Si i zgjidhni mosmarrëveshjet?
Një lëvizje e ngathët dhe i treti nga të pesë elefantët e vendosur në radhë, ra nga kamina. Elefanti i thyer duhet riparuar, përndryshe nuk do të ekzistojë më harmonia e gjithë kompletit. Megjithatë, nuk është diçka e lehtë dhe për më tepër as nuk e ndien veten të aftë për këtë punë. Të duhet të kërkosh ndihmë nga dikush ose t’ia besosh riparimin një eksperti.
HARMONIA ndërmjet vëllezërve dhe motrave frymore është më e çmuar se ornamentet e thjeshta. Në mënyrë të përshtatshme psalmisti këndoi: «Ja, sa e mirë dhe e kënaqshme është që vëllezërit të banojnë bashkë në unitet.» (Psalmi 133:1) Të zgjidhësh një mosmarrëveshje me një bashkëbesimtar të krishterë, shpesh mund të jetë një çështje delikate. Për më tepër, disa nuk e përballojnë problemin ashtu siç duhet. Shpesh «rregullimi i çështjes» pa qenë nevoja është i dhimbshëm ose zhgënjyes, duke lënë pasoja të pakëndshme.
Disa të krishterë, pa qenë nevoja, mundohen të përfshijnë pleqtë e caktuar, në çështje që ata mund t’i zgjidhnin edhe vetë. Arsyeja mund të jetë sepse nuk janë të sigurt se çfarë duhet bërë. Një vëlla me përvojë në dhënien e këshillave biblike tha: «Shumë nga vëllezërit tanë nuk dinë si t’i zbatojnë këshillat biblike për të zgjidhur mosmarrëveshjet e tyre. Shumë shpesh ata nuk ndjekin mënyrën e të vepruarit që ka treguar Jezui.» Çfarë tha atëherë në të vërtetë Jezui mbi faktin se si një i krishterë duhet t’i zgjidhë mosmarrëveshjet me vëllanë e tij? Përse është e domosdoshme ta njohim mirë këtë këshillë dhe të mësojmë se si ta zbatojmë atë?
Mosmarrëveshje të vogla
«Nëse ti, pra, po paraqet ofertën tënde te altari, dhe atje kujtohesh se yt vëlla ka diçka kundër teje, lëre atje ofertën tënde para altarit dhe shko pajtohu më parë me vëllanë tënd; pastaj kthehu dhe paraqite ofertën tënde.»—Mateu 5:23, 24.
Kur Jezui tha këto fjalë, sipas zakonit hebrenjtë ofronin sakrifica apo paraqitnin dhurata në altarin e tempullit në Jeruzalem. Nëse një hebre i kishte bërë keq një izraeliti tjetër, ofenduesi duhej të ofronte një flijim të tërë ose të paraqiste një ofertë për mëkatin. Shembulli i përmendur nga Jezui ka të bëjë me pikën më kritike. Kur personi është pranë altarit dhe është gati t’ia ofrojë dhuratën e tij Perëndisë, kujton se vëllai i tij ka diçka kundër tij. Po, izraeliti duhej të kuptonte se pajtimi me vëllanë duhej të kishte përparësi në kryerjen e detyrave të tilla fetare.
Megjithëse këto oferta kërkoheshin nga Ligji i Moisiut, ato në vetvete nuk kishin vlerë maksimale në sytë e Perëndisë. Profeti Samuel i tha mbretit të pabesë, Saulit: «Ndoshta i pëlqejnë Zotit olokaustet dhe flijimet si bindje ndaj zërit të Zotit? Ja, bindja është më e mirë se flijimi; dhe të dëgjosh me kujdes është më mirë se dhjami i deshve.»—1. Samueli 15:22.
Në Predikimin e tij në Mal, Jezui e përsëriti këtë kriter të prioritetit dhe u tregoi dishepujve të tij se duhej t’i zgjidhnin mosmarrëveshjet e tyre para se të paraqitnin ofrimet. Sot, ofrimet e kërkuara nga të krishterët janë të një natyre frymore—‘një flijim lavdie, domethënë fryti i buzëve që rrëfejnë emrin e tij’. (Hebrenjve 13:15) Megjithatë, parimi mbetet i vlefshëm. Ngjashëm, apostulli Gjon tregoi se do të ishte e kotë për dikë të pohonte se e donte Perëndinë, nëse e urrente vëllanë e tij.—1. Gjonit 4:20, 21.
