Si të gjejmë gëzim në bërjen e dishepujve?
NJË nga gëzimet e thella që mund të provojë një person është të jetë bashkëpunëtor me Perëndinë. Sot, vepra e Perëndisë përfshin mbledhjen e njerëzve të prirur nga drejtësia në kongregacionin e krishterë dhe stërvitjen e tyre për jetën si të krishterë tani dhe për mbijetesën në botën e re.—Mikea 4:1-4; Mateu 28:19, 20; 2. Pjetrit 3:13.
Për Dëshmitarët e Jehovait në Amerikën Latine ka qenë një gëzim i madh të shohin një milion njerëz të bëhen dishepuj të Jezu Krishtit që nga viti 1980. Në këtë fushë të frytshme ku shumica e respektojnë dhe e besojnë Biblën, disa shërbëtorë në shërbim të plotë kohor kanë mundur të ndihmojnë shumë njerëz për t’ia dedikuar jetën e tyre Jehovait. Me kaq shumë përvoja, ndoshta ata mund të na tregojnë diçka rreth gëzimit të bërjes së dishepujve. Disa nga sugjerimet e tyre mund të të ndihmojnë të gjesh gëzim në bërjen e dishepujve aty ku banon.
Njohja e «deleve» të mundshme
«Në çfarëdo qytet apo fshat që të hyni, pyetni nëse ka aty ndonjë njeri të denjë»,—tha Jezui kur i dërgoi apostujt e tij për të predikuar. (Mateu 10:11) Kur shkon të bësh vizita, si mund t’i njohësh ata që mund të ndihmohen frymësisht? Eduardi, shërbëtor në shërbim të plotë kohor për më shumë se 50 vjet thotë: «Ata e tregojnë këtë me pyetjet e tyre të sinqerta dhe me kënaqësinë që ndiejnë kur marrin përgjigjet nga Shkrimet.» Karol shton: «Nëse një person më beson një problem apo shqetësim personal, kjo është me të vërtetë një thirrje për ndihmë. Unë përpiqem të gjej informacion ndihmës në botimet e Shoqatës Watch Tower. Një interes i tillë personal shpeshherë çon në një studim biblik.» Megjithatë, të sinqertët nuk është gjithnjë e lehtë të njihen. Luis tregon: «Disa që duken shumë të interesuar kthehen në aspak të interesuar, por të tjerët, që në fillim duken kundërshtarë, ndryshojnë kur dëgjojnë atë që thotë në të vërtetë Bibla.» Pasi shumë latino-amerikanë e respektojnë Biblën, ai shton: «Unë i njoh ata që mund të ndihmohen frymësisht, nga ajo se me gatishmëri e pranojnë atë që Bibla mëson pasi ua kam treguar atë.» Duke ndihmuar këta persona «të denjë» që të përparojnë frymësisht, provon gëzim të vërtetë dhe kënaqësi. Si mund ta bësh këtë?
Duke filluar studime biblike
Përdorimi i materialeve ndihmëse të siguruara nga «skllavi besnik e i matur» është zakonisht mënyra më e mirë për të ndihmuar njerëzit që të kuptojnë të vërtetën biblike. (Mateu 24:45, BR) Si mund ta rrisim çmueshmërinë për vlerën e këtyre materialeve ndihmëse për studimin e Biblës? Eduardi thotë: «Pasi rrethanat, personalitetet dhe pikëpamjet e njerëzve ndryshojnë kaq shumë, unë përpiqem të jem elastik në fillimin e studimeve.» Nuk mund të përdorësh të njëjtën metodë me secilin person.
Me disa persona, shqyrtimi joformal i disa shkrimeve, mund të jetë i nevojshëm përpara fillimit të studimit të Biblës me librin mësimor. Megjithatë, një çift misionarësh raporton: «Zakonisht, ne ofrojmë studim që në vizitën e parë.» Gjithashtu, një Dëshmitare që ka ndihmuar 55 njerëz deri në dedikim thotë: «Mënyra ime kryesore e fillimit të studimeve biblike ka qenë futja drejtpërdrejt në librin Ti mund të jetosh përgjithmonë në parajsë mbi tokë.» Megjithëse disave nuk u pëlqen ideja se duhet të studiojnë diçka, të tjerët janë të uritur të studiojnë çfarëdo gjë që besojnë se do t’i ndihmojë në jetë. Ofrimi i mësimeve të lira të Biblës në shtëpi tingëllon tërheqës për ta. Disa misionarë u shpjegojnë për këtë ofrim dhe pastaj u thonë: «Do të më pëlqente të të tregoja si e bëjmë atë. Nëse të pëlqen, mund të vazhdosh. Nëse jo, mund të vendosësh ti.» Kur ofrohet në këtë mënyrë, njerëzit nuk ndihen të frikësuar për të pranuar.
