Pjesa 9
Si e dimë se po jetojmë në «ditët e fundit»
1, 2. Si mund ta dimë se po jetojmë në ditët e fundit?
SI MUND të jemi të sigurt se po jetojmë në kohën, kur Mbretëria e Perëndisë do të ndërhyjë kundër këtij sistemi të tanishëm të sundimit njerëzor? Si mund ta dimë se jemi shumë afër kohës, kur Perëndia do t’i japë fund të gjitha formave të ligësisë dhe të vuajtjes?
2 Dishepujt e Jezu Krishtit donin të dinin për këto gjëra. Ata e pyetën se cila do të ishte «shenja» e pranisë së tij në fuqinë e Mbretërisë dhe «e përfundimit të sistemit të gjërave». (Mateu 24:3, BR) Jezui u përgjigj, duke përshkruar me hollësi ngjarje që do të tronditnin mbarë botën dhe kushtet që do të kombinoheshin për të treguar se njerëzimi kishte hyrë në «kohën e përfundimit», në «ditët e fundit» të këtij sistemi gjërash. (Danieli 11:40, BR; 2. Timoteut 3:1, BR) A e kemi parë këtë shenjë të përbërë në këtë shekull? Po, e kemi parë, madje gjerësisht!
Luftërat botërore
3, 4. Si e përkrahin profecinë e Jezuit luftërat e këtij shekulli?
3 Jezui paratha se «do të ngrihet komb kundër kombi dhe mbretëri kundër mbretërie». (Mateu 24:7, BR) Në vitin 1914, mbarë bota u përfshi në një luftë që i mobilizoi kombet dhe mbretëritë në një mënyrë krejt të ndryshme nga çdo luftë e mëparshme. Duke pasur parasysh këtë fakt, historianët e kohës e quajtën atë Lufta e Madhe. Ishte lufta e parë e këtij lloji në histori, lufta e parë në shkallë botërore. Rreth 20.000.000 ushtarë e civilë humbën jetën, shumë më tepër se në çdo luftë të mëparshme.
4 Lufta I Botërore shënoi fillimin e ditëve të fundit. Jezui tha se kjo dhe ngjarje të tjera do të ishin «fillimi i dhimbjeve të ankthit». (Mateu 24:8, BR) Kjo u vërtetua, pasi Lufta II Botërore ishte shumë më tepër vdekjeprurëse; rreth 50.000.000 ushtarë dhe civilë humbën jetën. Në këtë shekull të 20-të, mbi 100.000.000 veta janë vrarë në luftëra, që përbën një shifër katër herë më të madhe se në luftërat e 400 vjetëve të kaluar të marrë së bashku! Ç’dënim i tmerrshëm për sundimin njerëzor!
Prova të tjera
5-7. Cilat janë disa prova të tjera që vërtetojnë se po jetojmë në ditët e fundit?
5 Jezui përfshiu veçori të tjera që do të shoqëronin ditët e fundit: «Do të ketë tërmete të mëdha, murtaja [sëmundje epidemike] dhe mungesa ushqimi nga njëri vend në tjetrin.» (Luka 21:11, BR) Kjo i përshtatet mirë ngjarjeve që nga viti 1914, pasi ka pasur një rritje të jashtëzakonshme në hidhërimin e madh nga gjëma të tilla.
6 Tërmetet e mëdha janë ndodhi të zakonshme, duke krijuar shumë viktima. Pas Luftës I Botërore, vetëm gripi spanjoll çoi drejt vdekjes rreth 20.000.000 njerëz—disa mendojnë se ishin 30.000.000 ose më shumë. SIDA ka marrë qindra e mijëra jetë dhe në të ardhmen e afërt mund të marrë miliona të tjerë. Çdo vit miliona njerëz vdesin nga sëmundjet e zemrës, kanceri dhe sëmundje të tjera. Miliona të tjerë vdesin nga vdekja e ngadalshme e urisë. Pa asnjë dyshim, që nga viti 1914, «kalorësit e Apokalipsit», me luftërat e tyre, mungesat e ushqimit dhe sëmundjet epidemike kanë shkatërruar një numër të madh personash të familjes njerëzore.—Zbulesa 6:3-8.
7 Jezui, gjithashtu, parashikoi rritjen e krimeve që po përjetohen në të gjitha vendet. Ai tha: «E, prej se do të marrë hov padrejtësia, shumëkujt do t’i ftohet dashuria.»—Mateu 24:12, DSF.
