«Lexuesi le të përdorë aftësi shquese»
«Kur të vëreni gjënë e neveritshme që shkakton shkretim . . . që qëndron në vendin e shenjtë, . . . atëherë ata në Jude le të fillojnë të ikin me vrap në male.»—MATEU 24:15, 16, BR.
1. Çfarë rezultati pati paralajmërimi që dha Jezui, të cilin e gjejmë në Lukën 19:43, 44?
NËSE jemi syçelë ndaj afrimit të një katastrofe, do të kemi mundësi ta shmangim atë. (Fjalët e urta [Proverbat] 22:3) Kështu, imagjino situatën në të cilën gjendeshin të krishterët në Jerusalem pas sulmit romak të vitit 66 të e.s. Jezui kishte paralajmëruar se qyteti do të rrethohej dhe do të shkatërrohej. (Luka 19:43, 44) Pjesa më e madhe e judenjve nuk e përfillën atë. Por dishepujt ia vunë veshin paralajmërimit të tij. Si rezultat, ata shpëtuan nga katastrofa e vitit 70 të e.s.
2, 3. Pse duhet të na interesojë profecia e Jezuit, e paraqitur në Mateun 24:15-21?
2 Në një profeci, e cila ka të bëjë edhe me ne sot, Jezui paraqiti në mënyrë të përmbledhur një shenjë të përbërë, e cila përfshinte luftëra, mungesa ushqimi, tërmete, murtaja dhe persekutim të të krishterëve që predikonin mbi Mbretërinë e Perëndisë. (Mateu 24:4-14; Luka 21:10-19) Jezui dha, gjithashtu, një të dhënë që do t’i ndihmonte dishepujt e tij të dinin se fundi ishte afër dhe kjo e dhënë fliste për një ‘gjë të neveritshme që shkakton shkretim, që qëndron në një vend të shenjtë’. (Mateu 24:15, BR) Le t’i rishqyrtojmë këto fjalë plot domethënie dhe të shohim se si mund të ndikojnë ato mbi jetën tonë tani dhe në të ardhmen.
3 Pasi paraqiti në mënyrë të përmbledhur shenjën, Jezui tha: «Kur të vëreni gjënë e neveritshme që shkakton shkretim, siç është thënë përmes profetit Daniel, që qëndron në vendin e shenjtë, (lexuesi le të përdorë aftësi shquese,) atëherë ata në Jude le të fillojnë të ikin me vrap në male. Njeriu mbi çati le të mos zbresë poshtë për të marrë plaçkat nga shtëpia e tij dhe njeriu në fushë le të mos kthehet në shtëpi për të marrë veshjen e tij të jashtme. Mjerë gruaja shtatzënë në ato ditë dhe ajo që mënd foshnjën! Vazhdoni të luteni që ikja juaj të mos ndodhë në kohë dimri e as në ditën e shtunë, sepse atëherë do të jetë mjerim i madh i tillë që nuk ka ndodhur qysh nga fillimi i botës.»—Mateu 24:15-21, BR.
4. Ç’gjë tregon se Mateu 24:15 pati një përmbushje në shekullin e parë?
4 Tregimet nga Marku dhe Luka sigurojnë hollësi plotësuese. Aty ku Mateu përdor shprehjen «që qëndron në vendin e shenjtë», Marku 13:14 thotë «duke qëndruar atje ku nuk duhet». (BR) Luka 21:20 shton fjalët e Jezuit: «Kur ta shikoni Jerusalemin të rrethuar nga ushtritë e fushuara, atëherë dijeni se shkretimi i tij është afruar.» (BR) Kjo na ndihmon të kuptojmë se përmbushja e parë përfshinte sulmin romak që filloi në vitin 66 të e.s. mbi Jerusalemin dhe mbi tempullin e tij, një vend i shenjtë për judenjtë, por jo më vendi i shenjtë për Jehovain. Shkretimi i plotë ndodhi në vitin 70 të e.s., kur romakët shkatërruan si qytetin, ashtu edhe tempullin. Çfarë ishte në atë kohë ‘gjëja e neveritshme’? Dhe si ‘qëndroi në një vend të shenjtë’? Përgjigjet e këtyre pyetjeve do të na ndihmojnë për ta bërë të qartë përmbushjen në ditët tona.
