Krishti e udhëheq kongregacionin e tij
«Ja, unë jam me ju gjithë ditët, deri në përfundimin e sistemit.»—MATEU 28:20.
1, 2. (a) Kur dha urdhrin për të bërë dishepuj, çfarë u premtoi Jezui i ringjallur ithtarëve të tij? (b) Si e udhëhoqi Jezui në mënyrë aktive kongregacionin e hershëm të krishterë?
PARA se të ngjitej në qiell, Jezu Krishti, Udhëheqësi ynë i ringjallur, iu shfaq dishepujve të tij dhe u tha: «Çdo autoritet më është dhënë në qiell dhe në tokë. Shkoni, pra, dhe bëni dishepuj nga njerëz të të gjitha kombeve, duke i pagëzuar në emër të Atit, të Birit dhe të frymës së shenjtë, duke u mësuar të zbatojnë të gjitha gjërat që ju kam urdhëruar. Dhe ja, unë jam me ju gjithë ditët, deri në përfundimin e sistemit.»—Mateu 23:10; 28:18-20.
2 Jezui jo vetëm që u caktoi dishepujve të tij veprën jetëshpëtuese të bërjes së dishepujve të tjerë, por edhe u premtoi se do të ishte me ta. Historia e krishterimit të hershëm, e dokumentuar në librin biblik të Veprave, tregon përtej çdo dyshimi se autoritetin që i ishte dhënë Krishti e përdori për të udhëhequr kongregacionin e sapoformuar. Ai dërgoi ‘ndihmësin’ e premtuar, frymën e shenjtë, me qëllim që t’i forconte ithtarët dhe të drejtonte përpjekjet e tyre. (Gjoni 16:7; Veprat 2:4, 33; 13:2-4; 16:6-10) Jezui i ringjallur i përdori engjëjt që kishte nën komandë për të mbështetur dishepujt. (Veprat 5:19; 8:26; 10:3-8, 22; 12:7-11; 27:23, 24; 1 Pjetrit 3:22) Për më tepër, Udhëheqësi ynë i siguroi drejtim kongregacionit, duke marrë masa që burra të kualifikuar të shërbenin si një trup udhëheqës.—Veprat 1:20, 24-26; 6:1-6; 8:5, 14-17.
3. Cilat pyetje do të trajtohen në këtë artikull?
3 Por, ç’të themi për kohën tonë, për «përfundimin e sistemit»? Si po e udhëheq sot Jezu Krishti kongregacionin e krishterë? Gjithashtu, si mund të tregojmë ne se e pranojmë udhëheqjen e tij?
Zotëria ka një skllav të besueshëm
4. (a) Kush e përbën ‘skllavin e besueshëm dhe të matur’? (b) Çfarë i ka lënë Zotëria nën kujdes skllavit?
4 Kur po thoshte profecinë për shenjën e pranisë së tij, Jezui tha: «Kush është në të vërtetë skllavi i besueshëm dhe i matur, të cilin zotëria i tij e emëroi mbi shërbëtorët e shtëpisë së vet, për t’u dhënë atyre ushqim në kohën e duhur? Lum ai skllav, nëse zotëria e tij, kur të mbërrijë, e gjen duke bërë kështu! Vërtet po ju them: Ai do ta emërojë mbi gjithë zotërimet e tij.» (Mateu 24:45-47) «Zotëria» është Udhëheqësi ynë, Jezu Krishti, i cili e ka emëruar ‘skllavin e besueshëm dhe të matur’, domethënë trupin e të krishterëve të mirosur në tokë, mbi gjithë interesat e tij tokësore.
5, 6. (a) Në një vegim që pati apostulli Gjon, çfarë paraqesin ‘shtatë shandanët e artë’ dhe «shtatë yjet»? (b) Çfarë tregon fakti që «shtatë yjet» janë në dorën e djathtë të Jezuit?
