Kushtoji vëmendje të vazhdueshme mësimdhënies sate
«Kushtoji vëmendje të vazhdueshme vetes dhe mësimdhënies sate. Qëndro në këto gjëra, sepse duke vepruar kështu, do të shpëtosh si veten, ashtu edhe ata që të dëgjojnë.»—1. TIMOTEUT 4:16, BR.
1, 2. Pse sot nevojiten me urgjencë mësues të zellshëm?
«SHKONI . . . dhe bëni dishepuj nga njerëz të të gjitha kombeve, . . . duke i mësuar të zbatojnë të gjitha gjërat që unë ju urdhërova.» (Mateu 28:19, 20, BR) Duke pasur parasysh këtë urdhër të Jezu Krishtit, të gjithë të krishterët duhet të përpiqen të bëhen mësues. Nevojiten mësues të zellshëm që t’i ndihmojnë njerëzit me zemër të sinqertë të marrin njohuri për Perëndinë, para se të jetë tepër vonë. (Gjoni 17:3; Romakëve 13:11) Apostulli Pavël bëri thirrje: «Prediko fjalën, jepu pas saj me urgjencë në stinë të favorshme dhe në stinë me telashe.» Kjo bën të nevojshme mësimdhënien si brenda, ashtu edhe jashtë kongregacionit. Në fakt, vetë urdhri për të predikuar përfshin më shumë se thjesht njoftimin e mesazhit të Perëndisë. Nevojitet një mësimdhënie e efektshme, nëse duam që njerëzit e interesuar të bëhen dishepuj.
2 Jetojmë në «kohë kritike të vështira». (2. Timoteut 3:1, BR) Filozofitë e botës dhe mësimet e rreme u kanë bërë njerëzve «shpëlarje truri». Shumë prej tyre janë «në errësirë mendërisht» dhe kanë «tejkaluar çdo kuptim moral». (Efesianëve 4:18, 19, BR) Disa kanë plagë të dhimbshme emocionale. Po, njerëzit janë me të vërtetë ‘të zhveshur dhe të hallakatur si dele pa bari’. (Mateu 9:36, BR) Megjithatë, duke përdorur artin e mësimdhënies, ne mund t’i ndihmojmë njerëzit me zemër të sinqertë që të bëjnë ndryshimet e nevojshme.
Mësues brenda kongregacionit
3. (a) Çfarë përfshin caktimi që dha Jezui për të mësuar? (b) Cilët kanë përgjegjësinë kryesore për të mësuar brenda kongregacionit?
3 Miliona njerëz po marrin arsimim në bazë individuale me anë të rregullimit të studimit biblik në shtëpi. Por pas pagëzimit të tyre, të rinjtë në të vërtetën kanë nevojë për ndihmë të mëtejshme, që të bëhen «të rrënjosur dhe të stabilizuar mbi themelin». (Efesianëve 3:17, BR) Ndërsa ne përmbushim urdhrin e Jezuit, të paraqitur në Mateun 28:19, 20 dhe i drejtojmë të rinjtë te organizata e Jehovait, ata nxjerrin dobi nga mësimdhënia që bëhet brenda kongregacionit. Sipas Efesianëve 4:11-13, burrat janë emëruar për të shërbyer «si barinj dhe si mësues, me synimin për ndreqjen e të shenjtëve, për veprën e shërbesës, për ndërtimin e trupit të Krishtit». (BR) Disa herë, arti i tyre i mësimdhënies përfshin nevojën për të ‘qortuar, për të hequr vërejtje, për të nxitur, me çdo shpirtmadhësi dhe art mësimdhënieje’. (2. Timoteut 4:2, BR) Puna e mësuesve ishte kaq e rëndësishme, saqë kur u shkroi korintasve, Pavli i radhiti mësuesit fill pas apostujve dhe profetëve.—1. Korintasve 12:28.
