‘Mësojuni të zbatojnë të gjitha gjërat që ju kam urdhëruar’
«Shkoni, pra, dhe bëni dishepuj . . . , duke u mësuar të zbatojnë të gjitha gjërat që ju kam urdhëruar.»—MATEU 28:19, 20.
1. Cila bisedë u bë mes dishepullit Filip dhe një burri nga Etiopia?
BURRI nga Etiopia kishte bërë një udhëtim të gjatë për në Jerusalem. Atje adhuroi Perëndinë që donte, Jehovain. Me sa dukej ai donte edhe Fjalën e frymëzuar të Perëndisë. Teksa kthehej në vendin e vet me karrocën e tij, po lexonte një kopje të shkrimeve të profetit Isaia kur e takoi Filipi, një dishepull i Krishtit. Filipi e pyeti etiopasin: «A e kupton vërtet atë që po lexon?» Ky u përgjigj: «Si do të mundja, nëse dikush nuk më drejton?» Atëherë Filipi e ndihmoi këtë student të sinqertë të Shkrimeve që të bëhej dishepull i Krishtit.—Veprat 8:26-39.
2. (a) Në ç’kuptim ishte me domethënie të veçantë përgjigjja që dha etiopasi? (b) Cilat pyetje do të shqyrtojmë lidhur me urdhrin e Krishtit për të bërë dishepuj?
2 Përgjigjja e etiopasit është me domethënie të veçantë. Ai tha: «Si do të mundja, nëse dikush nuk më drejton?» Po, ai kishte nevojë për dikë që ta drejtonte që të kuptonte atë që po lexonte. Këto fjalë ilustrojnë në vetvete rëndësinë e një urdhri specifik që dha Jezui kur ngarkoi detyrën për të bërë dishepuj. Cili ishte ky urdhër? Për ta gjetur përgjigjen, le të vazhdojmë të shqyrtojmë fjalët e Jezuit që gjenden në kapitullin e 28-të të Mateut. Artikulli i mëparshëm përqendrohej te pyetjet pse dhe ku. Tani do të shqyrtojmë dy pyetje të tjera që lidhen me urdhrin e Krishtit për të bërë dishepuj: çfarë dhe kur.
‘Mësojuni të zbatojnë të gjitha gjërat’
3. (a) Si bëhet një njeri dishepull i Jezu Krishtit? (b) Çfarë duhet t’u mësojmë njerëzve që të bëhen dishepuj?
3 Çfarë duhet t’u mësojmë të tjerëve që t’i ndihmojmë të bëhen dishepuj të Krishtit? Jezui i urdhëroi ithtarët e tij: «Shkoni, pra, dhe bëni dishepuj nga njerëz të të gjitha kombeve, duke i pagëzuar në emër të Atit, të Birit dhe të frymës së shenjtë, duke u mësuar të zbatojnë të gjitha gjërat që ju kam urdhëruar.» (Mateu 28:19, 20) Pra, ne duhet t’u mësojmë njerëzve gjërat që na urdhëroi Krishti.a Megjithatë, çfarë mund të bëjmë për t’u siguruar që një individ të cilit po i mësojmë urdhërimet e Jezuit, jo vetëm të bëhet dishepull, por edhe të vazhdojë të mbetet i tillë? Një pikë e rëndësishme theksohet në fjalët e zgjedhura me kujdes që tha Jezui. Vini re: ai nuk tha thjesht ‘mësojuni të gjitha gjërat që ju kam urdhëruar’, por ‘mësojuni të zbatojnë të gjitha gjërat që ju kam urdhëruar’. (Mateu 19:17) Çfarë përfshin kjo?
4. (a) Çfarë do të thotë të zbatosh një urdhër? (b) Ilustroni se si e mësojmë dikë që të zbatojë urdhërimet e Krishtit.