5 Libri biblik i Zbulesës tregon se skllavi i besueshëm dhe i matur është drejtpërdrejt nën kontrollin e Jezu Krishtit. Në një vegim për «ditën e Zotërisë», apostulli Gjon pa «shtatë shandanë të artë dhe në mes të shandanëve dikë që ngjante me një bir njeriu», i cili «kishte në dorën e djathtë shtatë yje». Duke ia shpjeguar vegimin Gjonit, Jezui i tha: «Sa për sekretin e shenjtë të shtatë yjeve që pe mbi dorën time të djathtë dhe të shtatë shandanëve të artë: shtatë yjet përfaqësojnë engjëjt e të shtatë kongregacioneve, ndërsa shtatë shandanët përfaqësojnë shtatë kongregacione.»—Zbulesa 1:1, 10-20.
6 ‘Shtatë shandanët e artë’ përfaqësojnë të gjitha kongregacionet e krishtere të vërteta që ekzistojnë në «ditën e Zotërisë», e cila filloi në vitin 1914. Po «shtatë yjet»? Në fillim ato simbolizonin të gjithë mbikëqyrësit e mirosur dhe të lindur nga fryma, të cilët kujdeseshin për kongregacionet në shekullin e parë.a Mbikëqyrësit ishin në dorën e djathtë të Jezuit, pra nën kontrollin dhe nën drejtimin e tij. Po, Krishti Jezu e udhëhiqte klasën e përbërë të skllavit. Megjithatë, tani mbikëqyrësit e mirosur janë të paktë në numër. Si arrin udhëheqja e Krishtit deri te më shumë se 93.000 kongregacionet e Dëshmitarëve të Jehovait përreth globit?
7. (a) Si e përdor Jezui Trupin Udhëheqës për të siguruar udhëheqje në kongregacionet anembanë tokës? (b) Përse mund të thuhet se mbikëqyrësit e krishterë emërohen nga fryma e shenjtë?
7 Ashtu si në shekullin e parë, edhe sot një grup i vogël burrash të kualifikuar nga këta mbikëqyrës të mirosur shërben si Trupi Udhëheqës, duke shërbyer si përfaqësues i skllavit të besueshëm dhe të matur të përbërë. Udhëheqësi ynë e përdor këtë Trup Udhëheqës për të emëruar burra të kualifikuar, të mirosur nga fryma ose jo, si pleq nëpër kongregacione. Lidhur me këtë, fryma e shenjtë, për të cilën Jehovai i ka dhënë Jezuit autoritet që ta përdorë, luan një rol shumë të rëndësishëm. (Veprat 2:32, 33) Para së gjithash, këta mbikëqyrës duhet të plotësojnë kërkesat e paraqitura në Fjalën e Perëndisë, e cila u frymëzua nga fryma e shenjtë. (1 Timoteut 3:1-7; Titit 1:5-9; 2 Pjetrit 1:20, 21) Rekomandimet dhe emërimet bëhen pasi janë bërë lutje dhe nën drejtimin e frymës së shenjtë. Veç kësaj, personat e emëruar japin prova se prodhojnë frytin e asaj fryme. (Galatasve 5:22, 23) Pra, këshilla e Pavlit zbatohet me të njëjtën forcë për gjithë pleqtë, të mirosur ose jo: «Kushtojini vëmendje vetes dhe gjithë kopesë, mes së cilës fryma e shenjtë ju ka emëruar mbikëqyrës.» (Veprat 20:28) Këta burra të emëruar marrin drejtim nga Trupi Udhëheqës dhe e kullotin me gatishmëri kongregacionin. Në këtë mënyrë, Krishti është me ne tani dhe po e udhëheq aktivisht kongregacionin.
8. Si i përdor Krishti engjëjt për të udhëhequr ithtarët e tij?
8 Sot Jezui përdor edhe engjëjt e mirëfilltë për t’i udhëhequr ithtarët e tij. Sipas ilustrimit me grurin dhe egjrat, koha e korrjes do të vinte në «përfundimin e sistemit». Kë do të përdorte Zotëria për të bërë korrjen? «Korrësit janë engjëj»,—tha Krishti. Pastaj, shtoi: «Biri i njeriut do të dërgojë engjëjt e tij dhe ata do të mbledhin e do të nxjerrin nga mbretëria e tij gjithçka që shkakton pengesë dhe ata që po bëjnë paligjshmëri.» (Mateu 13:37-41) Për më tepër, ashtu si një engjëll drejtoi hapat e Filipit për të gjetur eunukun etiopas, po kështu sot ka dëshmi të bollshme se Krishti i përdor engjëjt e tij për të drejtuar veprën e të krishterëve të vërtetë për të gjetur njerëzit me zemër të ndershme.—Veprat 8:26, 27; Zbulesa 14:6.