4. Si na ndihmon aftësia e mësimdhënies për t’iu bindur thirrjes së Pavlit, të paraqitur në Hebrenjve 10:24, 25?
4 Kuptohet, jo të gjithë të krishterët shërbejnë si pleq ose mbikëqyrës. Megjithatë, të gjithë janë të inkurajuar të nxitin njëri-tjetrin «në dashuri dhe në vepra të shkëlqyera». (Hebrenjve 10:24, 25, BR) Bërja e kësaj në mbledhje përfshin komentet e përgatitura mirë dhe të dhëna nga zemra, të cilat mund të ndërtojnë dhe të inkurajojnë të tjerët. Lajmëtarë të Mbretërisë me përvojë mund të ‘nxitin në vepra të shkëlqyera’ edhe duke ndarë njohurinë dhe përvojën e tyre me të rinjtë, kur punojnë me ta në shërbimin në fushë. Në raste të tilla si edhe në raste të tjera joformale, mund të jepet mësim i vlefshëm. Për shembull, grave të pjekura u bëhet thirrje të jenë «mësuese të asaj që është e mirë».—Titit 2:3, BR.
I bindur për të besuar
5, 6. (a) Çfarë kontrasti ka mes krishterimit të vërtetë dhe adhurimit të rremë? (b) Si i ndihmojnë pleqtë të rinjtë në të vërtetën për të marrë vendime të mençura?
5 Pra, krishterimi i vërtetë është krejtësisht në kontrast me fetë e rreme, shumë prej të cilave përpiqen të kontrollojnë mendimet e anëtarëve të tyre. Kur Jezui ishte në tokë, udhëheqësit fetarë kërkonin të kontrollonin pothuajse çdo aspekt të jetës së njerëzve me anë të traditave shtypëse, të bëra nga njeriu. (Luka 11:46) Kleri i të ashtuquajturit krishterim shpesh ka vepruar në mënyrë të ngjashme.
6 Por adhurimi i vërtetë është një «shërbim i shenjtë», të cilin ne e ofrojmë me «fuqinë [tonë] të arsyes». (Romakëve 12:1, BR) Shërbëtorët e Jehovait janë «bindur për të besuar». (2. Timoteut 3:14, BR) Disa herë, atyre që marrin drejtimin mund t’u duhet të japin disa udhëzime dhe të ndërmarrin disa procedura për funksionimin e mirë të kongregacionit. Megjithatë, në vend që të përpiqen të marrin vendime për bashkë të krishterët, pleqtë i mësojnë ata «të dallojnë si të drejtën, ashtu edhe të gabuarën». (Hebrenjve 5:14, BR) Këtë pleqtë e bëjnë kryesisht duke e ushqyer kongregacionin «me fjalët e besimit dhe të mësimit të shkëlqyer».—1. Timoteut 4:6, BR.
Kushtoji vëmendje mësimdhënies sate
7, 8. (a) Si mund të shërbejnë si mësues njerëzit me aftësi modeste? (b) Ç’gjë e tregon se për të qenë një mësues i efektshëm duhen përpjekje personale?
7 Por, le t’i kthehemi caktimit që kemi në përgjithësi për të mësuar të tjerët. A duhet ndonjë zotësi, arsimim ose aftësi e veçantë për të marrë pjesë në këtë vepër? Jo medoemos. Në përgjithësi, kjo vepër mbarëbotërore e mësimdhënies po kryhet nga individë të zakonshëm me aftësi modeste. (1. Korintasve 1:26-29) Pavli shpjegon: «Ne e kemi këtë thesar [shërbimin] në enë balte [trup të papërsosur], që fuqia përtej asaj që është normale të jetë prej Perëndisë dhe jo nga ne vetë.» (2. Korintasve 4:7, BR) Suksesi kolosal që ka pasur vepra globale e predikimit të Mbretërisë është një dëshmi e fuqisë së frymës së Jehovait!
