Lum ata që i shërbejnë «Perëndisë së lumtur»!
«Lum ai popull që ka për Perëndi Jehovain!»—PSAL. 144:15.
1. Pse adhuruesit e Jehovait janë një popull i lumtur? (Shih figurën hapëse.)
DËSHMITARËT E JEHOVAIT janë pa dyshim një popull i lumtur. Mbledhjet, asambletë dhe grumbullimet e tyre shoqërore karakterizohen nga bisedat e gëzueshme dhe të qeshurat, që janë si një melodi për veshin. Pse janë kaq të lumtur? Arsyeja kryesore është se njohin, i shërbejnë dhe përpiqen të imitojnë Jehovain, ‘Perëndinë e lumtur’. (1 Tim. 1:11; Psal. 16:11) Duke qenë Burimi i lumturisë, Perëndia dëshiron të jemi të lumtur dhe na jep shumë arsye për të gëzuar.—Ligj. 12:7; Ekl. 3:12, 13.
2, 3. (a) Çfarë është lumturia? (b) Pse mund të jetë e vështirë të jemi të lumtur?
2 Ç’të themi për ty personalisht? A je i lumtur? A mund ta shtosh lumturinë tënde? Lumturia mund të përkufizohet si «një gjendje mirëqenieje relativisht e qëndrueshme, që karakterizohet nga ndjenja që shkojnë nga kënaqësia deri në një gëzim të thellë e të madh për të jetuar, si dhe nga dëshira e natyrshme që kjo gjendje të vazhdojë». Bibla tregon se lumturinë e vërtetë e provojnë vetëm ata që kanë një marrëdhënie të mirë me Jehovain. Mirëpo në botën e sotme mund të jetë e vështirë të jesh i lumtur. Pse?
3 Ngjarjet stresuese—si për shembull kur vdes ose përjashtohet një njeri i dashur, kur përballemi me divorcin ose kur humbim punën—mund të na e grabitin lumturinë. Kjo ndjenjë mirëqenieje mund të na gërryhet edhe kur në familje ka konflikte dhe nuk komunikohet më në mënyrë paqësore. Talljet nga shokët e punës a të shkollës, përndjekja fetare ose burgimi, mund të na e vjedhin lumturinë. Kjo mund të ndodhë edhe kur na përkeqësohet shëndeti, kur vuajmë nga sëmundje kronike ose depresioni. Gjithsesi, Jezu Krishti, «i lumi dhe i vetmi i Pushtetshëm», ndiente kënaqësi kur i ngushëllonte njerëzit dhe i bënte të lumtur. (1 Tim. 6:15; Mat. 11:28-30) Në Predikimin në Mal, Jezui veçoi disa cilësi që na ndihmojnë të jemi të lumtur pavarësisht nga sprovat e dhimbshme në botën e Satanait.
MIQËSIA E FORTË ME JEHOVAIN—THELBËSORE PËR LUMTURINË
4, 5. Si mund ta fitojmë dhe ta ruajmë lumturinë?
4 Gjëja e parë ku u përqendrua Jezui është jashtëzakonisht e rëndësishme: «Lum ata që janë të vetëdijshëm se kanë nevojë të mësojnë për Perëndinë, sepse atyre u përket mbretëria e qiejve!» (Mat. 5:3) Si ta tregojmë se jemi të vetëdijshëm për këtë nevojë? Duke marrë ushqim të bazuar në Bibël, duke jetuar sipas vlerave e parimeve hyjnore dhe duke i dhënë përparësi adhurimit të Perëndisë së lumtur. Nëse i bëjmë këta hapa, do të jemi gjithnjë e më të lumtur. Do të forcojmë besimin se premtimet e Perëndisë do të plotësohen së shpejti. Gjithashtu do të marrim zemër nga ‘shpresa e lumtur’ që u jep Fjala e Perëndisë adhuruesve të vërtetë.—Titit 2:13.
5 Ndërtimi i një marrëdhënieje të fortë me Jehovain është jetësor për të qenë të lumtur sot e në përjetësi. Apostulli Pavël shkroi nën frymëzim: «Gëzoni përherë në Zotërinë [Jehovain]. Edhe një herë jua them: gëzoni!» (Filip. 4:4) Për të pasur këtë marrëdhënie të çmuar, duhet të fitojmë mençuri hyjnore. Fjala e Perëndisë thotë: «Lum njeriu që ka gjetur mençuri dhe ai që fiton aftësi dalluese. Ajo është një pemë jete për ata që e rrokin dhe të lumtur kanë për t’u quajtur ata që e mbajnë fort.»—Prov. 3:13, 18.
