KAPITULLI 45
Nënshtron një legjion demonësh
MATEU 8:28-34 MARKU 5:1-20 LUKA 8:26-39
DËBON DEMONËT DHE I DËRGON TE DERRAT
Kur dishepujt arrijnë në breg pas asaj peripecie traumatike në det, hasin një situatë tronditëse. Nga një varrezë aty pranë dalin dy burra tmerrësisht të egër, të pushtuar nga demonët që turren drejt Jezuit. Tregimi përqendrohet vetëm te njëri prej tyre, me sa duket ngaqë është më i dhunshëm dhe ka më shumë kohë nën pushtetin e demonëve.
Ky burrë i katandisur si mos më keq vjen vërdallë i zhveshur dhe natë e ditë ‘bërtet nëpër varre e nëpër male dhe e gjakos veten me gurë’. (Marku 5:5) Është kaq i egër sa njerëzit kanë frikë të kalojnë në atë rrugë. Disa janë përpjekur ta lidhin, por ai i ka këputur zinxhirët dhe i ka bërë vargonjtë e këmbëve copë-copë. Askush s’e bën dot zap.
Kur burri i afrohet Jezuit dhe bie në gjunjë para tij, demonët që e kanë pushtuar thërrasin me zë të lartë: «Ç’punë ke me mua, o Jezu, Bir i Perëndisë Më të Lartë? Të vë në be për Perëndinë, mos më mundo!» Duke treguar se ka autoritet mbi demonët, Jezui urdhëron: «Dil nga ai njeri, ti, frymë e ndyrë!»—Marku 5:7, 8.
Në fakt, këtë burrë e kanë pushtuar shumë demonë. Kur Jezui pyet: «Si e ke emrin?», demoni përgjigjet: «Legjion, sepse jemi shumë.» (Marku 5:9) Një legjion i ushtrisë romake ka mijëra ushtarë; pra një bandë demonësh i janë vënë kundër këtij burri dhe gjejnë kënaqësi në vuajtjet e tij. Demonët i përgjërohen Jezuit ‘të mos i urdhërojë të shkojnë në humnerë’. Me sa duket, e dinë çfarë i pret ata dhe udhëheqësin e tyre, Satanain.—Luka 8:31.
Aty pranë po kullot një tufë me rreth 2.000 derra, kafshë të papastra sipas Ligjit dhe që judenjtë as duhet t’i mbajnë. Demonët thonë: «Na dërgo te derrat që të futemi tek ata.» (Marku 5:12) Jezui u jep leje dhe ata kështu bëjnë. Në çast, 2.000 derrat turren drejt shkëmbit, bien në det e mbyten.
Kur ata që po kullotin derrat shikojnë çfarë ndodh, vrapojnë për të hapur fjalë në qytet e në fshat. Njerëzit nisen për të parë çfarë ndodhi. Kur mbërrijnë, shohin që burri nga i cili dolën demonët është mirë dhe sillet normalisht. Për çudi, është i veshur dhe i ulur në këmbët e Jezuit!
Ata që dëgjojnë për këtë ngjarje ose që e shohin këtë burrë, i mbërthen frika se mendojnë kushedi ç’gjë tjetër mund të bëjë Jezui. Ndaj i kërkojnë të largohet nga rajoni i tyre. Kur Jezui hipën në varkë që të largohet, ish i demonizuari i përgjërohet të shkojë me të. Por Jezui i përgjigjet: «Shko në shtëpi te njerëzit e tu dhe tregoju të gjitha gjërat që bëri Jehovai për ty dhe si të tregoi mëshirë.»—Marku 5:19.
Zakonisht, Jezui i udhëzon ata që shëron të mos i tregojnë askujt, sepse nuk do që njerëzit ta krijojnë mendimin për të në bazë të lajmeve të bujshme. Mirëpo në këtë rast, ish i demonizuari është provë e gjallë e fuqisë së Jezuit dhe mund t’u dëshmojë njerëzve që Jezui s’mund t’i takojë personalisht. Dëshmia e tij mund të përgënjeshtrojë fjalët negative për mbytjen e derrave. Kështu, burri ikën dhe fillon të shpallë anekënd Dekapolit ato që bëri Jezui për të.