ARTIKULLI I STUDIMIT 11
A je gati të pagëzohesh?
«Pagëzimi . . . po ju shpëton edhe ju.»—1 PJET. 3:21.
KËNGA 28 Të fitojmë miqësinë e Jehovait
PËRMBLEDHJEa
1. Çfarë duhet të bëjë dikush para se të nisë ndërtimin e një shtëpie?
IMAGJINO sikur dikush vendos të ndërtojë një shtëpi. E ka të qartë ç’lloj shtëpie dëshiron të ndërtojë. Por a duhet të dalë e të blejë menjëherë ca materiale dhe të nisë ndërtimin? Jo. Para se të fillojë punën, duhet të bëjë diçka të rëndësishme—të llogaritë sa do t’i kushtojë shtëpia. Pse? Sepse duhet të dijë në ka mjaft pará për ta mbaruar. Po ta llogaritë me kujdes koston që më parë, ka më shumë mundësi ta përfundojë me sukses shtëpinë e re.
2. Sipas Lukës 14:27-30, çfarë duhet të peshosh me kujdes para pagëzimit?
2 A të ka nxitur mirënjohja dhe dashuria për Jehovain që të mendosh të pagëzohesh? Nëse po, je para një vendimi të ngjashëm me atë të njeriut që dëshiron të ndërtojë një shtëpi. Në ç’kuptim? Mendo për atë që tha Jezui te Luka 14:27-30. (Lexoje.) Jezui po shpjegonte se të jesh dishepull i tij, do të thotë të jesh i gatshëm të pranosh «shpenzimet» ose koston që përfshin kjo—vështirësitë dhe sakrificat. (Luka 9:23-26; 12:51-53) Prandaj, para se të pagëzohesh, duhet të peshosh me kujdes gjithçka që përfshihet. Kështu do të jesh më i përgatitur të vazhdosh t’i shërbesh Perëndisë me besnikëri si Dëshmitar i pagëzuar.
3. Çfarë do të shqyrtojmë në këtë artikull?
3 A ia vlen kostoja që kërkohet për të qenë dishepull i Krishtit? Pa diskutim që po! Pagëzimi u çel rrugën bekimeve të panumërta, sot e në të ardhmen. Të shqyrtojmë tani disa pyetje të rëndësishme për pagëzimin. Kjo do të të ndihmojë t’i përgjigjesh pyetjes kryesore: «A jam gati të pagëzohem?»
ÇFARË DUHET TË DISH PËR KUSHTIMIN E PAGËZIMIN
4. (a) Çfarë është kushtimi? (b) Ç’do të thotë ‘të mohosh’ veten, siç lexojmë te Mateu 16:24?
4 Çfarë është kushtimi? Para se të pagëzohesh, duhet t’i kushtohesh Jehovait. Këtë kushtim e bën duke i thënë në një lutje të zjarrtë se do ta përdorësh jetën për t’i shërbyer përgjithmonë. Kur i kushtohesh Perëndisë, ‘mohon’ veten. (Lexo Mateun 16:24.) Pas kësaj ti i përket Jehovait, e ky është një privilegj i jashtëzakonshëm. (Rom. 14:8) Po i thua Perëndisë se, që nga ky moment, gjëja kryesore për ty është t’i shërbesh atij, jo të kënaqësh veten. Kushtimi është një betim—një premtim solemn që i bën Perëndisë. Jehovai nuk na detyron ta bëjmë këtë zotim. Por kur e bëjmë zotimin, ai pret ta mbajmë.—Psal. 116:12, 14.
5. Si lidhet kushtimi me pagëzimin?
5 Si lidhet kushtimi me pagëzimin? Kushtimi është diçka personale, vetëm mes teje dhe Jehovait. Kurse pagëzimi është publik dhe bëhet në sy të të tjerëve, zakonisht në një asamble a kongres. Kur pagëzohesh, u tregon të tjerëve se tashmë i je kushtuar Jehovait.b Kështu tregon se e do Jehovain, Perëndinë tënd, me gjithë zemrën, shpirtin, mendjen e forcën dhe se je i vendosur t’i shërbesh përgjithmonë.—Mar. 12:30.
6-7. Sipas 1 Pjetrit 3:18-22, cilat janë dy arsye pse është e nevojshme të pagëzohesh?