4 Të zbatosh një urdhër do të thotë të veprosh sipas urdhrit, t’i bindesh atij urdhri, ta vësh në jetë. Atëherë, si e mësojmë dikë që të zbatojë ose t’u bindet gjërave që urdhëroi Krishti? Po ja, mendoni për mënyrën se si instruktori në një kurs shoferësh i mëson kursantët që të zbatojnë rregullat e trafikut. Instruktori mund t’ua mësojë në klasë këto rregulla kursantëve. Gjithsesi, për t’i mësuar që t’u binden këtyre rregullave, duhet t’i udhëzojë kursantët kur ata ngasin vetë makinën dhe përpiqen të vënë në jetë gjërat që kanë mësuar. Po kështu, kur studiojmë Biblën me njerëzit, ne u mësojmë urdhërimet e Krishtit. Megjithatë duhet edhe që t’i drejtojmë studentët teksa përpiqen të zbatojnë urdhërimet e Krishtit në jetën e përditshme dhe në shërbim. (Gjoni 14:15; 1 Gjonit 2:3) Pra, të përmbushim plotësisht urdhrin e Krishtit për të bërë dishepuj kërkon edhe t’u mësojmë studentëve urdhërimet e Jezuit, edhe t’i drejtojmë se si t’i zbatojnë ato. Në këtë mënyrë imitojmë shembullin që la Jezui dhe vetë Jehovai.—Psalmi 48:14; Zbulesa 7:17.
5. Pse një individ me të cilin studiojmë Biblën mund të ngurrojë t’i bindet urdhrit të Krishtit për të bërë dishepuj?
5 T’i mësojmë të tjerët që të zbatojnë urdhërimet e Jezuit përfshin edhe që t’i ndihmojmë t’i binden urdhrit për të bërë dishepuj. Disave me të cilët studiojmë Biblën kjo mund t’u duket një detyrë e vështirë. Edhe nëse ndoshta më parë ishin pjesëtarë aktivë të ndonjë kishe të të ashtuquajturit krishterim, ka të ngjarë që ish-mësuesit e tyre fetarë nuk u kanë mësuar ndonjëherë që të shkojnë e të bëjnë dishepuj. Disa udhëheqës fetarë e pranojnë haptazi se kishat e të ashtuquajturit krishterim kanë dështuar plotësisht që ta mësojnë kopenë e tyre të ungjillëzojë. Duke komentuar për urdhrin e Jezuit që të shkojnë te njerëzit dhe të ndihmojnë çdo lloj individi që të bëhet dishepull, studiuesi biblik Xhon R. U. Stot tha: «Mosbindja ndaj asaj që përfshin ky urdhër është dobësia më e madhe e të krishterëve evangjelistë në fushën e ungjillëzimit sot.» Ai shtoi: «Ne kemi prirjen për ta shpallur mesazhin duke qëndruar në distancë. Disa herë dukemi si ata njerëz që i japin me zë të lartë këshilla njerëzve që po mbyten, duke qëndruar vetë në breg. Nuk hidhemi në ujë për t’i shpëtuar. Kemi frikë se mos lagemi.»
6. (a) Si mund të imitojmë shembullin e Filipit kur ndihmojmë një student të Biblës? (b) Si mund të tregojmë interesimin tonë kur një student i Biblës fillon të marrë pjesë në veprën e predikimit?
6 Në qoftë se ai me të cilin studiojmë Biblën më parë bënte pjesë në një fe ku pjesëtarët ‘kanë frikë se mos lagen’, mund ta ketë të vështirë të kapërcejë, si të thuash, frikën nga uji dhe t’i bindet urdhrit të Krishtit për të bërë dishepuj. Ka nevojë për ndihmë. Prandaj duhet të jemi të durueshëm ndërsa i japim atë lloj mësimi dhe drejtimi që ia thellon kuptueshmërinë dhe e nxit të veprojë, pikërisht ashtu si mësimet e Filipit e ndihmuan etiopasin që të kishte më shumë kuptueshmëri dhe e nxitën të pagëzohej. (Gjoni 16:13; Veprat 8:35-38) Gjithashtu, dëshira për t’i mësuar studentët e Biblës që të zbatojnë urdhrin për të bërë dishepuj na nxit që të jemi përkrah tyre për t’i drejtuar kur bëjnë hapat e para për të predikuar Mbretërinë.—Predikuesi (Eklisiastiu) 4:9, 10; Luka 6:40.
