Përse Dëshmitarët e Jehovait tregohen vigjilentë
«Jini vigjilentë . . . sepse nuk e dini se në ç’ditë do të vijë Zotëria juaj.»—MATEU 24:42, BR.
1. Tek cilët zbatohet paralajmërimi «jini vigjilentë»?
PËR çdo shërbëtor të Perëndisë—i ri apo i vjetër, i dedikuar nga pak kohë apo me shumë vite shërbimi mbi shpatulla—është e vlefshme nxitja që bën Bibla: «Jini vigjilentë!» (Mateu 24:42, BR) Përse është e rëndësishme të jemi vigjilentë?
2, 3. (a) Cilën shenjë përshkroi Jezui me saktësi dhe çfarë tregoi plotësimi i profecisë? (b) Cila situatë e përmendur tek Mateu 24:42 vë në provë sinqeritetin e besimit tonë dhe si?
2 Nga fundi i shërbimit të tij në tokë, Jezui paratha shenjën e pranisë së tij të padukshme në fuqinë e Mbretërisë. (Mateu kapitulli 24 dhe 25) Ai e përshkroi qartë atë kohë të pranisë së tij mbretërore dhe në përmbushje të profecisë, ngjarjet tregojnë se ai u kurorëzua si Mbret në qiell në vitin 1914. Gjithashtu, tregoi për situatën që do të vinte në provë sinqeritetin e besimit tonë. Duke iu referuar kohës kur do të vepronte si Ekzekutues gjatë shkatërrimit të sistemit të tanishëm të lig në mjerimin e madh, Jezui tha: «Sa për atë ditë dhe për atë orë, askush nuk e di, as engjëjt në qiell, as Biri, por vetëm Ati.» Duke pasur këtë në mend ai tha: «Jini vigjilentë, pra, sepse nuk e dini se në ç’ditë do të vijë Zotëria juaj.»—Mateu 24:36, 42, BR.
3 Fakti që nuk dimë ditën dhe orën kur do të fillojë mjerimi i madh, kërkon që nëse pohojmë se jemi të krishterë, çdo ditë duhet të jetojmë si të krishterë të vërtetë. Mënyra se si po e përdor jetën, a do të të bëjë të mundur që të kesh aprovimin e Zotërisë kur të vijë mjerimi i madh? Ose nëse vdekja vjen më parë, a do të të kujtojë ai si një person që i ka shërbyer Jehovait me besnikëri deri në fund të jetës?—Mateu 24:13; Zbulesa 2:10.
Dishepujt e hershëm u përpoqën të tregoheshin vigjilentë
4. Çfarë mund të mësojmë nga shembulli i Jezuit mbi vigjilencën frymore?
4 Vetë Jezu Krishti dha shembullin më të mirë të vigjilencës frymore. Ai iu lut vazhdimisht dhe me zjarr Atit të tij. (Luka 6:12; 22:42-44) Përballë provave ai pati besim të plotë në udhëheqjen që siguronin Shkrimet. (Mateu 4:3-10; 26:52-54) Ai nuk i lejoi vetes të tërhiqej nga vepra që i kishte besuar Jehovai. (Luka 4:40-44; Gjoni 6:15) A do të ishin po aq vigjilentë ata që e konsideronin veten si ithtarë të Jezuit?
5. (a) Përse apostujt e Jezuit kishin vështirësi në mbajtjen e ekuilibrit frymor? (b) Çfarë ndihme u dha Jezui apostujve të tij pas ringjalljes?
5 Shpesh edhe apostujt e Jezuit ngurruan. Si rezultat i padurimit dhe i mendimeve të gabuara, atyre iu desh të provonin zhgënjime. (Luka 19:11; Veprat 1:6) Para se të mësonin të mbështeteshin plotësisht tek Jehovai, prova të befasishme i bënë të humbnin ekuilibrin. Kështu, kur Jezui u arrestua, apostujt e tij ia mbathën. Më vonë, po atë natë Pjetri i pushtuar nga frika mohoi disa herë madje edhe se e njihte Krishtin. Apostujt akoma nuk e kishin marrë për zemër këshillën e Jezuit: «Jini vigjilentë dhe lutuni vazhdimisht.» (Mateu 26:41, 55, 56, 69-75, BR) Pas ringjalljes, Jezui përdori Shkrimet për të përforcuar besimin e tyre. (Luka 24:44-48) Dhe kur dukej që disa prej tyre mund ta vinin në plan të dytë shërbimin që u ishte besuar, Jezui e përforcoi nxitjen e tyre për t’iu përkushtuar veprës më të rëndësishme.—Gjoni 21:15-17.