6 A është vërtet e nevojshme të pagëzohesh? Mendo për atë që thuhet te 1 Pjetrit 3:18-22. (Lexoje.) Ashtu siç ishte arka provë e dukshme e besimit të Noesë, pagëzimi yt është provë e qartë se i je kushtuar Jehovait. Por, a është vërtet e nevojshme të pagëzohesh? Po. Pjetri shpjegoi arsyet pse. Së pari, ai tha se pagëzimi «po ju shpëton». Pagëzimi mund të na shpëtojë nëse me veprimet tona tregojmë se kemi besim te Jezui dhe jemi të bindur që vdiq për ne, u ringjall në qiell dhe tani është «në të djathtën e Perëndisë».
7 Së dyti, falë pagëzimit fitojmë një «ndërgjegje të mirë». Kur i kushtohemi Perëndisë dhe pagëzohemi, nis një marrëdhënie e veçantë mes nesh e tij. Ngaqë jemi penduar sinqerisht dhe kemi besim te shpërblesa, Perëndia na i fal mëkatet. Si rezultat, kemi një ndërgjegje të mirë para tij.
8. Cila duhet të jetë arsyeja pse vendos të pagëzohesh?
8 Cila duhet të jetë arsyeja pse vendos të pagëzohesh? Falë studimit të kujdesshëm të Biblës, ke mësuar shumë për Jehovain—për personalitetin e për udhët e tij. Ajo që ke mësuar, ta ka ngrohur zemrën dhe të ka mbushur me dashuri për të. Dashuria për Jehovain duhet të jetë arsyeja kryesore pse vendos të pagëzohesh.
9. Ç’do të thotë të pagëzohesh në emër të Atit, të Birit e të frymës së shenjtë, siç lexojmë te Mateu 28:19, 20?
9 Një arsye tjetër që të shtyn ta marrësh këtë vendim, është se ke pranuar të vërtetat e Biblës. Mendo çfarë tha Jezui kur dha urdhrin «bëni dishepuj». (Lexo Mateun 28:19, 20.) Sipas Jezuit, ata që pagëzohen, duhet ta bëjnë këtë «në emër të Atit, të Birit e të frymës së shenjtë». Ç’donte të thoshte? Duhet t’i besosh me gjithë zemër të vërtetat e Biblës për Jehovain, për Birin e tij, Jezuin, dhe për frymën e shenjtë. Këto të vërteta kanë shumë fuqi e mund të të prekin thellë në zemër. (Hebr. 4:12) Le të ndalemi te disa prej tyre.
10-11. Cilat të vërteta për Atin ke mësuar e ke pranuar?
10 Mendo si u ndjeve kur mësove këto të vërteta për Atin: ai ‘e ka emrin Jehova’, është «Më i Larti në mbarë tokën» dhe vetëm ai është «Perëndia i vërtetë». (Psal. 83:18; Isa. 37:16) Gjithashtu është Krijuesi ynë, dhe ‘shpëtimi i përket veç Jehovait’. (Psal. 3:8; 36:9) Ati ynë ka marrë masa të na shpëtojë nga mëkati e vdekja dhe na ka dhënë shpresën të jetojmë pafundësisht. (Gjoni 17:3) Kushtimi dhe pagëzimi do të të identifikojnë si Dëshmitar të Jehovait. (Isa. 43:10-12) Do të jesh pjesë e një familjeje mbarëbotërore me adhurues të Jehovait, që janë krenarë të mbajnë emrin e tij dhe t’u flasin të tjerëve për të.—Psal. 86:12.
11 Sa privilegj i madh të kuptosh çfarë mëson Bibla për Atin! Kur i përqafon këto të vërteta të çmuara, zemra të shtyn t’i kushtohesh Jehovait dhe të pagëzohesh.
12-13. Cilat të vërteta për Birin ke mësuar e ke pranuar?
12 Mendo edhe si reagove kur mësove këto të vërteta për Birin: Jezui është personi i dytë më i rëndësishëm në univers. Është ai që dha me gatishmëri jetën për ne si shpërblesë. Kur me veprimet tona tregojmë se kemi besim te shpërblesa, mund të na falen mëkatet, të zhvillojmë miqësi me Perëndinë dhe të fitojmë jetën e përhershme. (Gjoni 3:16) Jezui është Kryeprifti ynë, ndaj dëshiron të na ndihmojë të nxjerrim dobi nga shpërblesa dhe të kemi miqësi të ngushtë me Perëndinë. (Hebr. 4:15; 7:24, 25) Si Mbret i Mbretërisë së Perëndisë, Jezui është ai që do të përdorë Jehovai për të shenjtëruar emrin e Tij, për t’i dhënë fund ligësisë e për të sjellë së shpejti bekime të përhershme në Parajsë. (Mat. 6:9, 10; Zbul. 11:15) Jezui është modeli ynë. (1 Pjet. 2:21) Ai e përdori jetën për të bërë vullnetin e Perëndisë, e kështu na la një shembull.—Gjoni 4:34.