6. Nga çfarë varet lumturia jonë e përhershme?
6 Mirëpo që të jemi të lumtur sot e përgjithmonë, është jetësore që jo vetëm ta lexojmë Fjalën e Perëndisë, por edhe ta zbatojmë. Edhe Jezui theksoi sa rëndësi ka ta vëmë në praktikë atë që mësojmë kur tha: «Nëse i dini këto gjëra, të lumtur do të jeni po t’i zbatoni.» (Gjoni 13:17; lexo Jakovin 1:25.) Ky është çelësi për të plotësuar nevojën që të mësojmë për Perëndinë dhe për të qenë të lumtur përgjithmonë. Por si mund të jemi të lumtur kur ekzistojnë kaq shumë gjëra që mund të na e grabitin lumturinë? Le të shqyrtojmë çfarë tha më tej Jezui në Predikimin në Mal.
CILËSI QË E THELLOJNË LUMTURINË
7. Si mund të jenë të lumtur ata që vajtojnë?
7 «Lum ata që vajtojnë, sepse do të ngushëllohen!» (Mat. 5:4) Disa ndoshta vrasin mendjen: «Si mund të jenë të lumtur ata që vajtojnë?» Jezui nuk kishte ndër mend të gjithë njerëzit që vajtojnë për çfarëdolloj arsyeje. Edhe të ligjtë qahen për problemet stresuese që karakterizojnë këto «kohë kritike, të vështira për t’u përballuar». (2 Tim. 3:1) Por vajtimi ose trishtimi i tyre përqendrohet te vetja dhe nuk i afron me Jehovain, e si rrjedhojë nuk janë të lumtur. Jezui duhet të ketë pasur në mendje ata që janë të vetëdijshëm se kanë nevojë për Perëndinë, ndaj vajtojnë se shohin që shumica e shpërfill në mënyrë tronditëse Perëndinë. Ata e pranojnë se janë njerëz mëkatarë dhe i dallojnë kushtet e vajtueshme që ka sjellë gjendja mëkatare. Jehovai i vëren këta njerëz që vajtojnë sinqerisht; u jep zemër dhe i bekon duke i ngushëlluar me Fjalën e tij e duke u dhënë lumturi dhe jetë.—Lexo Ezekielin 5:11; 9:4.
8. Shpjegoni si sjell lumturi natyra e butë.
8 «Lum ata që janë me natyrë të butë, sepse do të trashëgojnë tokën!» (Mat. 5:5) Si mund të sjellë lumturi natyra e butë? Pasi marrin njohuri të saktë për të vërtetën, njerëzit ndryshojnë. Dikur mund të kenë qenë të vrazhdë, sherrxhinj e agresivë. Por tani kanë veshur «personalitetin e ri» dhe shfaqin «dhembshuri të butë, mirëdashje, përulësi mendjeje, butësi dhe shpirtgjerësi». (Kolos. 3:9-12) Si rezultat, gëzojnë paqe në jetë, marrëdhënie të dashura dhe janë më të lumtur. Veç kësaj, Fjala e Perëndisë premton se këta «do të trashëgojnë tokën».—Psal. 37:8-10, 29.
9. (a) Në ç’kuptim «trashëgojnë tokën» ata që janë me natyrë të butë? (b) Pse mund të jenë të lumtur «ata që kanë uri dhe etje për drejtësinë»?
9 Në ç’kuptim «trashëgojnë tokën» ata që janë me natyrë të butë? Dishepujt e Jezuit të mirosur nga fryma, do ta trashëgojnë tokën kur të qeverisin mbi të si mbretër e priftërinj. (Zbul. 20:6) Kurse miliona të tjerë që nuk kanë marrë thirrjen qiellore, do të trashëgojnë tokën në kuptimin që do t’u jepet mundësia të gëzojnë përgjithmonë një jetë të përsosur këtu, plot paqe e lumturi. Këta janë të lumtur edhe sepse «kanë uri dhe etje për drejtësinë». (Mat. 5:6) Uria dhe etja e tyre për drejtësi do të plotësohet krejtësisht në botën e re. (2 Pjet. 3:13) Më në fund, kur Perëndia ta zhdukë gjithë ligësinë, lumturia e të drejtëve nuk do të cenohet kurrë më nga paligjshmëria dhe padrejtësia.—Psal. 37:17.
10. Çfarë do të thotë të jesh i mëshirshëm?
10 «Lum të mëshirshmit, sepse do t’u tregohet mëshirë!» (Mat. 5:7) Një folje hebraike që lidhet me fjalën «mëshirë», nënkupton «të të rrëzëllejë, të të vlojë në zemër një ndjenjë e butë; . . . të jesh i dhembshur». Po njësoj, folja greke përfshin idenë që të ndiesh keqardhje për dikë. Gjithsesi, mëshira nuk është vetëm një ndjenjë e butë. Në Bibël, ajo përfshin shfaqjen e keqardhjes me një veprim të mëshirshëm.
