A zë Perëndia vendin e parë në familjen tuaj?
«Duaje Zotin, Perëndinë tënd, me gjithë zemrën tënde.»—MARKU 12:29, 30.
1. Sa e rëndësishme është që ne të duam Jehovain?
«CILI është urdhri i parë mbi të gjithë?»—e pyeti një skrib Jezuin. Në vend që t’i jepte mendimin e tij, Jezui iu përgjigj pyetjes, duke cituar Fjalën e Perëndisë tek Ligji i përtërirë 6:4, 5. Ai ia ktheu: «Urdhërimi i parë i të gjithëve është: ‘Dëgjo, o Izrael: Zoti, Perëndia ynë, është i vetmi Zot’ dhe: ‘Duaje Zotin, Perëndinë tënd, me gjithë zemrën tënde, me gjithë shpirtin tënd, me gjithë mendjen tënde e me gjithë forcën tënde!’»—Marku 12:28-30.
2. (a) Çfarë kundërshtimi iu desh të përballonte Jezuit? (b) Çfarë mund ta bëjë herë pas here të vështirë pëlqimin e Jehovait?
2 Për t’iu bindur atij që Jezui e quajti urdhri i parë—më i rëndësishmi—kërkohet që ne gjithmonë të bëjmë atë që i pëlqen Jehovait. Jezui e bëri këtë, madje edhe në një rast kur apostulli Pjetër iu kundërvu rrugës së Jezuit si dhe në një tjetër rast kur familjarët e tij të afërt vepruan në të njëjtën mënyrë. (Mateu 16:21-23; Marku 3:21; Gjoni 8:29) Ç’do të ndodhte nëse ju do të gjendeshit në një situatë të ngjashme? Të themi se pjesëtarët e familjes suaj do të dëshironin që ti të ndërprisje studimin tënd të Biblës dhe shoqërinë tënde me Dëshmitarët e Jehovait. A do ta vendosje Perëndinë në vend të parë, duke bërë atë që i pëlqen atij? A zë Perëndia vendin e parë, madje edhe kur pjesëtarët e familjes mund t’u kundërvihen përpjekjeve të tua për t’i shërbyer atij?
Kurthi i kundërshtimit familjar
3. (a) Cilat mund të jenë pasojat e mësimeve të Jezuit në familje? (b) Si mund të tregojnë pjesëtarët e familjes se për kë kanë dashuri më të madhe?
3 Jezui nuk e zvogëloi vështirësinë që mund të vinte kur të tjerët në familje kundërshtojnë një pjesëtar që pranon mësimet e tij. «Armiqtë e njeriut do të jenë ata të shtëpisë së vet»,—tha Jezui. Megjithatë, përveç pasojës së trishtueshme, Jezui tregoi se kush duhej të vinte i pari, duke thënë: «Ai që e do të atin ose nënën më shumë se mua, nuk është i denjë për mua; dhe ai që e do birin ose bijën më shumë se mua, nuk është i denjë për mua.» (Mateu 10:34-37) Ne e vëmë Perëndinë Jehova në vend të parë duke ndjekur mësimet e Birit të tij, Jezu Krishtit, i cili është «vula e qenies së tij [Perëndisë]».—Hebrenjve 1:3; Gjoni 14:9.
4. (a) Çfarë tha Jezui se ishte e përfshirë në të qenurit ithtarë të tij? (b) Në ç’kuptim të krishterët duhet të urrejnë pjesëtarët e familjes?
4 Në një rast tjetër, kur Jezui po diskutonte se çfarë përfshin në të vërtetë qenia ithtar i vërtetë i tij, tha: «Në qoftë se ndokush nuk vjen tek unë dhe nuk urren babanë e vet dhe nënën e vet, gruan dhe fëmijët, vëllezërit dhe motrat, madje edhe jetën e vet, nuk mund të jetë dishepulli im.» (Luka 14:26) Jezui, pa dyshim, nuk donte të thoshte që dishepujt e tij, në kuptim të drejtpërdrejtë, duhet të urrenin pjesëtarët e familjes së tyre, duke qenë se ai i urdhëroi njerëzit të donin madje edhe armiqtë e tyre. (Mateu 5:44) Më saktë, Jezui këtu donte të thoshte se ithtarët e tij duhet të donin pjesëtarët e familjes më pak sesa donin Perëndinë. (Krahaso Mateun 6:24.) Duke qëndruar në këtë kuptim, Bibla thotë se Jakobi «urrente» Lean dhe donte Rakelën, gjë që nënkuptonte se ai nuk e donte Lean aq shumë sa donte motrën e saj, Rakelën. (Zanafilla 29:30-32) Madje,—tha Jezui,—edhe «shpirtin» ose jetën tonë duhet ta urrejmë ose ta duam, më pak se Jehovain!
