Sa e çmuar është për ju e vërteta?
«Do ta njihni të vërtetën dhe e vërteta do t’ju lirojë.»—GJONI 8:32.
1. Nga sa duket, si ndryshonte përdorimi që i bëri Pilati fjalës «e vërteta» nga përdorimi që i bëri Jezui?
«Ç’ËSHTË e vërteta?» Kur Pilati bëri këtë pyetje, interesi i tij, cilido që të ishte, dukej se kishte të bënte me të vërtetën në përgjithësi. Nga ana tjetër, Jezui sapo kishte thënë: «Për këtë kam lindur dhe për këtë kam ardhur në botë, që të jap dëshmi për të vërtetën.» (Gjoni 18:37, 38) Ndryshe nga Pilati, Jezui po fliste për të vërtetën hyjnore.
Qëndrimi që ka bota ndaj së vërtetës
2. Cila thënie e Jezuit tregon vlerën që ka e vërteta?
2 Pavli tha: «Besimi nuk zotërohet nga të gjithë.» (2 Selanikasve 3:2) E njëjta gjë mund të thuhet për të vërtetën. Edhe kur ballafaqohen me të vërtetën e bazuar në Bibël, shumë njerëz e shpërfillin me dashje atë. E megjithatë, sa e çmuar që është kjo e vërtetë! Jezui tha: «Do ta njihni të vërtetën dhe e vërteta do t’ju lirojë.»—Gjoni 8:32.
3. Cilit paralajmërim për mësimet mashtruese duhet t’ia vëmë veshin?
3 Apostulli Pavël tha se e vërteta nuk gjendej në filozofitë dhe në traditat njerëzore. (Kolosianëve 2:8) Në të vërtetë, këto mësime janë mashtruese. Pavli i paralajmëroi të krishterët efesianë se po të tregonin besim në këto mësime, do të ishin si fëmijë nga ana frymore, «si të lëkundur nga dallgët . . . nga çdo erë mësimi, prej dredhisë së njerëzve, prej dinakërisë në sajimin e mashtrimeve». (Efesianëve 4:14) Sot, ‘dredhia e njerëzve’ përkrahet nga propaganda e atyre që i kundërvihen së vërtetës hyjnore. Sipas The New Encyclopædia Britannica, «propaganda» përkufizohet si «përpjekje sistematike për të manipuluar bindjet, qëndrimet ose veprimet e njerëzve të tjerë». Një propagandë e tillë me dinakëri e shtrembëron të vërtetën në pavërtetësi dhe i paraqet gënjeshtrat si të vërteta. Për të gjetur të vërtetën përballë këtyre presioneve tinëzare, duhet të shqyrtojmë me ngulm Shkrimet.
Të krishterët dhe bota
4. Për kë është vënë në dispozicion e vërteta dhe cili është detyrimi i atyre që e marrin atë?
4 Duke pasur ndër mend ata që ishin bërë dishepuj të tij, Jezu Krishti iu lut Jehovait: «Shenjtëroji me anë të së vërtetës; fjala jote është e vërteta.» (Gjoni 17:17) Këta persona do të shenjtëroheshin ose do të ndaheshin veç, me qëllim që t’i shërbenin Jehovait e ta bënin të njohur emrin dhe Mbretërinë e tij. (Mateu 6:9, 10; 24:14) Ndonëse nuk e zotërojnë të gjithë njerëzit, e vërteta që vjen nga Jehovai është në dispozicion si dhuratë falas për të gjithë ata që e kërkojnë, cilado qoftë kombësia, raca ose formimi i tyre kulturor. Apostulli Pjetër tha: «E kuptoj . . . se Perëndia nuk është i anshëm, por në çdo komb njeriu që i frikësohet atij dhe praktikon drejtësinë është për të i pranueshëm.»—Veprat 10:34, 35.
5. Përse përndiqen shpesh të krishterët?
5 Të krishterët e ndajnë të vërtetën biblike me të tjerët, por nuk mirëpriten kudo që shkojnë. Jezui paralajmëroi: «Do t’ju dorëzojnë në shtrëngim e do t’ju vrasin dhe do të jeni objekt urrejtjeje për të gjitha kombet, për shkak të emrit tim.» (Mateu 24:9) Duke komentuar për këtë varg, kleriku irlandez Xhon R. Kater shkroi në vitin 1817: «Përpjekjet e tyre [të të krishterëve] për të ndryshuar jetën e njerëzve me anë të predikimit, në vend që t’i bënin njerëzit të ndiheshin mirënjohës, në të vërtetë do t’i bënin që t’i urrenin dhe t’i përndiqnin dishepujt, sepse u demaskonin veset që kishin.» Këta përndjekës nuk e ‘pranojnë dashurinë për të vërtetën, që të shpëtojnë’. Për këtë arsye, «Perëndia lë që mbi ta të veprojë një ndikim devijimi, që ata t’i besojnë gënjeshtrës, me qëllim që të gjykohen të gjithë, pasi nuk e besuan të vërtetën, por gjetën ëndje në padrejtësi».—2 Selanikasve 2:10-12.
