«Na thuaj, kur do të ndodhin këto gjëra?»
«Po ju njoftoj gjëra të reja; unë jua bëj të njohura para se të mbijnë.»—ISAIA 42:9.
1, 2. (a) Çfarë pyetën mbi të ardhmen apostujt e Jezuit? (b) Si është përmbushur përgjigjja e Jezuit në lidhje me një shenjë të përbërë?
MËSIMI hyjnor e ka origjinën nga Perëndia Jehova, nga «Ai që lajmëron që nga fillimi përfundimin» (Isaia 46:10, BR). Siç tregoi artikulli i mëparshëm, apostujt i kërkuan Jezuit këtë lloj mësimi, duke e pyetur: «Na thuaj: kur do të ndodhin këto gjëra dhe cila do të jetë shenja kur të gjitha gjërat do të jenë të destinuara që të mbërrijnë fundin?»—Marku 13:4, BR.
2 Duke u përgjigjur, Jezui përshkroi një «shenjë» të përbërë, e cila formohej nga dëshmi që do të provonin se sistemi judaik do të mbaronte shpejt. Kjo u përmbush me shkatërrimin e Jeruzalemit në vitin 70 të e.s. Por profecia e Jezuit do të kishte një përmbushje më të madhe në një të ardhme shumë të largët. Pasi «kohët e caktuara të kombeve» të përfundonin në 1914-ën, do të shfaqej një shenjë me përmasa të gjera, që do të tregonte se së shpejti sistemi i tanishëm i lig do të merrte fund me «mjerimin e madh».a (Luka 21:24) Miliona njerëz që jetojnë sot, mund të dëshmojnë se kjo shenjë është plotësuar me luftërat botërore dhe ngjarje të tjera katastrofale në shekullin XX. Ato karakterizojnë edhe përmbushjen kryesore të profecisë së Jezuit, siç tregon shembulli i asaj që ndodhi nga viti 33 deri në vitin 70 të e.s.
3. Duke folur për një shenjë tjetër, çfarë zhvillimesh të mëtejshme paratha Jezui?
3 Pasi Luka përmendi kohët e caktuara të kombeve, tregimet paralele të Mateut, Markut dhe Lukës përshkruajnë një seri të mëtejshme zhvillimesh që përfshijnë një shenjë që i bashkohet «shenjës [së përbërë] të përfundimit të sistemit të gjërave». (Mateu 24:3, BR) (Në faqen 15, kjo pikë e tregimit është nënvizuar me një vijë dyshe.) Mateu thotë: «Menjëherë pas mjerimit të atyre ditëve dielli do të errësohet dhe hëna nuk do të japë dritën e saj dhe yjet do të bien nga qielli dhe fuqitë e qiejve do të shemben. Dhe atëherë shenja e Birit të njeriut do të shfaqet në qiell dhe atëherë të gjitha fiset e tokës do të godasin veten me ankime dhe do të shohin Birin e njeriut të vijë mbi retë e qiellit, me forcë e lavdi të madhe. Dhe ai do të dërgojë engjëjt e tij me tingull të fortë trombe dhe do të mbledhin të zgjedhurit e tij nga të katër erërat, nga njëri skaj i qiejve në tjetrin.»—Mateu 24:29-31, BR.
Mjerim dhe fenomene qiellore
4. Cilat pyetje lindin mbi fenomenet qiellore që përmendi Jezui?
4 Kur do të plotësohej kjo? Të tre Ungjijtë përmendin ato që mund t’i quajmë fenomene qiellore: diellin dhe hënën që errësohen dhe yjet që bien. Jezui tha se kjo do të ndodhte pas «mjerimit». Mos vallë Jezui kishte ndër mend mjerimin që arriti kulmin në vitin 70 të e.s., apo fliste për mjerimin e madh që duhet të ndodhë në kohët tonat moderne?—Mateu 24:29; Marku 13:24.
5. Çfarë mendohej në të shkuarën mbi mjerimin e kohëve moderne?