5. Si e shfrytëzoi Satanai me dinakëri rregullimin familjar?
5 Si Krijues dhe Jetë-Dhënës, Jehovai meriton devotshmëri të plotë prej gjithë shërbëtorëve të tij. (Zbulesa 4:11) «Unë po i ul gjunjët e mi përpara Atit,—shkroi apostulli Pavël,—nga i cili merr emër çdo familje në qiejt dhe mbi tokë.» (Efesianëve 3:14, 15) Jehovai krijoi rregullimin familjar në një mënyrë kaq të mrekullueshme, saqë pjesëtarët e familjes kanë një dashuri natyrore për njëri-tjetrin. (1. Mbretërve 3:25, 26; 1. Selanikasve 2:7) Satana Djalli, sidoqoftë, me dinakëri e shfrytëzoi këtë dashuri natyrore për familjen, e cila përfshin një dëshirë për t’iu pëlqyer personave të dashur. Ai u fryu flakëve të kundërshtimit familjar dhe shumë veta, kur e përballojnë atë, e shohin si një sfidë për të qëndruar të vendosur në të vërtetën e Biblës.—Zbulesa 12:9, 12.
Përballimi me sukses i sfidës
6, 7. (a) Si mund të ndihmohen pjesëtarët e familjes për të vlerësuar rëndësinë e studimit biblik dhe shoqërinë e krishterë? (b) Si mund të tregojmë që me të vërtetë i duam pjesëtarët e familjes?
6 Çfarë do të bëni nëse do të jeni të detyruar të zgjidhni midis pëlqimit të Perëndisë apo pëlqimit të një pjesëtari të familjes? A do të arsyetonit se Perëndia nuk pret nga ne që të studiojmë Fjalën e tij dhe të zbatojmë parimet e tij, në qoftë se një gjë e tillë krijon mosmarrëveshje në familje? Por mendo pak. Në qoftë se ju jepeni dhe ndërprisni studimin e Biblës ose shoqërimin me Dëshmitarët e Jehovait, si do të mund ta kuptonin njerëzit tuaj të dashur se njohja e saktë e Biblës është një çështje për jetë a vdekje?—Gjoni 17:3; 2. Selanikasve 1:6-8.
7 Ne mund ta ilustrojmë situatën në këtë mënyrë: Ndoshta një pjesëtar i familjes ka një dëshirë të tepërt për alkoolin. A do të ishte injorimi ose mospërfillja e problemit të tij të pijes një përfitim real për të? Mos vallë, për të ruajtur paqen, do të ishte më mirë dorëzimi dhe mos bërja e asgjëje ndaj problemit të tij? Jo, ju me siguri që jeni dakort se do të ishte më mirë të përpiqeshit për ta ndihmuar atë për të kapërcyer problemin e tij të pirjes, madje edhe nëse kjo nënkupton përballimin e zemërimit dhe kërcënimeve të tij. (Proverbat 29:25) Në mënyrë të ngjashme, nëse ju i doni me të vërtetë pjesëtarët e familjes suaj, nuk do të dorëzoheni para përpjekjeve të tyre për t’ju ndaluar në studimin e Biblës. (Veprat 5:29) Vetëm duke marrë një qëndrim të vendosur ju mund t’i ndihmoni ata të vlerësojnë se jetesa sipas mësimeve të Krishtit do të thotë jeta jonë e vërtetë.