13 Kur i pranon ato që mëson Bibla për Jezuin, të shtohet dashuria për Birin e shtrenjtë të Perëndisë. Kjo dashuri të nxit ta përdorësh jetën për të bërë vullnetin e Perëndisë, ashtu si Jezui. Si rezultat, zemra të shtyn t’i kushtohesh Jehovait e të pagëzohesh.
14-15. Cilat të vërteta për frymën e shenjtë ke mësuar e ke pranuar?
14 Kujto çfarë mendove kur mësove këto të vërteta për frymën e shenjtë: nuk është person, por forca vepruese e Perëndisë. Jehovai e përdori frymën e shenjtë për të frymëzuar njerëz të shkruanin Biblën, dhe fryma na ndihmon t’i kuptojmë e t’i zbatojmë ato që lexojmë në Shkrime. (Gjoni 14:26; 2 Pjet. 1:21) Me anë të frymës së tij, Jehovai na jep ‘fuqi përtej asaj që është normale’. (2 Kor. 4:7) Fryma na jep forcën të predikojmë lajmin e mirë, të luftojmë tundimet, të përballojmë shkurajimin dhe t’ia dalim mbanë në sprova. Na ndihmon edhe të shfaqim cilësitë e bukura që përbëjnë ‘frytin’ e saj. (Gal. 5:22) Perëndia ua jep me bujari frymën e shenjtë atyre që kanë besim tek ai dhe që ia kërkojnë sinqerisht në lutje.—Luka 11:13.
15 Sa forcë e zemër marrim kur e dimë se adhuruesit e Jehovait kanë ndihmën e frymës së shenjtë për t’i shërbyer atij! Kur i pranon të vërtetat që ke mësuar për frymën e shenjtë, ndien dëshirën t’ia kushtosh jetën Perëndisë e të pagëzohesh.
16. Çfarë ke mësuar deri tani në këtë artikull?
16 Kur merr vendimin t’i kushtohesh Perëndisë e të pagëzohesh, hedh një hap të rëndësishëm. Siç e pamë, duhet të jesh i gatshëm të pranosh «shpenzimet» që përfshihen—vështirësitë dhe sakrificat. Gjithsesi, bekimet janë ku e ku më të mëdha. Pagëzimi mund të të shpëtojë dhe të jep mundësinë të kesh një ndërgjegje të mirë para Perëndisë. Arsyeja kryesore pse vendos të pagëzohesh, duhet të jetë dashuria për Perëndinë Jehova. Gjithashtu duhet t’i besosh me gjithë zemër të vërtetat që ke mësuar për Atin, për Birin e për frymën e shenjtë. Pas shqyrtimit të pikave që kemi parë deri tani, si do t’i përgjigjeshe pyetjes: «A jam gati të pagëzohem?»
ÇFARË DUHET TË BËSH PARA PAGËZIMIT
17. Cilët janë disa hapa që çojnë drejt pagëzimit?
17 Nëse mendon se je gati të pagëzohesh, pa dyshim që ke hedhur tashmë disa hapa për të pasur një marrëdhënie të mirë me Jehovain.c Falë studimit të rregullt të Biblës, ke mësuar shumë për Jehovain dhe Jezuin. Veç kësaj ke zhvilluar besim. (Hebr. 11:6) Beson plotësisht te premtimet e Jehovait që gjenden në Bibël dhe je i bindur se besimi te flijimi i Jezuit mund të të shpëtojë nga mëkati e vdekja. Ndien pendim ose keqardhje të thellë për gabimet e së kaluarës dhe i ke kërkuar falje Jehovait. Ke kthyer rrugë, pra, i ke kthyer shpinën me vendosmëri jetës së keqe që bëje dikur dhe ke filluar të jetosh në një mënyrë që kënaq Perëndinë. (Vep. 3:19) Mezi pret t’u flasësh të tjerëve për besimin tënd. U kualifikove të bëheshe lajmëtar i papagëzuar dhe nise të predikoje me kongregacionin. (Mat. 24:14) Jehovai ndihet krenar për ty dhe i bëhet zemra mal që ke hedhur këta hapa të rëndësishëm.—Prov. 27:11.