6. Cilat dëshira nuk duhet të kultivojë një i krishterë?
6 Apostulli Gjon i këshillon të krishterët që jetojnë në këtë botë armiqësore: «Mos kini dashuri as për botën, as për gjërat që janë në botë. . . . Gjithçka që është në botë: dëshira e mishit, dëshira e syve dhe kapardisja për t’u dukur me mjetet e jetesës nuk vjen nga Ati, por nga bota.» (1 Gjonit 2:15, 16) Me fjalën «gjithçka», Gjoni nuk lë përjashta asgjë. Për këtë arsye, as nuk duhet ta kultivojmë dëshirën për çfarëdo gjëje që mund të na ofrojë kjo botë e që mund të na devijojë nga e vërteta. Nëse i vëmë veshin këshillës së Gjonit, kjo gjë do të ushtrojë një ndikim të fuqishëm në jetën tonë. Në ç’mënyrë?
7. Si i nxit njohuria e së vërtetës njerëzit me zemër të drejtë?
7 Gjatë vitit 2001, në mbarë botën Dëshmitarët e Jehovait drejtuan çdo muaj më shumë se katër milionë e gjysmë studime biblike në shtëpi, duke u mësuar individëve dhe grupeve kërkesat hyjnore për jetën. Për pasojë, u pagëzuan 263.431 veta. Drita e së vërtetës u bë e çmuar për këta dishepuj të rinj, të cilët i hodhën poshtë shoqëritë e këqija dhe udhët imorale që çnderojnë Perëndinë e që janë kaq të përhapura në këtë botë. Që kur janë pagëzuar, kanë vazhduar të jetojnë në lartësinë e normave që ka vendosur Jehovai për të gjithë të krishterët. (Efesianëve 5:5) A është kaq e çmuar edhe për ju e vërteta?
Jehovai kujdeset për ne
8. Si reagon Jehovai ndaj dedikimit tonë dhe përse është e mençur që të ‘kërkojmë më parë mbretërinë’?
8 Me gjithë papërsosmëritë tona, Jehovai me mëshirë e pranon dedikimin tonë, duke u përkulur, si të thuash, për të na tërhequr drejt tij. Në këtë mënyrë na mëson që t’i ngremë në nivel më të lartë synimet dhe dëshirat tona. (Psalmi 113:6-8) Në të njëjtën kohë, Jehovai na lejon që të kemi një marrëdhënie personale me të dhe premton se do të kujdeset për ne, nëse ‘vazhdojmë të kërkojmë më parë mbretërinë dhe drejtësinë e tij’. Nëse veprojmë kështu dhe e ruajmë veten frymësisht, ai premton: «Të gjitha këto gjëra të tjera do t’ju shtohen.»—Mateu 6:33.
9. Kush është «skllavi i besueshëm dhe i matur» dhe si kujdeset Jehovai për ne, duke përdorur këtë ‘skllav’?
9 Jezu Krishti zgjodhi 12 apostujt e tij dhe hodhi themelin për kongregacionin e të krishterëve të mirosur, i cili u quajt ‘Izraeli i Perëndisë’. (Galatasve 6:16; Zbulesa 21:9, 14) Më vonë, ky kongregacion u përshkrua si «kongregacioni i Perëndisë së gjallë, shtylla dhe mbështetja e së vërtetës». (1 Timoteut 3:15) Jezui i identifikoi anëtarët e këtij kongregacioni si «skllavi i besueshëm dhe i matur» dhe si «kujdestari i besueshëm, i maturi». Jezui tha se ky shërbëtor i besueshëm do të kishte përgjegjësinë për t’u dhënë të krishterëve «pjesën e tyre të ushqimit në kohën e duhur». (Mateu 24:3, 45-47; Luka 12:42) Pa ushqim, vdesim urie. Në mënyrë të ngjashme, po të mos marrim ushqim frymor dobësohemi dhe vdesim frymësisht. Prandaj, ekzistenca e ‘skllavit të besueshëm e të matur’ është një provë e mëtejshme se Jehovai kujdeset për ne. I vlerësofshim gjithmonë masat e çmuara frymore që janë marrë për ne nëpërmjet këtij «skllavi»!—Mateu 5:3.