6. Kundër cilave dy gracka i paralajmëroi Jezui që më parë dishepujt e tij?
6 Që më parë Jezui i lajmëroi dishepujt e tij se nuk duhej të ishin pjesë e botës. (Gjoni 15:19) Ai i këshilloi që të mos zotëronin mbi njëri-tjetrin, por të shërbenin bashkarisht si vëllezër. (Mateu 20:25-27; 23:8-12) A i dëgjuan ata këshillat e tij? A vazhduan të vinin në vend të parë veprën që ai u kishte besuar?
7, 8. (a) Në ç’mënyrë tregon historia e të krishterëve të shekullit të parë se ata i morën për zemër këshillat e Jezuit? (b) Përse ishte e rëndësishme të vazhdonin të ishin vigjilentë?
7 Derisa qenë gjallë, apostujt e mbrojtën kongregacionin. Historia dëshmon se të krishterët e parë nuk përziheshin në çështjet politike të perandorisë romake dhe se nuk kishin një klasë klerikale më të lartë. Përkundrazi ishin lajmëtarë të zjarrtë të Mbretërisë së Perëndisë. Përpara fundit të shekullit të parë ata kishin dhënë dëshmi në të gjithë perandorinë romake, duke bërë dishepuj në Azi, Evropë dhe në Afrikën Veriore.—Kolosianëve 1:23.
8 Megjithatë, ato rezultate të veprës së predikimit nuk donin të thoshin se nuk kishte më nevojë për të qenë vigjilentë frymësisht. Ardhja e parathënë e Jezuit ishte akoma shumë larg. Dhe kur kongregacioni hyri në shekullin e dytë të e.s., lindën situata që e vunë në rrezik gjendjen frymore të të krishterëve. Në ç’mënyrë?
Ata që nuk u treguan më vigjilentë
9, 10. (a) Pas vdekjes së apostujve, çfarë zhvillimi tregoi se shumë njerëz që pretendonin se ishin të krishterë nuk po tregoheshin vigjilentë? (b) Cilat shkrime të cituara në këtë paragraf do të mund t’i kishin ndihmuar ata që pretendonin se ishin të krishterë për të mbetur të fortë frymësisht?
9 Disa individë që u futën në kongregacion filluan t’i shprehnin besimet e tyre me termat e filozofisë greke, për t’ua bërë më të pranueshme njerëzve nga bota atë që predikonin. Gradualisht, doktrina pagane si Triniteti dhe pavdekësia e lindur e shpirtit, filluan të bëheshin pjesë e një lloj krishterimi të molepsur. Kjo çoi në braktisjen e shpresës për mijëvjeçarin. Përse? Ata që adoptuan besimin e pavdekësisë së shpirtit, nxorën përfundimin se bekimet e mbretërimit të Krishtit ruheshin në mbretërinë frymore për një shpirt që i mbijeton vdekjes së trupit. Nuk shihnin, pra, asnjë nevojë për të vigjëluar në pritje të pranisë së Krishtit në fuqinë e tij Mbretërore.—Krahaso Galatasve 5:7-9; Kolosianëve 2:8; 1. Selanikasve 5:21.
10 Kjo gjendje u rëndua nga zhvillime të tjera. Disa që pretendonin se ishin mbikëqyrës të krishterë, filluan t’i përdornin kongregacionet e tyre si mjete për të fituar sundim personal. Iu dhanë me dinakëri mendimeve dhe doktrinave të tyre një vlerë të barabartë, për të mos thënë më të madhe, me atë të Shkrimeve. Kur iu paraqit rasti, kjo kishë apostate qe e gatshme, madje t’u shërbente edhe interesave të shtetit politik.—Veprat 20:30; 2. Pjetrit 2:1, 3.
Rezultatet e rritjes së vigjilencës
11, 12. Përse Reforma protestante nuk shënoi kthimin në adhurimin e vërtetë?
11 Pas shekujsh të tërë abuzimesh nga ana e Kishës Katolike Romake, në shekullin e 16-të disa Reformatorë i denoncuan hapur. Por kjo nuk shënoi kthimin e adhurimit të vërtetë. Përse?