8 Gjithsesi, duhen përpjekje të bashkërenduara personale për t’u bërë «një punëtor pa pasur asgjë për t’i ardhur turp, i cili përdor drejt fjalën e së vërtetës». (2. Timoteut 2:15, BR) Pavli i bëri thirrje Timoteut: «Kushtoji vëmendje të vazhdueshme vetes dhe mësimdhënies sate. Qëndro në këto gjëra, sepse duke vepruar kështu, do të shpëtosh si veten, ashtu edhe ata që të dëgjojnë.» (1. Timoteut 4:16, BR) Por, si mund t’i kushtojë një person vëmendje mësimdhënies së tij, si brenda, ashtu edhe jashtë kongregacionit? Bërja e kësaj, a përfshin medoemos pasjen e disa zotësive ose disa metodave të mësimdhënies?
9. Çfarë është më e rëndësishme se aftësitë e lindura?
9 Jezui me siguri demonstroi një përvetësim të jashtëzakonshëm të metodave të mësimdhënies në Predikimin e tij të famshëm në Mal. Kur kishte mbaruar së foluri, «turmat ishin të shtangura nga mënyra e tij e të mësuarit». (Mateu 7:28, BR) Sigurisht, asnjëri prej nesh nuk mund të mësojë aq mirë sa Jezui. Megjithatë, nuk duhet të jemi se s’bën oratorë elokuentë për të qenë mësues të efektshëm. E pra, sipas Jobit 12:7, edhe «kafshët shtëpiake» dhe «krijesat me krahë» mund të japin mësim në heshtje! Krahas aftësive ose zotësive të lindura që mund të kemi, ajo që ka veçanërisht vlerë është «çfarë lloj personash» jemi, çfarë cilësish zotërojmë dhe çfarë zakonesh frymore kemi zhvilluar, të cilat studentët tanë mund t’i imitojnë.—2. Pjetrit 3:11, BR; Luka 6:40.
Studentë të Fjalës së Perëndisë
10. Në ç’mënyrë Jezui la një shembull të shkëlqyer si student i Fjalës së Perëndisë?
10 Një mësues i efektshëm i të vërtetave biblike duhet të jetë studiues i Fjalës së Perëndisë. (Romakëve 2:21) Jezu Krishti la një shembull të jashtëzakonshëm në këtë aspekt. Gjatë shërbimit të tij, Jezui iu referua ose shprehu mendime që ishin paralel me fragmente në afro gjysmën e librave të Shkrimeve Hebraike.a Familjariteti që kishte me Fjalën e Perëndisë u duk qartë në moshën 12-vjeçare, kur Jezuin e gjetën «të ulur në mes të mësuesve, duke i dëgjuar dhe duke u bërë pyetje». (Luka 2:46, BR) Kur u rrit, Jezui e kishte zakon të shkonte në sinagogë, ku lexohej Fjala e Perëndisë.—Luka 4:16.
11. Çfarë zakonesh të mira studimi duhet të zhvillojë një mësues?
11 A je një lexues i zellshëm i Fjalës së Perëndisë? Gërmimi në të është mënyra me anë të së cilës «do të kuptosh druajtjen e Jehovait dhe do të gjesh vetë njohurinë e Perëndisë». (Proverbat [Fjalët e urta] 2:4, 5, BR) Prandaj, zhvillo zakone të mira studimi. Përpiqu të lexosh çdo ditë një pjesë nga Fjala e Perëndisë. (Psalmi 1:2) Bëje një zakon leximin e çdo numri të Kullës së Rojës dhe të Zgjohuni!, sapo ta marrësh. Kushtoji vëmendje të veçantë mbledhjeve të kongregacionit. Mëso të bësh kërkime të kujdesshme. Duke mësuar të ‘ndjekësh çdo gjë me saktësi’, mund të shmangësh ekzagjerimet dhe pasaktësitë në mësimdhënien tënde.—Luka 1:3, BR.
Dashuri dhe respekt për ata që po mëson
12. Çfarë qëndrimi kishte Jezui ndaj dishepujve të tij?