5, 6. (a) Pse lexuesve të kapitullit 9 të Danielit do t’u duhej aftësi shquese? (b) Si u përmbush profecia e Jezuit lidhur me «gjënë e neveritshme»?
5 Jezui i nxiti lexuesit që të përdornin aftësi shquese. Duke lexuar çfarë? Ka të ngjarë që ai t’i referohej kapitullit 9 të Danielit. Atje gjejmë një profeci që tregon se kur do të shfaqej Mesia dhe parathotë se ai do të ‘këputej’ pas tri vjetësh e gjysmë. Profecia thotë: «Dhe mbi krahun e gjërave të neveritshme do të jetë ai që shkakton shkretim, dhe deri në shfarosje, vetë gjëja e vendosur do të derdhet edhe mbi atë që shtrihet i shkretuar.»— Danieli 9:26, 27, BR; shiko edhe Danielin 11:31; 12:11.
6 Judenjtë mendonin se kjo zbatohej lidhur me përdhosjen e tempullit nga Antioku IV rreth 200 vjet më parë. Megjithatë, Jezui, duke nxitur aftësinë shquese, tregoi diçka tjetër, pasi ‘gjëja e neveritshme’ ende duhej të shfaqej e të qëndronte në «një vend të shenjtë». Është e dukshme se Jezui po i referohej ushtrisë romake, që do të vinte në vitin 66 të e.s. me flamuj me stema dalluese. Këta flamuj që përdoreshin nga një kohë e gjatë, ishin idhuj të vërtetë dhe judenjtë kishin neveri për to.a Por, kur do të ‘qëndronin [romakët] në një vend të shenjtë’? Kjo ndodhi kur ushtria romake bashkë me flamujt e saj, sulmoi Jerusalemin dhe tempullin, që judenjtë i konsideronin të shenjtë. Madje romakët filluan të shkatërronin edhe muret e zonës së tempullit. Me të vërtetë, ajo që prej shumë kohësh konsiderohej e neveritshme, tani po qëndronte në një vend të shenjtë!— Isaia 52:1; Mateu 4:5; 27:53; Veprat 6:13.
‘Gjëja e neveritshme’ e ditëve moderne
7. Cila profeci e Jezuit po përmbushet në kohën tonë?
7 Që me Luftën I Botërore, kemi parë përmbushjen më të gjerë të shenjës së Jezuit, të cilën e gjejmë në kapitullin 24 të Mateut. Kujto edhe një herë fjalët e tij: «Kur të vëreni gjënë e neveritshme që shkakton shkretim . . . që qëndron në një vend të shenjtë, . . . atëherë ata në Jude le të fillojnë të ikin me vrap nëpër male.» (Mateu 24:15, 16, BR) Edhe ky aspekt i profecisë duhet të ketë një përmbushje në kohën tonë.
8. Përgjatë viteve, si e kanë identifikuar Dëshmitarët e Jehovait «gjënë e neveritshme» të kohëve moderne?
8 Duke shfaqur sigurinë e shërbëtorëve të Jehovait se kjo profeci do të përmbushet, Kulla e Rojës, 1 janar 1921, anglisht, u përqendrua mbi këtë profeci, në lidhje me zhvillimet në Lindjen e Mesme. Në vijim, në numrin e 15 dhjetorit 1929, anglisht, në faqen 374, në Kullën e Rojës thuhej qartë: «E gjithë tendenca e Lidhjes së Kombeve është t’i largojë njerëzit nga Perëndia dhe nga Krishti e prandaj ajo është një gjë e neveritshme, produkt i Satanait dhe një neveri në sytë e Perëndisë.» Kështu, ‘gjëja e neveritshme’ u shfaq në vitin 1919. Me kohë Lidhja ia la vendin Kombeve të Bashkuara. Dëshmitarët e Jehovait i kanë demaskuar nga shumë kohë këto organizata njerëzore të paqes, si të neveritshme në sytë e Perëndisë.