Një tjetër Dëshmitar që ka ndihmuar shumë persona të varfër dhe me pak arsimim thotë: «Kam gjetur që fletushkat ishin veçanërisht të vlefshme për të filluar studime biblike.» Cilindo botim që përdorin, mësuesit e plotëkohor përpiqen t’i japin Biblës theksin kryesor. Karola thotë: «Në studimin e parë, unë përdor vetëm pikturat dhe rreth pesë shkrime, në mënyrë që të dalin në pah pikat kryesore dhe Bibla të mos duket e vështirë.»
Të mbajmë gjallë interesin
Njerëzve u pëlqen ndjenja e progresit, prandaj Xhenifer rekomandon: «Bëje studimin të gjallë. Lëviz përpara.» Drejtimi me rregullsi i studimit pa lejuar të humbin javët, i ndihmon gjithashtu ata të ndiejnë se po bëjnë progres. Një pionier special që ishte rritur në fshatra, shpjegon rëndësinë e thjeshtimit të shpjegimeve dhe të përqendrimit mbi pikat kryesore, në mënyrë që edhe ata me pak arsimim të mund të përparojnë. Ai thotë: «Në fshatin tim, ne duhej ta vadisnim tokën me ujë pas mbjelljes së farës. Nëse i mbysnim fushat, toka formonte një kore të fortë, saqë farat e mbira nuk mund të depërtonin dhe kështu vdisnin. Gjithashtu, nëse i mbyt të interesuarit e rinj me shumë pika, kjo mund t’u duket shumë e vështirë dhe dorëzohen.» Edhe njerëzit me mendje të mprehtë duhet të mësojnë të përqendrohen mbi një çështje herë pas here nëse duan të përparojnë në kuptueshmëri. Jezui u tha apostujve të tij: «Kam edhe shumë gjëra të tjera për t’ju thënë, por ato ende ju nuk mund t’i mbani.»—Gjoni 16:12.
Një tjetër mënyrë për të mbajtur gjallë interesin është të inkurajosh ata që viziton që të vazhdojnë të mendojnë mbi Fjalën e Perëndisë edhe pas largimit tënd. Jolanda rekomandon: «Lër një pyetje pa përgjigje. Caktoju disa detyra shtëpie për të bërë, si p.sh. leximin e një pjese të Biblës apo shqyrtimin e një çështjeje që u intereson.»
Zhvillimi i dashurisë për Jehovain
Gëzimi yt do të rritet nëse i ndihmon studentët e tu të bëhen «bërës të fjalës dhe jo vetëm dëgjues». (Jakovi 1:22) Si mund ta bësh këtë? Të krishterët e vërtetë janë të nxitur nga dashuria për Jehovain. Pedro që është nga Meksika shpjegon: «Njerëzit nuk mund të duan një person që nuk e njohin, prandaj që në fillim të studimit, unë u mësoj atyre emrin e Perëndisë nga Bibla dhe kërkoj mundësitë për të theksuar cilësitë e Jehovait.» Gjatë bisedës, mund ta ndërtosh çmueshmërinë për Jehovain, duke shprehur ndjenjat e tua për të. Elizabeta thotë: «Unë gjithmonë përpiqem të përmend mirësitë e Jehovait. Gjatë studimeve të mia, nëse shoh një lule të bukur, një zog të lezetshëm apo një kotele lozonjare, gjithmonë përmend se ajo është një vepër e Jehovait.» «Fol për botën e re të premtuar të Perëndisë si për diçka që ti e di që është një realitet,—sugjeron Xhenifer.—Pyeti se çfarë do t’u pëlqente të bënin në botën e re.»
