TEMA KRYESORE
A është afër fundi?
A do t’i lejojë Perëndia njerëzit të vazhdojnë të sundojnë mbi njëri-tjetrin e të kërcënojnë të ardhmen e njerëzimit? Jo. Siç e kemi parë, ai do të vërë dorë e do t’u japë fund mjerimit e shtypjes që na kanë kapluar prej shekujsh. Krijuesi i njerëzve dhe i tokës do që ta dish se do të vijë një kohë që ai të ndërhyjë. Si na e zbulon këtë njohuri jetësore?
Të shohim këtë ilustrim: ta zëmë se do të udhëtosh për diku me makinë. Para se të nisesh, bën kërkime në Internet, në harta dhe lexon udhëzime të shkruara. Më pas, teksa sheh se tabelat dhe shenjat rrugore përkojnë me kërkimet e tua, të mbushet mendja se po i afrohesh vendmbërritjes. Po njësoj, Zoti na ka dhënë Fjalën e tij, ku përshkruhen ngjarje globale të bujshme. Ndërsa i shohim këto ngjarje të spikatshme, bindemi se jemi në periudhën që çon drejt fundit.
Bibla shpjegon se historia botërore do të arrijë një kohë unike që do të kulmojë me fundin. Në këtë periudhë, ngjarje e rrethana botërore do të gërshetohen si asnjëherë tjetër në historinë e njerëzimit. Le të shohim disa nga shenjat e përmendura në Fjalën e Perëndisë.
1. TRAZIRA GLOBALE Një profeci e dokumentuar te kapitulli 24 i Mateut, rendit ngjarje tokësore që do të përbënin një shenjë të vetme. Kjo shenjë do të shënonte ‘përfundimin e sistemit’ dhe do të çonte në kohën kur ‘do të vinte fundi’. (Vargjet 3, 14) Këto shenja përfshijnë luftëra të mëdha, zi buke, tërmete nga njëri vend në tjetrin, rritje të paligjshmërisë, mungesë dashurie dhe përpjekje tinëzare nga udhëheqës fetarë për të mashtruar njerëzit. (Vargjet 6-26) Natyrisht, deri diku këto ngjarje kanë ndodhur prej shekujsh. Por, teksa afrohej fundi, pritej të ndodhnin të gjitha në të njëjtën periudhë të trazuar e paralelisht me tri shenja të tjera paralajmëruese.
2. QËNDRIMI I NJERËZVE Bibla thotë se në «ditët e fundit», pra në kohën që i paraprin fundit, qëndrimi i njerëzve do të përkeqësohej jashtë mase. Lexojmë: «Njerëzit do të jenë të dashuruar me veten, të dashuruar pas parave, mendjemëdhenj, fodullë, blasfemues, të pabindur ndaj prindërve, mosmirënjohës, të pabesë, pa përzemërsi të natyrshme, nuk do të jenë të gatshëm për asnjë marrëveshje, shpifës, pa vetëkontroll, të egër, pa dashuri për mirësinë, tradhtarë, kokëkrisur, të krekosur, kënaqësidashës në vend se perëndidashës.» (2 Timoteut 3:1-4) Vërtet, mungesa e respektit nuk është diçka e re, por vetëm në «ditët e fundit» ky qëndrim do të ishte aq ekstrem, sa me të drejtë kjo periudhë mund të përshkruhet si «kohë kritike, të vështira për t’u përballuar». A të ka rënë në sy sa shumë është përhapur ky qëndrim i shëmtuar?
3. RRËNIMI I TOKËS Bibla pohon se Zoti ‘do të rrënojë ata që rrënojnë tokën’. (Zbulesa 11:18) Si do të rrënohej toka nga njerëzit? Tamam si në kohën e Noesë, për të cilën thuhet: «Toka u prish para syve të Perëndisë së vërtetë dhe u mbush me dhunë. Perëndia e pa tokën dhe ja, ajo ishte prishur.» Kështu, Zoti tha për atë shoqëri të shthurur: «Unë do të sjell shkatërrim mbi njerëzit.» (Zanafilla 6:11-13) A i ke vënë re dëshmitë gjithnjë e më të shumta se toka po mbushet me dhunë? Përveç kësaj, njerëzit kanë arritur në një pikë unike në histori: kanë potencialin që ta rrënojnë vërtet Tokën duke shfarosur çdo jetë njerëzore në të. Për këtë kanë në dorë gjithë armët e mundshme. Toka po rrënohet edhe në një mënyrë tjetër. Sistemet që mbështetin jetën në tokë, si ajri që thithim, ekosistemet e kafshëve e të bimëve dhe oqeanet, pak nga pak po degradohen për shkak të keqadministrimit të njeriut.