12 Edhe pse grupe të ndryshme protestante hoqën qafe zgjedhën e Kishës së Romës, sollën me vete shumë nga doktrinat dhe praktikat themelore të apostazisë—përçarjen mes klerit dhe laikëve, doktrinën e Trinitetit, pavdekësinë e shpirtit dhe mundimin e përhershëm pas vdekjes. Veç kësaj, ashtu si edhe Kisha Katolike e Romës, vazhduan të ishin pjesë e botës, duke qenë të lidhur ngushtë me elementët politikë. Kishin, pra, prirjen për të hedhur tej çdo lloj pritjeje të ardhjes së Krishtit si Mbret.
13. (a) Çfarë tregon se disa njerëz e çmuan me të vërtetë shumë Fjalën e Perëndisë? (b) Gjatë shekullit të 19-të, cila ngjarje pati interes të veçantë për ata që pretendonin se ishin të krishterë? (c) Përse shumë veta u zhgënjyen?
13 E megjithatë, Jezui kishte parathënë se pas vdekjes së apostujve, trashëgimtarët e vërtetë të Mbretërisë (që ai i krahasoi me grurin) do të vazhdonin të rriteshin bashkë me të krishterët e rremë (egjrat), deri në kohën e të korrave. (Mateu 13:29, 30) Sot, nuk mund të radhitim me saktësi të gjithë ata që Zotëria i quante si pjesëtarë të klasës së grurit. Por ia vlen të përmendim se gjatë shekujve XIV, XV dhe XVI pati njerëz që rrezikuan jetën dhe lirinë e tyre për ta përkthyer Biblën në gjuhën e njerëzve të thjeshtë. Disa të tjerë jo vetëm që e pranuan Biblën si Fjalën e Perëndisë, por hodhën poshtë Trinitetin si doktrinë jobiblike. Disa hodhën tej besimin në pavdekësinë e shpirtit dhe në mundimin e zjarrit të ferrit, si doktrina që nuk përputheshin fare me Fjalën e Perëndisë. Gjithashtu, në shekullin XIX, si rezultat i studimit në rritje të Biblës, disa grupe në Shtetet e Bashkuara, Gjermani, Angli dhe Rusi filluan të shprehnin bindjen se koha e kthimit të Krishtit ishte afër. Por pjesa më e madhe e parashikimeve të tyre përfundoi në zhgënjim. Përse? Në një masë të dukshme shkaku qe se besonin shumë tek njerëzit dhe jo aq tek Shkrimet.
Si u treguan vigjilentë
14. Përshkruaj afrimin drejt studimit biblik të përdorur nga C. T. Russell dhe shokët e tij.
14 Më vonë, në 1870-ën, Charles Taze Russell formoi me disa shokë të tij një grup studimi biblik në Allegeni, në Pensilvania. Nuk qenë të parët që vunë re shumë prej të vërtetave biblike që pranuan, por kur studionin e kishin zakon t’i kontrollonin me kujdes të gjitha shkrimet mbi një argument të caktuar.a Synimi i tyre nuk ishte që të gjenin vargje në mbështetje të një ideje të konceptuar që më parë, por që të siguroheshin se po nxirrnin konkluzione në përputhje me gjithçka që Bibla thoshte mbi atë argument.
15. (a) Çfarë kishin kuptuar përpara Russellit disa të tjerë? (b) Çfarë i bënte Studentët e Biblës aq të ndryshëm nga ata?
15 Disa të tjerë para tyre e kishin kuptuar se Krishti do të kthehej në mënyrë të padukshme, si frymë. Disa kishin kuptuar se qëllimi i kthimit të Krishtit nuk ishte që të bënte shkrumb e hi tokën dhe të shfaroste çdo jetë njerëzore, por që të bekonte të gjitha familjet e tokës. Bile kishte edhe disa që e kishin kuptuar se viti 1914 do të shënonte fundin e Kohëve të Paganëve. Por, për Studentët Biblikë të mbledhur me vëlla Russellin, këto nuk ishin thjesht disa pika për diskutime teologjike. Ata e ndërtuan jetën e tyre mbi këto të vërteta dhe i përhapën në nivel ndërkombëtar, në një shkallë të paparë deri atëherë.
16. Përse në vitin 1914 vëlla Russell shkroi: «Jemi në një periudhë prove»?
16 E megjithatë, duhej të ishin vigjilentë. Përse? Për shembull, edhe pse e dinin se 1914-a ishte një vit i shënuar nga profecia biblike, nuk e dinin me saktësi se çfarë do të ndodhte atë vit. Kjo i vuri në provë. Në Kullën e Rojës 1 nëntor 1914 (angl.) vëlla Russelli shkroi: «Të mos harrojmë se jemi në një periudhë prove. . . . Nëse ka ndonjë arsye që mund ta shtyjë dikë të lërë Zotërinë dhe të Vërtetën e Tij e të mos bëjë më sakrifica për Çështjen e Zotërisë, atëherë nuk është vetëm dashuria për Perëndinë që i ka nxitur interesin për Zotërinë, por diçka tjetër; ndoshta shpresa se koha do të ishte e shkurtër, se përkushtimi do të ishte vetëm për njëfarë kohe.»
