KAPITULLI 35
Predikimi i famshëm në mal
PREDIKIMI NË MAL
Kushedi sa i lodhur është Jezui pasi ka kaluar gjithë natën duke u lutur që të zgjedhë nga dishepujt e tij 12 apostujt! Tanimë ka zbardhur dhe prapëseprapë ai ka fuqi e dëshirë të ndihmojë njerëzit. Këtë e bën në një shpat mali në Galile, mbase jo shumë larg nga Kapernaumi, qendra e aktivitetit të tij.
Turmat kanë ardhur tek ai nga vende të largëta. Disa janë nga jugu, nga Jerusalemi dhe zona e Judesë. Të tjerë vijnë nga qytetet bregdetare të Tirit dhe të Sidonit, në veriperëndim. Pse po kërkojnë Jezuin? Kanë ardhur që ‘ta dëgjojnë dhe të shërohen nga sëmundjet’. E ndodh pikërisht kështu—Jezui ‘i shëron të gjithë’. Mendo pak: shërohen gjithë të sëmurët. Madje ndihmon ‘edhe ata që i shqetësojnë frymërat e ndyra’, njerëz që torturohen nga engjëjt e ligj të Satanait.—Luka 6:17-19.
Tani Jezui gjen një rrafshinë në shpatin e malit, dhe turma mblidhet rreth tij. Ka shumë të ngjarë që më afër tij të jenë dishepujt, e sidomos 12 apostujt. Të gjithë janë tërë sy e veshë për të dëgjuar këtë mësues që është në gjendje të kryejë vepra kaq të fuqishme. Jezui mban një fjalim që me siguri u sjell shumë dobi dëgjuesve. Që atëherë, nga ky fjalim kanë nxjerrë dobi sa e sa veta. Edhe ne mund të përfitojmë prej tij, sepse Jezui i përcolli mendimet e thella të Perëndisë në një mënyrë të thjeshtë e të qartë. Ai përdori situata dhe gjëra nga jeta e përditshme, të njohura për njerëzit. Ja pse mësimet e tij i kuptojnë të gjithë ata që duan të bëjnë një jetë më të mirë në përputhje me parimet e Perëndisë. Cilat pika të rëndësishme e bëjnë kaq të vlefshëm këtë fjalim të Jezuit?
NGA VARET LUMTURIA E VËRTETË?
Të gjithë duam të jemi të lumtur. Nisur nga kjo, Jezui fillon të përshkruajë njerëzit që janë vërtet të lumtur. Imagjino sa shumë ua zgjon interesin dëgjuesve! Megjithatë, disa gjëra që thotë, me siguri u duken të çuditshme.
Jezui thotë: «Lum ata që e kuptojnë se kanë nevojë për Perëndinë, sepse atyre u përket Mbretëria e qiejve! Lum ata që vajtojnë, sepse do të ngushëllohen! . . . Lum ata që janë të uritur dhe të etur për drejtësinë, sepse do të ngopen! . . . Lum ata që përndiqen për hir të drejtësisë, sepse atyre u përket Mbretëria e qiejve! Lum ju kur njerëzit ju poshtërojnë e ju përndjekin . . . për shkakun tim! Gëzoni dhe ngazëlloni.»—Mateu 5:3-12.
Çfarë nënkupton Jezui me fjalën «lum»? Nuk po përshkruan një njeri gazmor dhe shend e verë, siç është dikush kur bën qejf. Lumturia e vërtetë është më e thellë. Ajo përfshin të ndihesh vërtet i kënaqur, i plotësuar dhe i realizuar në jetë.
Jezui thotë se njerëzit që janë vërtet të lumtur e pranojnë se kanë nevojë të lidhen me Perëndinë, i trishton gjendja e tyre mëkatare dhe përpiqen ta njohin e t’i shërbejnë Atij. Edhe nëse të tjerët i urrejnë ose i përndjekin ngaqë bëjnë vullnetin e Perëndisë, ata janë të lumtur ngaqë e dinë se i sjellin kënaqësi atij dhe se do t’i shpërblejë me jetën e përhershme.
