A po të helmon fryma e botës?
MË 12 shtator 1990, në një kombinat të Kazakistanit ndodhi një shpërthim. Në atmosferë u lëshua radioaktiviteti i rrezikshëm, duke kërcënuar shëndetin e 120.000 banorëve lokalë, shumë prej të cilëve dolën rrugëve, duke protestuar kundër helmit vdekjeprurës.
Por kur doli në dritë më shumë informacion, ata zbuluan se kishin qenë duke jetuar në një ambient helmues për dekada të tëra. Gjatë viteve, 100.000 tonë mbeturinash radioaktive ishin hedhur në një vend të paruajtur, në natyrë. Megjithëse rreziku ishte në dyert e tyre, askush nuk e kishte marrë seriozisht atë. Pse vallë?
Çdo ditë, në stadiumin lokal të sporteve, nëpunësit jepnin treguesin e radioaktivitetit, gjë që krijonte përshtypjen se gjithsesi nuk kishte rrezik. Shifrat ishin të sakta, por ato tregonin vetëm rrezatimin gama. Rrezatimi alfa, i cili nuk ishte matur, mund të jetë po aq vdekjeprurës. Shumë nëna filluan ta kuptonin se pse fëmijët e tyre ishin aq shëndetligë.
Duke folur në aspektin frymor, edhe ne mund të jemi të helmuar nga ndotje të padukshme. Ashtu si ata njerëz të mjerë në Kazakistan, pjesa më e madhe janë të pavetëdijshëm për këtë rrezik që kërcënon jetën. Bibla e identifikon këtë ndotje si «frymën e botës», e cila nuk manovrohet nga askush tjetër, përveçse nga Satana Djalli. (1. Korintasve 2:12) Kundërshtari i Perëndisë e përdor në mënyrë keqdashëse këtë frymë, apo qëndrim mbizotërues të botës, për të minuar devotshmërinë tonë hyjnore.
Si mund ta ligështojë forcën tonë frymore, fryma e botës? Duke nxitur dëshirën e syve dhe duke luajtur me egoizmin tonë të lindur. (Efesianëve 2:1-3; 1. Gjonit 2:16) Me anë të shembujve, do të shqyrtojmë tri fusha të ndryshme, në të cilat mënyra e të menduarit sipas botës mund ta helmojë gradualisht gjendjen tonë frymore.
Të kërkojmë më parë Mbretërinë
Jezui i nxiti të krishterët të ‘kërkonin më parë Mbretërinë dhe drejtësinë e Perëndisë’. (Mateu 6:33) Nga ana tjetër, fryma e botës mund të na çojë në dhënien e një rëndësie të papërshtatshme interesave dhe rehative tona. Rreziku fillestar gjendet jo në heqjen dorë krejtësisht nga interesat frymore, por në kalimin e tyre në vend të dytë. Mund t’i mbyllim sytë para rrezikut, siç bëri populli në Kazakistan, për shkak të një ndjenje të rremë sigurie. Vitet e shërbimit tonë besimplotë dhe çmueshmëria për vëllezërit dhe motrat tona frymore, mund të na nanurisë në një mënyrë të menduari se nuk mund ta braktisim kurrë rrugën e së vërtetës. Ka mundësi që shumë prej atyre të kongregacionit të Efesit të kenë menduar në këtë mënyrë.
Rreth vitit 96 të e.s., Jezui u dha atyre këshillën vijuese: «Kam diçka kundër teje, sepse dashurinë tënde të parën e le.» (Zbulesa 2:4) Ata të krishterë që shërbenin prej shumë kohësh, kishin duruar shumë vështirësi. (Zbulesa 2:2, 3) Ata ishin mësuar nga pleq besimplotë, duke përfshirë apostullin Pavël. (Veprat 20:17-21, 27) Megjithatë, përgjatë viteve, dashuria e tyre për Jehovain ishte venitur dhe ata humbën vrullin e tyre frymor.—Zbulesa 2:5.