17. Si e mbajtën ekuilibrin e tyre frymor A. H. Macmillan dhe të tjerë si ai?
17 Në atë kohë disa hoqën dorë nga shërbimi i Jehovait. Por A. H. Macmillan ishte nga ata që nuk veproi kështu. Vite më vonë ai pranoi ndershmërisht: «Disa herë parashikimet tona për ndonjë datë të caktuar ishin më shumë sesa lejonin Shkrimet.» Çfarë e ndihmoi, pra, që të ruante ekuilibrin frymor? E kuptoi, siç thotë ai, se «fakti që ato parashikime nuk u vërtetuan, nuk kishte ndryshuar qëllimet e Perëndisë». Dhe shtoi: «Kam mësuar se duhet t’i pranojmë gabimet tona dhe duhet të vazhdojmë shqyrtimin e Fjalës së Perëndisë që të ndriçohemi më shumë.»b Me përulësi ata Studentë të parë Biblikë lejuan që Fjala e Perëndisë të korrigjonte mënyrën e tyre të të vështruarit të gjërave.—2. Timoteut 3:16, 17.
18. Në ç’mënyrë vigjilenca e krishterë solli dobi progresive për sa i përket mospjesëmarrjes në botë?
18 Gjatë viteve të mëvonshme, nevoja për të qenë vigjilentë nuk u zvogëlua. Natyrisht, e dinin se të krishterët nuk duhej të ishin pjesë e botës. (Gjoni 17:14; Jakovi 4:4) Në përputhje me këtë nuk u bashkuan me të ashtuquajturin krishterim në mbështetje të Lidhjes së Kombeve, si shprehje politike e Mbretërisë së Perëndisë. Por vetëm në 1939-ën e kuptuan qartësisht çështjen e asnjanësisë së krishterë.—Shiko Kulla e Rojës 1 nëntor 1939 (angl.).
19. Çfarë dobish u morën në mbikëqyrjen e kongregacionit, për shkak se organizata u tregua vigjilente?
19 Ata kurrë nuk patën një klasë klerikale, por kishin disa pleq të zgjedhur që mendonin se predikimi në kongregacion ishte gjithçka që duhej pritur prej tyre. Megjithatë, duke ushqyer një dëshirë të fortë për t’u përputhur me Shkrimet, organizata e shqyrtoi disa herë rolin e pleqve nën dritën e Shkrimeve, nëpërmjet kolonave të Kullës së Rojës. Në përputhje me atë që tregonin Shkrimet u bënë disa ndryshime organizative.
20-22. Në cilën mënyrë i gjithë kongregacioni u përgatit në mënyrë progresive për të plotësuar veprën e parathënë të shpalljes së Mbretërisë në shkallë botërore?
20 I gjithë kongregacioni po përgatitej për të kryer plotësisht veprën që Fjala e Perëndisë kishte theksuar për kohën tonë. (Isaia 61:1, 2) Deri në ç’pikë do të shpallej lajmi i mirë në ditët tona? Jezui tha: «Në të gjitha kombet në fillim duhet të shpallet lajmi i mirë.» (Marku 13:10, BR) Nga pikëpamja njerëzore kjo detyrë është konsideruar si e pamundur.
21 Megjithatë, duke pasur besim tek Krishti si Kreu i kongregacionit, klasa e skllavit të matur dhe besnik ka shkuar përpara. (Mateu 24:45) Me vendosmëri dhe besnikëri ata i kanë treguar popullit të Jehovait veprën që duhet kryer. Që nga 1919-a e këndej, iu dha një nxitje në rritje shërbimit në fushë. Për shumë veta nuk qe e lehtë të shkonin shtëpi më shtëpi dhe të flisnin me të panjohur. (Veprat 20:20) Por artikuj studimi si «Të bekuar janë ata që s’kanë frikë» (në 1919-ën, angl.) dhe «Merrni zemër nga Perëndia» (në 1921-shin, angl.) i ndihmuan disa për të filluar veprën, duke u mbështetur tek Jehovai.