18. Ç’duhet të bësh tjetër para se të pagëzohesh?
18 Para se të pagëzohesh, është e nevojshme të bësh edhe disa gjëra të tjera. Siç e pamë më sipër, duhet t’i kushtohesh Perëndisë. Bëji një lutje personale nga thellësia e zemrës dhe premtoji se do ta përdorësh jetën për të bërë vullnetin e tij. (1 Pjet. 4:2) Pastaj thuaji koordinatorit të trupit të pleqve se dëshiron të pagëzohesh. Ai do t’u kërkojë disa pleqve të takohen me ty. Të lutemi, mos ji në ankth për takimin me ta. Mos harro se këta vëllezër të dashur të njohin tashmë dhe të duan. Ata do të shqyrtojnë me ty mësimet bazë të Biblës, që i njeh tashmë. Duan të sigurohen se i kupton këto mësime dhe se e di mirë sa rëndësi kanë kushtimi dhe pagëzimi. Nëse mendojnë që je gati, do të të njoftojnë se mund të pagëzohesh në asamblenë ose kongresin e radhës.
ÇFARË DUHET TË BËSH PAS PAGËZIMIT
19-20. Ç’duhet të bësh pas pagëzimit, dhe si mund ta bësh këtë?
19 Po pas pagëzimit, çfarë duhet të bësh?d Mos harro se kushtimi është një betim që Jehovai pret ta mbash. Prandaj pas pagëzimit duhet të jetosh në harmoni me kushtimin tënd. Si mund ta bësh këtë?
20 Lidhu ngushtë me kongregacionin. Si i krishterë i pagëzuar, tani je pjesë e një ‘vëllazërie’, dhe vëllezërit e motrat në kongregacion janë familja jote. (1 Pjet. 2:17, shën.) Duke ndjekur rregullisht mbledhjet, do ta forcosh miqësinë me ta. Lexo Fjalën e Perëndisë dhe medito për të çdo ditë. (Psal. 1:1, 2) Pasi të lexosh një pjesë nga Bibla, lër kohë ta bluash mirë në mendje. Atëherë fjalët e saj do të të futen në zemër. ‘Lutu vazhdimisht.’ (Mat. 26:41) Lutjet nga zemra do të të afrojnë më shumë me Jehovain. ‘Vazhdo të kërkosh në radhë të parë Mbretërinë.’ (Mat. 6:33) Këtë mund ta bësh duke i dhënë përparësi në jetë veprës së predikimit. Kur del rregullisht në shërbim, e mban besimin të fortë dhe mund t’i ndihmosh të tjerët të kenë shpresën të jetojnë përgjithmonë.—1 Tim. 4:16.
21. Për çfarë do të të hapë rrugën pagëzimi?
21 Vendimi që t’i kushtohesh Jehovait dhe të pagëzohesh, është vendimi më i rëndësishëm që do të marrësh në jetë. Edhe pse ka një kosto, a ia vlen ta paguash? Pa diskutim! Çdo vështirësi që mund të hasësh në këtë botë të vjetër është ‘kalimtare dhe e lehtë’. (2 Kor. 4:17) Kurse pagëzimi të hap rrugën të gëzosh një jetë më të bukur e më të lumtur sot dhe «jetën e vërtetë» në të ardhmen. (1 Tim. 6:19) Prandaj bëj çmos të lutesh e ta peshosh mirë përgjigjen që do t’i japësh pyetjes: «A jam gati të pagëzohem?»
KËNGA 50 Lutja ime e kushtimit
a A po mendon të pagëzohesh? Nëse po, ky artikull është përgatitur enkas për ty. Do të shqyrtojmë dy pyetje thelbësore për këtë temë të rëndësishme. Përgjigjet që jep, do të të ndihmojnë të vendosësh nëse je gati të pagëzohesh.
b Shih kutinë «Dy pyetje që u jep përgjigje ditën e pagëzimit».
d Nëse nuk e ke përfunduar studimin e librave Çfarë na mëson Bibla? dhe ‘Ruaj veten në dashurinë e Perëndisë’, duhet të vazhdosh të studiosh me një mësues të Biblës derisa t’i mbarosh të dy librat.