«Të gjitha gjërat»
7. Cilat urdhra duhet t’u mësojmë të tjerëve si pjesë e mësimdhënies që «të zbatojnë të gjitha gjërat»?
7 Ne nuk mjaftohemi vetëm duke i mësuar dishepujt e rinj që të bëjnë dishepuj të tjerë. Jezui na urdhëroi t’i mësojmë të tjerët që «të zbatojnë të gjitha gjërat» që urdhëroi. Kjo sigurisht përfshin dy urdhërimet më të mëdha: të duan Perëndinë dhe të duan të afërmin. (Mateu 22:37-39) Si mund ta mësojmë një dishepull të ri që të zbatojë këto dy urdhërime?
8. Ilustroni se si mund t’i mësohet një dishepulli të ri urdhërimi për të shfaqur dashuri.
8 Mendoni përsëri për ilustrimin e kursantit që po mëson makinën. Ndërsa kursanti e nget makinën duke pasur instruktorin pranë, mëson jo vetëm duke dëgjuar instruktorin, por edhe duke parë shoferët e tjerë. Për shembull, instruktori mund t’i drejtojë vëmendjen te një shofer që me mirësjellje lejon të parakalojë një tjetër, te një shofer që me mirësjellje i fik dritat e gjata që të mos i verbojë ata që i vijnë përballë ose te një shofer që ofrohet të ndihmojë një të njohur të cilit i është prishur makina. Këta shembuj i ngulitin kursantit mësime të vlefshme që mund t’i zbatojë kur të ngasë makinën. Në të njëjtën mënyrë një dishepull i ri që ecën në udhën e jetës mëson jo vetëm nga mësuesi i tij, por edhe nga shembujt e shkëlqyer që sheh në kongregacion.—Mateu 7:13, 14.
9. Si mëson një dishepull i ri se ç’do të thotë të zbatojë urdhërimin për të shfaqur dashuri?
9 Për shembull, një student i Biblës mund të vëzhgojë një prind të vetëm që bën shumë përpjekje për të ardhur në Sallën e Mbretërisë bashkë me fëmijët e vegjël. Studenti mund të shohë një shpirt të dëshpëruar që me besnikëri vjen në mbledhje me gjithë betejën që ka kundër depresionit; një vejushë të moshuar që shoqëron të moshuar të tjerë në çdo mbledhje të kongregacionit ose një adoleshent që ndihmon në pastrimin e Sallës së Mbretërisë. Studenti i Biblës mund të vërë re një plak kongregacioni që me besnikëri merr drejtimin në shërbim, me gjithë përgjegjësitë e shumta në kongregacion. Mund të takojë një Dëshmitar që është i gjymtuar dhe i izoluar në shtëpi, por që është burim inkurajimi frymor për të gjithë ata që e vizitojnë. Studenti mund të vërejë një çift që po bën ndryshime rrënjësore në jetë për t’u kujdesur për prindërit e moshuar. Duke vërejtur këta të krishterë mirëdashës, të kujdesshëm dhe të besueshëm, dishepulli i ri mëson me anë të shembujve se ç’do të thotë t’i bindet urdhërimit të Jezuit për të dashur Perëndinë dhe të afërmin, e sidomos bashkëbesimtarët. (Fjalët e urta [Proverbat] 24:32; Gjoni 13:35; Galatasve 6:10; 1 Timoteut 5:4, 8; 1 Pjetrit 5:2, 3) Kështu çdo pjesëtar i kongregacionit të krishterë mund dhe duhet t’i mësojë e t’i drejtojë të tjerët.—Mateu 5:16.