12 Një cilësi tjetër e rëndësishme është qëndrimi i duhur ndaj atyre që ti po mëson. Farisenjtë ndienin përbuzje për ata që dëgjonin Jezuin. «Kjo turmë që nuk e njeh Ligjin janë njerëz të mallkuar»,—thanë ata. (Gjoni 7:49, BR) Por Jezui pati dashuri dhe respekt të thellë për dishepujt e tij. Ai tha: «Unë nuk ju quaj më skllevër, sepse skllavi nuk e di se çfarë bën zotëria e tij. Por unë ju kam quajtur miq, sepse të gjitha gjërat që kam dëgjuar nga Ati im, jua kam bërë të njohura.» (Gjoni 15:15, BR) Ky ishte një tregues se si duhej ta zhvillonin dishepujt e Jezuit aktivitetin e tyre të mësimdhënies.
13. Si ndihej Pavli në lidhje me ata që kishte mësuar?
13 Për shembull, Pavli nuk mbajti një marrëdhënie të ftohtë, formale me studentët e tij. Ai u tha korintasve: «Edhe pse mund të keni dhjetë mijë tutorë në Krishtin, ju patjetër që nuk keni shumë etër, sepse në Krishtin Jezu unë jam bërë ati juaj me anë të lajmit të mirë.» (1. Korintasve 4:15, BR) Disa herë, Pavli derdhi edhe lot kur këshilloi ata që kishte mësuar! (Veprat 20:31) Ai shfaqi edhe një dashamirësi dhe durim të jashtëzakonshëm. Për këtë arsye, ai mundi t’u thoshte selanikasve: «U bëmë të butë mes jush, si një nënë që mend fëmijët e saj dhe përkujdeset me ngrohtësi për ta.»—1. Selanikasve (Thesalonikasve) 2:7, BR.
14. Pse është kaq i rëndësishëm interesi personal që tregojmë për studentët tanë të Biblës? Ilustroje.
14 A po imiton Jezuin dhe Pavlin? Dashuria e sinqertë për studentët tanë mund të kompensojë në një masë të madhe ndonjë mangësi që mund të kemi në aftësitë e lindura. A e ndiejnë studentët tanë të Biblës se ne tregojmë interes të sinqertë për ta personalisht? A gjejmë kohë për t’i njohur më mirë ata? Kur një grua e krishterë po haste vështirësi për të ndihmuar një studente të përparonte frymësisht, ajo e pyeti me dashamirësi: «A të shqetëson ndonjë gjë?» Gruaja filloi t’i hapte zemrën, duke i treguar shqetësimet dhe ankthet e shumta që kishte. Ajo bisedë dashamirëse doli se qe pikë kthese për atë grua. Në raste të tilla, janë të përshtatshme mendimet dhe fjalët ngushëlluese e inkurajuese të marra nga Shkrimet. (Romakëve 15:4) Por kujdes: Një student i Biblës mund të jetë duke bërë përparim të shpejtë, por mund të ketë ende disa zakone jo të krishtere për të kapërcyer. Prandaj, mund të mos jetë e mençur të jemi tepër të afruar nga ana shoqërore me individin. Duhen mbajtur kufijtë e duhur të krishterë.—1. Korintasve 15:33.
15. Si mund të tregojmë respekt për studentët tanë të Biblës?
15 Respekti për studentët tanë përfshin që të mos përpiqemi të kontrollojmë jetën e tyre. (1. Selanikasve 4:11) Për shembull, mund të jemi duke studiuar me një grua që bashkëjeton me një burrë. Ndoshta ata kanë pasur edhe fëmijë. Pasi ka marrë njohuri të saktë për Perëndinë, gruaja dëshiron t’i ndreqë gjërat, që të jenë në harmoni me standardet e Jehovait. (Hebrenjve 13:4) A duhet të martohet me atë burrë apo ta lërë? Ndoshta ne mendojmë se martesa me një njeri që ka pak ose s’ka fare interes frymor, do të pengonte përparimin e saj të ardhshëm. Nga ana tjetër, mund të kemi frikë për mirëqenien e fëmijëve dhe mendojmë se ajo do të bënte më mirë të martohej me të. Sidoqoftë, nëse futim hundët në jetën e studentit dhe përpiqemi t’i imponojmë opinionet tona në këto çështje, nuk po tregojmë respekt dhe dashuri. Në fund të fundit, është gruaja që do të jetojë me pasojat e vendimit të marrë. A nuk është më mirë, atëherë, që ta stërvitim këtë studente të përdorë «fuqitë [e saj] perceptuese» dhe të vendosë vetë se çfarë duhet të bëjë?—Hebrenjve 5:14, BR.