8. Si nxjerrim dobi nga fakti që Jezui me besnikëri bëri vullnetin e Perëndisë?
8 Vënia e Perëndisë në vendin e parë, ndonjëherë mund të jetë e vështirë. Por, mos harroni, Satanai gjithashtu ia vështirësoi Jezuit bërjen e vullnetit të Perëndisë. Por Jezui nuk u dorëzua kurrë; ai duroi madje dhe agoninë e një shtylle torturash për ne. «Jezu Krishti [është] Shpëtimtari ynë»,—thotë Bibla. Ai «vdiq për ne». (Titit 3:6, BR; 1. Selanikasve 5:10) A nuk jemi mirënjohës që Jezui nuk iu dorëzua kundërshtimit? Për shkak se ai duroi një vdekje flijuese, ne kemi perspektivën e jetës së përhershme në një botë të re paqësore të drejtësisë, me anë të ushtrimit të besimit në gjakun e tij të derdhur.—Gjoni 3:16, 36; Zbulesa 21:3, 4.
Mundësia e një shpërblimi të pasur
9. (a) Si mund të marrin pjesë të krishterët në shpëtimin e të tjerëve? (b) Si ishte gjendja në familjen e Timoteut?
9 A e kuptoni që edhe ju mund të keni pjesë në shpëtimin e të tjerëve, duke përfshirë edhe familjarët e afërt? Apostulli Pavël e nxiti Timoteun: «Qëndro në këto gjëra [që të janë mësuar], sepse, duke vepruar kështu do të shpëtosh veten dhe ata që të dëgjojnë». (1. Timoteut 4:16) Timoteu jetoi në një shtëpi të ndarë, duke qenë se babai i tij grek ishte një jobesimtar. (Veprat 16:1; 2. Timoteut 1:5; 3:14) Megjithëse ne nuk e dimë nëse babai i Timoteut u bë apo jo një besimtar, mundësia që ai mund të ketë pasur është forcuar shumë nga sjellja besnike e gruas së tij, Eunikës dhe e Timoteut.
10. Çfarë duhet të bëjnë të krishterët në të mirë të bashkëshortit ose bashkëshortes jobesimtare?
10 Shkrimet zbulojnë se burrat dhe gratë, të cilët të palëkundur përkrahin të vërtetën e Biblës mund të kontribuojnë për të shpëtuar bashkëshortët jo të krishterë duke i ndihmuar ata që të bëhen besimtarë. Apostulli Pavël shkroi: «Në qoftë se një vëlla ka një grua jobesimtare dhe ajo pranon të jetojë bashkë me të, të mos e lërë atë. Edhe gruaja, që ka një burrë jobesimtar, në qoftë se ai pranon të jetojë bashkë me të, të mos e lërë atë. Sepse çfarë di ti, o grua, nëse ke për ta shpëtuar burrin? Ose ç’di ti, o burrë, nëse ke për ta shpëtuar gruan?» (1. Korintasve 7:12, 13, 16) Apostulli Pjetër e përshkroi se si gratë në fakt, mund të shpëtojnë burrat e tyre, duke këshilluar: «Ju duhet t’u nënshtroheni burrave tuaj. Atëherë ata që nuk duan t’ia dinë për lajmin e mirë, do të fitohen për fenë pa asnjë fjalë, me anë të shembullit tuaj.»—1. Pjetrit 3:1, ECM.
11, 12. (a) Çfarë shpërblimi kanë marrë mijëra të krishterë dhe çfarë kanë bërë ata për ta marrë atë? (b) Tregoni një përvojë të një pjesëtari të një familjeje që është shpërblyer për durimin besnik.
11 Në vitet e fundit, mijëra vetë janë bërë Dëshmitarë të Jehovait pas muajsh, madje edhe vitesh kundërshtime ndaj aktivitetit të krishterë të familjarëve të tyre Dëshmitarë. Çfarë shpërblimi që është ky për të krishterët, të cilët kanë qëndruar të palëkundur dhe ç’bekim për kundërshtarët e dikurshëm! Me një zë të emocionuar, një plak i krishterë 74-vjeçar tha: «Unë shpesh falënderoj gruan dhe fëmijët për qëndrimin besnik në të vërtetën gjatë viteve që unë u kundërvihesha atyre.» Ai thotë se për tre vjet ai me kryeneçësi nuk pranonte madje ta lejonte gruan e tij që t’i fliste atij për Biblën. «Por ajo përdori psikologjinë ndaj meje,—thotë ai,—dhe filloi të më predikonte ndërsa më fshinte këmbët. Sa mirënjohës jam që ajo nuk iu dorëzua kundërshtimit tim!»