«Deri në përfundimin e sistemit»
10. (a) Deri kur do të vazhdojmë të bëjmë dishepuj? (b) Çfarë shembulli la Jezui për sa i përket kryerjes së detyrës që na është ngarkuar?
10 Deri kur duhet të vazhdojmë në veprën e bërjes së dishepujve? Deri në përfundimin e sistemit. (Mateu 28:20) A do të jemi në gjendje ta përmbushim këtë veçori të detyrës që na ngarkoi Jezui? Si një kongregacion mbarëbotëror jemi të vendosur që ta bëjmë këtë. Në vitet e kaluara kemi përdorur me gëzim kohën, energjinë dhe burimet tona për të gjetur ata që janë «të prirur drejt jetës së përhershme». (Veprat 13:48) Tani Dëshmitarët e Jehovait çdo ditë kalojnë mesatarisht më tepër se tre milionë orë në veprën e predikimit të Mbretërisë dhe të bërjes së dishepujve anembanë botës. Veprojmë kështu sepse ndjekim shembullin e Jezuit. Ai tha: «Ushqimi im është të bëj vullnetin e atij që më dërgoi dhe të përfundoj veprën e tij.» (Gjoni 4:34) Kjo është edhe dëshira e zemrës sonë. (Gjoni 20:21) Nuk duam vetëm sa ta fillojmë veprën që na është besuar, por duam edhe ta përfundojmë.—Mateu 24:13; Gjoni 17:4.
11. Çfarë ka ndodhur me disa vëllezër të krishterë dhe motra të krishtere? Cilën pyetje duhet t’i bëjmë vetes?
11 Megjithatë trishtohemi kur shohim që disa bashkëbesimtarë janë dobësuar frymësisht dhe si pasojë i kanë ngadalësuar hapat ose nuk i janë bindur më urdhrit të Krishtit për të bërë dishepuj. A ka ndonjë mënyrë për t’i ndihmuar që të shoqërohen përsëri me kongregacionin dhe të rifillojnë të marrin pjesë në bërjen e dishepujve? (Romakëve 15:1; Hebrenjve 12:12) Mënyra se si i ndihmoi Jezui apostujt kur ishin përkohësisht në një gjendje frymore të dobët tregon se çfarë mund të bëjmë sot.
Të interesohemi
12. (a) Çfarë bënë apostujt pak kohë përpara vdekjes së Jezuit? (b) Si i trajtoi Jezui apostujt megjithëse shfaqën dobësi serioze?
12 Nga fundi i shërbimit të Jezuit në tokë, kur po afrohej vdekja e tij, apostujt «e braktisën dhe ikën». Siç e kishte parathënë Jezui, ata ‘u shpërndanë secili në shtëpinë e vet’. (Marku 14:50; Gjoni 16:32) Si i trajtoi Jezui shokët e tij që ishin dobësuar frymësisht? Pak kohë pas ringjalljes, Jezui u tha ithtarëve të tij: «Mos kini frikë! Shkoni, çojuani lajmin vëllezërve të mi, që të shkojnë në Galile dhe atje do të më shohin.» (Mateu 28:10) Ndonëse apostujt kishin shfaqur dobësi serioze, prapëseprapë Jezui i quajti ‘vëllezërit e mi’. (Mateu 12:49) Ai nuk e kishte humbur besimin tek ata. Në këtë mënyrë Jezui u tregua i mëshirshëm dhe i gatshëm për të falur, ashtu si Jehovai është i mëshirshëm dhe i gatshëm për të falur. (2 Mbretërve 13:23) Si mund ta imitojmë Jezuin?
