Pyetje nga lexuesit
Çfarë donte të thoshte Jezui me fjalët: «Mos mendoni se erdha të sjell paqen.»
Jezui i mësonte njerëzit të ishin paqësorë me njëri-tjetrin. Mirëpo në një rast u tha apostujve të tij: «Mos mendoni se erdha të sjell paqen në tokë; nuk erdha të sjell paqen, por shpatën, sepse erdha të shkaktoj përçarje: djali kundër babait, vajza kundër nënës dhe nusja kundër së vjehrrës.» (Mat. 10:34, 35) Ç’donte të thoshte Jezui?
Ai nuk donte t’i ndante nga njëri-tjetri pjesëtarët e familjes, por ndërkohë e dinte se mësimet e tij do të shkaktonin përçarje në disa familje. Prandaj, ata që donin të bëheshin dishepuj të Krishtit dhe të pagëzoheshin duhej të mbanin parasysh se vendimi i tyre mund të kishte pasoja. Ndonjëherë burri, gruaja ose familjarë të tjerë që s’ishin në të vërtetën mund t’u kundërviheshin, e kjo do t’ua bënte të vështirë t’i ndiqnin me besnikëri mësimet e Krishtit.
Bibla i nxit shërbëtorët e Perëndisë ‘të jenë paqësorë me të gjithë’. (Rom. 12:18) Por në disa familje, mësimet e Jezuit mund të jenë si një ‘shpatë’. Kjo ndodh kur një pjesëtar i familjes i pranon mësimet e Jezuit, ndërsa të tjerët s’duan t’ia dinë për to ose i kundërshtojnë. Në këtë rast, të afërmit—«njerëzit e shtëpisë»—bëhen ‘armiq’ të atij që po mëson të vërtetën.—Mat. 10:36.
Dishepujt e Krishtit që jetojnë në një familje të ndarë nga ana fetare ndonjëherë hasin situata që u vënë në provë dashurinë për Jehovain dhe Jezuin. Për shembull, disa të afërm që s’janë Dëshmitarë mund t’u bëjnë presion të marrin pjesë në festa fetare. Kë do të zgjedhin të bëjnë të lumtur në sprova të tilla? Jezui tha: «Ai që ka më shumë për zemër babanë ose nënën sesa mua, nuk është i denjë për mua.» (Mat. 10:37) Natyrisht, Jezui nuk po thoshte se dishepujt e tij duhej t’i donin më pak prindërit që të ishin të denjë për të. Në vend të kësaj, po theksonte se duhej t’i shihnin gjërat nga pikëpamja e duhur. Nëse familjarët që s’janë Dëshmitarë u kundërvihen përpjekjeve tona për të adhuruar Jehovain, ne prapë i duam, ama nuk harrojmë se dashuria jonë për Perëndinë zë vendin e parë.
Pa dyshim që mund të jetë tepër e dhimbshme të përballemi me kundërshtimin nga familja. Gjithsesi, dishepujt e Jezuit mbajnë në mend fjalët e tij: «Kushdo që nuk e pranon shtyllën e vet të torturës e nuk vjen pas meje, nuk është i denjë për mua.» (Mat. 10:38) Me fjalë të tjera, shërbëtorët e Perëndisë e shohin kundërshtimin nga familja si pjesë e vuajtjeve që duhet të jenë të gatshëm të durojnë dishepujt e Krishtit. Në të njëjtën kohë, shpresojnë që sjellja e tyre e mirë t’ua zbutë zemrën familjarëve që s’janë Dëshmitarë e t’i nxitë të duan të mësojnë më shumë për mesazhin e Biblës.—1 Pjet. 3:1, 2.