Mirëpo shumë njerëz mendojnë se lumturia e tyre varet nga pasuria dhe rendja pas qejfeve. Por Jezui thotë të kundërtën. Me një kontrast që vë në mendime shumë nga dëgjuesit, thotë: «Mjerë ju, o të pasur, sepse tashmë e keni marrë të plotë ngushëllimin tuaj! Mjerë ju që tani jeni të ngopur, sepse do të vuani urie! Mjerë ju që tani qeshni, sepse do të vajtoni e do të qani! Mjerë ju, kur të gjithë njerëzit të flasin mirë për ju, sepse kështu bënë edhe paraardhësit e tyre me profetët e rremë!»—Luka 6:24-26.
Pse sjell mjerim të kesh pasuri, të qeshësh me të madhe dhe të marrësh lëvdata nga të tjerët? Sepse, kur dikush i ka dhe i vlerëson tepër këto gjëra, mund ta lërë pas dore shërbimin e Perëndisë, duke sakrifikuar kështu lumturinë e vërtetë. Jezui nuk po thotë se, po të jesh i varfër a i uritur, automatikisht je i lumtur. Gjithsesi, ata që jetojnë në kushte të vështira shpesh janë më të prirur t’i pranojnë mësimet e Jezuit dhe të bekohen me lumturi të vërtetë.
Duke pasur në mendje dishepujt e tij, Jezui thotë: «Ju jeni kripa e tokës.» (Mateu 5:13) Kuptohet, nuk po flet për kripën e mirëfilltë. Ai e ka fjalën për vetitë ruajtëse të kripës. Pranë altarit, në tempullin e Perëndisë mbahet një sasi e madhe kripe që përdoret për të kriposur flijimet. Kështu, kripa nënkupton mungesën e korruptimit a të prishjes. (Levitiku 2:13; Ezekieli 43:23, 24) Dishepujt e Jezuit janë «kripa e tokës» në kuptimin që kanë ndikim të mirë te të tjerët, ngaqë i ndihmojnë të ruajnë e të mos prishin marrëdhënien me Perëndinë dhe vlerat morale. Vërtet, mesazhi që predikojnë ruan jetën e të gjithë atyre që e mirëpresin.
Jezui u thotë edhe: «Ju jeni drita e botës.» Një llambë nuk vendoset poshtë një ene, por në mbajtëse që të rrezatojë dritë. Ndaj Jezui i nxit: «Le të ndriçojë drita juaj para njerëzve, që të shohin veprat tuaja të shkëlqyera dhe t’i japin lavdi Atit tuaj që është në qiej.»—Mateu 5:14-16.
NJË STANDARD I LARTË PËR DISHEPUJT
Krerët fetarë judenj e konsiderojnë Jezuin si shkelës të Ligjit të Perëndisë dhe kohët e fundit kanë komplotuar për ta vrarë. Ja pse Jezui thotë hapur: «Mos mendoni se erdha të zhvlerësoj Ligjin ose Profetët. Nuk erdha për të zhvlerësuar, por për të përmbushur.»—Mateu 5:17.
Në të vërtetë, Jezui e vlerëson tej mase Ligjin e Perëndisë dhe i nxit edhe të tjerët ta vlerësojnë po njësoj. Në fakt ai thotë: «Kushdo që shkel një nga këto urdhërime, qoftë edhe më të voglin, dhe i mëson edhe të tjerët të bëjnë kështu, do të quhet i padenjë për të hyrë në Mbretërinë e qiejve.» Me këto fjalë po thotë se një njeri i tillë nuk do të hyjë fare në Mbretëri. «Por,—vazhdon ai,—kushdo që i zbaton ato dhe ua mëson të tjerëve, do të quhet i denjë për të hyrë në Mbretërinë e qiejve.»—Mateu 5:19.