10. Përse është jetësore që të jemi të pranishëm rregullisht në mbledhje?
10 Të marrim ushqim frymor përfshin të bëjmë studim personal. Përfshin edhe shoqërimin me të krishterë të tjerë, si edhe ndjekjen e mbledhjeve të kongregacionit. A e mbani mend me saktësi se çfarë keni ngrënë gjashtë muaj ose edhe gjashtë javë më parë? Ka shumë mundësi që jo. Megjithatë, çfarëdo që të keni ngrënë, ju ka siguruar ushqimin që ju nevojitej për të marrë forcë. Dhe, me siguri, që nga ajo kohë keni ngrënë prapë ushqim të tillë. E njëjta gjë mund të thuhet për ushqimin frymor që sigurohet në mbledhjet tona të krishtere. Ndoshta nuk kujtojmë çdo hollësi të asaj që kemi dëgjuar në mbledhje. Dhe ka shumë mundësi që informacione të ngjashme të jenë siguruar më shumë se një herë. E megjithatë është ushqim frymor, i cili është jetësor për mirëqenien tonë. Mbledhjet na sigurojnë gjithnjë furnizim të mirë frymor, që na shërbehet në kohën e duhur.
11. Çfarë detyrimesh kemi kur ndjekim mbledhjet e krishtere?
11 Ndjekja e mbledhjeve të krishtere na vë përpara edhe një përgjegjësi. Të krishterët këshillohen që të ‘inkurajojnë njëri-tjetrin’, duke i nxitur anëtarët e tjerë të kongregacionit për «dashuri dhe vepra të shkëlqyera». Përgatitja, ndjekja dhe pjesëmarrja jonë në të gjitha mbledhjet e krishtere na e forcon besimin personalisht dhe u jep zemër të tjerëve. (Hebrenjve 10:23-25) Si fëmijët e vegjël që mund t’i bëjnë naze ushqimit, disa mund të kenë nevojë për nxitje të vazhdueshme që të marrin ushqim frymor. (Efesianëve 4:13) Tregojmë dashuri duke e siguruar këtë nxitje kur është e nevojshme, në mënyrë që këta persona të arrijnë të bëhen të krishterë të pjekur, për të cilët apostulli Pavël shkroi: «Ushqimi i fortë u përket njerëzve të pjekur, atyre që nëpërmjet përdorimit i kanë aftësitë perceptuese të stërvitura për të shquar si të drejtën, ashtu edhe të gabuarën.»—Hebrenjve 5:14.
Të kujdesemi për veten nga ana frymore
12. Kush e ka në radhë të parë përgjegjësinë nëse do të qëndrojmë apo jo në të vërtetën? Shpjegoni.
12 Bashkëshorti a bashkëshortja ose prindërit mund të na japin zemër për të vazhduar në udhën e së vërtetës. Po ashtu, pleqtë e kongregacionit mund të na kullotin si pjesë e kopesë që u është lënë nën kujdes. (Veprat 20:28) Por, kush e ka në radhë të parë përgjegjësinë nëse do të ngulmojmë apo jo në udhën e jetës që është e bazuar në të vërtetën? Këtë përgjegjësi e ka çdonjëri nga ne. Është kështu si në rrethana normale, ashtu edhe në periudha të vështira. Shqyrtoni ndodhinë vijuese.
13, 14. Siç ilustrohet në një ndodhi me një qengj, si mund të marrim ndihmën frymore për të cilën kemi nevojë?
13 Në Skoci, disa qengja të vegjël po kullotnin në lëndinë, kur njëri prej tyre u largua deri buzë një kodre të vogël dhe u rrokullis në një anë shkëmbi poshtë. Nuk u dëmtua, por u frikësua dhe nuk ngjitej dot më. Prandaj, filloi të blegërinte përvajshëm. Nëna e tij e dëgjoi dhe filloi të blegërinte edhe ajo, derisa erdhi bariu dhe e shpëtoi qengjin e vogël.
14 Vini re rrjedhën e ngjarjeve. Qengji kërkoi ndihmë, delja bashkoi zërin e saj me blegërimat e qengjit dhe bariu i sinjalizuar u hodh në veprim për ta shpëtuar. Nëse një kafshë e vogël dhe nëna e vet mund ta ndiejnë rrezikun dhe menjëherë të kërkojnë ndihmë, a nuk duhet të bëjmë edhe ne të njëjtën gjë kur pengohemi frymësisht ose kur hasim rreziqe të papritura nga bota e Satanait? (Jakovit 5:14, 15; 1 Pjetrit 5:8) Patjetër që duhet ta bëjmë, sidomos në qoftë se na mungon përvoja ngaqë jemi të rinj në moshë ose ngaqë jemi relativisht të rinj në të vërtetën.