Ka të ngjarë që disa prej efesianëve të ishin ndikuar nga tregtia dhe mbarësia në qytet. Mjerisht, rryma materialiste e shoqërisë së sotme, në mënyrë të ngjashme, i ka marrë me vete disa të krishterë. Përpjekjet e vendosura për një stil të rehatshëm jetese, në mënyrë të pashmangshme do të na devijojnë nga synimet frymore.—Krahaso Mateun 6:24.
Duke paralajmëruar rreth këtij rreziku, Jezui tha: «Llamba e trupit është syri. Nëse, pra, syri yt është i thjeshtë, i gjithë trupi yt do të jetë i ndritshëm, por nëse syri yt është i ligë [«ziliqar», shënim], i gjithë trupi yt do të jetë i errët.» (Mateu 6:22, 23, BR) Një sy «i thjeshtë» është një sy frymësisht i përqendruar, një sy që është i ngulitur në Mbretërinë e Perëndisë. Nga ana tjetër, një sy «i lig» apo një sy «ziliqar», është dritëshkurtër, i aftë për t’u përqendruar vetëm në dëshirat mishore të çastit. Objektivat frymore dhe shpërblimet e ardhshme shtrihen përtej njohurisë së tij.
Në vargun pararendës, Jezui tha: «Ku është thesari juaj, do të jetë edhe zemra juaj.» (Mateu 6:21) Si mund ta dimë nëse zemra jonë është e përqendruar në gjërat frymore apo materiale? Ndoshta udhërrëfyesi më i mirë është bisedimi, sepse ‘goja flet nga mbushullia e zemrës’. (Luka 6:45) Nëse vëmë re se flasim vazhdimisht për gjërat materiale apo për arritjet sipas botës, ky është tregues se zemra jonë është e ndarë dhe se shikimi ynë frymor është me defekt.
Karmeni,a një motër spanjolle, luftoi me këtë problem. «Unë u edukova në të vërtetën,—shpjegon Karmeni,—por në moshën 18-vjeçare fillova biznesin tim me një kopsht fëmijësh. Tre vjet më vonë kisha katër punonjëse; biznesi po lulëzonte dhe po fitoja shumë para. Megjithatë, ajo që ndoshta më kënaqte më së shumti ishte fakti se kisha pavarësi financiare dhe isha ‘e suksesshme’. Ta them hapur, zemrën e kisha tek biznesi im; ai ishte dashuria ime më e madhe.
Mendoja se mund të isha ende një Dëshmitare, ndonëse pjesën më të madhe të kohës ia dedikoja interesave të biznesit. Nga ana tjetër, kisha edhe ndjenjën që më brente nga brenda, se mund të bëja më shumë për t’i shërbyer Jehovait. Ajo që më në fund më bindi të vendosja në vend të parë interesat e Mbretërisë, ishte shembulli i dy shoqeve, që ishin pioniere. Njëra prej tyre, Xhuliana, ishte në kongregacionin tim. Ajo nuk më shtyu që të shërbeja si pioniere, por bisedat e saj dhe gëzimi që buronte qartë prej shërbimit të saj, më ndihmuan t’u bëja një rishqyrtim vlerave të mia frymore.
Ca kohë më vonë, ndërsa ndodhesha me pushime në Shtetet e Bashkuara, qëndrova me Glorian, një motër pioniere. Kohët e fundit ajo kishte mbetur e ve dhe po kujdesej për vajzën e saj pesëvjeçare dhe për nënën që kishte kancer. Megjithatë, ajo ishte pioniere. Shembulli dhe çmueshmëria e saj nga zemra për shërbimin, prekën zemrën time. Ato katër ditë që kalova në shtëpinë e saj, më bënë të vendosur për t’i dhënë Jehovait më të mirën time. Para së gjithash u bëra një pioniere e rregullt dhe pak vite më pas, burrin tim dhe mua na ftuan të shërbenim në Bethel. I dhashë lamtumirën biznesit, një pengesë për progresin tim frymor, dhe tani e ndiej se jeta ime është e suksesshme në sytë e Jehovait dhe kjo është ajo që ka me të vërtetë rëndësi.»—Luka 14:33.