Madje Jezui dënon edhe qëndrime që çojnë deri aty sa të shkelet Ligji i Perëndisë. Pasi citon fjalët e Ligjit «mos vrit», shton: «Kushdo që ushqen zemërim kundër vëllait të vet, do të japë llogari para gjyqit.» (Mateu 5:21, 22) Të ushqesh zemërim ndaj dikujt është çështje serioze, se mund të çojë deri në vrasje. Prandaj Jezui shpjegon sa shumë përpjekje duhet të bëjë një person për të arritur paqen: «Nëse ti, pra, po sjell flijimin tënd në altar dhe atje kujtohesh se vëllai yt ka diçka kundër teje, lëre flijimin atje para altarit dhe ik. Bëj më parë paqe me vëllanë tënd e pastaj kthehu dhe paraqit flijimin.»—Mateu 5:23, 24.
Një urdhër tjetër i Ligjit dënon kurorëshkeljen. Jezui thotë: «Ju keni dëgjuar se është thënë: ‘Mos kryej kurorëshkelje.’ Por unë po ju them se kushdo që vazhdon ta shikojë një grua aq sa ta dëshirojë, tashmë ka kryer kurorëshkelje me të në zemër.» (Mateu 5:27, 28) Jezui nuk po flet thjesht për një mendim imoral që na kalon nëpër mend; përkundrazi, po thekson sa e rëndë është kur dikush «vazhdon ta shikojë» dikë me dëshirim. Shpesh kjo ndez epshe që pastaj, kur krijohet mundësia, mund të çojnë në kurorëshkelje. Si mund ta parandalojë dikush këtë? Mbase duhet të marrë masa drastike. Jezui thotë: «Nëse syri i djathtë po të bëhet pengesë, hiqe dhe flake tej. . . . Nëse dora e djathtë po të bëhet pengesë, prite dhe flake tej.»—Mateu 5:29, 30.
Për të shpëtuar jetën, disa kanë pranuar t’u pritet një gjymtyrë e dëmtuar rëndë. Me të drejtë, Jezui thotë se është më e rëndësishme ‘të flakësh tej’ gjithçka, madje edhe diçka aq të çmuar sa syri ose dora, për të shmangur mendimet imorale dhe veprimet që vijnë si pasojë. Ai shpjegon: «Më mirë të humbasësh një nga gjymtyrët, sesa të përfundojë në Gehenë i gjithë trupi.» (Gehena ishte një grumbull mbeturinash që digjeshin jashtë mureve të Jerusalemit dhe simbolizon shkatërrimin e përhershëm.)
Gjithashtu Jezui jep këshilla se si të veprojmë kur dikush na lëndon ose na ofendon. Ai thotë: «Mos ia kthe flakë për flakë njeriut të lig, por atij që të jep një shuplakë në faqen e djathtë, ktheji edhe tjetrën.» (Mateu 5:39) Kjo s’do të thotë që s’mund të mbrojmë veten ose familjen kur na sulmojnë. Jezui po flet për një shuplakë, që nuk ka si qëllim të plagosë rëndë a të vrasë dikë, por është një gjest poshtërues. Ai po thotë që, nëse dikush përpiqet të ndezë një sherr a debat, qoftë me një shuplakë a fjalë fyese, mos ia kthe me të njëjtën monedhë.
Kjo këshillë është në përputhje me Ligjin e Perëndisë që na urdhëron të duam tjetrin. Ndaj Jezui këshillon dëgjuesit: «Vazhdoni të doni armiqtë tuaj e të luteni për ata që ju përndjekin.» Dhe tregon një arsye të fortë për ta bërë këtë: «Që të tregoni se jeni bij të Atit tuaj që është në qiej, sepse falë tij dielli lind mbi të ligjtë e mbi të mirët.»—Mateu 5:44, 45.
