Si duhet t’i lutemi Perëndisë?
KUR një dishepull i kërkoi udhëzime në lidhje me lutjen, Jezui nuk refuzoi t’ia jepte. Sipas Lukës 11:2-4, ai u përgjigj: «Kur të luteni, thoni: ‘O Atë! U shenjtëroftë emri yt! Ardhtë Mbretëria jote! Na jep çdo ditë bukën tonë të përditshme! Na i fal mëkatet tona, sepse edhe ne i falim fajtorët tanë. E mos lejo të biem në tundim.» (DSF) Përgjithësisht kjo njihet si Lutja e Zotërisë. Ajo bart një botë me informacion.
Së pari, fjala e parë fare na tregon se kujt duhet t’i drejtohen lutjet që bëjmë: Atit tonë. Vëre se Jezui nuk i la vend askujt për t’iu lutur ndonjë personi tjetër, shëmbëlltyre, «shenjtori» apo edhe atij vetë. Në fund të fundit, Perëndia ka shpallur: «Nuk do t’i jap lavdinë time asnjë tjetri, as lavdërimet e mia shëmbëlltyrave të gdhendura.» (Isaia 42:8) Prandaj, lutjet që i drejtohen dikujt apo diçkaje tjetër përveç Atit tonë qiellor, nuk dëgjohen prej tij, pavarësisht se sa i sinqertë mund të jetë adhuruesi. Në Bibël, vetëm Perëndia Jehova është quajtur «Dëgjues i lutjes».—Psalmi 65:2, BR.
Disa mund të thonë se «shenjtorët» veprojnë thjesht si ndërmjetës të Perëndisë. Por vetë Jezui mësoi: «Unë jam udha, e vërteta dhe jeta; askush nuk vjen tek Ati përveçse nëpërmjet meje. Dhe çfarëdo të kërkoni në emrin tim, do ta bëj, që Ati të përlëvdohet në Birin.» (Gjoni 14:6, 13) Në këtë mënyrë, Jezui përjashtoi idenë se ndokush që quhet shenjtor, mund të shërbejë në rolin e ndërmjetësit. Vëre, gjithashtu, se çfarë tha apostulli Pavël në lidhje me Krishtin: «Krishti është ai që vdiq, po për më tepër ai u ringjall; ai është në të djathtë të Perëndisë dhe ai ndërmjetëson për ne.» «Ai jeton përgjithmonë për të ndërhyrë për të gjithë ata, që shkojnë tek Perëndia përmes tij.»—Romakëve 8:34; Hebrenjve 7:25, versioni katolik Jerusalem Bible.
Emri që duhet shenjtëruar
Fjalët e tjera të lutjes së Jezuit ishin: «U shenjtëroftë emri yt.» Nëse nuk e njeh dhe e përdor kot atë, si mund ta bëjë të shenjtë dikush, d.m.th. ta shenjtërojë apo ta veçojë emrin e Perëndisë? Më shumë se 6.000 herë në «Dhjatën e Vjetër», Perëndia identifikohet me emrin personal, Jehova.
Një shënim në Daljen 6:3, në versionin katolik Douay, për sa i përket emrit të Perëndisë thotë: «Disa përkthime moderne kanë formuluar emrin Jehova . . . , për shkak se shqiptimi i saktë i emrit [të Perëndisë], i cili gjendet në tekstin hebraisht, nga mospërdorimi i gjatë tani është gati i panjohur.» Prandaj, përkthimi katolik Besëlidhja e Vjetër dhe Besëlidhja e Re, përkthyer nga Dom Simon Filipaj, përdor emrin Jahve. Megjithëse disa dijetarë preferojnë këtë shqiptim, «Jehova» është një mënyrë e përligjshme dhe e vendosur kohë më parë për shqiptimin e emrit hyjnor në shqip. Disa gjuhë të tjera kanë mënyrën e tyre për shqiptimin e emrit hyjnor. Gjëja kryesore është se ne e përdorim emrin për ta shenjtëruar atë. A të ka mësuar kisha në të cilën shkon, të përdorësh emrin e Jehovait në lutje?
Argumente të përshtatshme për lutje
Pastaj, Jezui i mësoi dishepujt e tij të luteshin: «Ardhtë Mbretëria jote.» Ungjilli i Mateut shton fjalët: «U bëftë vullnesa jote si në qiell ashtu në dhe!» (Mateu 6:10, DSF) Mbretëria e Perëndisë është një qeveri në duart e Jezu Krishtit. (Isaia 9:6, 7) Sipas profecisë biblike, së shpejti ajo do të eliminojë të gjitha qeveritë njerëzore dhe do të sjellë një epokë paqeje për të gjithë globin. (Psalmi 72:1-7; Danieli 2:44; Zbulesa 21:3-5) Për këtë arsye, të krishterët e vërtetë e bëjnë ardhjen e Mbretërisë një temë të përsëritur në lutjet e tyre. A të ka mësuar kisha në të cilën shkon të veprosh kështu?