Ndjekja e drejtimit hyjnor sjell lumturi
15. Si u ndie një grua kur filloi të shoqërohej me kongregacionin e krishterë?
15 Shqyrtoni vlerën që ka kuptueshmëria biblike dhe paqen mendore që u sjell kjo kuptueshmëri atyre që i shërbejnë Perëndisë të së vërtetës. Një 70-vjeçare, e cila gjithë jetën e saj kishte shkuar në Kishën Anglikane, pranoi të studionte Biblën me një Dëshmitare të Jehovait. Shpejt mësoi se emri i Perëndisë është Jehova dhe u bashkua për të thënë «Amin» në lutjet e sinqerta publike që bëheshin në Sallën e Mbretërisë në zonën e saj. Me shumë emocione, tha: «Në vend që ta paraqitni Perëndinë si një person që qëndron kaq më sipër se ne njerëzit e vdekshëm, ju duket se e sillni atë tamam mes nesh, si një mik të dashur. Është diçka që nuk e kisha provuar kurrë më parë.» Ka shumë të ngjarë që kjo grua e dashur e interesuar nuk do ta harrojë kurrë përshtypjen e parë që i bëri e vërteta. Edhe ne, ashtu si ajo, mos e harrofshim kurrë se sa e çmuar ishte për ne e vërteta kur e pranuam në fillim!
16. (a) Çfarë mund të ndodhë nëse e bëjmë fitimin e parave synimin tonë kryesor? (b) Si mund të gjejmë lumturi të vërtetë?
16 Shumë njerëz besojnë se po të kishin më shumë para, do të ishin më të lumtur. Mirëpo, në qoftë se e bëjmë fitimin e parave synimin tonë kryesor në jetë, mund të pësojmë «angështi mendore të papërshkrueshme». (1 Timoteut 6:10, Phillips) Vini re se sa shumë veta blejnë bileta llotarie, harxhojnë para nëpër kazino ose spekulojnë në mënyrë jo të mençur nëpër bursa, duke ëndërruar të bëhen të pasur. Shumë, shumë pak prej tyre e fitojnë pasurinë që shpresojnë. E shpesh, edhe ata që e fitojnë, zbulojnë se kjo pasuri që u erdhi papritur nuk sjell lumturi. Përkundrazi, lumturia e qëndrueshme vjen duke bërë vullnetin e Jehovait, duke punuar me kongregacionin e krishterë nën udhëheqjen e frymës së shenjtë të Jehovait dhe me ndihmën e engjëjve të tij. (Psalmi 1:1-3; 84:4, 5; 89:15) Kur veprojmë kështu, mund të kemi bekime të papritura. A është mjaft e çmuar e vërteta për ju, sa t’ju sjellë bekime të tilla në jetë?
17. Çfarë zbulon për qëndrimin e Pjetrit fakti që qëndroi në shtëpinë e Simonit, një regjës lëkurësh?
17 Shqyrtoni një përvojë që pati apostulli Pjetër. Në vitin 36 të erës sonë, ai bëri një udhëtim misionar në rrafshinën e Sharonit. Ndaloi në Lida, ku shëroi Enean e paralizuar dhe, më pas, vazhdoi rrugën për në portin detar të Jopës. Atje, ringjalli Dorkën. Te Veprat 9:43 na thuhet: «Për mjaft ditë ai qëndroi në Jopë te njëfarë Simoni, një regjës lëkurësh.» Ky fakt i përmendur shkarazi zbulon qëndrimin pa paragjykime të Pjetrit, ndërsa u shërbente njerëzve në atë qytet. Në ç’mënyrë? Studiuesi biblik Frederik U. Farrar shkruan: «Asnjë ithtar i rreptë dhe i betuar i Ligjit gojor [të Moisiut] nuk mund të bindej që të banonte në shtëpinë e një regjësi lëkurësh. Ky zanat bënte të nevojshme të merreshe përditë me lëkurët dhe me trupat e kafshëve të ndryshme të ngordhura. Kjo gjë, si edhe materialet që kërkonte ai, e bënin këtë zanat të papastër e të neveritshëm në sytë e të gjithë fanatikëve të ngurtë të ligjit.» Edhe sikur ‘shtëpia pranë detit’ që kishte Simoni të mos ishte ngjitur me punishten e tij të regjjes së lëkurëve, ai, siç thotë Farrari, merrej me ‘një zanat që shihej me neveri e prandaj normalisht ia ulte respektin për veten të gjithë atyre që bënin këtë punë’.—Veprat 10:6.
