Besim në një botë të papërsosur
«TË MIRËN që unë e dua nuk e bëj; por të keqen që s’dua atë bëj.» A të duket se kjo është e vërtetë edhe në rastin tënd? Merr zemër duke ditur se edhe apostulli Pavël kishte të njëjtin problem e megjithatë, ai ishte një njeri me integritet të shquar të krishterë. A nuk është kjo një kontradiktë? Në letrën e tij drejtuar të krishterëve në Romë, Pavli bëri një analizë të problemit: «Edhe, në qoftë se bëj atë që nuk dua, s’jam më vetë ai që e bëj, por është mëkati që banon në mua.» Cilit mëkat i referohet ai dhe si e mposhti atë, në mënyrë që të ishte një njeri me integritet?—Romakëve 7:19, 20.
Më parë, në letrën e tij, Pavli shkroi: «Ashtu si me anë të një njeriu të vetëm, mëkati hyri në botë dhe me anë të mëkatit vdekja, po ashtu vdekja u shtri tek të gjithë njerëzit, sepse të gjithë mëkatuan.» «Njeriu i vetëm» ishte Adami. (Romakëve 5:12, 14) Mëkati adamik, mëkati i njeriut të parë, Adamit, është shkaku i papërsosmërive të lindura të racës njerëzore dhe arsyeja përse mbajtja e integritetit është një sfidë e vërtetë.
Pikëpamja e Pavlit mbi «mëkatin origjinal», siç quhej më parë, nuk pranohet gjerësisht sot, për shkak se tregimi i Biblës mbi krijimin është hedhur poshtë në sferat teologjike, në favor të teorive të evolucionit. «Studiuesit kanë hedhur mënjanë të gjithë fragmentin»,—shprehet një komentues modern mbi Romakëve 5:12-14. Por njëqind vjet më parë, libra që komentonin Biblën, shpjegonin vazhdimisht se «kur Adami mëkatoi . . . ai molepsi me atë mëkat dhe me pasojat e tij të gjithë pinjollët e vet».a
Humbja origjinale e integritetit
Ashtu si ekzistenca e Adamit, njeriut të parë, sot mohohet nga shumë njerëz, po ashtu Satana Djalli, është lënë mënjanë si një trill i mitologjisë.b Por një autoritet mjaft i shquar, Jezu Krishti, na thotë se ky «nuk qëndroi në të vërtetën», me fjalë të tjera nuk ishte i denjë për besim. (Gjoni 8:44) Të nxitur pikërisht prej tij, Adami dhe gruaja e tij, Eva, u rebeluan kundër Jehovait dhe thyen integritetin e tyre nën sprovë.—Zanafilla 3:1-19.
Meqenëse ne të gjithë vijmë prej Adamit, të gjithë trashëguam prirjen për të mëkatuar. Solomoni, një njeri i mençur, tha: «Nuk ka në fakt asnjë njeri të drejtë mbi tokë që bën të mirën dhe të mos mëkatojë.» (Predikuesi 7:20) Por megjithatë, çdo njeri mund të jetë i denjë për besim. Si është e mundur një gjë e tillë? Sepse për të mbajtur integritetin, nuk ka nevojë të jemi të përsosur.
Themeli i integritetit
Mbreti i Izraelit, Davidi, bëri shumë gabime, duke përfshirë edhe marrëdhënien e tradhtisë bashkëshortore me Betshebën, të dokumentuar mirë. (2. Samuelit 11:1-27) Gabimet e shumta të Davidit shërbyen për të theksuar se ai nuk ishte aspak i përsosur. Por, çfarë pa Jehovai në atë njeri? Duke iu drejtuar birit të Davidit, Solomonit, Jehovai tha: «Ec përpara meje, ashtu siç eci Davidi, ati yt, me integritet zemre dhe me drejtësi.» (1. Mbretërve 9:4, BR) Pavarësisht nga gabimet e shumta të Davidit, të qenët e tij në themel i denjë për besim, u pranua nga Jehovai. Përse?
Përgjigjen e dha Davidi, kur i tha Solomonit: «Jehovai heton të gjitha zemrat dhe dallon çdo prirje mendimesh.» (1. Kronikave 28:9, BR) Davidi bëri gabime, por ishte i përulur dhe dëshironte të bënte atë që ishte e drejtë. Ai e pranoi vazhdimisht qortimin dhe korrigjimin dhe ç’është e vërteta e kërkoi atë. «Më heto, o Jehova dhe më vër në provë; rafino veshkat dhe zemrën time»,—ishte kërkesa e tij. (Psalmi 26:2, BR) E Davidi patjetër që u rafinua. Për shembull, shtrëngimet që erdhën prej mëkatit të tij me Betshebën, zgjatën deri në fund të jetës së tij. Megjithatë, Davidi asnjëherë nuk u mundua për të justifikuar keqbërjen e tij. (2. Samuelit 12:1-12) Ç’është më e rëndësishmja, ai kurrë nuk u shmang nga adhurimi i vërtetë. Për këtë arsye dhe për shkak të pendesës e të pendimit të vërtetë e me gjithë zemër të Davidit, Jehovai ishte në gjendje për të falur mëkatet e tij dhe për ta pranuar atë si një njeri me integritet.—Shiko gjithashtu Psalmin 51.