Jezui e përmbledh kështu këtë pjesë të fjalimit: «Prandaj jini të përsosur, ashtu si është i përsosur Ati juaj qiellor.» (Mateu 5:48) Kuptohet, ai nuk po thotë se njerëzit mund të jenë plotësisht të përsosur. Mirëpo duke imituar Perëndinë, mund të arrijmë deri aty sa të duam edhe armiqtë. E thënë ndryshe: «Vazhdoni të jeni të mëshirshëm, ashtu si është i mëshirshëm Ati juaj.»—Luka 6:36.
LUTJET DHE BESIMI TE PERËNDIA
Teksa vazhdon fjalimin, Jezui i nxit dëgjuesit: «Kini kujdes që të mos bëni vepra të drejta vetëm për të rënë në sy të njerëzve.» Jezui po dënon ata që hiqen si të devotshëm dhe shton: «Kur t’u japësh dhurata të varfërve, mos i bjer trumbetës si bëjnë hipokritët.» (Mateu 6:1, 2) Më mirë t’ua japësh dhuratat të varfërve pa rënë në sy.
Pastaj Jezui thotë: «Kur të luteni, mos jini si hipokritët, sepse atyre u pëlqen të luten në këmbë në sinagoga dhe në kryqëzimet e rrugëve kryesore, që njerëzit t’i shohin.» Në vend të kësaj, ai nxit: «Kur të lutesh, hyr në dhomën tënde dhe, pasi të kesh mbyllur derën, lutju Atit tënd që është në fshehtësi.» (Mateu 6:5, 6) Jezui nuk po thotë që s’duhet të lutemi kurrë në publik, pasi edhe vetë ai bëri lutje të tilla. Por po dënon lutjet që bëhen për t’u lënë përshtypje të tjerëve ose për të marrë lëvdata.
Ai jep këtë këshillë: «Kur të lutesh, mos përsërit gjithnjë të njëjtat gjëra, si bëjnë njerëzit nga kombet e tjera.» (Mateu 6:7) Kjo nuk do të thotë që është gabim të lutemi për të njëjtën çështje herë pas here, por që lutjet mekanike ose ‘përsëritjet’ e shprehjeve të mësuara përmendsh, nuk i pëlqejnë Perëndisë. Pastaj Jezui jep lutjen model që përfshin shtatë kërkesa. Tri të parat përqendrohen tek e drejta e Perëndisë si Sovran dhe te qëllimi i tij: që emri i tij të shenjtërohet, që Mbretëria e tij të vijë dhe që vullneti i tij të bëhet. Vetëm pasi të kemi përmendur këto çështje mund të lutemi për nevojat tona: të na japë bukën e gojës, të na falë mëkatet, si edhe të mos tundohemi përtej asaj që mund të mbajmë dhe të çlirohemi nga i ligu.
Sa rëndësi duhet të kenë për ne të mirat materiale? Jezui nxit turmën: «Mos grumbulloni më thesare në tokë, ku brejnë mola dhe ndryshku, dhe ku hajdutët hyjnë e vjedhin.» Sa këshillë me vend! Pasuria mund të marrë fund, e shpesh kështu ndodh. Veç kësaj nuk na e rrit vlerën në sytë e Perëndisë. Prandaj Jezui shton: «Grumbulloni thesare në qiell.» Këtë e bëjmë duke e vënë shërbimin e Perëndisë në vend të parë në jetë. Askush s’mund të na e grabitë emrin e mirë që kemi para Perëndisë e as jetën e përhershme që vjen falë tij. Sa të vërteta janë fjalët e Jezuit: «Ku të jetë thesari yt, atje do të jetë edhe zemra jote.»—Mateu 6:19-21.
Për ta theksuar këtë pikë, Jezui bën një ilustrim: «Llamba e trupit është syri. Prandaj, nëse syri yt është i përqendruar, gjithë trupi do të jetë i ndriçuar, por, nëse syri yt është lakmitar, gjithë trupi do të jetë i errët.» (Mateu 6:22, 23) Kur syri figurativ funksionon mirë, është si një llambë e ndezur për trupin tonë. Që të na ndriçojë si një llambë, syri duhet të jetë i përqendruar vetëm te një gjë; përndryshe mund të përvetësojmë një pikëpamje të shtrembëruar se çfarë ka vërtet rëndësi në jetë. Nëse përqendrohemi te gjërat materiale në vend se te shërbimi i Perëndisë, atëherë «gjithë trupi do të jetë i errët», pra mund të përfshihemi në vepra të dyshimta që bëhen në errësirë.