12 Një burrë tjetër, i cili kundërshtonte familjen e tij shkroi: ‘Unë isha armiku më i keq i gruas sime, sepse pasi ajo gjeti të vërtetën, unë e kërcënoja dhe grindeshim çdo ditë; kjo duhet thënë, unë gjithmonë e filloja grindjen. Por çdo gjë më kot; gruaja ime i qëndroi besnike Biblës. Kaluan kështu dymbëdhjetë vjet në luftën time të egër kundër të vërtetës dhe kundër gruas dhe fëmijës sime. Për të dy ata, unë isha Djalli i mishëruar.’ Përfundimisht ky burrë filloi të analizonte jetën e tij. ‘Unë pashë se sa i ulët kisha qenë,—shpjegon ai.—Lexova Biblën dhe falë udhëzimeve të saj, unë tani jam një Dëshmitar i pagëzuar.’ Mendoni pak për shpërblimin e madh të gruas, po, duke ndihmuar ‘për shpëtimin e burrit të saj’ me një durim besnik ndaj kundërshtimit të tij për 12 vjet!
Mësim nga Jezui
13. (a) Cili është mësimi kryesor që burrat dhe gratë duhet të mësojnë nga jeta e Jezuit? (b) Si mund të nxjerrin dobi nga shembulli i Jezuit njerëzit që kanë vështirësi t’i nënshtrohen vullnetit të Perëndisë?
13 Mësimi kryesor që burrat dhe gratë duhet të mësojnë nga jeta e Jezuit është ai i bindjes ndaj Perëndisë. «Bëj vazhdimisht gjërat që i pëlqejnë» atij,—tha Jezui. Unë «nuk kërkoj vullnetin tim, por vullnetin e Atit që më ka dërguar». (Gjoni 5:30; 8:29) Madje, njëherë, kur Jezui e pa një aspekt të veçantë të vullnetit të Perëndisë si të pakëndshëm, ai u tregua i bindur. «Po të duash, largoje këtë kupë nga unë!»—u lut ai. Por menjëherë shtoi: «Megjithatë mos u bëftë vullneti im, por yti.» (Luka 22:42) Jezui nuk i kërkoi Perëndisë të ndryshonte vullnetin e Tij; ai tregoi se me të vërtetë e donte Perëndinë me një nënshtrim të bindur, cilido që të ishte vullneti i Perëndisë për të. (1. Gjoni 5:3) Vënia gjithmonë e vullnetit të Perëndisë në vend të parë, ashtu si bëri Jezui, është me një rëndësi jetësore për suksesin jo vetëm në jetën beqare, por edhe në martesë dhe në jetën familjare. Shqyrto pse është kështu.
14. Si arsyetojnë disa të krishterë në mënyrë të papërshtatshme?
14 Siç u vu re më parë, kur besimtarët vënë Perëndinë në vend të parë, ata kërkojnë të qëndrojnë me bashkëshortët jobesimtarë dhe janë shpeshherë në gjendje t’i ndihmojnë ata të vijnë në radhë për shpëtim. Madje edhe kur të dy bashkëshortët janë besimtarë, martesa e tyre mund të jetë larg prej ideales. Për shkak të prirjeve mëkatare, burrat dhe gratë nuk kanë gjithmonë mendime të dashura ndaj njëri-tjetrit. (Romakëve 7:19, 20; 1. Korintasve 7:28) Disa, shkojnë deri aty sa të synojnë gjetjen e një bashkëshorti tjetër, ndonëse nuk kanë bazë në Shkrime për t’u divorcuar. (Mateu 19:9; Hebrenjve 13:4) Ata arsyetojnë se për ta kjo është gjëja më e mirë, që vullneti i Perëndisë për burrat dhe gratë të qëndrojnë së bashku është tepër i vështirë. (Malakia 2:16; Mateu 19:5, 6) Ky, është pa mëdyshje një tjetër rast i të menduarit sipas mendimeve të njeriut dhe jo sipas atyre të Perëndisë.