8. Si i përshtatet kohës sonë profecia që gjendet në 2. Timoteut kapitulli 3?
8 Përveç kësaj, profecia biblike paratha shkatërrimin moral kaq të dukshëm në mbarë botën sot: «Edhe këtë duhet ta dish: në ditët e fundit do të vijnë kohë të vështira. Sepse njerëzit do të jenë egoistë, lakmues të të hollash, krenarë, madhështorë, blasfemues, nuk do t’i dëgjojnë prindërit, të paevarishëm, ateistë, të padhimbshëm, të papajtueshëm, shpifës, të panënshtrueshëm, të panjerëzishëm, mujsharë që s’e duan të mirën, tradhtarë, të ngutshëm, të verbuar prej krenisë, të dhënë më fort mbas ëndjes se sa mbas Hyut. Ata do ta ruajnë dukjen e jashtme të përshpirtnisë, por kanë për ta mohuar fuqinë e saj . . . njerëzit e këqij dhe gënjyes do të përparojnë prej së keqes në më zi.» (2. Timoteut 3:1-13, DSF) E gjithë kjo ka ndodhur pikërisht para syve tanë.
Një faktor tjetër
9. Ç’ndodhi në qiell që u përputh me fillimin e ditëve të fundit në tokë?
9 Në rritjen e jashtëzakonshme të vuajtjeve në këtë shekull, është përgjegjës edhe një faktor tjetër. Bashkë me fillimin e ditëve të fundit në vitin 1914, ndodhi diçka që e vuri njerëzimin në një rrezik edhe më të madh. Në këtë kohë, siç tregon një profeci në librin e fundit të Biblës: «Filloi lufta në qiell: Mikaeli [Jezu Krishti i ringjallur] dhe engjëjt e tij luftonin kundër Dragoit. Me engjëjt e vet edhe Dragoi ra në luftë, por nuk fitoi: për ta nuk pati më vend në qiell! Dhe, Dragoi i madh, Gjarpri i vjetër—që quhet Djall-Satani, ngashnjyesi i mbarë botës, u hodh poshtë! U hodh poshtë në tokë ai dhe engjëjt e tij bashkë me të u plandosën»!—Zbulesa 12:7-9, DSF.
10, 11. Cilat do të jenë pasojat për njerëzimin, kur Satanai dhe demonët e tij të jenë eliminuar nga toka?
10 Cila ishte pasoja për familjen njerëzore? Profecia vazhdon: «Vaj për tokë dhe për det, sepse Djalli ra ndër ju, tepër i hidhur sepse e di se nuk i mbetet por pak kohë!» Po, Satanai e di se sistemi i tij po i afrohet fundit, prandaj ai bën çdo gjë që mundet për të kthyer njerëzit kundër Perëndisë para se ai bashkë me botën e tij të eliminohet. (Zbulesa 12:12, DSF; Zb 20:1-3) Sa të poshtëruara janë këto krijesa frymore, pasi kanë keqpërdorur vullnetin e tyre të lirë! Sa kushte të tmerrshme kanë mbizotëruar mbi tokë nën ndikimin e tyre, veçanërisht që nga viti 1914!
11 Nuk është për t’u habitur se Jezui paratha për kohën tonë: «Në tokë ankthi i kombeve që nuk dinë se si të dalin . . . Njerëzit do të tmerrohen nga frika dhe pritja e gjërave që do të vijnë mbi tokën e banuar.»—Luka 21:25, 26, BR.
Përfundimi i afërt i sundimit njerëzor dhe demonik
12. Cila është një nga profecitë që ka mbetur për t’u plotësuar para përfundimit të këtij sistemi?
12 Sa profeci biblike mbeten për t’u plotësuar para se Perëndia të shkatërrojë këtë sistem të tanishëm? Shumë pak! Njëra nga të fundit është tek 1. Selanikasve 5:3, e cila deklaron: «Ndërkohë që do të jenë duke folur për paqe dhe siguri, papritur shkatërrimi do të bjerë mbi ta.» (The New English Bible) Kjo tregon se përfundimi i këtij sistemi do të fillojë «ndërkohë që do të jenë duke folur». I paparashikuar nga bota, shkatërrimi do të vijë kur nuk pritet, kur vëmendja e njerëzve do të jetë në paqen dhe sigurinë e shpresuar.
13, 14. Cilën kohë të shqetësuar paratha Jezui dhe si do të mbarojë ajo?