22 Ftesa që u drejtua në 1922-shin «lajmëroni, lajmëroni, lajmëroni Mbretin dhe Mbretërinë e tij», siguroi nxitjen e nevojshme për t’i dhënë kësaj vepre rëndësinë që meritonte. Që prej 1927-ës, pleqtë që nuk e pranonin këtë përgjegjësi biblike u çemëruan. Gjatë asaj periudhe, përfaqësuesit udhëtues të Shoqatës, pelegrinët, morën përgjegjësinë e drejtuesve rajonalë të shërbimit, me detyrën që të mësonin personalisht lajmëtarët në shërbimin në fushë. Jo të gjithë mund të ishin pionierë, por gjatë fundjavëve shumë veta dedikonin ditë të tëra në shërbim, duke filluar herët në mëngjes, duke u ndalur pak kohë për të ngrënë një panine dhe pastaj vazhdonin shërbimin deri pasdite vonë. Ishin kohë domethënëse të zhvillimit teokratik dhe mund të nxjerrim dobi të madhe duke shqyrtuar mënyrën në të cilën Jehovai udhëhiqte popullin e tij. Ai vazhdon të udhëheqë dhe me bekimin e tij vepra e predikimit të lajmit të mirë të Mbretërisë së vendosur do të shkojë drejt një përfundimi të suksesshëm.
A po tregohesh vigjilent?
23. Si mund të demonstrojmë personalisht se po tregohemi vigjilentë lidhur me dashurinë e krishterë dhe ndarjen nga bota?
23 Duke ndjekur udhëheqjen e Jehovait, organizata e tij vazhdon të jetë vigjilente ndaj praktikave dhe qëndrimeve që do të na identifikonin si pjesë e botës, me rrezikun që të kalojmë bashkë me të. (1. Gjonit 2:17) Nga ana jonë duhet të jemi vigjilentë duke ndjekur udhëheqjen e Jehovait. Ai gjithashtu na jep udhëzime se si të jetojmë e të punojmë bashkë. Organizata e tij na ka ndihmuar që të vlerësojmë gjithnjë e më shumë se ç’do të thotë në të vërtetë dashuri e krishterë. (1. Pjetrit 4:7, 8) Vigjilenca kërkon nga ne që të përpiqemi sinqerisht për të zbatuar këtë këshillë, pa marrë parasysh papërsosmërinë njerëzore.
24, 25. Mbi cilat aspekte me rëndësi jetësore duhet të tregohemi vigjilentë dhe me çfarë perspektive?
24 Skllavi besnik e i matur na kujton vazhdimisht këshilla, si: «Ki besim tek Zoti me gjithë zemër dhe mos u mbështet mbi gjykimin tënd.» (Proverbat 3:5) «Lutuni pa pushim.» (1. Selanikasve 5:17) Jemi këshilluar se si të mësojmë t’i bazojmë vendimet në Fjalën e Perëndisë, që ta lejojmë këtë fjalë të jetë «një llampë në këmbët tona dhe një dritë në shtegun tonë». (Psalmi 119:105) Me dashuri jemi inkurajuar që të vëmë në plan të parë në jetën tonë predikimin e lajmit të mirë të Mbretërisë, veprën që Jezui paratha për kohën tonë.—Mateu 24:14.
25 Po, skllavi besnik dhe i matur patjetër që është vigjilent. Edhe ne individualisht duhet të jemi vigjilentë. Si rezultat, edhe ne mund të gjendemi mes atyre që qëndrojnë në këmbë përpara Birit të njeriut kur të vijë për të kryer gjykimin.—Mateu 24:30; Luka 21:34-36.
[Shënimet]
a Faith on the March, nga A. H. Macmillan, Prentice-Hall, Inc., 1957, faqet 19-22.
b Shiko Kulla e Rojës 15 gusht 1966 (angl.), faqet 504-510.
Rishikim
◻ Siç tregohet tek Mateu 24:42, përse duhet të tregohemi vigjilentë?
◻ Si qëndruan vigjilentë frymësisht Jezui dhe ithtarët e tij të shekullit të parë?
◻ Çfarë zhvillimesh kanë ndodhur falë faktit që shërbëtorët e Jehovait janë treguar vigjilentë, që nga 1870-a?
◻ Ç’gjë do të demonstrojë se po tregohemi vigjilentë personalisht?
[Figurat në faqen 23]
Jezui u angazhua në veprën e caktuar prej Atit të tij. Ai gjithashtu, lutej me zjarr
[Figura në faqen 24]
Charles Taze Russell në vitet e fundit
[Figura në faqen 25]
Më tepër se 4.700.000 lajmëtarë të Mbretërisë janë aktivë në të gjithë tokën