Më tej Jezui jep një shembull që të lë mbresë: «Askush s’mund të jetë skllav i dy zotërinjve: ose do të urrejë njërin e do të dojë tjetrin, ose do të qëndrojë besnik ndaj njërit e do të përçmojë tjetrin. Ju s’mund të jeni skllevër edhe të Perëndisë, edhe të Pasurisë.»—Mateu 6:24.
Disa nga ata që po dëgjonin Jezuin mbase vritnin mendjen si t’i plotësonin nevojat materiale. Kështu ai i siguron duke u thënë që s’ka pse të jenë në ankth nëse vënë në vend të parë shërbimin ndaj Perëndisë. «Vështroni me kujdes zogjtë e qiellit: ata nuk mbjellin, nuk korrin dhe nuk mbledhin në depo, e megjithatë Ati juaj qiellor i ushqen.»—Mateu 6:26.
Ç’të themi për zambakët në këtë shpat mali? Jezui tregon se «as Solomoni, me gjithë madhështinë e tij, nuk ishte i veshur si një prej tyre». Çfarë do të thotë kjo? «Nëse Perëndia i vesh kështu bimët e fushës, që sot janë e nesër hidhen në zjarr, a nuk do t’ju veshë shumë më tepër ju?!» (Mateu 6:29, 30) Jezui jep këtë këshillë të mençur: «Mos jini kurrë në ankth e mos thoni: ‘Ç’do të hamë?’ ose ‘Ç’do të pimë?’ ose ‘Çfarë do të veshim?’ . . . Ati juaj qiellor e di mirë se ju keni nevojë për të gjitha këto gjëra. Vazhdoni, pra, të kërkoni në radhë të parë Mbretërinë dhe drejtësinë e Perëndisë, dhe të gjitha këto gjëra do t’ju shtohen.»—Mateu 6:31-33.
SI TË FITOJMË JETËN
Apostujt dhe njerëzit e tjerë të sinqertë duan të jetojnë siç i pëlqen Perëndisë, por kjo nuk është e lehtë për rrethanat e tyre. Për shembull, shumë farisenj janë kritikues dhe i gjykojnë ashpër të tjerët. Ndaj Jezui i këshillon dëgjuesit: «Mos gjykoni më, që të mos gjykoheni, sepse do t’ju gjykojnë me po atë gjykim që gjykoni.»—Mateu 7:1, 2.
Jezui ilustron se është e rrezikshme të imitosh sjelljen e farisenjve tejet kritikues: «A e drejton dot i verbri të verbrin?! A nuk do të bien të dy në gropë?!» Atëherë si duhet t’i shohin të tjerët dëgjuesit e Jezuit? Jo me sy kritik, sepse ky do të ishte gabim i rëndë. Ai pyet: «Si mund t’i thuash vëllait: ‘Vëlla, prit pak të të heq lëmishten nga syri’, kur ti vetë nuk sheh traun në syrin tënd? Hipokrit! Hiq më parë traun nga syri yt, e pastaj do të shohësh qartë si të heqësh lëmishten nga syri i vëllait.»—Luka 6:39-42.
Kjo s’do të thotë se dishepujt nuk duhet ta përdorin fare aftësinë për të gjykuar. Ja si i mëson Jezui: «Mos u jepni qenve atë që është e shenjtë, as margaritarët tuaj mos ua hidhni derrave.» (Mateu 7:6) Të vërtetat e Fjalës së Perëndisë janë të çmuara, si margaritarë. Nëse disa njerëz sillen si kafshë, duke mos i vlerësuar fare këto të vërteta të vyera, dishepujt duhet të largohen prej tyre dhe të kërkojnë ata që e mirëpresin mesazhin.