5 Që kur përfunduan kohët e caktuara të kombeve në 1914-ën, populli i Perëndisë është interesuar thellësisht për «mjerimin e madh». (Zbulesa 7:14) Për vite me radhë ata mendonin se mjerimi i madh i ditëve të sotme kishte një fazë të parë që i korrespondon kohës së Luftës I Botërore, pastaj një interval dhe më në fund pjesën përmbyllëse «luftën e ditës së madhe të Perëndisë së Gjithëpushtetshëm». Nëse do të ishte kështu, çfarë do të ndodhte gjatë dekadave midis «përfundimit të sistemit»?—Zbulesa 16:14; Mateu 13:39; 24:3; 28:20.
6. Çfarë mendohej se përmbushte profecia e Jezuit mbi fenomenet qiellore?
6 E pra, mendohej se gjatë këtij intervali do të shihej shenja e përbërë, duke përfshirë edhe veprën e predikimit që do të kryhej nga populli i mbledhur i Perëndisë. Mendohej, gjithashtu, se fenomenet e parashikuara qiellore mund të priteshin gjatë intervalit pas fazës së parë në 1914-1918. (Mateu 24:29; Marku 13:24, 25; Luka 21:15) Vëmendja u përqendrua mbi ngjarje të vërteta në qiell: lëshime në hapësirë, raketa, rreze kozmike apo gama, ulje apo baza në hënë.
7. Cili kuptim i ri në lidhje me mjerimin e madh është siguruar?
7 Megjithatë, Kulla e Rojës e 15 janarit 1970 (angl.), e rishqyrtoi profecinë e Jezuit, veçanërisht mjerimin e madh që do të vinte. Ajo tregoi se nën dritën e asaj që ndodhi në shekullin e parë, mjerimi i tanishëm nuk mund të kishte një fazë të parë në 1914-1918, të ndërpritej për dekada dhe pastaj të rifillonte. Revista përfundonte: «’Mjerimi i madh’, i tillë që s’ka ndodhur ndonjëherë është ende përpara, sepse ai nënkupton shkatërrimin e perandorisë botërore të fesë së rreme (përfshi krishterimin) dhe pasohet nga ‘lufta e ditës së madhe të Perëndisë së Gjithëpushtetshëm’ në Harmagedon.»
8. Si është shpjeguar Mateu 24:29 me pikëpamjen e re mbi mjerimin e madh?
8 Por Mateu 24:29 thotë se fenomenet qiellore do të vërtetoheshin «menjëherë pas mjerimit». Si mund të ndodhte kjo? Kulla e Rojës, 1 maj 1975 (angl.), pohon se «mjerimi» i përmendur këtu ishte ai që arriti kulmin në vitin 70 të e.s. Por në ç’kuptim mund të thuhej se fenomenet qiellore të kohës sonë ndodhin «menjëherë» pas një ngjarjeje të vitit 70 e.s.? Arsyetohej se për Perëndinë tonë të përjetshëm, shekujt në mes të kësaj periudhe do të ishin të shkurtër. (Romakëve 16:20; 2. Pjetrit 3:8) Megjithatë, një shqyrtim më i thellë i kësaj profecie dhe veçanërisht i Mateut 24:29-31, tregon një shpjegim krejt të ndryshëm. Kjo ilustron se si drita shkëlqen «gjithnjë e më mirë, deri sa të bëhet ditë e plotë».b (Proverbat 4:18) Le të shpjegojmë se përse është i përshtatshëm një shpjegim i ri apo i ndryshuar.
9. Në ç’mënyrë sigurojnë Shkrimet Hebreje një sfond për fjalët e Jezuit mbi zhvillimet në qiell?
9 Profecinë e «diellit që errësohet, të hënës që nuk jep dritë dhe të yjeve që bien», Jezui ua tha katër prej apostujve të tij. Si hebrenj, ata do ta kenë njohur gjuhën e Shkrimeve Hebreje, në të cilat, si tek Sofonia 1:15, për shembull, koha e gjykimit nga Perëndia quhej «një ditë stuhie dhe shkretimi, një ditë errësire dhe terri, një ditë me re dhe errësirë të dendur». Profetë të ndryshëm hebrenj përshkruan në mënyrë të ngjashme diellin që errësohej, hënën që nuk shkëlqente dhe yjet që nuk jepnin dritën e tyre. Një gjuhë të tillë mund ta gjesh në mesazhet hyjnore të drejtuara kundër Babilonisë, Edomit, Egjiptit dhe mbretërisë veriore të Izraelit.—Isaia 13:9, 10; 34:4, 5; Jeremia 4:28; Ezekieli 32:2, 6-8; Amosi 5:20; 8:2, 9.