Duke mësuar ‘të sigurohemi për gjërat më të rëndësishme’, siç bëri Karmeni, do të ndihmohemi për të marrë vendime të mençura në lidhje me punësimin, arsimimin, strehimin dhe stilin e jetës sonë. (Filipianëve 1:10, BR) Por a sigurohemi për gjërat më të rëndësishme edhe kur është fjala për zbavitjen? Kjo është një fushë tjetër, ku fryma e botës ushtron një ndikim shumë të madh.
Mbaje rehatinë personale në vendin e duhur
Fryma e botës shfrytëzon dinakërisht dëshirat e natyrshme të njerëzve për pushim dhe kohë të lirë. Meqenëse shumica e njerëzve nuk kanë shpresë të vërtetë për të ardhmen, është e kuptueshme se ata duhet të kërkojnë ta mbushin të tashmen me zbavitje dhe çlodhje. (Krahaso Isainë 22:13; 1. Korintasve 15:32.) A e gjejmë veten, duke i dhënë gjithnjë e më shumë rëndësi rehatisë personale? Kjo mund të jetë një shenjë se mënyra e të menduarit të botës po modelon pikëpamjen tonë.
Bibla paralajmëron: «Ai që i do qejfet [«zbavitjen», Lamsa] do të jetë në varfëri.» (Fjalët e urta 21:17) Të zbavitesh nuk është e gabuar, por ta dashurosh atë, duke i dhënë rëndësi të dorës së parë, çon në mangësi frymore. Oreksi ynë frymor do të bjerë në mënyrë të pashmangshme dhe do të kemi më pak kohë në dispozicion, për të predikuar lajmin e mirë.
Për këtë arsye, Fjala e Perëndisë na këshillon të «jemi mendërisht të pangarkuar për veprim, të vetëkontrolluar në mënyrë të përsosur». (1. Pjetrit 1:13, The New English Bible) Vetëkontrolli është i nevojshëm për ta kufizuar rehatinë tonë personale deri në atë masë që është e arsyeshme. Të jemi të pangarkuar për veprim, do të thotë të jemi gati për aktivitetin frymor, qoftë ai studimi, mbledhjet apo shërbimi në fushë.
Ç’të themi për pushimin e nevojshëm? A duhet të ndihemi fajtorë, kur marrim kohë për t’u çlodhur? Patjetër që jo. Pushimi është thelbësor, sidomos në botën e sotme plot me strese. Megjithatë, si të krishterë të dedikuar nuk mund të lejojmë që jeta jonë të përqendrohet tek rehatia personale. Një rehati e tepërt personale, mund të na nanurisë në bërjen gjithnjë e më pak aktivitet domethënës. Ajo mund të ulë ndjenjën tonë të urgjencës dhe mund të inkurajojë madje vetëkënaqësitë e tepërta. Si mund të kemi, pra, një pikëpamje të ekuilibruar në lidhje me pushimin?
Bibla rekomandon që të marrin një grusht pushimi në vend se të sfilitemi tepër, veçanërisht nëse puna në botë nuk është e domosdoshme. (Predikuesi 4:6) Megjithëse pushimi e ndihmon trupin tonë të rimarrë forcat, burimi i energjisë frymore është forca aktive e Perëndisë. (Isaia 40:29-31) Ne e marrim këtë frymë të shenjtë nëpërmjet aktiviteteve tona të krishtere. Studimi personal ushqen zemrat tona dhe nxit dëshirat e drejta. Pjesëmarrja në mbledhje ushqen çmueshmërinë për Krijuesin tonë. Pjesëmarrja në shërbimin e krishterë, nxit ndjenjat për të tjerët. (1. Korintasve 9:22, 23) Siç shpjegoi në mënyrë realiste Pavli, «njeriu i jashtëm në të vërtetë konsumohet, por çdo ditë njeriu i brendshëm merr forcë të freskët».—2. Korintasve 4:16, Filips.
Eleana, nënë e gjashtë fëmijëve dhe grua e një burri jobesimtar, bën një jetë shumë të ngarkuar. Ajo ka përgjegjësi ndaj familjes së vet dhe disa të afërmve të tjerë, që do të thotë se ajo gjithmonë duket se për çdo gjë nxiton. Megjithatë, ajo jep edhe një shembull që vlen të përmendet, në predikim dhe në përgatitjen për mbledhje. Si mund të kryejë ajo kaq shumë aktivitet?