Në mënyrë interesante, një person që kujtohet se vëllai i tij ka diçka kundër tij, duhet të bëjë hapin e parë. Përulësia që ai tregon duke vepruar kështu, ndoshta do t’i japë rezultate të mira. Ngjashëm, personi i ofenduar nuk duhet ta refuzojë bashkëpunimin me dikë që vjen tek ai dhe e pranon gabimin. Ligji i Moisiut vuri si kusht që çdo gjë e marrë padrejtësisht duhej rikthyer e plotë dhe duke i shtuar asaj pesëfish. (Levitiku 6:5) Vendosja e marrëdhënieve paqësore dhe të harmonishme, ngjashëm do të jetë më e lehtë, nëse ofenduesi tregon dëshirën e tij për të shkuar më tej se ajo që kërkohet, në kuptimin strikt të fjalës, për të riparuar çdo dëm që mund të ketë shkaktuar.
Megjithatë, përpjekjet për të rivendosur marrëdhënie paqësore nuk janë gjithmonë të suksesshme. Libri i Proverbave na kujton se është e vështirë t’i zgjidhim mosmarrëveshjet me dikë që e ka të vështirë t’u përgjigjet përpjekjeve të bëra. Proverbat 18:19 thotë: «Një vëlla ndaj të cilit e kemi shkelur është më shumë se një qytet i fortë; dhe ka grindje që janë si llozi i një kulle të banueshme.» (BR) Një përkthim tjetër thotë: «Një vëlla i fyer është si një qytet i fortë, dhe grindjet janë si shulat e një kalaje.» Por në fund të fundit, ndoshta përpjekjet e sinqerta dhe të përulura kanë sukses në rastin e bashkëbesimtarëve që dëshirojnë t’i pëlqejnë Perëndisë. Kurse kur kemi të bëjmë me mëkate të rënda, duhet zbatuar këshilla e Jezuit e treguar tek Mateu, kapitulli 18.
Zgjidhja e mosmarrëveshjeve serioze
«Por në qoftë se vëllai yt ka mëkatuar kundër teje, shko dhe qortoje vetëm për vetëm; në qoftë se të dëgjon, ti e fitove vëllanë tënd; por në qoftë se nuk të dëgjon, merr me vete edhe një ose dy vetë, që çdo fjalë të vërtetohet nga goja e dy ose tre dëshmitarëve. Nëse pastaj refuzon t’i dëgjojë, thuaja kishës [kongregacionit, BR]; dhe në qoftë se refuzon edhe ta dëgjojë kishën, le të jetë për ty si pagan ose tagrambledhës.»—Mateu 18:15-17.
Ç’mund të thuhej nëse një hebre [ose më vonë një i krishterë] ndeshte vështirësi serioze me një adhurues tjetër të Jehovait? Ai që mendonte se ishte mëkatuar kundër tij duhej të bënte hapin e parë. Ai duhej ta diskutonte çështjen me ofenduesin vetëm për vetëm. Duke mos u përpjekur të gjente mbështetje për palën e vet, me siguri ai do të kishte më tepër mundësi për ta fituar vëllanë e tij, veçanërisht nëse kishte qenë vetëm një keqkuptim që mund të sqarohej shpejt. Çdo gjë do të zgjidhej më shpejt, nëse ata që përfshiheshin në mënyrë direkte do të ishin të vetmit që e dinin problemin.
Megjithatë, vetëm hapi i parë ndoshta nuk do të mjaftonte. Për të përballuar këtë situatë, Jezui tha: «Merr me vete . . . një ose dy vetë.» Ata mund të kenë qenë dëshmitarë okularë. Ndoshta kanë dëgjuar njërin nga dy individët të shpifë për tjetrin ose ndoshta ata që janë marrë me vete kanë qenë dëshmitarë të një marrëveshjeje të shkruar, për të cilën të dyja palët nuk janë të një mendjeje. Nga ana tjetër, ata që janë marrë me vete mund të bëhen dëshmitarë, kur shtjellohet ndonjë faktor dëshmues i shkruar apo i thënë me gojë, për të arsyetuar mbi problemin. Edhe këtu, një numër sa më i vogël që të jetë e mundur—një ose dy të tjerë—duhet të jenë në dijeni të çështjes. Kjo do të parandalonte që gjërat të keqësoheshin, nëse çështja do të ishte vetëm një keqkuptim.
Ç’arsye duhet ta nxitë personin e ofenduar? A duhet ta poshtërojë ai shokun e tij të krishterë dhe të pretendojë prej tij që ai t’i puthë këmbën? Nën dritën e këshillës së Jezuit, të krishterët nuk duhet të jenë të shpejtë për t’i dënuar vëllezërit e tyre. Nëse shkelësi e pranon gabimin, kërkon të falur dhe përpiqet të ndreqë çështjen, ai kundër të cilit është mëkatuar ‘e ka fituar vëllanë e tij’.—Mateu 18:15.