10, 11. (a) Çfarë profetizoi Joeli në lidhje me fenomenet qiellore? (b) Cilat aspekte të profecisë së Joelit u plotësuan në vitin 33 të e.s. dhe cilat jo?
10 Kur dëgjuan fjalët e Jezuit, Pjetri dhe tre të tjerët ka mundësi të kenë sjellë në mendje profecinë e Joelit në kapitujt 2:28-31 dhe 3:15: «Do ta derdh frymën time mbi çdo lloj njeriu dhe bijtë tuaj dhe bijat tuaja me siguri do të profetizojnë. . . . Unë do të bëj shenja në qiej dhe mbi tokë, gjak dhe zjarr dhe kolona tymi. Vetë dielli do të shndërrohet në errësirë dhe hëna në gjak, përpara ardhjes së ditës së madhe dhe të tmerrshme të Jehovait.» «Vetë dielli dhe hëna me siguri do të errësohen dhe yjet vetë me të vërtetë do ta tërheqin shkëlqimin e tyre.» (BR).
11 Siç lexojmë në Veprat 2:1-4 dhe 14-21, në Rrëshajat e vitit 33 të e.s., Perëndia derdhi frymën e shenjtë mbi 120 dishepuj, burra dhe gra. Apostulli Pjetër shpjegoi se kjo ishte ajo që paratha Joeli. Por ç’të themi për fjalët e Joelit mbi «diellin që do të shndërrohej në errësirë, hënën që do të kthehej në gjak dhe për yjet që do të tërhiqnin shkëlqimin e tyre»? Asgjë nuk tregon se kjo është përmbushur në vitin 33 të e.s. apo gjatë më shumë se 30 vjetëve të fundit të sistemit judaik të gjërave.
12, 13. Si u përmbushën fenomenet qiellore të parathëna nga Joeli?
12 Me sa duket, kjo pjesë e fundit e profecisë së Joelit lidhej më ngushtë me «ardhjen e ditës së madhe dhe të tmerrshme të Jehovait», me shkatërrimin e Jeruzalemit. Kulla e Rojës, 15 nëntor 1966 (angl.), thoshte për mjerimin që pllakosi mbi Jeruzalem në vitin 70 e.s.: «Ajo qe me siguri një ‘ditë e Jehovait’ për Jeruzalemin dhe bijtë e tij. Dhe sa për atë, pati me bollëk ‘gjak, zjarr dhe avuj tymi’, dielli nuk e ndriti gjatë ditës errësirën e qytetit dhe hëna të bënte të mendoje për gjakun e derdhur e jo për dritën hënore të qetë dhe të argjendtë gjatë natës.»c
13 Po, ashtu si edhe në profecitë e tjera që shqyrtuam, fenomenet qiellore të parathëna nga Joeli u plotësuan kur Jehovai kreu gjykimin. Në vend se të shtrihej gjatë gjithë përfundimit të sistemit judaik, errësimi i diellit, i hënës dhe i yjeve ndodhi atëherë kur forcat që do të kryenin gjykimin lëvizën kundër Jeruzalemit. Në mënyrë logjike, mund të presim një plotësim më të madh të kësaj pjese të profecisë së Joelit, kur të fillojë gjykimi i Perëndisë mbi sistemin e tanishëm.
Cili mjerim përpara fenomeneve qiellore?
14, 15. Çfarë ndikimi ka profecia e Joelit mbi kuptueshmërinë tonë të Mateut 24:29?
14 Plotësimi i profecisë së Joelit (në harmoni me profeci të tjera që përdorin një gjuhë të ngjashme) na ndihmon të kuptojmë fjalët e Mateut 24:29. Është e qartë se ajo që tha Jezui për «diellin që do të errësohej, për hënën që nuk do të jepte dritë dhe për yjet që do të binin», nuk u referohej gjërave të tilla si aktivitetet me raketa, uljeve në hënë etj., që do të ndodhnin gjatë dhjetëvjeçarëve të shumtë të përfundimit të sistemit të tanishëm. Jo, ai po tregonte ngjarjet që lidheshin me «ditën e madhe dhe të tmerrshme të Jehovait», me shkatërrimin që duhej të ndodhte.