9, 10. Si ndikonte kuptueshmëria e mëparshme e mjerimit të madh mbi pikëpamjen tonë lidhur me kohën kur ‘gjëja e neveritshme’ do të qëndronte në një vend të shenjtë?
9 Artikulli pararendës përmblodhi një vështrim të qartësuar të pjesës më të madhe të kapitujve 24 e 25 të Mateut. A duhet ndonjë qartësim për sa i përket ‘gjësë së neveritshme që qëndron në një vend të shenjtë’? Nga sa duket, po. Profecia e Jezuit e lidh ‘qëndrimin në një vend të shenjtë’ me shpërthimin e ‘mjerimit’ të parathënë. Prandaj, edhe pse ‘gjëja e neveritshme’ ka ekzistuar për një kohë të gjatë, lidhja mes ‘qëndrimit [të saj] në një vend të shenjtë’ dhe mjerimit të madh duhet të ndikojë mbi mendimet tona. Pse?
10 Dikur, populli i Perëndisë mendonte se faza e parë e mjerimit të madh filloi në vitin 1914 dhe se pjesa përfundimtare do të vinte me luftën e Harmagedonit. (Zbulesa 16:14, 16; krahaso Kullën e Rojës, 1 prill 1939, anglisht, faqe 110.) Kështu, mund ta kuptojmë se përse dikur mendohej që ‘gjëja e neveritshme’ e ditëve të fundit duhej të kishte qëndruar në një vend të shenjtë menjëherë pas mbarimit të Luftës I Botërore.
11, 12. Cila pikëpamje e ndrequr u paraqit në vitin 1969, lidhur me mjerimin e madh?
11 Megjithatë, në vitet e mëvonshme kemi arritur t’i shohim gjërat ndryshe. Të enjten, më 10 korrik 1969, në Asamblenë Ndërkombëtare «Paqe mbi tokë», të mbajtur në qytetin e Nju Jorkut, F. W. Franz, i cili atëherë ishte zëvendëspresidenti i Shoqatës Watch Tower and Tract, mbajti një fjalim që elektrizoi auditorin. Duke rishikuar kuptueshmërinë e mëparshme të profecisë së Jezuit, vëllai Franz tha: «Ishte dhënë shpjegimi se ‘mjerimi i madh’ filloi në vitin 1914 të e.s. dhe se nuk iu lejua të përfundonte plotësisht në atë kohë, por Perëndia e ndali Luftën I Botërore në nëntor të vitit 1918. Që nga ajo kohë e më tej, Perëndia ka lejuar një interval kohe për aktivitetin e mbetjes së mirosur të të krishterëve të zgjedhur, para se të lërë që pjesa përfundimtare e ‘mjerimit të madh’ të rifillojë me luftën e Harmagedonit.»
12 Pastaj, u dha një shpjegim i cili ishte ndrequr në mënyrë domethënëse: «Që të korrespondojë me ngjarjet e shekullit të parë, . . . ‘mjerimi i madh’ antitipik nuk filloi në vitin 1914 të e.s. Përkundrazi, ajo që ndodhi mbi antitipin modern të Jerusalemit në vitet 1914-1918 ishte thjesht ‘fillimi i dhembjeve të mjerimit’ . . . ‘Mjerimi i madh’ i tillë që nuk do të ndodhë kurrë më, është akoma para nesh, sepse ai nënkupton shkatërrimin e perandorisë botërore të fesë së rreme (duke përfshirë edhe të ashtuquajturin krishterim), që do ta pasojë ‘lufta e ditës së madhe të Perëndisë së Plotfuqishëm’ në Harmagedon.» Kjo donte të thoshte se i gjithë mjerimi i madh ishte ende përpara.
