MËSIMI 59
Mund t’u bësh ballë përndjekjeve
Herët a vonë, të gjithë të krishterët e vërtetë do të hasin kundërshtime e madje edhe përndjekje. A duhet të na trembë kjo?
1. Pse presim përndjekje?
Bibla thotë qartë: «Të gjithë ata që dëshirojnë të jetojnë me përkushtim ndaj Perëndisë në unitet me Krishtin Jezu, do të përndiqen.» (2 Timoteut 3:12) Jezuin e persekutuan ngaqë nuk ishte pjesë e botës së Satanait. As ne nuk jemi pjesë e saj, prandaj nuk habitemi kur hasim përndjekje nga qeveritë dhe organizatat fetare të kësaj bote.—Gjoni 15:18, 19.
2. Si të përgatitemi për t’u bërë ballë përndjekjeve?
Që tani duhet të forcojmë besimin te Jehovai. Gjej kohë çdo ditë për t’iu lutur dhe për të lexuar një pjesë nga Fjala e tij. Bëj çmos që të mos humbësh asnjë mbledhje. Të gjitha këto do të të japin forcën e nevojshme për t’u bërë ballë me guxim të gjitha përndjekjeve, edhe nëse vijnë nga familja. Apostulli Pavël, i cili haste shpesh persekutime, shkroi: «Jehovai është ndihma ime, nuk do të kem frikë.»—Hebrenjve 13:6.
Guximi ynë shtohet edhe më shumë kur marrim pjesë rregullisht në predikim. Predikimi na ndihmon të mbështetemi te Jehovai dhe të kapërcejmë frikën nga njeriu. (Proverbat 29:25) Nëse bën çmos të kesh më shumë guxim për të predikuar që tani, do të jesh i përgatitur të mos heqësh dorë nga predikimi, edhe nëse qeveria i vë kufizime veprës sonë.—1 Selanikasve 2:2.
3. Ç’dobi nxjerrim kur u bëjmë ballë përndjekjeve?
Pa dyshim, askujt nuk i pëlqen të hasë përndjekje, por nëse u bëjmë ballë me sukses, besimi ynë bëhet më i fortë. Kur ndiejmë dorën e Jehovait lidhemi më ngushtë me të, sidomos atëherë kur mendojmë se nuk ia dalim dot më. (Lexo Jakovin 1:2-4.) Jehovait i pikon në zemër kur ne vuajmë, por gëzon pa masë ndërsa sheh që nuk dorëzohemi. Bibla thotë: «Nëse duroni kur vuani ngaqë bëni të mirën, Perëndia kënaqet.» (1 Pjetrit 2:20) Nëse i qëndrojmë besnikë Jehovait, ai do të na shpërblejë me jetën e përhershme në një botë, ku askush nuk do t’i kundërvihet adhurimit të vërtetë.—Mateu 24:13.
SHQYRTO MË TEJ
Mëso pse është e mundur t’i qëndrojmë besnikë Jehovait edhe kur na persekutojnë, dhe si nxjerrim dobi.
4. Mund t’i bësh ballë kundërshtimit të familjes
Jezui e dinte fare mirë se familja mund të mos jetë dakord me vendimin tonë për t’i shërbyer Jehovait. Lexoni Mateun 10:34-36 dhe më pas diskutoni për këtë pyetje:
Ç’mund të ndodhë kur një pjesëtar i familjes vendos t’i shërbejë Jehovait?
Shihni VIDEON, ku tregohet një rast i tillë. Më pas diskutoni për pyetjen që vijon.
Çfarë do të bësh nëse një i afërm ose mik përpiqet të të pengojë t’i shërbesh Jehovait?
Lexoni Psalmin 27:10 dhe Markun 10:29, 30. Pas çdo shkrimi, diskutoni për këtë pyetje:
Si të ndihmon ky premtim kur has kundërshtime nga familja a miqtë?
5. Vazhdo të adhurosh Jehovain, pavarësisht nga përndjekjet
Duhet guxim për t’i shërbyer Jehovait kur të tjerët përpiqen të na pengojnë. Shihni VIDEON dhe më pas diskutoni për pyetjen që vijon.
Si të japin forcë shembujt që pe në video?
Lexoni Veprat 5:27-29 dhe Hebrenjve 10:24, 25. Pas çdo shkrimi, diskutoni për këtë pyetje:
Pse është kaq e rëndësishme të vazhdosh të adhurosh Jehovain edhe kur autoritetet vendosin kufizime ndaj veprës së predikimit ose mbledhjeve?
6. Jehovai do të të japë forcë që të mos dorëzohesh
Dëshmitarë të Jehovait të moshave e prejardhjeve të ndryshme kanë vazhduar t’i shërbejnë Jehovait me besnikëri edhe përballë përndjekjeve. Për të kuptuar çfarë i ka ndihmuar shihni VIDEON. Më pas diskutoni për pyetjen që vijon.
Sipas asaj që pe në video, çfarë i ndihmoi këta Dëshmitarë t’u bënin ballë përndjekjeve?
Lexoni Romakëve 8:35, 37-39 dhe Filipianëve 4:13. Pas çdo shkrimi, diskutoni për këtë pyetje:
Si të jep siguri ky shkrim se mund t’i bësh ballë çdo sprove?
Lexoni Mateun 5:10-12 dhe më pas diskutoni për këtë pyetje:
Si mund të jesh i lumtur pavarësisht nga përndjekjet?
DISA THONË: «Nuk u bëj dot ballë përndjekjeve.»
Cilat shkrime mund t’u japin forcë?
PËRMBLEDHJE
Jehovai i vlerëson tej mase përpjekjet tona për t’i shërbyer, pavarësisht nga përndjekjet. Me ndihmën e tij mund t’ia dalim mbanë.
Si do të përgjigjeshe?
Pse të krishterët e vërtetë e dinë se do të përndiqen?
Si mund të përgatitesh që tani për t’u bërë ballë përndjekjeve?
Pse je i sigurt se mund t’i shërbesh Jehovait pavarësisht nga sprovat që has?
EKSPLORO
Shiko se si Jehovai i dha forcë një të riu që u burgos për shkak të asnjanësisë.
Shqyrto çfarë e ndihmoi një çift t’i shërbente Jehovait me besnikëri për vite me radhë, pavarësisht nga kundërshtimi.
Mëso si t’i përballosh përndjekjet me guxim.
«Përgatitu tani për përndjekjen» (Kulla e Rojës, korrik 2019)
Si duhet ta shohim kundërshtimin nga familja dhe si mund t’u bëjmë ballë vështirësive që vijnë si pasojë?
«E vërteta nuk sjell ‘paqen, por shpatën’» (Kulla e Rojës, tetor 2017)