15 Kjo na ndihmon të kuptojmë më mirë se në ç’kuptim fenomenet qiellore do të vërtetoheshin «menjëherë pas mjerimit». Jezui nuk i referohej mjerimit që arriti kulmin në vitin 70 të e.s. Përkundrazi, po tregonte fillimin e mjerimit të madh që do të binte mbi sistemin botëror në të ardhmen e largët, duke arritur kulmin e «pranisë» së tij të premtuar. (Mateu 24:3) Ky mjerim është ende përpara nesh.
16. Çfarë mjerimi tregonte Marku 13:24 dhe përse?
16 Ç’mund të themi për fjalët e Markut 13:24: «Në ato ditë, pas atij mjerimi, dielli do të errësohet dhe hëna nuk do të japë dritën e saj.» (BR) Këtu, si fjala «ato», ashtu edhe «atij», përkthejnë forma të greqishtes e·keiʹnos, një përemër dëftor që tregon diçka të largët në kohë. E·keiʹnos mund t’i referohet diçkaje që ka kaluar prej shumë kohësh (apo që është përmendur më parë), ose mund të përdoret për diçka që do të ndodhë në të ardhmen e largët. (Mateu 3:1; 7:22; 10:19; 24:38; Marku 13:11, 17, 32; 14:25; Luka 10:12; 2. Selanikasve 1:10) Prandaj, kur Marku 13:24 përmendi «atij mjerimi», nuk i referohej mjerimit të shkaktuar nga romakët, por veprimit të fuqishëm të Jehovait në fund të sistemit të tanishëm.
17, 18. Çfarë drite hedh Zbulesa mbi faktin se si do të zhvillohet mjerimi i madh?
17 Kapitujt nga 17 deri 19 të Zbulesës, përputhen dhe vërtetojnë këtë kuptim të ri të Mateut 24:29-31, të Markut 13:24-27 dhe të Lukës 21:25-28. Në ç’mënyrë? Ungjijtë tregojnë se ky mjerim nuk do të fillojë dhe nuk do të mbarojë sa hap e mbyll sytë. Pasi të ketë filluar, disa nga njerëzimi i pabindur do të jenë ende në jetë për të parë «shenjën e Birit të njeriut» dhe për të reaguar ndaj tij me ankime dhe siç thotë Luka 21:26, për «t’u rënë të fikët nga frika dhe nga pritja e gjërave që do të ndodhin mbi tokën e banuar». Kjo frikë shtypëse do të vijë nga fakti se do të shohin «shenjën» që i kushtohet shkatërrimit të tyre të pashmangshëm.
18 Tregimi i Zbulesës tregon se mjerimi i madh që do të vijë, do të fillojë kur «brirët» e militarizuar të «bishës së egër» ndërkombëtare të kthehen kundër «prostitutës së madhe», Babilonisë së Madhe. (Zbulesa 17:1, 10-16) Por ende do të mbeten shumë njerëz, sepse mbretër, tregtarë, kapitenë anijesh e të tjerë do të mbajnë zi për fundin e fesë së rreme. Pa dyshim, shumë veta do ta kuptojnë se gjykimi i tyre do të vijë më pas.—Zbulesa 18:9-19.
Çfarë do të ndodhë?
19. Çfarë duhet të presim kur të fillojë mjerimi i madh?
19 Pjesët e ungjijve të Mateut, Markut dhe Lukës, së bashku me Zbulesën nga kapitulli 17 deri 19, hedhin dritë të konsiderueshme mbi çfarë do të ndodhë së shpejti. Në kohën e caktuar nga Perëndia, mjerimi i madh do të fillojë me një sulm kundër perandorisë botërore të fesë së rreme (Babilonisë së Madhe). Ky sulm do të jetë veçanërisht i fortë kundër krishterimit, që i korrespondon Jeruzalemit që nuk qëndroi besnik. «Menjëherë pas» kësaj faze të mjerimit, «do të ketë shenja në diell, në hënë, në yje dhe mbi tokë ankthi [i paparë] i kombeve».—Mateu 24:29; Luka 21:25.
20. Çfarë fenomenesh qiellore duhet të presim gjithashtu?