13. Pse është logjike të themi se ‘qëndrimi në një vend të shenjtë’ i ‘gjësë së neveritshme’ do të jetë në të ardhmen?
13 Kjo ndikon drejtpërdrejt në dallimin se kur qëndron ‘gjëja e neveritshme’ në një vend të shenjtë. Sill ndër mend atë që ndodhi në shekullin e parë. Romakët e sulmuan Jerusalemin në vitin 66 të e.s., por u tërhoqën papritur e papandehur, gjë që i dha mundësi «mishit» të krishterë që të shpëtonte. (Mateu 24:22) Në përputhje me këtë, ne presim që mjerimi i madh të fillojë së shpejti, por ai do të shkurtohet për hir të të zgjedhurve të Perëndisë. Vër re këtë pikë kyçe: në modelin e lashtë, ‘gjëja e neveritshme që qëndron në një vend të shenjtë’ kishte lidhje me sulmin romak në vitin 66 të e.s., drejtuar nga gjeneral Gali. Paraleli i ditëve moderne i këtij sulmi, pra, shpërthimi i mjerimit të madh, pritet ende të ndodhë. Prandaj, ‘gjëja e neveritshme që shkakton shkretim’, e cila ka ekzistuar që nga viti 1919, me sa duket akoma nuk ka qëndruar në një vend të shenjtë.b Si do të ndodhë kjo? Çfarë ndikimi mund të ketë mbi ne?
Një sulm i ardhshëm
14, 15. Si na ndihmon kapitulli 17 i Zbulesës për të kuptuar ngjarjet që çojnë deri në Harmagedon?
14 Libri i Zbulesës përshkruan një sulm të ardhshëm shkatërrimtar mbi fenë e rreme. Kapitulli 17 përmbledh gjykimin e Perëndisë kundër «Babilonisë së Madhe, nënës së lavireve», perandorisë botërore të fesë së rreme. I ashtuquajturi krishterim luan një rol kryesor në të dhe pohon se ka një marrëdhënie besëlidhjeje me Perëndinë. (Krahaso Jereminë 7:4.) Fetë e rreme, duke përfshirë edhe të ashtuquajturin krishterim, nga shumë kohë kanë pasur marrëdhënie të paligjshme me «mbretërit e tokës», por kjo do të përfundojë kur këto fe të shkretohen. (Zbulesa 17:2, 5, BR) Nga kush?
15 Zbulesa përshkruan «një bishë të egër me ngjyrë të kuqe të ndezur» që ekziston për njëfarë kohe, zhduket, e pastaj rikthehet. (Zbulesa 17:3, 8, BR) Kjo bishë mbështetet nga sundimtarët e botës. Hollësitë e dhëna në profeci na ndihmojnë për ta identifikuar këtë bishë simbolike si një organizatë paqeje që erdhi në ekzistencë në vitin 1919 si Lidhja e Kombeve (një ‘gjë e neveritshme’) dhe që tani është Kombet e Bashkuara. Zbulesa 17:16, 17 tregon se Perëndia do të vendosë në zemrat e disa sundimtarëve njerëzorë, të cilët spikatin në këtë «bishë», që të shkretojnë perandorinë botërore të fesë së rreme. Ky sulm shënon shpërthimin e mjerimit të madh.
16. Cilat zhvillime që ia vlejnë të konsiderohen, po ndodhin lidhur me fenë?
16 Meqë fillimi i mjerimit të madh është akoma për të ardhmen, a duhet ende ta presim ‘qëndrimin në një vend të shenjtë’? Duket se po. Edhe pse ‘gjëja e neveritshme’ u shfaq në fillim të këtij shekulli e prandaj ka ekzistuar për dekada, ajo do të marrë pozicion në mënyrë unike «në një vend të shenjtë» në të ardhmen e afërt. Ashtu si ithtarët e Krishtit në shekullin e parë duhet të kenë qenë shumë vigjilentë për të parë se si do të bëhej ‘qëndrimi në një vend të shenjtë’, po ashtu janë edhe të krishterët e ditëve tona. E pranojmë se do të na duhet të presim përmbushjen faktike për t’i njohur të gjitha hollësitë. Megjithatë, ia vlen të konsiderohet se në disa vende tashmë është e dallueshme një antipati në rritje ndaj fesë. Disa elementë politikë, në aleancë me ish të krishterë që kanë devijuar nga besimi i vërtetë, po nxitin armiqësinë ndaj fesë në përgjithësi e ndaj të krishterëve të vërtetë në veçanti. (Psalmet 94:20, 21; 1. Timoteut 6:20, 21) Për pasojë, fuqitë politike edhe tani «luftojnë kundër Qengjit» dhe siç e tregon Zbulesa 17:14, lufta do të intensifikohet më tej. Meqenëse nuk mund të veprojnë drejtpërdrejt kundër Qengjit të Perëndisë, Jezu Krishtit në gjendjen e tij të lartësuar e të lëvduar, ata do ta shfryjnë kundërshtimin e tyre më tej ndaj adhuruesve të vërtetë të Perëndisë, e në veçanti ndaj «të shenjtëve» të tij. (Danieli 7:25; krahaso Romakëve 8:27; Kolosianëve 1:2; Zbulesën 12:17.) Kemi sigurinë hyjnore se Qengji dhe ata që janë me të, do të dalin fitimtarë.—Zbulesa 19:11-21.