9. (a) Me anë të cilave mjete e udhëheq Krishti sot kongregacionin e krishterë? (b) Cilën pyetje duhet të shqyrtojmë, nëse duam të nxjerrim dobi nga udhëheqja e Krishtit?
9 Sa qetësuese është të dimë se Jezu Krishti u siguron udhëheqje dishepujve të tij sot nëpërmjet Trupit Udhëheqës, frymës së shenjtë dhe engjëjve! Mund të ndodhë që disa nga adhuruesit e Jehovait të mbeten përkohësisht të veçuar nga Trupi Udhëheqës për shkak të përndjekjes ose të gjërave të ngjashme. Edhe në këtë rast Krishti do të siguronte ende udhëheqje me anë të frymës së shenjtë dhe të mbështetjes së engjëjve. Megjithatë nxjerrim dobi nga udhëheqja e tij vetëm nëse e pranojmë atë. Si mund ta tregojmë se e pranojmë vërtet udhëheqjen e Krishtit?
«Jini të bindur . . . jini të nënshtruar»
10. Si mund të tregojmë vlerësim për pleqtë e emëruar në kongregacion?
10 Udhëheqësi ynë u ka dhënë kongregacioneve «dhurata në njerëz», duke i dhënë «disa si ungjillëzues, disa si barinj e mësues». (Efesianëve 4:8, 11, 12) Qëndrimi dhe veprimet tona ndaj tyre tregojnë qartë nëse e pranojmë udhëheqjen e Krishtit. Është më shumë se e përshtatshme që të ‘tregohemi mirënjohës’ për burrat e kualifikuar frymësisht që Krishti ka dhënë. (Kolosianëve 3:15) Ata meritojnë edhe respektin tonë. «Pleqtë që drejtojnë në mënyrë të shkëlqyer, le të çmohen të denjë për nderim të dyfishtë»,—shkroi apostulli Pavël. (1 Timoteut 5:17) Si mund ta shfaqim mirënjohjen dhe vlerësimin tonë për pleqtë ose mbikëqyrësit në kongregacion? Pavli përgjigjet: «Jini të bindur ndaj atyre që marrin drejtimin mes jush dhe jini të nënshtruar.» (Hebrenjve 13:17) Po, duhet t’u bindemi dhe të jemi të nënshtruar ndaj tyre.
11. Përse respektimi i rregullit për të pasur pleq ka të bëjë me të jetuarit në lartësinë e pagëzimit tonë?
11 Udhëheqësi ynë është i përsosur. Burrat që ai ka dhënë si dhurata nuk janë të tillë. Prandaj, ndonjëherë mund të gabojnë. Është jetësore megjithatë që t’i qëndrojmë besnikë rregullit që ka vendosur Krishti. Në të vërtetë, të jetojmë në harmoni me dedikimin dhe pagëzimin tonë do të thotë që të pranojmë legjitimitetin e autoritetit të emëruar nga fryma në kongregacion dhe t’i nënshtrohemi vullnetarisht këtij autoriteti. Pagëzimi ynë ‘në emër të frymës së shenjtë’ është një deklaratë publike se e dimë se çfarë është fryma e shenjtë dhe e pranojmë rolin që luan ajo në qëllimet e Jehovait. (Mateu 28:19) Ky pagëzim përfshin edhe që të bashkëpunojmë me frymën e të mos bëjmë asgjë që do ta pengonte veprimin e saj tek ithtarët e Krishtit. Meqë fryma e shenjtë luan një rol jetësor në rekomandimin dhe në emërimin e pleqve, a mund të jemi vërtet besnikë ndaj dedikimit tonë, nëse nuk e mbështetim rregullin për të pasur pleq në kongregacion?