15. Pse vënia e Perëndisë në vend të parë është një mbrojtje?
15 Çfarë mbrojtje që është të vendosësh Perëndinë në vend të parë! Çiftet e martuara që veprojnë kështu do të përpiqen të qëndrojnë së bashku dhe të zgjidhin problemet e tyre duke aplikuar këshillën e Fjalës së Perëndisë. Ata kështu shmangin çdo lloj dëshpërimi që vjen kur injorohet vullneti i tij. (Psalmi 19:7-11) Kjo ilustrohet nga një çift i ri, i cili kur ndodhej në prag të divorcit, vendosi të ndiqte këshillën e Biblës. Vite më vonë, kur gruaja reflektoi mbi gëzimin që ajo kishte pasur në martesën e saj, tha: «Unë duhet të ulem dhe të qaj kur shqyrtoj mundësinë se mund të kisha jetuar e ndarë nga burri im për gjithë këto vite. Atëherë unë i lutem Perëndisë Jehova dhe e falënderoj atë për këshillën dhe udhëheqjen që na solli të dyve bashkë në një marrëdhënie kaq të lumtur.»
Burra, gra—imitoni Krishtin!
16. Çfarë shembulli dha Jezui për burrat dhe për gratë?
16 Jezui, i cili gjithmonë vuri Perëndinë në vendin e parë, dha një shembull të mrekullueshëm, si për burrat dhe për gratë dhe ata bëjnë mirë t’i kushtojnë një vëmendje të kujdesshme atij. Burrat janë të nxitur që të imitojnë mënyrën në të cilën Jezui ushtron udhëheqjen e butë mbi pjesëtarët e kongregacionit të krishterë. (Efesianëve 5:23) Dhe gratë e krishtere mund të mësojnë nga shembulli i patëmetë i Jezuit në nënshtrimin ndaj Perëndisë.—1. Korintasve 11:3.
17, 18. Në cilat mënyra dha Jezui një shembull të shkëlqyer për burrat?
17 Bibla urdhëron: «Ju, burra, t’i doni gratë tuaja, sikurse Krishti ka dashur kishën dhe e ka dhënë veten e vet për të.» (Efesianëve 5:25) Një mënyrë e rëndësishme në të cilën Jezui e tregoi dashurinë për kongregacionin e ithtarëve të tij, ishte me anë të sjelljes së tij si një mik i tyre i afërt. «Unë ju kam quajtur miq,—tha Jezui,—sepse ju bëra të njihni të gjitha gjërat që kam dëgjuar nga Ati im.» (Gjoni 15:15) Mendoni për tërë kohën që Jezui harxhoi duke folur me dishepujt e tij—shumë e shumë diskutime që ai pati me ta—dhe për mirëbesimin që ai vuri mbi ta! A nuk është ky një shembull i shkëlqyer për burrat?
18 Jezui tregoi një interes real për dishepujt dhe pati një dashuri të vërtetë për ta. (Gjoni 13:1) Kur mësimet e tij ishin të paqarta për ta, ai me durim u kushtoi kohë mënjanë për të sqaruar çështjet. (Mateu 13:36-43) Burra, a është mirëqenia frymore e gruas tuaj e së njëjtës rëndësi edhe për ju? A harxhoni kohë me të, duke u siguruar që të dy së bashku i keni të qarta të vërtetat e Biblës në mendje dhe në zemër? Jezui i shoqëroi apostujt e tij në shërbim, ndoshta duke e stërvitur secilin prej tyre individualisht. A e shoqëroni edhe ju gruan tuaj në shërbim, në pjesëmarrjen në vizitat shtëpi më shtëpi dhe në drejtimin e studimeve biblike?