17. Pa u treguar dogmatikë, çfarë mund të themi lidhur me faktin se si do të qëndrojë ‘gjëja e neveritshme’ në një vend të shenjtë?
17 Ne e dimë se fenë e rreme e pret shkretimi. Babilonia e Madhe është «dehur me gjakun e të shenjtëve» dhe ka vepruar si një mbretëreshë, por shkatërrimi i saj është i sigurt. Ndikimi i papastër që ka ushtruar ajo mbi mbretërit e tokës do të ndryshojë në mënyrë dramatike, kur kjo marrëdhënie do të kthehet në një marrëdhënie urrejtjeje të dhunshme nga ana e ‘dhjetë brirëve dhe bishës së egër’. (Zbulesa 17:6, 16; 18:7, 8) Kur «bisha e egër me ngjyrë të kuqe të ndezur» të sulmojë laviren fetare, ‘gjëja e neveritshme’ do të jetë duke qëndruar në një mënyrë kërcënuese në vendin gjoja të shenjtë të të ashtuquajturit krishterim.c Kështu, mbi të ashtuquajturin krishterim pa besë, që hiqet si i shenjtë, do të fillojë shkretimi.
«Të ikin me vrap»: Si?
18, 19. Cilat arsye jepen për të treguar se ‘ikja në male’ nuk nënkupton ndryshimin e fesë?
18 Pasi paratha ‘qëndrimin e gjësë së neveritshme në një vend të shenjtë’, Jezui i paralajmëroi ata që kishin aftësi shquese që të vepronin. A donte të thoshte ai se në atë pikë të vonë, kur ‘gjëja e neveritshme’ të ‘qëndrojë në një vend të shenjtë’, shumë njerëz do të ikin me vrap nga feja e rreme dhe do të ndërmarrin adhurimin e vërtetë? Vështirë se po. Shqyrto përmbushjen e parë. Jezui tha: «Ata që janë në Jude të fillojnë të ikin me vrap në male. Njeriu mbi çati le të mos zbresë poshtë, as të mos hyjë brenda për të marrë ndonjë gjë nga shtëpia e tij, dhe njeriu në fushë le të mos kthehet në gjërat që ka prapa, për të marrë veshjen e tij të jashtme. Mjerë gruaja shtatzënë dhe ajo që mënd foshnjën në ato ditë! Vazhdoni të luteni që kjo të mos ndodhë në kohën e dimrit.»—Marku 13:14-18, BR.
19 Jezui nuk tha që duhej të dilnin vetëm ata që ishin në Jerusalem, sikur qëllimi i tij të ishte që ata duhej të dilnin nga qendra e adhurimit judaik dhe as paralajmërimi i tij nuk përmendte ndonjë ndryshim feje, domethënë ikjen nga feja e rreme dhe marrjen e së vërtetës. Sigurisht, dishepujt e Jezuit nuk kishin nevojë për ndonjë paralajmërim që të iknin nga një fe në një tjetër, pasi ata ishin bërë tashmë të krishterë të vërtetë. Po ashtu, sulmi në vitin 66 të e.s., nuk i motivoi praktikuesit e judaizmit në Jerusalem dhe kudo në Jude që ta braktisnin atë fe dhe të pranonin krishterimin. Profesori Hajnrih Grets thotë se ata që ndoqën romakët, të cilët po ia mbathnin, u kthyen përsëri në qytet: «Zelotët, duke britur me këngë entuziaste lufte, u kthyen në Jerusalem (më 8 tetor) dhe zemrat i kishin plot me shpresën e gëzueshme të lirisë e të pavarësisë. . . . A nuk i kishte ndihmuar Perëndia me mëshirë, siç kishte ndihmuar etërit e tyre? Zemrat e zelotëve nuk e njihnin frikën për të ardhmen.»