20 Në çfarë kuptimi «do të errësohet dielli, hëna nuk do të japë dritë, yjet do të bien nga qielli dhe fuqitë e qiellit do të shemben»? Pa dyshim, në fazën fillestare të mjerimit të madh, shumë ndriçues—personalitete të rëndësishme fetare të botës—do të demaskohen dhe do të eliminohen nga të «dhjetë brirët» e përmendur në Zbulesën 17:16. Patjetër edhe fuqitë politike do të shemben. A mund të ketë edhe fenomene të frikshme në qiejt e vërtetë? Ka shumë të ngjarë, madje shumë më të tmerrshme se ato që u panë gjatë fundit të sistemit judaik, të përshkruara nga Jozefi. Ne e dimë që në lashtësi Perëndia e tregoi fuqinë e vet për të shkaktuar kataklizma dhe ai mund ta bëjë këtë përsëri.—Të Dalët 10:21-23; Josiu 10:12-14; Gjykatësit 5:20; Luka 23:44, 45.
21. Çfarë «shenje» do të ndodhë në të ardhmen?
21 Në këtë pikë të tre shkrimtarët e Ungjijve përdorin termin toʹte (atëherë), për të ndërfutur ngjarjet vijuese. «Atëherë shenja e Birit të njeriut do të shfaqet në qiell». (Mateu 24:30, BR; Marku 13:26; Luka 21:27) Që nga Lufta I Botërore, dishepujt e vërtetë të Jezuit e kanë njohur shenjën e përbërë të pranisë së tij të padukshme, edhe pse shumica e njerëzve nuk e kanë dalluar. Megjithatë, Mateu 24:30 tregon shfaqjen e ardhshme të një «shenje» të mëtejshme, atë të «Birit të njeriut» dhe të gjitha kombet do të jenë të detyruara ta kuptojnë. Kur Jezui të vijë me retë e padukshmërisë, në çdo pjesë të botës kundërshtarët njerëzorë do ta njohin atë «ardhje» (greqisht er·khoʹme·non), nga ndonjë shfaqje mbinatyrore e fuqisë së tij mbretërore.—Zbulesa 1:7.
22. Çfarë ndikimesh do të ketë pamja e «shenjës» së Mateut 24:30?
22 Mateu 24:30 e përdor edhe një herë toʹte për të ndërfutur atë që ndodh më pas. Kombet, që do ta kuptojnë gjendjen e tyre të rëndë, do të godasin vetveten dhe do të ankohen, ndoshta duke kuptuar se shkatërrimi i tyre është i pashmangshëm. Sa e ndryshme do të jetë gjendja e shërbëtorëve të Perëndisë, sepse ata do të jenë në gjendje të ngrenë kokën, duke e ditur se çlirimi është afër! (Luka 21:28) Zbulesa 19:1-6 tregon, gjithashtu, se adhuruesit e vërtetë në qiell e mbi tokë, do të gëzohen për zhdukjen e prostitutës së madhe.
23. (a) Çfarë veprimi do të ndërmarrë Jezui në lidhje me të zgjedhurit? (b) Çfarë mund të thuhet në lidhje me marrjen në qiell të mbetjes?
23 Profecia e Jezuit vazhdon në Markun 13:27: «Dhe ai do të dërgojë atëherë [toʹte] engjëjt dhe do të mbledhë të zgjedhurit e tij nga të katër erërat, nga skaji i tokës deri në skaj të qiellit.» (BR) Këtu Jezui flet për mbetjen e 144.000 «të zgjedhurve» që do të jetojnë ende mbi tokë. Në fillim të përfundimit të sistemit të gjërave, këta dishepuj të mirosur të Jezuit u mblodhën në një bashkësi teokratike. Megjithatë, duke ndjekur rregullin e ngjarjeve të përshkruara, Marku 13:27 dhe Mateu 24:31 përshkruajnë diçka më shumë. «Me një tingull të madh trombe», mbetja e «të zgjedhurve» do të mblidhet prej skajeve të tokës. Në ç’mënyrë do të mblidhen? Pa dyshim, do të «vulosen» dhe do të identifikohen qartësisht nga Jehovai si pjesë e «atyre që janë quajtur të zgjedhur dhe besnikë». Dhe në kohën e caktuar nga Perëndia do të mblidhen në qiell për të qenë mbretër dhe priftërinj.d Kjo do t’ju sjellë gëzim edhe shokëve të tyre besnikë, «shumicës së madhe», që do të jetë e shënuar që «të dalë nga mjerimi i madh», për të marrë bekime mbi një tokë parajsore.—Mateu 24:22; Zbulesa 7:3, 4, 9-17; 7:14; 20:6; Ezekieli 9:4, 6.