I denjë për besim nën sprovë
Jezui u vu në provë nga Satana Djalli, në përpjekje për të thyer integritetin e tij. Në kontrast me Adamin, bindja e të cilit si një njeri i përsosur u vu në provë, thjesht kur mori udhëzimin që t’i bindej një ligji hyjnor, Jezuit iu desh të mbante integritetin e tij përmes vështirësive dhe vuajtjeve. Për më tepër, ai ishte nën presion, pasi e dinte se nga integriteti i tij varej shpengimi i familjes njerëzore.—Hebrenjve 5:8, 9.
Satanai, i vendosur për të thyer integritetin e Jezuit, iu afrua atij kur ishte në gjendje të dobët, pasi kishte kaluar 40 ditë, duke medituar dhe duke agjëruar në shkretëtirë. Tri herë e tundoi ai Jezuin: të kthente gurët në bukë, të hidhej nga bedenat e tempullit, duke supozuar se ndërhyrja engjëllore do ta shpëtonte e në këtë mënyrë të jepte një shenjë të mrekullueshme për të provuar se ai ishte Mesia dhe të pranonte sundimin mbi të gjitha mbretëritë e kësaj bote, vetëm në shkëmbim të një «akti adhurimi» kundrejt Satanait. Por Jezui hodhi poshtë çdo tundim, duke mbajtur integritetin e tij ndaj Jehovait.—Mateu 4:1-11; Luka 4:1-13.
Integriteti i Jobit
Qëndrimi i Jobit në mbajtjen e integritetit të tij nën sprovë, është i mirënjohur. Është interesant fakti që Jobi nuk e kuptonte arsyen përse i ndodhnin katastrofat. Ai nuk e dinte se Satanai i kishte atribuar atij motive të rreme, duke deklaruar se Jobi i shërbente Perëndisë për arsye egoiste dhe duke pohuar se për të shpëtuar lëkurën e vet, Jobi do të ishte treguar i gatshëm që të thyente integritetin e tij. Perëndia lejoi që Jobi të kalonte disa përvoja shumë të dhimbshme, për të treguar se Satanai e kishte gabim.—Jobi 1:6-12; 2:1-8.
Në skenë u prezantuan tre miq të rremë. Ata keqtrajtuan me qëllim normat dhe qëllimet e Perëndisë. Edhe gruaja e Jobit, gjithashtu, e paaftë për të kuptuar çështjen, nuk arriti ta inkurajonte të shoqin, në një kohë kur ai kishte një nevojë të jashtëzakonshme për të. (Jobi 2:9-13) Por Jobi qëndroi i palëkundur. «Derisa të nxjerr frymën nuk do ta largoj prej vetes integritetin tim! Pas drejtësisë sime jam kapur fort dhe nuk do ta lë të më ikë; zemra ime nuk do të më qortojë për asnjë nga ditët e mia.»—Jobi 27:5, 6, BR.
Shembulli i shkëlqyer i Jobit bashkë me integritetin e shumë burrave dhe grave të tjera plot besim, siç gjenden në Bibël, e kanë treguar Satanain një gënjeshtar.
Integriteti dhe shërbimi i krishterë
Mos vallë integriteti është një cilësi, të cilën Jehovai e nderon shumë vetëm për kënaqësi të tij? Jo. Integriteti ka një vlerë të qenësishme për ne njerëzit. Është për dobinë tonë që Jezui na këshilloi ‘të duam Jehovain Perëndinë tonë me gjithë zemrën tonë, me gjithë shpirtin tonë dhe me gjithë mendjen tonë’. Në të vërtetë, ky është «urdhërimi më i madh dhe më i parë» dhe duhet që një burrë, grua apo fëmijë me integritet t’i bindet atij. (Mateu 22:36-38, BR) Çfarë përfshihet në mbajtjen e integritetit dhe cilat janë shpërblimet?
Një njeri me integritet mund të besohet jo vetëm nga të tjerët, por ç’është më e rëndësishmja, besohet nga Perëndia. Pastërtia e zemrës së tij shihet në veprimet që bën; ai është i lirë nga hipokrizia. Nuk është dredharak apo i korruptuar. Apostulli Pavël u shpreh në këtë mënyrë: «Ne kemi hequr dorë plotësisht nga gjërat e turpshme që bëhen në fshehtësi, duke mos ecur me dinakëri, duke mos falsifikuar aspak fjalën e Perëndisë, por duke shfaqur të vërtetën, ne ia rekomandojmë veten tonë ndërgjegjes së çdo njeriu përpara Perëndisë.»—2. Korintasve 4:2.