Mendo pak: një shekull më parë s’bëhej fjalë që njerëzimi të kishte fuqi të vetëshkatërrohej krejtësisht. Kurse tani njerëzit po e ushtrojnë këtë fuqi duke shtuar armët e sofistikuara dhe duke shkatërruar mjedisin. Zhvillimet e shpejta në teknologji duket se po tejkalojnë aftësinë e njeriut për të kuptuar ose për të kontrolluar pasojat. Megjithatë, e ardhmja e tokës nuk është në dorë të njeriut. Zoti do të shkatërrojë ata që rrënojnë tokën para se të zhduket çdo lloj jete në të. Ky është premtimi i tij!
4. NJË VEPËR PREDIKIMI GLOBALE Një tjetër pjesë e shenjës së fundit është një vepër e pashoqe: «Ky lajm i mirë për mbretërinë do të predikohet në gjithë tokën e banuar si dëshmi për të gjitha kombet, dhe atëherë do të vijë fundi.» (Mateu 24:14) Kjo fushatë predikimi do të ndryshonte ndjeshëm nga predikimi i shumicës së feve gjatë shekujve. Gjatë ditëve të fundit do të njoftohej një mesazh specifik, ‘lajmi i mirë për mbretërinë’. A njeh ndonjë grup fetar që i mëshon këtij mesazhi të veçantë? Edhe nëse disa duket se e predikojnë këtë mesazh, a janë thjesht një grup në vendin tënd, apo e përhapin këtë lajm të mirë «në gjithë tokën e banuar si dëshmi për të gjitha kombet»?
Siti www.jw.org përqendrohet te «ky lajm i mirë për mbretërinë». Në të ka literaturë që e shpjegon këtë mesazh në mbi 700 gjuhë. A ke dëgjuar për ndonjë iniciativë tjetër që lajmi i mirë për Mbretërinë të shpallet në një shkallë të tillë globale? Shumë kohë para se të ekzistonte Interneti, Dëshmitarët e Jehovait njiheshin gjerësisht ngaqë përhapnin lajmin e mirë për Mbretërinë e Perëndisë. Që nga viti 1939 kopertina e çdo reviste Kulla e Rojës ka fjalët «Lajmëron Mbretërinë e Jehovait». Një libër për fetë komentonte se vepra e predikimit e Dëshmitarëve të Jehovait «thuajse s’ka të krahasuar për sa i përket intensitetit dhe shtrirjes». Kjo dëshmi i bën jehonë lajmit të mirë se shumë shpejt «do të vijë fundi» me anë të Mbretërisë së Perëndisë.
MOMENT KULMOR NË HISTORINË BOTËRORE
A i ke parë gjatë jetës sate katër shenjat paralajmëruese të Biblës që përshkruhen në këtë artikull? Për më se njëqind vjet kjo revistë i ka informuar lexuesit për ngjarjet botërore që t’i ndihmojë të vërtetojnë vetë se fundi është në prag. Sigurisht, disa skeptikë nuk janë dakord dhe mendojnë se faktet e të dhënat janë subjektive e mund të manipulohen. Sipas tyre, ngaqë po bëhet kaq e lehtë të marrësh vesh ngjarjet anekënd botës me anë të mjeteve të informacionit, duket sikur kushtet botërore po përkeqësohen. Megjithatë, ka gjithnjë e më shumë dëshmi se jemi në përfundim të një periudhe unike në historinë e njerëzimit.
Disa specialistë mendojnë se në tokë së shpejti do të ketë ndryshime drastike. Në vitin 2014 disa shkencëtarë bënë këtë raport për disa kërcënime serioze që mund të sjellin fundin e njerëzimit: «Një rishqyrtim i kujdesshëm i këtyre kërcënimeve na çon në përfundimin se mbetet i lartë rreziku i katastrofës teknologjike që kërcënon qytetërimin.» Mjaft veta po binden gjithnjë e më tepër se kemi arritur një moment kulmor në historinë e botës. Botuesit e kësaj reviste dhe shumë lexues të saj nuk kanë pikë dyshimi se kjo periudhë unike përbën vërtet ditët e fundit dhe se fundi është te dera. Sidoqoftë, në vend që të të tmerrojë e ardhmja, ji i lumtur për atë që të pret. Pse? Sepse mund të mbijetosh kur të vijë fundi.