13. Si duhet t’i shohim ata që janë bërë të dobët frymësisht?
13 Duhet të interesohemi thellësisht për ata që i kanë ngadalësuar hapat ose nuk marrin më pjesë në shërbim. Ne kujtojmë ende veprat e dashurisë që këta bashkëbesimtarë kanë kryer në të kaluarën, disa ndoshta kanë shërbyer për dhjetëra vite. (Hebrenjve 6:10) E ndiejmë vërtet mungesën e shoqërisë së tyre. (Luka 15:4-7; 1 Selanikasve 2:17) Por, si ta shprehim interesimin për ta?
14. Si mund ta ndihmojmë një të dobët frymësisht ashtu siç bëri Jezui?
14 Jezui u tha apostujve zemërlëshuar që të shkonin në Galile dhe atje do ta shihnin. Në fakt Jezui i ftoi që të merrnin pjesë në një mbledhje të veçantë. (Mateu 28:10) Në mënyrë të ngjashme, ne i nxitim ata që janë të dobët frymësisht që të ndjekin mbledhjet e kongregacionit të krishterë dhe ndoshta duhet t’i nxitim për këtë më shumë se një herë. Në rastin e apostujve ftesa solli fryt, sepse «njëmbëdhjetë dishepujt shkuan në Galile, në malin që u kishte caktuar Jezui». (Mateu 28:16) Ç’gëzim që ndiejmë kur ata që janë të dobët frymësisht u përgjigjen në të njëjtën mënyrë ftesave tona të ngrohta dhe rifillojnë të ndjekin mbledhjet e krishtere!—Luka 15:6.
15. Si mund të ndjekim shembullin e Jezuit për të mirëpritur të dobëtit frymësisht që vijnë në mbledhje?
15 Si do të reagojmë kur një i krishterë i dobët frymësisht vjen në Sallën e Mbretërisë? E pra, çfarë bëri Jezui kur i pa apostujt, besimi i të cilëve ishte dobësuar përkohësisht, në vendin e caktuar të mbledhjes? «Jezui u afrua dhe u foli.» (Mateu 28:18) Ai nuk u hodhi vetëm një vështrim nga larg, por shkoi tek ta. Mendoni sa të lehtësuar duhet të jenë ndier apostujt kur Jezui shkoi i pari tek ata! Le të jemi edhe ne të parët e t’i mirëpresim me ngrohtësi të dobëtit frymësisht që bëjnë përpjekjen për t’u rikthyer në kongregacionin e krishterë.
16. (a) Çfarë mund të mësojmë nga mënyra se si i trajtoi Jezui ithtarët e tij? (b) Si mund të pasqyrojmë pikëpamjen që kishte Jezui për të dobëtit frymësisht? (Shih shënimin.)
16 Ç’gjë tjetër bëri Jezui? Së pari ai bëri një njoftim: «Çdo autoritet më është dhënë.» Së dyti caktoi një detyrë: «Shkoni, pra, dhe bëni dishepuj.» Së treti bëri një premtim: «Unë jam me ju gjithë ditët.» Por, a e vutë re se çfarë nuk bëri Jezui? Nuk i qortoi dishepujt për të metat dhe dyshimet që shfaqën. (Mateu 28:17) A qe e efektshme mënyra se si veproi? Po. Shumë shpejt apostujt përsëri ‘po mësonin dhe po shpallnin lajmin e mirë’. (Veprat 5:42) Duke ndjekur shembullin e Jezuit se si t’i shohim dhe t’i trajtojmë të dobëtit frymësisht, edhe ne mund të presim rezultate të tilla inkurajuese në kongregacionin tonë.b—Veprat 20:35.
«Unë jam me ju gjithë ditët»
17, 18. Cilat mendime forcuese gjenden në fjalët e Jezuit «unë jam me ju gjithë ditët»?
