mirënjohje për shpresën e vërtetë rreth të vdekurve: ringjalljen e bërë të mundur mbi bazën e flijimit shpërblerës të Jezu Krishtit. (Mateu 20:28; Veprat 24:15; Romakëve 6:23) E vërteta biblike i liron njerëzit nga zhgënjimet e mbështetjes në premtimet politike, që dështojnë në mënyrë të vazhdueshme. Në vend të këtyre, ajo bën që zemrat e tyre të gufojnë nga gëzimi, pasi e dinë se Mbretëria e Jehovait sundon tashmë në qiej dhe se së shpejti do të sundojë mbi të gjithë tokën. E vërteta biblike i liron njerëzit nga praktika që, megjithëse janë tërheqëse për mishin e papërsosur, çnderojnë Perëndinë dhe kërkojnë një çmim të lartë, në formën e marrëdhënieve të prishura, të sëmundjeve dhe të vdekjes së parakohshme. Shkurt, të jesh skllav i Perëndisë është shumë më tepër dobiprurëse sesa të jesh skllav i njerëzve. Në fakt, dedikimi ndaj Perëndisë premton dobi «në këtë periudhë kohore . . . dhe në sistemin e gjërave që po vjen, jetë të përhershme».—Marku 10:29, 30, BR.
21. Si e konsiderojnë Dëshmitarët e Jehovait dedikimin ndaj Perëndisë dhe cila është dëshira e tyre?
21 Dëshmitarët e Jehovait sot, nuk janë bërë nga lindja pjesë e një kombi të dedikuar, siç u bënë izraelitët në kohën e shkuar. Dëshmitarët janë pjesë e një kongregacioni të krishterësh të dedikuar. Çdo Dëshmitar i pagëzuar është bërë i tillë, duke ushtruar individualisht lirinë e zgjedhjes në bërjen e dedikimit. Në të vërtetë, për Dëshmitarët e Jehovait dedikimi rezulton në një marrëdhënie të ngrohtë personale me Perëndinë, e dalluar nga shërbimi me gatishmëri ndaj tij. Këtë marrëdhënie të gëzueshme ata dëshirojnë me gjithë zemër ta ruajnë, duke u mbajtur gjithmonë fort pas lirisë, për të cilën Jezu Krishti i bëri të lirë.
Si do të përgjigjeshe?
◻ Pse Perëndia nuk ishte i anshëm në zgjedhjen e Izraelit si «prona e veçantë» e tij?
◻ Pse do të thoshe se dedikimi i krishterë nuk sjell me vete në një masë tepër të madhe humbjen e lirisë?
◻ Cilat janë dobitë e dedikimit ndaj Perëndisë Jehova?
◻ Pse është më mirë të jesh shërbëtor i Jehovait sesa skllav i njerëzve?
[Figura në faqen 15]
Në Izraelin e lashtë, dedikimi ndaj Perëndisë ishte një çështje lindjeje
[Figura në faqen 16]
Dedikimi i krishterë është një çështje zgjedhjeje