18, 19. (a) Përse ishte në mëdyshje Pjetri nga një vegim që pati? (b) Cili bekim i papritur i erdhi Pjetrit?
18 Pa pasur paragjykime, Pjetri e pranoi mikpritjen e Simonit dhe atje mori një drejtim të papritur nga Perëndia. Pa një vegim në të cilin iu urdhërua të hante krijesa që ishin të papastra sipas ligjit judaik. Pjetri kundërshtoi, duke thënë se kurrë nuk kishte ‘ngrënë asgjë të ndotur e të papastër’. Por, tri herë iu tha: «Mos i quaj më të ndotura gjërat që Perëndia i ka pastruar.» Është e kuptueshme se «Pjetri ishte shumë në mëdyshje përbrenda se ç’domethënie mund të kishte vegimi që kishte parë».—Veprat 10:5-17; 11:7-10.
19 Pjetri nuk e dinte se një ditë më parë, në Cezare, që ishte rreth 50 kilometra larg, edhe një johebre me emrin Kornel kishte pasur një vegim. Engjëlli i Jehovait e kishte udhëzuar Kornelin që të dërgonte shërbëtorë për ta gjetur Pjetrin në shtëpinë e Simonit, regjësit të lëkurëve. Korneli i dërgoi shërbëtorët në shtëpinë e Simonit dhe Pjetri i shoqëroi për t’u kthyer në Cezare. Atje i predikoi Kornelit dhe të afërmve e miqve të tij. Si pasojë, ata u bënë besimtarët e parë johebrenj të parrethprerë që morën frymën e shenjtë si trashëgimtarë të Mbretërisë. Edhe pse burrat ishin të parrethprerë, të gjithë ata që e dëgjuan fjalën e Pjetrit u pagëzuan. Kjo hapi rrugën që njerëzit e kombeve, të cilët shiheshin si të papastër nga pikëpamja judaike, të bëheshin anëtarë të kongregacionit të krishterë. (Veprat 10:1-48; 11:18) Çfarë privilegji i jashtëzakonshëm për Pjetrin! E gjithë kjo sepse e vërteta ishte e çmuar për të dhe e bëri që t’ia vinte veshin drejtimit të Jehovait e të vepronte me besim.
20. Cila ndihmë hyjnore na jepet kur e vëmë të vërtetën në vend të parë në jetën tonë?
20 Pavli bën thirrje: «Duke thënë të vërtetën, me anë të dashurisë le të rritemi në të gjitha gjërat në atë që është kreu, Krishti.» (Efesianëve 4:15) Po, e vërteta do të na sjellë lumturi të pakrahasueshme që tani, nëse e vëmë në vend të parë në jetën tonë dhe nëse lejojmë që Jehovai, me anë të frymës së tij të shenjtë, të na drejtojë hapat. Duhet të mos harrojmë, gjithashtu, mbështetjen e engjëjve të shenjtë në veprën tonë të ungjillëzimit. (Zbulesa 14:6, 7; 22:6) Sa të privilegjuar jemi që kemi këtë përkrahje në veprën që Jehovai na ka ngarkuar të bëjmë! Duke e mbajtur integritetin do të kemi mundësi ta lavdërojmë Jehovain, Perëndinë e së vërtetës, për gjithë përjetësinë. A mund të ketë ndonjë gjë më të çmuar se kjo?!—Gjoni 17:3.
Çfarë kemi mësuar?
• Përse shumë veta nuk e pranojnë të vërtetën?
• Si duhet t’i shohin të krishterët gjërat e botës së Satanait?
• Cili duhet të jetë qëndrimi ynë ndaj mbledhjeve dhe përse?
• Cilën përgjegjësi kemi për t’u kujdesur për veten frymësisht?
[Harta dhe figura në faqen 18]
(Për tekstin e formatuar, shih botimin)
DETI I MADH
Cezare
RRAFSHINA E SHARONIT
Jopë
Lida
Jerusalem
[Figura]
Pjetri ndoqi drejtimin hyjnor dhe korri bekime të papritura
[Burimi]
Harta: Mountain High Maps® Copyright © 1997 Digital Wisdom, Inc
[Figura në faqen 13]
Jezui dha dëshmi për të vërtetën
[Figura në faqen 15]
Ashtu si ushqimi fizik, ushqimi frymor është jetësor për mirëqenien tonë