24. Në çfarë radhe i vendos Mateu 24:29-31 zhvillimet e ardhshme?
24 Pyetjes së apostujve: «Na thuaj . . .», Jezui i dha një përgjigje më të gjerë sesa mund të kuptonin. Megjithatë, gjatë jetës së tyre ata u gëzuan tek shihnin plotësimin tipik të profecisë së tij. Në studimin tonë të përgjigjes së Jezuit jemi marrë më tepër me atë pjesë të profecisë që do të përmbushet në të ardhmen e afërt. (Mateu 24:29-31; Marku 13:24-27; Luka 21:25-28) Që tani mund të shohim se çlirimi ynë po afrohet. Mund të presim fillimin e mjerimit të madh, pastaj shenjën e Birit të njeriut dhe pastaj mbledhjen e të zgjedhurve nga ana e Perëndisë. Në fund, Mbreti ynë Luftëtar, Jezui i kurorëzuar, «do ta plotësojë fitoren e tij» në Harmagedon, si Ekzekutues i vendosur nga Jehovai. (Zbulesa 6:2) Ajo ditë e Jehovait, në të cilën ai do të kryejë hakmarrjen, do të përbëjë edhe fundin madhështor të përfundimit të sistemit të gjërave, që ka shënuar ditën e Zotërisë Jezu nga 1914-a e këndej.
25. Si mund të marrim pjesë në përmbushjen e ardhshme të Lukës 21:28?
25 Qoftë e mundur për të gjithë që të nxirrni dobi nga mësimi hyjnor, për t’iu përgjigjur përmbushjes së ardhshme të fjalëve të Jezuit: «Kur këto gjëra të fillojnë të ndodhin, ngrihuni dhe drejtoni kokën lart, sepse çlirimi juaj është afër.» (Luka 21:28, BR) Sa e ardhme e ndritur i pret të zgjedhurit dhe shumicën e madhe, ndërsa Jehovai vepron për të shenjtëruar emrin e tij të shenjtë!
[Shënimet]
a Dëshmitarët e Jehovait janë të gëzuar të ofrojnë prova për këtë, duke treguar se si faktet fizike të ditëve tona përmbushin profecinë e Biblës.
b Material i mëtejshëm gjendet në faqet 296-323 të God’s Kingdom of a Thousand Years Has Approached, botuar në 1973 nga Watchtower Bible and Tract Society of New York, Inc. dhe në Kullën e Rojës të 15 shtatorit 1982, faqe 17-22, angl.
c Jozefi shkroi për zhvillimet midis sulmit të parë romak mbi Jeruzalemin (66 e.s.) dhe shkatërrimit të tij: «Gjatë natës shpërtheu një stuhi me erëra të fuqishme, shira të rrëmbyer, vetëtima e bubullima të tmerrshme që nuk reshtnin dhe ulërima të frikshme tërmeti. Dukej si rrënimi i universit për shkatërrimin e njerëzimit dhe mund të dalloheshin shenjat e një katastrofe të paparë ndonjëherë.»—La guerra giudaica, nën kujdesin e G. Vitucci, bot. III, Milano, 1982, IV, 296.
d Shiko «Pyetje nga lexuesit» në Kullën e Rojës të 15 gushtit 1990, ang.
A të kujtohet?
◻ Si u përmbushën në shekullin e parë disa aspekte të Joelit 2:28-31 dhe 3:15?
◻ Cilit mjerim i referohet Mateu 24:29 dhe përse nxjerrim këtë përfundim?
◻ Çfarë fenomenesh qiellore tregon Mateu 24:29 dhe si mund të ndodhë kjo menjëherë pas mjerimit?
◻ Si do të përmbushet në të ardhmen Luka 21:26, 28?
[Figura në faqet 16, 17]
Zona e tempullit
[Burimi]
Pictorial Archive (Near Eastern History) Est.