16. Si mund të tregojnë pleqtë dashuri dhe respekt për kopenë e Perëndisë?
16 Është veçanërisht e rëndësishme që pleqtë e kongregacionit ta trajtojnë kopenë me dashuri dhe respekt. Duke i shkruar Filemonit, Pavli tha: «Edhe pse kam shumë liri fjale në lidhje me Krishtin për të të urdhëruar që të bësh atë që është e përshtatshme, në vend të kësaj, unë po të bëj thirrje në bazë të dashurisë.» (Filemonit 8, 9, BR) Disa herë, në kongregacion mund të lindin situata të bezdisshme. Madje mund të jetë e nevojshme vendosmëria. Pavli e nxiti Titin që të ‘vazhdonte të qortonte [ata që kishin gabuar] me rreptësi, që ata të mund të ishin të shëndetshëm në besim’. (Titit 1:13, BR) Edhe në këtë rast, mbikëqyrësit duhet të kenë kujdes që të mos i flasin kurrë në mënyrë të panjerëzishme kongregacionit. «Një skllav i Zotërisë nuk ka nevojë të luftojë,—shkroi Pavli,—por të jetë i butë ndaj të gjithëve, i kualifikuar për të mësuar, duke u përmbajtur nën të ligën.»—2. Timoteut 2:24, BR; Psalmi 141:3.
17. Çfarë gabimi bëri Moisiu dhe çfarë mund të mësojnë pleqtë prej këtij gabimi?
17 Mbikëqyrësit duhet t’i kujtojnë vazhdimisht vetes se kanë të bëjnë me «kopenë e Perëndisë». (1. Pjetrit 5:2, BR) Moisiu, edhe pse ishte i përulur, për pak kohë e humbi këtë pikëpamje. Izraelitët «e hidhëruan frymën e tij dhe ai filloi të fliste ashpër me buzët e tij». (Psalmi 106:33, BR) Perëndia mbeti shumë i pakënaqur me këtë keqtrajtim që iu bë kopesë së Tij, ndonëse edhe ata nuk ishin pa faj. (Numrat 20:2-12) Kur hasin sfida të ngjashme sot, pleqtë duhet të përpiqen të mësojnë dhe të udhëzojnë me mendjehollësi dhe dashamirësi. Vëllezërit tanë reagojnë më mirë, kur të tjerët i trajtojnë me konsideratë dhe si individë që kanë nevojë për ndihmë, jo si ata që nuk mund të ndreqen më. Pleqtë duhet të mbajnë pikëpamjen pozitive që kishte Pavli, kur tha: «Kemi siguri në Zotërinë lidhur me ju, se po i bëni dhe do të vazhdoni t’i bëni gjërat që urdhërojmë.»—2. Selanikasve 3:4, BR.
Të ndjeshëm ndaj nevojave të tyre
18, 19. (a) Si duhet të reagojmë ndaj nevojave të studentëve të Biblës që kanë aftësi të kufizuara? (b) Si mund t’i ndihmojmë studentët që kanë vështirësi në argumente specifike?
18 Një mësues i efektshëm është gati të përshtatet me aftësitë dhe kufizimet e studentëve të tij. (Krahaso Gjonin 16:12.) Në ilustrimin e talentave që bëri Jezui, pronari i dha privilegje «secilit sipas aftësisë së vet». (Mateu 25:15, BR) Ne mund të ndjekim një model të ngjashëm kur drejtojmë studime biblike. Natyrisht, parapëlqehet që një botim i bazuar në Bibël të trajtohet për një periudhë kohe që është e shkurtër në mënyrë të arsyeshme. Por duhet pranuar se jo të gjithë kanë zotësi të mira leximi ose aftësinë për t’i asimiluar shpejt mendimet e reja. Prandaj, nevojitet aftësi shquese për të përcaktuar se kur të lëvizim nga një pikë në tjetrën gjatë studimit, nëse individët që tregojnë interes kanë vështirësi të mbajnë një ritëm të shpejtë. Më me rëndësi se trajtimi i materialit me një ritëm të caktuar është të ndihmohen studentët për të kapur kuptimin e asaj që po mësojnë.—Mateu 13:51.