20. Si reaguan dishepujt e hershëm ndaj paralajmërimit të Jezuit për të ikur me vrap në male?
20 Atëherë, si e zbatoi në atë kohë këshillën e Jezuit numri relativisht i vogël i të zgjedhurve? Duke u larguar nga Judea dhe duke ikur me vrap në malet përgjatë Jordanit, ata treguan se nuk ishin pjesë e sistemit judaik si nga ana politike, ashtu edhe nga ana fetare. Ata lanë prapa fusha e shtëpi, madje duke mos marrë me vete as sendet e tyre nga shtëpia. Të sigurt për mbrojtjen dhe mbështetjen e Jehovait, ata e vunë adhurimin e tij mbi gjithçka tjetër që mund të dukej e rëndësishme.— Marku 10:29, 30; Luka 9:57-62.
21. Çfarë nuk duhet të presim kur ‘gjëja e neveritshme’ të hidhet në sulm?
21 Tani shqyrto përmbushjen më të gjerë. Nga shumë dekada, ne i kemi nxitur njerëzit që të dalin nga feja e rreme dhe të ndërmarrin adhurimin e vërtetë. (Zbulesa 18:4, 5) Miliona njerëz e kanë bërë këtë. Profecia e Jezuit nuk tregon se pasi të shpërthejë mjerimi i madh, masa të mëdha njerëzish do të kthehen drejt adhurimit të vërtetë, pasi është e qartë se nuk pati ndonjë kthim në masë të judenjve në vitin 66 të e.s. Gjithsesi, të krishterët e vërtetë do të kenë një stimul të fuqishëm për t’i zbatuar fjalët e Jezuit dhe për të ikur me vrap.
22. Çfarë mund të përfshijë për ne zbatimi i këshillës së Jezuit për të ikur në male?
22 Tani për tani nuk mund t’i kemi të gjitha hollësitë rreth mjerimit të madh, por në mënyrë logjike mund të nxjerrim përfundimin se ikja për të cilën foli Jezui, për ne nuk do të jetë në një kuptim gjeografik. Populli i Perëndisë gjendet tashmë përreth globit, pothuajse në çdo kënd të tij. Por ne mund të jemi të sigurt se kur të jetë e nevojshme ikja, të krishterëve do t’u duhet të vazhdojnë të mbajnë një dallim të qartë mes tyre dhe organizatave të rreme fetare. Është, gjithashtu, domethënëse që Jezui paralajmëroi të mos ktheheshin në shtëpi për të marrë rrobat ose plaçkat e tjera. (Mateu 24:17, 18) Kështu, para nesh mund të gjenden sprova që na tregojnë se si i konsiderojmë gjërat materiale, nëse janë gjëja më e rëndësishme për ne apo është më i rëndësishëm shpëtimi që do të vijë për të gjithë ata që janë nga ana e Perëndisë. Në fakt, ikja jonë mund të përfshijë disa vështirësi dhe privime. Do të na duhet të jemi gati për të bërë çfarëdo që kërkohet, ashtu siç bënë ekuivalentët tanë të shekullit të parë, të cilët ikën nga Judea për në Pere, përgjatë Jordanit.
23, 24. (a) Vetëm ku do të gjejmë shpëtim? (b) Çfarë ndikimi duhet të ketë mbi ne paralajmërimi i Jezuit lidhur me «gjënë e neveritshme që qëndron në një vend të shenjtë»?