12. Cilët shembuj që kanë të bëjnë me mungesën e respektit për autoritetin citon Juda dhe çfarë na mësojnë ata?
12 Shkrimet përmbajnë shembuj që na mësojnë vlerën e bindjes dhe të nënshtrimit. Duke pasur në mend ata që flitnin në mënyrë sharëse për burrat e emëruar në kongregacion, dishepulli Judë theksoi tre shembuj paralajmërues, duke thënë: «Mjerë ata, sepse kanë shkuar në shtegun e Kainit, janë derdhur për një shpërblim në rrugën e gabuar të Balaamit dhe kanë marrë fund në të folurin rebel të Koreut!» (Judës 11) Kaini shpërfilli këshillën e dashur të Jehovait dhe qëllimisht vazhdoi të ushqente në zemër urrejtjen që e çoi në vrasje. (Zanafilla 4:4-8) Megjithëse mori disa herë me radhë paralajmërime hyjnore, Balaami u përpoq ta mallkonte popullin e Perëndisë për të marrë një shpërblim financiar. (Numrat 22:5-28, 32-34; Ligji i përtërirë 23:5) Koreu kishte një pozitë të nderuar në Izrael, por nuk i mjaftonte. Ai nxiti rebelimin kundër Moisiut, shërbëtorit të Perëndisë, i cili ishte njeriu më zemërbutë në tokë. (Numrat 12:3; 16:1-3, 32, 33) Kainit, Balaamit dhe Koreut i ndodhën katastrofa. Me sa forcë na mësojnë këta shembuj që t’i dëgjojmë këshillat e atyre që Jehovai i përdor në pozita përgjegjësie dhe t’i respektojmë ata!
13. Cilat bekime paratha profeti Isaia për ata që i nënshtrohen rregullit për të pasur pleq?
13 Kush nuk do të donte të nxirrte dobi nga rregulli i mrekullueshëm i mbikëqyrjes që Udhëheqësi ynë ka vendosur në kongregacionin e krishterë? Profeti Isaia i paratha bekimet që do të sillte ky rregull, duke thënë: «Ja! Një mbret do të mbretërojë për vetë të drejtën dhe për sa u përket princave, do të sundojnë si princa për vetë drejtësinë. Dhe secili duhet të provojë se është si një vend për t’u fshehur nga era dhe si një vend i fshehtë nga stuhia, si përrenj uji në një vend pa ujë, si hija e një shkrepi të rëndë në një tokë të shkretuar.» (Isaia 32:1, 2, BR) Secili nga pleqtë duhet të jetë «një vend» i tillë mbrojtjeje dhe sigurie. Edhe sikur ta kemi të vështirë t’i nënshtrohemi autoritetit, le të përpiqemi, me ndihmën e lutjeve, të jemi të bindur e të nënshtruar ndaj autoritetit të vendosur në mënyrë hyjnore brenda kongregacionit.
Si i nënshtrohen pleqtë udhëheqjes së Krishtit?
14, 15. Si e tregojnë ata që marrin drejtimin në kongregacion se i nënshtrohen udhëheqjes së Krishtit?
14 Çdo i krishterë, por sidomos pleqtë, duhet ta ndjekin udhëheqjen e Krishtit. Mbikëqyrësit ose pleqtë kanë njëfarë mase autoriteti në kongregacion. Por nuk përpiqen të jenë ‘zotërinj mbi besimin e bashkëbesimtarëve të tyre’, duke u përpjekur t’ua kontrollojnë jetën. (2 Korintasve 1:24) Pleqtë marrin për zemër fjalët e Jezuit: «Ju e dini se sundimtarët e kombeve sillen si padronë me to dhe njerëzit e mëdhenj ushtrojnë autoritet mbi to. Mes jush nuk është kështu.» (Mateu 20:25-27) Ndërkohë që përmbushin përgjegjësinë që kanë, pleqtë përpiqen vërtet t’u shërbejnë të tjerëve.