11. Ç’mund të mësojmë për mëshirën nga ilustrimi për samaritanin e mirë?
11 Lexo Lukën 10:30-37. Ilustrimi i Jezuit për samaritanin e mirë, përshkruan në mënyrë të gjallë se ç’do të thotë të shfaqësh mëshirë. I shtyrë nga mëshira e dhembshuria e sinqertë, samaritani bëri diçka praktike për t’ia lehtësuar vuajtjet viktimës. Pasi tregoi ilustrimin, Jezui tha: «Shko e bëj njëlloj edhe ti.» Ndaj, mund të pyesim veten: «A po bëj njëlloj edhe unë? A po veproj si samaritani i dhembshur? A mund ta tregoj akoma më shumë me vepra mëshirën dhe të bëj gjëra dashamirëse për ata që po vuajnë? Për shembull, a mund t’i ofroj ndihmë praktike bashkëbesimtarëve të moshuar, vejushave dhe atyre që janë jetimë në adhurimin e vërtetë? A mund të marr iniciativën që ‘t’u flas në mënyrë ngushëlluese shpirtrave të dëshpëruar’?»—1 Sel. 5:14; Jak. 1:27.
12. Si na sjell lumturi shfaqja e mëshirës?
12 Por si sjell lumturi shfaqja e mëshirës? Kur tregojmë mëshirë për të tjerët, provojmë lumturinë që vjen kur jep. Veç kësaj, e dimë se po kënaqim Jehovain. (Vep. 20:35; lexo Hebrenjve 13:16.) Mbreti David tha për dikë që tregon konsideratë: ‘Jehovai do ta ruajë e do ta mbajë gjallë. Ai do të shpallet i lumtur në tokë.’ (Psal. 41:1, 2) Gjithashtu, kur e shprehim dhembshurinë, hapim rrugën që Jehovai të na tregojë mëshirë, e kjo mund të na sjellë lumturi sot e përgjithmonë.—Jak. 2:13.
PSE JANË TË LUMTUR «ATA ME ZEMËR TË KULLUAR»
13, 14. Ç’lidhje ka zemra e kulluar me lumturinë?
13 Jezui tha: «Lum ata me zemër të kulluar, sepse do të shohin Perëndinë!» (Mat. 5:8) Që ta mbajmë zemrën të kulluar, duhet të jemi të pastër nga brenda e të ushqejmë ndjenja e dëshira të dëlira. Duhet t’i mbajmë të pastra mendimet tona, që adhurimi ynë të jetë i pandotur në sytë e Jehovait.—Lexo 2 Korintasve 4:2; 1 Tim. 1:5.
14 Ata që kanë zemër të kulluar, mund të jenë të lumtur e të pastër në sytë e Jehovait i cili tha: «Lum ata që i kanë larë petkat e tyre!» (Zbul. 22:14) Në ç’kuptim ‘i lajnë petkat e tyre’? Të krishterët e mirosur ‘i lajnë petkat e tyre’ në kuptimin që Jehovai i sheh si të pastër, do t’u japë jetën e pavdekshme dhe do të gëzojnë lumturi të pafund në pozitat e tyre qiellore. Edhe shumica e madhe që shpresojnë të jetojnë në tokë, mund të jenë të drejtë në sytë e Perëndisë si miq të tij. Ata madje ‘i lajnë petkat e tyre të gjata e i zbardhin në gjakun e Qengjit’ që tani.—Zbul. 7:9, 13, 14.
15, 16. Si mund ta «shohin Perëndinë» njerëzit me zemër të kulluar?
15 Por si e «shohin Perëndinë» njerëzit me zemër të kulluar kur ‘asnjë njeri nuk mund ta shohë [Perëndinë] e të jetojë’? (Dal. 33:20) Fjala greke e përkthyer «shoh», mund të ketë kuptimin «të shohësh me mendje, të kuptosh, të njohësh». Ata që e shohin Perëndinë me «sytë e zemrës», janë ata që e kanë njohur vërtet dhe i çmojnë cilësitë e tij. (Efes. 1:18) Jezui e pasqyroi në mënyrë të përsosur personalitetin e Perëndisë, ndaj mund të thoshte: «Ai që më ka parë mua, ka parë edhe Atin.»—Gjoni 14:7-9.