Vërejmë se Pavli përmend qëndrimet që kanë të bëjnë me shërbimin e krishterë. Si mund t’u shërbejë të tjerëve një shërbëtor i krishterë, nëse i ka duart të ndotura, nëse nuk është një njeri me integritet? Kryemurgu i një urdhri fetar irlandez, i cili ka dhënë dorëheqjen kohët e fundit, e ilustron qartë këtë pikë. Sipas gazetës The Independent, ai pranoi se «kishte lejuar një prift pedofil të vazhdonte të punonte me fëmijët, shumë kohë pasi ishte bërë i njohur abuzimi i tij me ta». Tregimi shpjegonte se abuzimi mbi fëmijët zgjati mbi 24 vjet. Prifti u dënua me katër vjet burg, por mendo për vuajtjen e imponuar mbi fëmijët që ai kishte sulmuar gjatë atyre viteve, për shkak se kryemurgut të tij i mungonte integriteti moral për të ndërmarrë një veprim!
Integriteti: Shpërblimet
Apostulli Gjon ishte një njeri sypatrembur. Duke pasur parasysh entuziazmin e tyre të zjarrtë, Jezui e quajti atë dhe të vëllanë, Jakovin, «Bij të bubullimës». (Marku 3:17) Duke qenë një njeri me integritet të spikatshëm, Gjoni bashkë me Pjetrin, u shpjegoi sundimtarëve judaikë se ‘nuk mund të mos fliste’ për gjërat që kishte parë e dëgjuar, ndërsa ishte me Jezuin. Gjoni ishte, gjithashtu, një prej apostujve që tha: «Duhet t’i bindemi Perëndisë më shumë sesa njerëzve.»—Veprat 4:19, 20; 5:27-32.
Duket se kur Gjoni kishte mbushur të 90-at, kishte mërguar në ishullin Patmos «për të folur për Perëndinë dhe për të dhënë dëshmi për Jezuin». (Zbulesa 1:9, BR) Në moshën e vet, ai mund të ketë menduar se shërbimi i tij kishte përfunduar. Por vetëm një njeriu me integritet si të tijin mund t’i besohej caktimi, për të shkruar vizionin rrënqethës të Zbulesës. Gjoni ishte i besueshëm në përmbushjen e këtij caktimi. Çfarë privilegji ishte për të e privilegje të tjera do të vinin! Më vonë, me sa duket në afërsi të Efesit, ai shkroi tregimin e Ungjillit të tij dhe tri letra. Këto privilegje të mëdha kurorëzuan 70 vjetët e shërbimit besimplotë e të denjë për besim.
Të qenët një person me integritet sjell në vija të përgjithshme një kënaqësi të thellë. Të qenët i denjë për besim në sy të Perëndisë sjell shpërblime të përhershme. Sot, «një shumicë e madhe» adhuruesish të vërtetë po përgatitet për të hyrë në një botë të re paqeje dhe harmonie, me perspektivën për të jetuar përgjithmonë. (Zbulesa 7:9) Integriteti në çështjet jetësore të moralit dhe të adhurimit duhet mbajtur, pavarësisht nga sprovat e këtij sistemi gjërash dhe sfidat e shumta që Satanai mund të na vërë mbi shpatulla. Ji i sigurt se do t’ia dalësh mbanë me fuqinë që jep Jehovai!—Filipianëve 4:13.
Duke folur si për të tashmen edhe për të ardhmen, psalmisti David na siguron të gjithëve, kur në një lutje falënderimi drejtuar Jehovait, thotë: «Sa për mua, për shkak të integritetit tim më ke mbështetur dhe do të më vësh përpara fytyrës sate deri në kohë të pacaktuar. I bekuar qoftë Jehovai . . . Amen dhe amen.»—Psalmi 41:12, 13, BR.
[Shënimet]
a Komenti në Besëlidhjen e Re të Zotërisë dhe Shpëtimtarit tonë Jezu Krisht, sipas Versionit të Autorizuar, me një komentues të shkurtër nga autorë të ndryshëm.
b Emri Satana do të thotë «Kundërshtar». «Djall» do të thotë «Shpifës».
[Figura në faqen 4]
Pavarësisht nga gabimet e tij, Davidi u tregua i denjë për besim
[Figura në faqen 5]
Jezui na la shembullin më të shkëlqyer të besueshmërisë
[Figurat në faqen 7]
Të qenët i denjë për besim sjell kënaqësi të madhe