Gjithashtu, në mënyrë interesante, Jezui tregoi se në lutjet tona mund të përfshihen çështje personale që na përkasin. Ai tha: «Na jep çdo ditë bukën tonë të përditshme. Na i fal mëkatet tona, sepse edhe ne i falim fajtorët tanë! E mos lejo të biem në tundim.» (Luka 11:3, 4, DSF) Fjalët e Jezuit nënkuptojnë se ne mund të kërkojmë vullnetin e Perëndisë në çështjet e përditshme dhe se mund t’i afrohemi Jehovait për gjithçka që mund të na shqetësojë apo të prishë paqen tonë mendore. Lutja e rregullt që i bëjmë Perëndisë në këtë mënyrë, na ndihmon të çmojmë mbështetjen tonë tek ai. Në këtë mënyrë, bëhemi më të vetëdijshëm për ndikimin e tij në jetën tonë. Po ashtu, e dobishme është edhe që t’i kërkojmë ditë për ditë Perëndisë të na falë për shkeljet që bëjmë. Me anën e kësaj, bëhemi më të vetëdijshëm për dobësitë tona dhe më të durueshëm ndaj të metave të të tjerëve. Edhe nxitja e Jezuit për t’u lutur që të lirohemi nga tundimet, është e përshtatshme, veçanërisht duke pasur parasysh moralin e rënë të kësaj bote. Në përputhje me atë lutje, ne kujdesemi të shmangim situata dhe rrethana që mund të na çojnë në shkelje.
Pra, nuk ka asnjë dyshim se Lutja e Zotërisë na mëson shumë gjëra mbi ofrimin e lutjeve që i pëlqejnë Perëndisë. Por, a kishte për qëllim Jezui që këtë lutje thjesht ta recitojmë rregullisht?
Këshilla të tjera mbi lutjen
Jezui dha udhëzime të mëtejshme mbi lutjen. Në Mateun 6:5, 6 lexojmë: «Kur ti lutesh, mos u bëj si hipokritët, sepse atyre u pëlqen të luten në këmbë në sinagoga dhe në sheshet e rrugëve, në mënyrë që njerëzit t’i shohin; . . . Por ti, kur lutesh, futu në dhomëzën tënde, mbylle derën dhe lutju Atit tënd në fshehtësi; dhe Ati yt, që shikon në fshehtësi, do të ta shpërblejë.» Këto fjalë na mësojnë se lutja nuk duhet bërë në një mënyrë që bie në sy, për t’i bërë përshtypje dikujt. A i hap zemrën Jehovait kur je vetëm, siç nxit Bibla?—Psalmi 62:8.
Jezui dha këtë paralajmërim: «Por kur ju luteni, mos përdorni përsëritje të kota siç bëjnë paganët, sepse ata mendojnë se do t’u plotësohet lutja se kanë përdorur shumë fjalë.» (Mateu 6:7) Është e qartë, Jezui nuk miraton lutjet përmendësh, aq më pak leximin e tyre nga ndonjë libër. Për më tepër, fjalët e tij përjashtojnë përdorimin e rruzareve.
Një meshar katolik bën këtë paralajmërim: «Lutja më e mirë mund të jenë mendimet tona spontane, kur i drejtohemi atij në falënderim apo në nevojë, në kohë brenge apo në adhurimin e rregullt të përditshëm që i bëjmë.» Lutjet që bëri vetë Jezui ishin spontane dhe jo të mësuara përmendësh. Për shembull, lexo lutjen e tij që gjendet në kreun 17 të Gjonit. Ajo i përmbahet lujtes model, duke theksuar dëshirën e Jezuit për ta parë emrin e Jehovait të shenjtëruar. Lutja e Jezuit ishte spontane dhe thellësisht e ndjerë.
Lutjet që Perëndia dëgjon
Nëse je mësuar të bësh lutje të mësuara përmendësh, t’u lutesh «shenjtorëve» ose shëmbëlltyrave, apo të përdorësh sende fetare të tilla, si rruzaret, ideja për t’u lutur në mënyrën që theksoi Jezui, në fillim mund të të bëjë të mos ndihesh i qetë. Megjithatë, për t’u lutur ashtu siç mësoi Jezui, zgjidhja është që të arrijmë të njohim Perëndinë: emrin, qëllimin dhe personalitetin e tij. Mund ta bësh këtë përmes një studimi rrënjësor të Biblës. (Gjoni 17:3) Dëshmitarët e Jehovait janë të gatshëm dhe në dispozicion për të të ndihmuar në këtë gjë. Përse jo, ata kanë ndihmuar miliona njerëz rreth botës ‘që të provojnë dhe të shohin sa i mirë është Zoti’. (Psalmi 34:8) Sa më shumë të njohësh Perëndinë, aq më shumë do të ndihesh i nxitur ta lavdërosh atë në lutje. Dhe sa më shumë që t’i afrohesh Jehovait në lutje me nderim hyjnor, aq më e ngushtë do të jetë marrëdhënia jote me të.
Prandaj, të gjithë adhuruesit e vërtetë të Perëndisë janë të nxitur ‘të luten pa pushim’. (1. Selanikasve 5:17) Sigurohu se lutjet e tua janë vërtet në harmoni me Biblën, duke përfshirë udhëzimet e Jezu Krishtit. Në këtë mënyrë, do të jesh i sigurt se lutjet e tua do të kenë miratimin e Perëndisë.
[Figura në faqen 7]
Sa më shumë që të njohim Perëndinë, aq më shumë do të ndihemi të nxitur për t’iu lutur atij nga zemra