23 Ne duhet të jemi të sigurt që Jehovai dhe organizata e tij ngjashëm një mali vazhdojnë të jenë streha jonë (2. Samuelit 22:2, 3; Psalmi 18:2; Danieli 2:35, 44) Pikërisht aty do të gjejmë mbrojtje! Ne nuk do të imitojmë njerëzimin, i cili do të ikë nëpër «shpella» dhe do të fshihet nëpër «krepat e maleve», në organizatat dhe institucionet njerëzore që mund të mbeten për një kohë shumë të shkurtër pasi të shkretohet Babilonia e Madhe. (Zbulesa 6:15; 18:9-11) Vërtet, kohët mund të bëhen më të vështira, siç duhet të kenë qenë në vitin 66 të e.s. për gratë shtatzëna, të cilat ikën nga Judea ose për këdo që iu desh të udhëtonte në motin e ftohtë e me shira. Por ne mund të jemi të sigurt se Perëndia do ta bëjë të mundur mbijetesën. Le ta përforcojmë që tani mbështetjen tonë në Jehovain dhe në Birin e tij, i cili tani sundon si Mbret i Mbretërisë.
24 Nuk kemi asnjë arsye për të jetuar me frikën e asaj që do të ndodhë. Jezui nuk donte që dishepujt e tij në atë kohë të frikësoheshin dhe nuk dëshiron që ne të rrimë me frikë, as tani dhe as në ditët që do të vijnë. Ai na paralajmëroi që të mund të përgatitim zemrën dhe mendjen tonë. Në fund të fundit, të krishterët e bindur nuk do të ndëshkohen kur të vijë shkatërrimi mbi fenë e rreme dhe mbi pjesën tjetër të këtij sistemi të lig. Ata do të jenë duke përdorur aftësi shquese dhe do t’i vënë veshin paralajmërimit për «gjënë e neveritshme që qëndron në një vend të shenjtë». Ata, gjithashtu, do të veprojnë në mënyrë të vendosur, duke u bazuar mbi besimin e tyre të palëkundur. Mos harrofshim kurrë atë që premtoi Jezui: «Ai që ka duruar deri në fund është ai që do të shpëtohet.»— Marku 13:13, BR.
[Shënimet]
a «Flamujt romakë mbroheshin me një përnderim fetar në tempujt e Romës dhe nderimi i thellë që kishin romakët për stemat e tyre ishte në përputhje me epërsinë e tyre ndaj kombeve të tjera . . . [Për ushtarët ato] ishin ndoshta gjëja më e shenjtë që ekzistonte në tokë. Ushtari romak betohej me stemën e vet.»—The Encyclopædia Britannica, edicioni i 11-të.
b Duhet vërejtur se ndërkohë që përmbushja e fjalëve të Jezuit në vitet 66-70 të e.s. mund të na ndihmojë të kuptojmë se si do të përmbushen këto fjalë në mjerimin e madh, dy përmbushjet nuk mund të ndodhin tamam paralelisht, sepse ato ndodhin në rrethana të ndryshme.
c Shiko Kullën e Rojës, 15 dhjetor 1975, anglisht, faqet 741-744.
A të kujtohet?
◻ Si u shfaq në shekullin e parë ‘gjëja e neveritshme që shkakton shkretim’?
◻ Pse është e arsyeshme të mendojmë që ‘gjëja e neveritshme’ e ditëve moderne do të qëndrojë në një vend të shenjtë në të ardhmen?
◻ Cili sulm, i bërë nga ‘gjëja e neveritshme’ është parathënë në Zbulesë?
◻ Çfarë lloj ‘ikjeje me vrap’ mund të kërkohet ende nga ana jonë?
[Figura në faqen 16]
Babilonia e Madhe është quajtur «nëna e lavireve»
[Figura në faqen 17]
Bisha e egër me ngjyrë të kuqe të ndezur e kapitullit 17 të Zbulesës është ‘gjëja e neveritshme’, së cilës iu referua Jezui
[Figura në faqen 18]
Bisha e egër me ngjyrë të kuqe të ndezur do të udhëheqë një sulm shkretues mbi fenë