KAPITULLI 26
«Mëkatet e tua janë falur»
MATEU 9:1-8 MARKU 2:1-12 LUKA 5:17-26
JEZUI I FAL MËKATET NJË BURRI TË PARALIZUAR DHE E SHËRON
Lajmi për Jezuin ka marrë dhenë. Shumë njerëz vijnë nga vende të largëta që ta dëgjojnë tek mëson dhe të shohin veprat e tij të fuqishme. Megjithatë, pas disa ditësh, Jezui kthehet në Kapernaum, ku kreu shumicën e shërbimit të tij. Lajmi se është kthyer përhapet rrufeshëm në këtë qytet që shtrihet përgjatë Detit të Galilesë. Ja pse te shtëpia ku po rri, mblidhen plot njerëz. Disa janë farisenj dhe mësues të Ligjit që kanë ardhur nga çdo cep i Galilesë, i Judesë, si dhe nga Jerusalemi.
‘Mblidhen aq shumë njerëz, sa nuk ka më vend, madje as afër derës. Atëherë ai fillon t’u predikojë lajmin e mirë.’ (Marku 2:2) Pas pak do të ndodhë diçka mbresëlënëse: një ngjarje që na ndihmon të kuptojmë se Jezui ka fuqi të eliminojë shkakun e vuajtjeve dhe të shërojë këdo që ai zgjedh.
Ndërsa Jezui po mëson në dhomën plot njerëz, katër burra sjellin shokun e paralizuar, të shtrirë në vig, dhe duan që ai ta shërojë. Por për shkak të turmës, ‘nuk e çojnë dot drejt e te Jezui’. (Marku 2:4) Çfarë zhgënjimi! Ja pse ngjiten në çati, hapin një të çarë duke hequr një pjesë të tjegullave dhe e zbresin të paralizuarin me gjithë vig brenda shtëpisë.
A nxehet Jezui ngaqë e ndërpresin? Aspak! Përkundrazi është kaq i prekur nga besimi i tyre, sa i thotë të paralizuarit: «Mëkatet e tua janë falur.» (Mateu 9:2) Por, a është vërtet Jezui në gjendje të falë mëkatet? Skribët dhe farisenjtë mendojnë se jo dhe thonë me vete: «Ç’po flet kështu ky njeri? Ai po blasfemon. Kush mund të falë mëkatet, përveç njërit, Perëndisë?!»—Marku 2:7.
Meqë e nuhat se ç’po mendojnë, Jezui u thotë: «Pse keni këto mendime në zemër? Çfarë është më e lehtë t’i thuash të paralizuarit: ‘Mëkatet e tua janë falur’, apo: ‘Ngrihu, merr vigun dhe ec.’» (Marku 2:8, 9) Po, Jezui mund t’ia falë mëkatet këtij burri në bazë të flijimit që do të paraqesë më vonë.
Pastaj Jezui i tregon turmës, ku përfshihen edhe ata që e kritikojnë, se ka autoritet të falë mëkatet në tokë. Kthehet nga i paralizuari dhe e urdhëron: «Unë të them, ngrihu, merr vigun dhe shko në shtëpi.» Në çast burri ngrihet, merr vigun dhe largohet në sy të të gjithëve. Njerëzit mbeten gojëhapur dhe i japin lavdi Perëndisë duke thënë: «Kurrë s’kemi parë një gjë të tillë.»—Marku 2:11, 12.
Vlen të përmendet që Jezui tregon se sëmundjet kanë lidhje me mëkatin dhe që falja e mëkateve mund të lidhet me shëndetin fizik. Bibla mëson se prindi ynë i parë, Adami, mëkatoi; si rrjedhojë të gjithë trashëguam pasojat e mëkatit, pra, sëmundjet dhe vdekjen. Por nën qeverisjen e Mbretërisë së Perëndisë, Jezui do t’u falë mëkatet të gjithë atyre që e duan Perëndinë dhe i shërbejnë. Në atë kohë sëmundjet do të zhduken një herë e përgjithmonë.—Romakëve 5:12, 18, 19.