17 Fjalët përfundimtare të Jezuit «unë jam me ju gjithë ditët», të cilat i tha kur u ngarkoi detyrën dishepujve, përcjellin një mendim forcues për të gjithë ata që përpiqen të përmbushin urdhrin e Krishtit për të bërë dishepuj. Çfarëdo kundërshtimi që armiqtë mund të shkaktojnë kundër veprës së predikimit të Mbretërisë dhe çfarëdolloj shpifjesh që të thonë kundër nesh, nuk kemi arsye për të pasur frikë. Pse jo? Jezui, Udhëheqësi ynë, i cili ka ‘çdo autoritet në qiell dhe në tokë’, është me ne për të na mbështetur.
18 Premtimi i Jezuit «unë jam me ju gjithë ditët» është gjithashtu një burim i madh ngushëllimi. Teksa përpiqemi të zbatojmë urdhrin e Krishtit për të bërë dishepuj, përjetojmë jo vetëm ditë gëzimi, por edhe ditë trishtimi. (2 Kronikave 6:29) Disa prej nesh përjetojnë kohë me pikëllim si pasojë e vdekjes së një njeriu të dashur. (Zanafilla 23:2; Gjoni 11:33-36) Të tjerë po përballojnë problemet e moshës së thyer, kur shëndeti dhe fuqitë bien. (Predikuesi 12:1-6) Disa të tjerë kalojnë periudha gjatë të cilave i mbytin ndjenjat e depresionit. (1 Selanikasve 5:14) Kurse një numër gjithnjë e më i madh prej nesh po lufton me vështirësitë e mëdha ekonomike. Megjithatë, pavarësisht nga këto situata të vështira, ia dalim mbanë në shërbimin tonë, sepse Jezui është me ne «gjithë ditët», duke përfshirë këtu edhe ditët më të errëta të jetës sonë.—Mateu 11:28-30.
19. (a) Çfarë udhëzimesh përfshihen në detyrën që ngarkoi Jezui për të bërë dishepuj? (b) Ç’gjë na ndihmon ta kryejmë detyrën që na ngarkoi Krishti?
19 Siç e kemi parë në këtë artikull dhe në artikullin e mëparshëm, detyra që ngarkoi Jezui për të bërë dishepuj përfshin shumë gjëra. Jezui na tha pse dhe ku duhet ta përmbushim këtë urdhër. Gjithashtu, na tha se çfarë duhet t’u mësojmë të tjerëve dhe deri kur duhet ta bëjmë këtë. Vërtet është e vështirë ta përmbushim këtë detyrë madhështore. Por duke pasur përkrah nesh Krishtin që ka çdo autoritet dhe që na mbështet, mund ta kryejmë këtë detyrë. A nuk jeni dakord?
[Shënimet]
a Një vepër referimi thekson se Jezui nuk tha ‘duke i pagëzuar dhe duke u mësuar’, por «duke i pagëzuar . . . duke u mësuar». Prandaj veprimet që përfshihen në urdhrin për të pagëzuar dhe për të mësuar «nuk janë në kuptimin e ngushtë të fjalës . . . dy veprime të njëpasnjëshme». Përkundrazi, «mësimdhënia është një proces i vazhdueshëm, i cili pjesërisht i paraprin pagëzimit . . . dhe pjesërisht vazhdon edhe pas pagëzimit».
b Informacione të mëtejshme se si t’i shohim dhe si t’i ndihmojmë të dobëtit frymësisht gjenden në Kullën e Rojës 1 shkurt 2003, faqet 15-18.
Si do të përgjigjeshit?
• Si i mësojmë të tjerët që të zbatojnë gjërat që urdhëroi Jezui?
• Çfarë mësimesh mund të nxjerrë një dishepull i ri nga të tjerët në kongregacion?
• Çfarë mund të bëjmë për të ndihmuar ata që janë dobësuar frymësisht?
• Çfarë force dhe ngushëllimi marrim nga premtimi i Jezuit «unë jam me ju gjithë ditët»?
[Figurat në faqen 15]
Duhet që edhe t’i mësojmë, edhe t’i drejtojmë të tjerët
[Figurat në faqen 17]
Një dishepull i ri nxjerr mësime të vlefshme nga shembulli që lënë të tjerët