15 Të krishterët nxiten: «Kujtoni ata që marrin drejtimin mes jush, . . . dhe ndërsa kundroni përfundimin e sjelljes së tyre, imitoni besimin e tyre.» (Hebrenjve 13:7) Kjo gjë nuk kërkohet sepse pleqtë janë udhëheqës. Jezui tha: «Udhëheqësi juaj është një i vetëm, Krishti.» (Mateu 23:10) Ajo që duhet imituar është besimi i pleqve, sepse ata vetë janë imitues të Udhëheqësit tonë të vërtetë, Krishtit. (1 Korintasve 11:1) Shqyrtoni disa mënyra se si pleqtë përpiqen të jenë si Krishti në marrëdhëniet me të tjerët në kongregacion.
16. Me gjithë autoritetin që kishte, si i trajtonte Jezui ithtarët e tij?
16 Edhe pse ishte në çdo mënyrë më i lartë se njerëzit e papërsosur dhe kishte marrë autoritet të pakrahasueshëm nga Ati i tij, Jezui ishte modest në marrëdhëniet me dishepujt. Nuk i mbyste dëgjuesit me një shfaqje të njohurisë së tij sa për t’u dukur. Jezui tregonte ndjeshmëri dhe dhembshuri ndaj ithtarëve të tij, duke marrë parasysh nevojat e tyre si njerëz. (Mateu 15:32; 26:40, 41; Marku 6:31) Kurrë nuk kërkonte nga dishepujt e tij më shumë sesa mund të jepnin dhe nuk u ngarkonte kurrë më shumë gjëra nga sa mund të mbanin. (Gjoni 16:12) Jezui ishte «me natyrë të butë dhe i përulur në zemër». Prandaj nuk habitemi që për shumë veta ai ishte freskues.—Mateu 11:28-30.
17. Në ç’mënyrë pleqtë duhet të tregojnë modesti si ajo e Krishtit në marrëdhëniet e tyre me të tjerët në kongregacion?
17 Nëse Krishti, Udhëheqësi, shfaqi modesti, sa më shumë duhet ta shfaqin këtë cilësi ata që marrin drejtimin në kongregacion! Po, ata bëjnë kujdes që të mos e keqpërdorin atë autoritet që u është besuar. Gjithashtu, ata ‘nuk vijnë me epërsi fjalësh’, duke u përpjekur t’u bëjnë përshtypje të tjerëve. (1 Korintasve 2:1, 2) Përkundrazi, përpiqen t’i thonë fjalët e së vërtetës biblike me thjeshtësi dhe me çiltërsi. Për më tepër, pleqtë përpiqen të jenë të arsyeshëm në atë që presin nga të tjerët dhe të kenë parasysh nevojat e këtyre të fundit. (Filipianëve 4:5) Duke qenë të vetëdijshëm se të gjithë kanë kufizime, me dashuri ata i marrin parasysh këto kufizime te vëllezërit e tyre. (1 Pjetrit 4:8) A nuk janë vërtet freskues pleqtë që janë të përulur dhe me natyrë të butë? Patjetër që po!
18. Çfarë mund të mësojnë pleqtë nga mënyra se si i trajtonte fëmijët Jezui?
18 Jezui ishte një njeri të cilit i afroheshin të gjithë, madje edhe më të vegjlit. Shqyrtoni si u përgjigj ai, kur dishepujt i qortuan njerëzit që «i sillnin fëmijë të vegjël». «Lërini fëmijët e vegjël të vijnë tek unë,—tha Jezui,—mos u mundoni t’i ndalni.» Pastaj, «i mori fëmijët në krahë dhe filloi t’i bekonte, duke vënë duart mbi ta». (Marku 10:13-16) Jezui ishte i përzemërt dhe mirëdashës e të tjerët ndiheshin të tërhequr ndaj tij. Nuk kishin frikë nga Jezui. Edhe fëmijët ndiheshin rehat në prani të tij. Pleqtë janë, po ashtu, njerëz të cilëve u afrohesh me lehtësi dhe, ndërsa tregojnë përzemërsi të dashur e mirëdashje, të tjerët, e madje edhe fëmijët, ndihen rehat me ta.