19 E njëjta gjë mund të thuhet për studentët e Biblës që kanë vështirësi në argumente specifike, si Triniteti ose festat fetare. Edhe pse në përgjithësi nuk është e nevojshme të përdorim materiale kërkimi të bazuara në Bibël në studimet tona, me raste mund t’i përdorim nëse duket qartë se kjo gjë do të ishte e dobishme. Duhet të përdorim gjykim të shëndoshë që të mos e ngadalësojmë pa qenë nevoja përparimin e një studenti.
Ji entuziast!
20. Si la një shembull Pavli në shfaqjen e entuziazmit dhe të bindjes, të cilat ishin jetësore në mësimdhënien e tij?
20 «Jini të zjarrtë në frymë»,—thotë Pavli. (Romakëve 12:11, BR) Po, qoftë që po drejtojmë një studim biblik në shtëpi, qoftë që po zhvillojmë një pjesë në një mbledhje të kongregacionit, duhet ta bëjmë këtë me zell dhe me entuziazëm. Pavli u tha selanikasve: «Lajmi i mirë që predikojmë nuk u dha mes jush vetëm me fjalë, por edhe me fuqi e me frymën e shenjtë dhe me bindje të fortë.» (1. Selanikasve 1:5, BR) Pavli dhe shokët e tij dhanë në këtë mënyrë «jo vetëm lajmin e mirë të Perëndisë, por edhe shpirtrat [e tyre]».—1. Selanikasve 2:8, BR.
21. Si mund të mbajmë një qëndrim entuziast ndaj caktimeve tona të mësimdhënies?
21 Entuziazmi i vërtetë vjen kur jemi fortësisht të bindur se studentët tanë të Biblës kanë nevojë ta dëgjojnë atë që kemi për të thënë. Kurrë të mos e konsiderojmë ndonjë caktim mësimdhënieje si rutinë! Kopisti Ezdra sigurisht që i kushtoi vëmendje mësimdhënies së tij në këtë aspekt. Ai ‘e përgatiti zemrën e tij për konsultuar ligjin e Jehovait, për ta zbatuar atë dhe për të mësuar në Izrael’. (Ezdra 7:10, BR) Ne duhet të veprojmë në mënyrë të ngjashme, duke u përgatitur plotësisht dhe duke medituar mbi rëndësinë e materialit. T’i lutemi Jehovait që të na mbushë me besim dhe bindje! (Luka 17:5) Entuziazmi ynë mund t’i ndihmojë studentët e Biblës për të zhvilluar një dashuri reale për të vërtetën. Sigurisht, t’i kushtojmë vëmendje mësimdhënies sonë mund të përfshijë përdorimin e metodave specifike të mësimdhënies. Artikulli vijues do të trajtojë disa prej këtyre metodave.
[Shënimi]
a Shiko librin Mendjehollësi mbi Shkrimet, Vëllimi 2, faqe 1071, anglisht, botuar nga Watchtower Bible and Tract Society of New York, Inc.
A të kujtohet?
◻ Pse sot ka nevojë për mësues të zotë të krishterë?
◻ Çfarë zakonesh të mira studimi mund të zhvillojmë?
◻ Pse janë kaq të rëndësishme dashuria dhe respekti për ata që mësojmë?
◻ Si mund të reagojmë ndaj nevojave të studentëve tanë të Biblës?
◻ Pse entuziazmi dhe bindja janë kaq të rëndësishme kur mësojmë të tjerët?
[Figura në faqen 10]
Mësuesit e mirë janë për vete studentë të Fjalës së Perëndisë
[Figura në faqen 13]
Trego interes personal për studentët e Biblës