Kur një person mediton me çmueshmëri mbi atë që mëson rreth personalitetit të Jehovait, njohuria depërton në zemrën e tij dhe e nxit atë të veprojë. Por ai nuk mund të meditojë nëse nuk e kujton atë që mëson. Një rishikim i shkurtër i tri ose katër pikave kryesore pas çdo studimi e ndihmon kujtesën. Shumë mësues të Biblës i mësojnë të rinjtë të mbajnë shënim shkrimet kryesore bashkë me një shënim në pjesën e prapme të Biblës së tyre. Një misionare nga Anglia shpjegon një dobi tjetër të rishikimit: «I pyes se si informacioni u ka sjellë dobi atyre. Kjo i bën ata që të meditojnë me çmueshmëri mbi rrugët dhe ligjet e Jehovait.»
Një Dëshmitare besnike e diplomuar në klasën e tretë të Galaadit thotë: «Duhet të jemi entuziastë. Studentët tanë duhet të kuptojnë se e besojmë atë që u mësojmë.» Besimi që të ka bërë ty vetë një ‘bërës të gëzuar të fjalës’ mund të bëhet ngjitës nëse e shpreh atë.—Jakovi 1:25.
«Shoh se njerëzit ndihen më afër Perëndisë kur i ndihmoj të kuptojnë përgjigjet e lutjeve të tyre,—thotë një Dëshmitare e cila ka ndihmuar shumë veta që të adhurojnë Jehovain.—U jap atyre shembuj nga vetë përvoja ime, siç është kjo: Kur unë dhe shoqja ime mbërritëm në caktimin e ri si pioniere, kishim vetëm pak zarzavate, një pako margarinë dhe asnjë lek. E mbaruam ushqimin që në darkë dhe thamë: ‘Tani nuk kemi asgjë për nesër’. U lutëm mbi këtë dhe shkuam në shtrat. Të nesërmen, herët në mëngjes, na vizitoi një Dëshmitare e zonës e cila u prezantua duke thënë: ‘Iu luta Jehovait që të na dërgonte pionierë. Tani unë mund t’ju shoqëroj në pjesën më të madhe të ditës, por pasi banoj larg nga ky vend, do të më duhet të ha drekë bashkë me ju, prandaj kam sjellë këtë ushqim që mjafton për të gjitha ne.’ Ishte një sasi e madhe mishi dhe zarzavatesh. Gjithmonë u tregoj studentëve të mi se Jehovai kurrë nuk na lë nëse kërkojmë në radhë të parë Mbretërinë e tij.»—Mateu 6:33.
Ofro ndihmë praktike
Të bësh dishepuj të Krishtit do të thotë më shumë se të drejtosh një studim biblik. Një misionar që shërbeu për shumë vjet si mbikëqyrës udhëtues thotë: «Kushtoju atyre kohë. Mos nxito të largohesh menjëherë pasi e ke mbaruar studimin, nëse është e përshtatshme, qëndro dhe bisedo për pak kohë.» Elizabet thotë: «Tregoj interes ndaj tyre sepse është çështje jete. Shumë herë shqetësohem për ta si të ishin fëmijët e mi.» Dëshmitarë të tjerë japin këto sugjerime: «Vizitoji kur janë të sëmurë.» «Kur je pranë shtëpisë së tyre, për shembull në shërbimin në fushë, bëju një vizitë të shkurtër, për t’i njohur me Dëshmitarë të tjerë.» Eva thotë: «Dëgjo me kujdes për të kuptuar situatën dhe rrethanat e jetës së personit. Këto ndikojnë në mënyrën që njerëzit reagojnë ndaj së vërtetës dhe mund ta pengojnë përparimin e tyre. Bëhu mik i tyre, kështu do të kenë besim për të të folur rreth problemeve të tyre.» Karol shton: «Interesi i sinqertë ndaj personit është i rëndësishëm, pasi ndryshimet që e vërteta do të sjellë në jetën e tij disa herë do të nënkuptojnë humbje të familjes dhe të miqve. Në përgjithësi, është mirë që studenti të dijë se ku jetojmë dhe të ketë besim për të ardhur tek ne në çdo kohë.» Ndihmoje që ta shohë kongregacionin si familjen e tij të re.—Mateu 10:35; Marku 10:29, 30.