19. Çfarë përfshin të kesh «mendjen e Krishtit» dhe cilën përpjekje kërkon kjo?
19 Masa në të cilën pleqtë mund ta imitojnë Krishtin Jezu varet nga sa mirë e njohin atë. «Kush ka arritur të njohë mendjen e Jehovait, që ta mësojë atë?»—pyeti Pavli. Pastaj, shtoi: «Por ne kemi mendjen e Krishtit.» (1 Korintasve 2:16) Të kemi mendjen e Krishtit përfshin të njohim mënyrën se si mendonte dhe gjithçka që përfshinte personaliteti i tij, në mënyrë që të dimë se çfarë do të bënte ai në një rrethanë të veçantë. Përfytyroni pak, ta njohim kaq mirë Udhëheqësin tonë! Po, kjo kërkon t’u kushtojmë vëmendje të madhe tregimeve të Ungjijve dhe ta mbushim rregullisht mendjen me kuptueshmëri për jetën dhe për shembullin e Jezuit. Kur pleqtë bëjnë përpjekje që ta ndjekin udhëheqjen e Krishtit deri në këtë masë, pjesëtarët e kongregacionit janë më të prirur ta imitojnë besimin e tyre. Pleqtë, nga ana e tyre, kanë kënaqësinë të shohin se si të tjerët ndjekin me gëzim gjurmët e Udhëheqësit.
Vazhdoni nën udhëheqjen e Krishtit
20, 21. Ndërsa shohim përpara drejt botës së re të premtuar, cila duhet të jetë vendosmëria jonë?
20 Është jetësore që të gjithë të mbetemi nën udhëheqjen e Krishtit. Ndërsa i afrohemi fundit të këtij sistemi, gjendja jonë mund të krahasohet me atë të izraelitëve kur ishin në rrafshinën e Moabit, në vitin 1473 p.e.s. Ishin në prag të Tokës së Premtuar dhe, nëpërmjet profetit Moisi, Perëndia shpalli: «Ti [Josi] do të hysh bashkë me këtë popull në vendin që Zoti u betua t’u japë etërve të tyre.» (Ligji i përtërirë 31:7, 8) Udhëheqësi i emëruar ishte Josiu. Që të hynin në Tokën e Premtuar, izraelitët duhej t’i nënshtroheshin udhëheqjes së Josiut.
21 Neve Bibla na thotë: «Udhëheqësi juaj është një i vetëm, Krishti.» Vetëm Krishti do të na udhëheqë drejt botës së re të premtuar, në të cilën ka për të banuar drejtësia. (2 Pjetrit 3:13) Prandaj, le të jemi të vendosur që t’i nënshtrohemi udhëheqjes së tij në çdo fushë të jetës!
[Shënimi]
a Këtu «yjet» nuk simbolizojnë engjëj të mirëfilltë. Patjetër Jezui nuk do të përdorte një njeri për të dokumentuar informacione që do t’u përkitnin krijesave të padukshme frymore. Prandaj «yjet» duhet të paraqesin mbikëqyrësit njerëzorë ose pleqtë në kongregacione, të cilët shihen si lajmëtarë të Jezuit. Numri i tyre, shtatë, nënkupton plotësi të përcaktuar në mënyrë hyjnore.
A ju kujtohet?
• Si e udhëhoqi Krishti kongregacionin e hershëm?
• Si e udhëheq Krishti kongregacionin e tij sot?
• Përse duhet të jemi të nënshtruar ndaj atyre që marrin drejtimin në kongregacion?
• Në cilat mënyra mund ta tregojnë pleqtë se Udhëheqësi i tyre është Krishti?
[Figura në faqen 15]
Krishti e udhëheq kongregacionin e tij dhe i mban mbikëqyrësit në dorën e djathtë
[Figurat në faqen 16]
«Jini të bindur ndaj atyre që marrin drejtimin mes jush dhe jini të nënshtruar»
[Figura në faqen 18]
Jezui ishte i përzemërt dhe i afrueshëm. Pleqtë e krishterë përpiqen të jenë si ai