16 Përveçse të njohin cilësitë e Perëndisë, adhuruesit e vërtetë mund ta «shohin Perëndinë» duke vëzhguar si vepron për të mirën e tyre. (Jobi 42:5) Gjithashtu, ata i përqendrojnë «sytë e zemrës» te bekimet e mrekullueshme që rezervon Perëndia për ata që bëjnë çmos të mbeten të kulluar e t’i shërbejnë me besnikëri. Sigurisht, të mirosurit e ringjallur do ta shohin Jehovain edhe në kuptimin e mirëfilltë kur të marrin shpërblimin qiellor.—1 Gjon. 3:2.
TË LUMTUR ME GJITHË VËSHTIRËSITË
17. Si ndikon paqja te lumturia jonë?
17 Më tej Jezui tha: «Lum paqebërësit!» (Mat. 5:9) Ata që marrin iniciativën të bëjnë paqe, kanë arsye të forta që të jenë të lumtur. Dishepulli Jakov shkroi: «Fryti i drejtësisë mbillet kur ka paqe në dobi të atyre që bëjnë paqe.» (Jak. 3:18) Kur kemi marrëdhënie të tendosura me dikë në kongregacion a në familje, mund t’i përgjërohemi Perëndisë të na ndihmojë të jemi paqebërës. Kjo çel rrugën që fryma e shenjtë e Jehovait, sjellja e drejtë dhe lumturia të mbizotërojnë. Jezui theksoi sa rëndësi ka të marrim iniciativën që të bëjmë paqe kur tha: «Nëse ti po sjell flinë tënde në altar, dhe atje kujtohesh se vëllai yt ka diçka kundër teje, lëre flinë atje, para altarit, dhe ik. Bëj më parë paqe me vëllanë tënd, dhe pastaj, kur të jesh kthyer, paraqit flinë tënde.»—Mat. 5:23, 24.
18, 19. Pse mund të gëzojnë të krishterët edhe nëse i përndjekin?
18 «Lum ju, kur njerëzit ju poshtërojnë e ju përndjekin dhe duke gënjyer thonë çdo lloj gjëje të ligë kundër jush për shkakun tim!» Çfarë donte të thoshte Jezui? Ai shtoi: «Gëzoni dhe hovni nga gëzimi, sepse i madh është shpërblimi juaj në qiej; kështu i përndoqën edhe profetët përpara jush.» (Mat. 5:11, 12) Kur apostujt i rrahën dhe i urdhëruan të mos predikonin më, ata «ikën nga Sinedri të gëzuar». Patjetër që nuk u kënaqën nga dhimbja e të rrahurave. Por u gëzuan «sepse ishin çmuar të denjë të çnderoheshin për emrin e [Jezuit]».—Vep. 5:41.
19 Edhe sot, shërbëtorët e Jehovait tregojnë qëndrueshmëri me gëzim kur vuajnë për emrin e Jezuit ose kur hasin sprova të vështira. (Lexo Jakovin 1:2-4.) Ashtu si apostujt, nuk është se ne kënaqemi kur vuajmë. Ama, nëse mbajmë integritetin ndaj Jehovait gjatë sprovave, Ai mund të na ndihmojë të qëndrojmë me kurajë. Për shembull, në gusht të 1944-s, autoritetet në një regjim totalitar i dërguan Henrik Dornikun dhe vëllanë e tij në një kamp përqendrimi. Mirëpo kundërshtarët pranuan: «S’ia del dot t’i bindësh të kthejnë rrugë. Martirizimi atyre u sjell gëzim.» Vëlla Dorniku shpjegoi: «Unë nuk dëshiroja të isha martir, por përballimi i vuajtjeve me guxim dhe dinjitet për t’i qëndruar besnik Jehovait më sillte gëzim. . . . Lutjet e zjarrta më afruan më shumë me Jehovain, i cili qe për mua një Ndihmës besnik.»
20. Pse jemi të lumtur që i shërbejmë «Perëndisë së lumtur»?
20 Kur kemi buzëqeshjen e miratimit të «Perëndisë së lumtur», mund të jemi të lumtur pavarësisht nga përndjekja fetare, kundërshtimi në familje, sëmundjet ose mosha e shkuar. (1 Tim. 1:11) Veç kësaj, provojmë lumturi falë premtimeve të vyera të Perëndisë tonë «që nuk mund të gënjejë». (Titit 1:2) Plotësimi i premtimeve të Jehovait do të jetë kaq mbresëlënës, sa vështirësitë dhe sprovat e tanishme do të na duken të papërfillshme. Së shpejti në Parajsë, bekimet e Jehovait do të tejkalojnë çdo gjë që mund të imagjinojmë. E me siguri do të ndihemi të lumtur si kurrë më parë. Po, ‘do të kënaqemi pa masë me paqen e pafund’.—Psal. 37:11.