«Ji vigjilent për të ofruar ndihmë praktike. Ulu me ta në mbledhje dhe ndihmoji në lidhje me fëmijët e tyre»,—thotë Jolanda. Duke u treguar të rinjve se si t’i mësojnë fëmijët e tyre, përmirësojmë standardet e tyre të pastërtisë, gjithashtu mësimi se si të përgatitin komente për mbledhje dhe të mbajnë fjalime në Shkollën e Shërbimit Teokratik është e gjitha pjesë e veprës së bërjes së dishepujve. Një motër tjetër shton: «Është e rëndësishme t’i stërvitësh të rinjtë për shërbim. Kur ky aspekt i stërvitjes kapërcehet, disa vazhdojnë të kenë frikë në veprën e predikimit, humbasin gëzimin në shërbimin e Jehovait dhe nuk mund të qëndrojnë më.» Prandaj, bëj një stërvitje të kujdesshme për veprën nga shtëpia në shtëpi, për bërjen e rivizitave dhe për të filluar studime biblike. Gëzimi yt do të jetë i madh ndërsa sheh studentin tënd që përparon me ndihmën dhe udhëheqjen tënde.
Forcoji që të qëndrojnë
«Ekziston prirja për ta lënë pas dore studimin, kur studenti pagëzohet»,—paralajmëron një motër me përvojë në bërjen e dishepujve. Që të dy, mësuesi dhe studenti duhet të mbajnë mend se një i krishterë i sapopagëzuar është akoma larg nga pjekuria frymore. Ai ka shumë për të bërë që të rrisë besimin e tij, çmueshmërinë për ligjin e Perëndisë dhe dashurinë e tij për Jehovain. Është jetësore ta inkurajosh që të zhvillojë zakone të mira për studimin personal në mënyrë që të vazhdojë të bëjë përparim.—1. Timoteut 4:15.
Të riut mund t’i nevojitet ndihmë që të përparojë e të bëhet një anëtar i mirëpritur i shoqërisë së vëllezërve. Mund të ketë nevojë për udhëheqje që të përballojë papërsosmërinë e vëllezërve, ndërsa afrohet më afër tyre. (Mateu 18:15-35) Mund të ketë nevojë për ndihmë që të bëhet një mësues i shkathët, i aftë për të bërë kërkime personale. Një misionare tregon: «Një studente pas pagëzimit donte të përmirësonte aftësinë e saj si mësuese prandaj më tha: ‘Më duhet të drejtoj një studim të ri javën që vjen, por kam nevojë të rifreskoj kujtesën në lidhje me kapitujt e parë që kam studiuar. Të lutem, a mund t’i bësh përsëri këta kapituj me mua nga një për çdo radhë, që të mund të mbaj shënim shpjegimet e shkrimeve dhe të ilustrimeve dhe pastaj t’i përdor ato kur të shkoj tek studimi im?’ Ajo u bë një mësuese e shkëlqyer, duke patur katër prej studentëve të saj që u pagëzuan në një asamble.»
Përse bërja e dishepujve është një përpjekje që ia vlen?
«Të bësh dishepuj do të thotë më shumë lavdërues për Jehovain. Do të thotë jetë për ata që e pranojnë të vërtetën,—thotë Pamela.—Më pëlqen shumë t’u mësoj të vërtetën të tjerëve; është diçka kaq e mrekullueshme! I shikon studentët që rriten pak nga pak duke bërë ndryshime në jetën e tyre dhe duke kapërcyer pengesat që do të dukeshin të pakapërcyeshme po të mos ishte fryma e Jehovait. Shumë nga ata që kanë ardhur në dashurinë e Jehovait janë bërë miq shumë të dashur për mua.»
«Kur mendoj për ata që kam ndihmuar që të bëhen dishepuj,—tregon një misionare nga Gjermania,—shoh disa njerëz shumë të ndrojtur që kanë përparuar kaq shumë si shërbëtorë të Perëndisë, saqë e kam të vështirë ta besoj. Shoh njerëz që kapërcejnë pengesa shumë të vështira, sigurisht me ndihmën e Jehovait. Shoh familje që kanë qenë dikur të ndara, por që tani janë bashkuar, fëmijë të lumtur me prindërit e tyre përgjegjës. Shoh njerëz që gëzojnë një jetë domethënëse, duke lavdëruar Jehovain. Ky është gëzimi i bërjes së dishepujve.»
Po, të jesh bashkëpunëtor me Perëndinë Jehova në veprën e bërjes së dishepujve, është burim i një gëzimi të pakrahasueshëm. Përvojat e misionarëve dhe të pionierëve e vërtetojnë këtë. Mund të gjesh të njëjtin gëzim dhe kënaqësi nëse i zbaton sugjerimet dhe e bën atë me gjithë shpirt. Me bekimin e Jehovait, gëzimi yt do të jetë i plotë.—Proverbat 10:22; 1. Korintasve 15:58.