13 Koha për këtë botë nën ndikimin e Satanait ka skaduar. Së shpejti, do të shkojë drejt fundit, në një kohë shqetësimesh për të cilën Jezui tha: «Atëherë do të jetë mjerim aq i madh, sa që mjerim të tillë nuk ka pasur që se u krijua bota deri tani, as nuk do të ketë më!»—Mateu 24:21, DSF.
14 Kulmi i «mjerimit të madh», do të jetë lufta e Harmagedonit, e bërë nga Perëndia. Ajo është koha për të cilën foli profeti Daniel, kur Perëndia do «t’i shkatërrojë dhe do t’u japë fund këtyre mbretërive». Kjo do të thotë përfundimi i të gjitha qeverive të tanishme njerëzore, të pavarura nga Perëndia. Atëherë, sundimi i tij Mbretëror nga qielli do të ushtrojë kontroll të plotë në të gjitha çështjet njerëzore. Danieli paratha se kurrë më autoriteti i qeverisë nuk do t’i lihet «ndonjë populli tjetër».—Danieli 2:44, BR; Zbulesa 16:14-16.
15. Çfarë do t’i ndodhë ndikimit të Satanait dhe demonëve të tij?
15 Në atë kohë edhe çdo ndikim satanik dhe demonik do të përfundojë. Ato krijesa frymore rebele do të eliminohen, kështu që nuk mund t’i «çojnë më kombet në rrugë të shtrembër». (Zbulesa 12:9; 20:1-3, BR) Atë janë dënuar me vdekje dhe presin shkatërrimin. Sa ngushëlluese do të jetë për njerëzimin, të jetë i lirë nga ndikimi i tyre poshtërues!
Kush do të mbijetojë dhe kush jo?
16-18. Kush do ta mbijetojë këtë fund të sistemit dhe kush jo?
16 Kush do të mbijetojë dhe kush jo, kur Perëndia të ekzekutojë gjykimin e tij kundër kësaj bote? Bibla tregon se ata që e duan sundimin e Perëndisë, do të jenë të mbrojtur dhe do të mbijetojnë. Ata që nuk e duan sundimin e Perëndisë, nuk do të jenë të mbrojtur, përkundrazi do të shkatërrohen bashkë me botën e Satanait.
17 Proverbat 2:21, 22 thotë: «Njerëzit e drejtë [ata që i nënshtrohen sundimit të Perëndisë] do të banojnë tokën dhe ata të ndershëm do të qëndrojnë aty; por të pabesët [ata që nuk i nënshtrohen sundimit të Perëndisë] do të shfarosen nga toka dhe shkelësit do të hiqen prej saj.»—Dio.
18 Psalmi 37:10, 11 gjithashtu, thotë: «Edhe pak dhe i pabesi nuk do të jetë më . . . Por zemërbutët do të zotërojnë tokën dhe do të gëzojnë një paqe të madhe.» Vargu 29, shton: «Të drejtët do të trashëgojnë tokën dhe do të banojnë gjithnjë mbi të.»—Dio.
19. Cilën këshillë duhet të marrim për zemër?
19 Duhet të marrim për zemër këshillën që gjendet në Psalmin 37:34, e cila deklaron: «Ki shpresë të patundur tek Zoti dhe ndiq rrugën e tij, dhe ai do të të lartojë me qëllim që ti të trashëgosh tokën; kur të pabesët të jenë të shfarosur, ti do ta shikosh.» Vargjet 37, dhe 38 thonë: «Ki kujdes për njeriun e ndershëm dhe këqyr njeriun e drejtë, sepse e ardhmja e këtij njeriu do të jetë paqja. Por shkelësit do të shkatërrohen të gjithë; në fund të pabesët do të dërrmohen.»—Dio.
20. Përse mund të themi se është rrënqethëse koha në të cilën po jetojmë?
20 Po, sa ngushëlluese dhe sa inkurajuese është të dimë se Perëndia kujdeset me të vërtetë dhe se së shpejti ai do t’i japë fund çdo forme të ligësisë dhe vuajtjes! Sa rrënqethëse është të dimë se plotësimi i këtyre profecive madhështore është shumë afër!
[Figura në faqen 20]
Bibla ka parathënë ngjarjet që do të përbënin «shenjën» e ditëve të fundit
[Figura në faqen 22]
Së shpejti, në Harmagedon, ata që nuk i nënshtrohen sundimit të Perëndisë do të zhduken. Ata që i nënshtrohen, do të mbijetojnë dhe do të hyjnë në një botë të re të drejtë