Jezui kthehet prapë tek argumenti i lutjes dhe thekson sa e nevojshme është të ngulmojmë në të. «Vazhdoni të kërkoni dhe do t’ju jepet.» Perëndia është gati t’u përgjigjet lutjeve, siç e thekson edhe Jezui me këtë pyetje: «Kush nga ju, kur i biri t’i kërkojë bukë, do t’i japë një gur?! . . . Prandaj, nëse ju, edhe pse mëkatarë, dini t’u jepni fëmijëve tuaj dhurata të mira, aq më shumë Ati juaj që është në qiej, do t’u japë gjëra të mira atyre që ia kërkojnë.»—Mateu 7:7-11.
Tani Jezui themelon një rregull sjelljeje që sot njihet gjerësisht: «Gjithçka që dëshironi të bëjnë të tjerët për ju, bëjeni edhe ju për ta.» A nuk duhet t’ia vëmë veshin dhe ta zbatojmë këtë mësim pozitiv në marrëdhëniet me të tjerët? Megjithatë kjo mund të jetë e vështirë, siç nënkuptohet edhe nga udhëzimi i Jezuit: «Hyni nga porta e ngushtë, sepse e gjerë është porta dhe e madhe është rruga që të çon në shkatërrim, dhe shumë hyjnë nga ajo. Por e ngushtë është porta dhe e vogël rruga që të çon në jetë, dhe pak e gjejnë atë.»—Mateu 7:12-14.
Ka nga ata që do të përpiqen t’i devijojnë dishepujt nga udha që të çon në jetë, prandaj Jezui i paralajmëron: «Ruhuni nga profetët e rremë, që vijnë te ju të veshur si dele, por përbrenda janë ujqër të pangopur.» (Mateu 7:15) Jezui vëren se mund ta kuptojmë nëse një pemë është e mirë a e keqe nga frytet që prodhon. Njësoj ndodh edhe me njerëzit. Mund të dallojmë cilët janë profetë të rremë nga mësimet dhe veprimet e tyre. Jezui shpjegon se ajo që përcakton nëse dikush është dishepull i tij nuk janë vetëm fjalët, por edhe ato që bën. Disa pohojnë se Jezui është Zotëria i tyre. Por, a mund ta thonë këtë nëse nuk bëjnë vullnetin e Perëndisë? Jezui thotë hapur: «Unë do t’u them: ‘Kurrë nuk ju kam njohur. Largohuni nga unë, ju që bëni vepra të paligjshme!’»—Mateu 7:23.
Në mbyllje të predikimit, Jezui e bën të qartë: «Kushdo që i dëgjon këto fjalë të mia dhe i zbaton, është si një njeri i mençur, i cili e ndërtoi shtëpinë e vet në shkëmb. Ra shiu, erdhën përmbytjet, frynë erërat dhe u përplasën me forcë pas shtëpisë, por ajo s’u shemb, sepse e kishte themelin në shkëmb.» (Mateu 7:24, 25) Pse nuk u shemb shtëpia? Sepse ky njeri «gërmoi thellë dhe e hodhi themelin në shkëmb». (Luka 6:48) Prandaj nuk mjafton thjesht t’i dëgjojmë fjalët e Jezuit. Duhet të bëjmë çmos ‘t’i zbatojmë’.
Ç’të themi për atë që «i dëgjon këto fjalë» por «nuk i zbaton»? Ai «është si një njeri mendjelehtë, i cili e ndërtoi shtëpinë e vet në rërë». (Mateu 7:26) Shirat, përmbytjet dhe erërat mund ta rrëzojnë një shtëpi të tillë.
Turma mbetet gojëhapur nga mënyra si i mësoi Jezui gjatë predikimit të tij. Jezui mëson si një njeri me autoritet e jo si udhëheqësit fetarë. Me siguri shumë nga dëgjuesit bëhen dishepuj të tij.