«Mbledhjet dhe shërbimi në fushë më ndihmojnë me të vërtetë për të përballuar përgjegjësitë e tjera,—shpjegon Eleana.—Për shembull, pas predikimit, kam plot gjëra për të menduar kur bëj punët e shtëpisë. Shpesh, duke bërë punët, këndoj. Nga ana tjetër, nëse kam humbur një mbledhje apo kam bërë pak në shërbimin në fushë, punët e shtëpisë bëhen një mundim i vërtetë.»
Çfarë kontrasti me rëndësinë e tepërt që i jepet rehatisë personale!
Bukuria frymore i pëlqen Jehovait
Ne jetojmë në një botë që sa vjen e bëhet më maniake për paraqitjen fizike. Njerëzit shpenzojnë shuma të mëdha me trajtimet e bëra me qëllim që të përmirësojnë pamjen e tyre dhe për të reduktuar efektet e moshës. Kjo përfshin transplatimin e flokëve, lyerjen e tyre, operacionet për të zbukuruar gjoksin dhe operacionet plastike. Me miliona veta frekuentojnë qendrat për rënien në peshë, palestra dhe grupe aerobie ose blejnë video për ushtrime dhe libra dietash. Bota do që të na bëjë të besojmë se pasaporta drejt lumturisë është paraqitja jonë fizike, se «imazhi» ynë është gjithçka.
Në Shtetet e Bashkuara, një analizë e cituar nga revista Newsweek, vërente se 90 për qind e adoleshentëve të bardhë amerikanë, ishin «të pakënaqur me trupin e tyre». Kërkimi i dëshpëruar i pamjes ideale, mund të ndikojë në gjendjen tonë frymore. Dora ishte një Dëshmitare e Jehovait në moshë të re, së cilës i vinte turp për pamjen e saj të jashtme, sepse ishte ca mbi peshë. «Kur shkoja të blija rroba, ishte e vështirë të gjeja veshje të përshtatshme për masën time,—shpjegon ajo.—Dukej sikur veshjet e bukura ishin bërë vetëm për adoleshentë elegantë. Më keq akoma, njerëzit bënin komente përçmuese për peshën time, gjë që më mërziste shumë, veçanërisht kur këto komente vinin nga vëllezër dhe motra frymore.
Për pasojë, u bëra gjithnjë e më maniake pas paraqitjes sime, deri në atë pikë që vlerat frymore filluan të zinin vendin e dytë në jetën time. Ishte sikur lumturia varej nga beli im. Kanë kaluar shumë vite dhe tani që jam pjekur si grua dhe si e krishterë, i shoh gjërat ndryshe. Megjithëse kujdesem për paraqitjen time, e kuptoj se është bukuria frymore ajo që ka shumë rëndësi dhe është ajo që më jep kënaqësinë më të madhe. Sapo e kuptova këtë, isha në gjendje t’i vendosja interesat e Mbretërisë në vendin e tyre të duhur.»
Sara ishte një grua besimplotë e lashtësisë, e cila pati këtë pikëpamje të ekuilibruar. Megjithëse Bibla flet për bukurinë e saj fizike, kur i kishte kaluar të 60-at, ajo e tërheq vëmendjen kryesisht në cilësitë e saj të shkëlqyera, në personin e fshehur të zemrës. (Zanafilla 12:11; 1. Pjetrit 3:4-6) Ajo tregoi një frymë të sjellshme dhe të butë dhe iu bind në mënyrë të nënshtruar burrit të saj. Sara nuk shqetësohej më kot për atë që të tjerët shikonin tek ajo. Megjithëse vinte nga një familje e pasur, me gatishmëri jetoi në tenda për më shumë se 60 vjet. Ajo e përkrahu me zemërbutësi dhe pa egoizëm burrin e saj; ajo qe një grua besimi. Kjo qe ajo që e bëri një grua me të vërtetë të bukur.—Fjalët e urta 31:30; Hebrenjve 11:11.