Nëse çështja nuk mund të zgjidhej, ajo duhej paraqitur para kongregacionit. Fillimisht, kjo nënkuptonte pleqtë e popullit të Izraelit, ndërsa më vonë pleqtë e kongregacionit të krishterë. Ndoshta shkelësi i papenduar duhej të përjashtohej nga kongregacioni. Kjo ishte ajo që donte të thoshte ta konsideroje atë si «pagan ose tagrambledhës», individë prej të cilëve hebrenjtë mbanin distancë. Ky hap serioz nuk mund të merret nga një individ i vetëm i krishterë. Pleqtë e caktuar, që përfaqësojnë kongregacionin, janë të vetmit të autorizuar për të bërë një gjë të tillë.—Krahaso 1. Korintasve 5:13.
Mundësia që një shkelës i papenduar të përjashtohet nga kongregacioni, tregon se Mateu 18:15-17 nuk ka të bëjë me mosmarrëveshjet e vogla. Jezui u referohej ofendimeve serioze, por gjithmonë të llojit që mund të zgjidheshin vetëm nëpërmjet dy individëve të përfshirë në të. Për shembull, ofendimi mund të ishte një shpifje që ndikonte seriozisht në reputacionin e viktimës. Mund të lidhej edhe me çështjet financiare, sepse vargjet vijuese flasin për ilustrimin e Jezuit lidhur me skllavin e pamëshirshëm, të cilit i ishte falur një borxh i madh. (Mateu 18:23-35) Një hua që nuk është kthyer në kohën e caktuar, mund të jetë vetëm një vështirësi kalimtare që fare lehtë mund të zgjidhet ndërmjet dy individëve. Por mund të bëhet një mëkat serioz, domethënë vjedhje, nëse huamarrësi me kokëfortësi nuk pranon të kthejë borxhin.
Mëkate të tjera nuk mund të zgjidhen thjesht ndërmjet dy të krishterëve. Sipas Ligjit të Moisiut, mëkatet e rënda duhej të tregoheshin. (Levitiku 5:1; Proverbat 29:24) Ngjashëm, mëkatet e rënda lidhur me pastërtinë e kongregacionit, duhet t’u tregohen pleqve të krishterë.
Megjithatë, në të shumtën e rasteve, mosmarrëveshjet ndërmjet të krishterëve nuk hyjnë në këtë procedurë.
A mund ta harrosh?
Menjëherë pasi Jezui shpjegoi se si të zgjidhnin mosmarrëveshjet serioze, ai dha një mësim tjetër të rëndësishëm. Për këtë lexojmë: «Atëherë Pjetri iu afrua dhe tha: ‘Zot, në se vëllai im mëkaton kundër meje, sa herë duhet ta fal? Deri shtatë herë?’ Jezusi i tha: ‘Unë nuk të them deri shtatë herë, por deri shtatëdhjetë herë shtatë.’» Në një rast tjetër Jezui i tha dishepujve të tij të falnin «shtatë herë në ditë». (Luka 17:3, 4) Prandaj, është e qartë se ithtarët e Krishtit janë të ftuar që t’i zgjidhin mosmarrëveshjet, duke falur lirshëm njëri-tjetrin.
Kjo është një fushë që kërkon përpjekje të konsiderueshme. «Disa vëllezër thjesht nuk dinë se si të falin»,—tha një person i përmendur më lart. Ai shtoi: «U duket e çuditshme kur dikush u thotë se mund të vendosin të falin, para së gjithash për të ruajtur paqen në kongregacionin e krishterë.»
Apostulli Pavël shkroi: «Vazhdoni ta duroni dhe ta falni lirisht njëri-tjetrin, nëse dikush ka arsye për t’u ankuar kundër tjetrit. Siç Jehovai ju fal lirisht, ashtu bëni edhe ju.» (Kolosianëve 3:13, BR) Prandaj, para se të shkojmë tek një vëlla që mund të na ketë ofenduar, është mirë të mendojmë mbi këto pyetje: A është një ofendim aq i rëndë, saqë duhet patjetër të flas? A është vërtet e pamundur për mua që t’i vë kapak njëherë e mirë këtij problemi sipas frymës vërtet të krishterë. Nëse do të isha unë në vend të tij, a do të doja të më falte? Nëse vendos të mos e fal, a mund të shpresoj që Perëndia t’u përgjigjet lutjeve të mia dhe të më falë? (Mateu 6:12, 14, 15) Pyetje të tilla na ndihmojnë shumë që të dimë të falim.
Si të krishterë, një nga përgjegjësitë tona më të rëndësishme është që të ruajmë paqen në kongregacionin e popullit të Jehovait. Prandaj, le të vëmë në praktikë këshillat e Jezuit, gjë që do të na ndihmojë të falim lirisht. Kjo frymë gatishmërie për të falur do të forcojë dashurinë vëllazërore, që është shenja dalluese identifikuese e dishepujve të Jezuit.—Gjoni 13:34, 35.
[Figura në faqen 23]
Të krishterët mund t’i zgjidhin mosmarrëveshjet e tyre duke ndjekur këshillat e Jezuit