Si të krishterë, ne interesohemi për përmirësimin e bukurisë sonë frymore, një bukuri që nëse kultivohet rregullisht, do të rritet dhe do të qëndrojë. (Kolosianëve 1:9, 10) Ne mund të tregojmë kujdes për paraqitjen tonë frymore në dy mënyra kryesore.
Ne bëhemi më të bukur në sytë e Jehovait, kur marrim pjesë në shërbimin tonë jetëshpëtues. (Isaia 52:7; 2. Korintasve 3:18–4:2) Për më tepër, ndërsa mësojmë të shfaqim cilësitë e krishtere, bukuria jonë thellohet. Mundësitë për të përmirësuar bukurinë tonë frymore, janë me bollëk: «Kini përzemërsi të butë për njëri-tjetrin. Në shfaqjen e nderimit ndaj njëri-tjetrit, merrni drejtimin. . . . Jini të zjarrtë në frymë. . . . Ndiqni rrugën e mikpritjes. . . . Gëzoni me njerëzit që gëzojnë; qani me njerëzit që qajnë. . . . Mos ia ktheni askujt të ligën me të ligë. . . . Jini paqësor me të gjithë njerëzit.» (Romakëve 12:10-18, BR) Duke kultivuar qëndrime të tilla, do t’u hyjmë në zemër si Perëndisë, ashtu dhe njerëzve të tjerë e kjo do ta minimizojë paraqitjen e shëmtuar të prirjeve tona të trashëguara mëkatare.—Galatasve 5:22, 23; 2. Pjetrit 1:5-8.
Ne mund ta zmbrapsim frymën e botës!
Në kaq shumë mënyra dinake, fryma helmuese e botës mund ta dobësojë integritetin tonë. Ajo mund të na bëjë të pakënaqur me atë që kemi dhe me ankth, për t’i vënë nevojat dhe interesat tona para atyre të Perëndisë. Ose mund të na bëjë të kemi mendimet e njerëzve, në vend të atyre të Perëndisë, duke i dhënë rehatisë personale apo paraqitjes fizike rëndësi të papërshtatshme.—Krahaso Mateun 16:21-23.
Satanai është i vendosur për ta shkatërruar gjendjen tonë frymore dhe fryma e botës është një prej armëve të tij kryesore. Mos harro se Djalli mund t’i ndryshojë taktikat e tij nga ato të një luani vrumbullues në ato të një gjarpri të kujdesshëm. (Zanafilla 3:1; 1. Pjetrit 5:8) Herë pas here, bota e mund një të krishterë me anë të persekutimit brutal, por më shpesh ajo e helmon atë ngadalë. Pavli ishte më i shqetësuar për rrezikun e fundit: «Por druaj se, ashtu si gjarpri e gënjeu Evën me dinakërinë e tij, kështu edhe mendja juaj të mos prishet duke u shmangur nga thjeshtësia ndaj Krishtit.»—2. Korintasve 11:3.
Për t’u mbrojtur nga dinakëritë e gjarprit, ne duhet të identifikojmë propagandën që «vjen nga bota» dhe pastaj ta hedhim poshtë me vendosmëri. (1. Gjonit 2:16) Nuk duhet të mashtrohemi nga mendimi se mënyra e të menduarit sipas botës është e padëmshme. Ajri helmues i sistemit të Satanait, ka arritur nivele alarmuese.—Efesianëve 2:2.
Sapo identifikohet mënyra e të menduarit të botës, ne mund ta luftojmë, duke i mbushur mendjet dhe zemrat tona me mësimin e pastër të Jehovait. Ashtu si mbreti David, le të themi: «O Zot, më trego rrugët e tua, më mëso shtigjet e tua. Më udhëhiq në të vërtetën tënde dhe më mëso, sepse ti je Perëndia i shpëtimit tim.»—Psalmi 25:4, 5.
[Shënimi]
a Janë përdorur emra zëvendësues.
[Figura në faqen 26]
Përpjekjet për një stil të rehatshëm jetese, mund të na devijojnë nga synimet frymore