19. Në ç’mënyrë trajtimi që Jezui u bëri dobësive të përsëritura të apostujve është një shembull për burrat?
19 Veçanërisht në trajtimin e papërsosmërive të apostujve, Jezui dha një shembull me vlerë për burrat. Gjatë darkës së tij të fundit me apostujt, ai mundi të nxirrte në shesh një frymë të përsëritur të rivalitetit. A i kritikoi ai me ashpërsi ata? Jo, por me përulësi i lau këmbët secilit prej tyre. (Marku 9:33-37; 10:35-45; Gjoni 13:2-17) A tregoni ju një durim të tillë me gruan tuaj? Në vend që të ankoheni mbi një dobësi të përsëritur, a përpiqeni me durim për ta ndihmuar atë dhe të arrini në zemrën e saj me shembullin tuaj? Gratë ka mundësi t’i përgjigjen një dhembshurie të tillë të dashur, ashtu si bënë edhe apostujt.
20. Çfarë nuk duhet të harrojnë asnjëherë gratë e krishtere dhe kush shërben si shembull për to?
20 Gratë, gjithashtu, duhet të shqyrtojnë Jezuin, i cili asnjëherë nuk harroi se «kreu i Krishtit është Perëndia». Ai gjithmonë iu nënshtrua Atit të tij qiellor. Në mënyrë të ngjashme, gratë nuk duhet të harrojnë që «kreu i gruas është burri», po, që burri është kreu i tyre. (1. Korintasve 11:3; Efesianëve 5:23) Apostulli Pjetër i nxiti gratë e krishtere të shqyrtojnë shembullin e «grave të shenjta» të kohëve të hershme, veçanërisht atë të Sarës, e cila «i bindej Abrahamit, duke e quajtur atë ‘zot’».—1. Pjetrit 3:5, 6.
21. Pse martesa e Abrahamit dhe e Sarës ishte e suksesshme ndërsa ajo e Lotit dhe e gruas së tij e dështuar?
21 Sara në mënyrë të dukshme la një shtëpi të rehatshme në një qytet të lulëzuar për të jetuar në tenda në një tokë të huaj. Pse? Sepse ajo parapëlqente atë lloj jete? Qartë jo. Sepse burri i saj i kërkoi asaj që të shkonin? Pa dyshim që ky ishte një faktor, meqë Sara e donte dhe e respektonte Abrahamin për shkak të cilësive të tij të perëndishme. (Zanafilla 18:12) Por arsyeja kryesore që ajo shkoi bashkë me burrin e saj ishte dashuria e saj për Jehovain dhe dëshira e saj nga zemra për të ndjekur drejtimin e Perëndisë. (Zanafilla 12:1) Ajo gjeti kënaqësi në bindjen ndaj Perëndisë. Gruaja e Lotit, nga ana tjetër, ngurroi të bënte vullnetin e Perëndisë dhe kështu pa mbrapa me mall gjërat që kishte lënë pas në qytetin e saj Sodomën. (Zanafilla 19:15, 25, 26; Luka 17:32) Çfarë fundi tragjik që pati ajo martesë—gjithçka prej mosbindjes së saj ndaj Perëndisë!
22. (a) Çfarë vetëshqyrtimi do të bëjnë me mençuri pjesëtarët e familjes? (b) Çfarë do të shqyrtojmë në studimin që pason?
22 Kështu, si një burrë apo si një grua, është jetësore që ju të pyesni veten tuaj: ‘A zë Perëndia vendin e parë në familjen tonë? A përpiqem unë me të vërtetë për të përmbushur rolin familjar që Perëndia më ka dhënë? A bëj një përpjekje të vërtetë për ta dashur bashkëshortin ose bashkëshorten time dhe për ta ndihmuar që ai ose ajo të fitojë ose të mbajë një marrëdhënie të mirë me Jehovain?’ Në pjesën më të madhe të familjeve ka edhe fëmijë. Ne do të shqyrtojmë më pas rolin e prindërve dhe domosdoshmërinë që si ata, ashtu edhe fëmijët të vënë Perëndinë në vend të parë.
A të kujtohet?
◻ Cilat mund të jenë pasojat e mësimeve të Jezuit në shumë familje?
◻ Çfarë shpërblimi kanë marrë mijëra të krishterë të palëkundur?
◻ Çfarë do t’i ndihmojë bashkëshortët të shmangin imoralitetin dhe divorcin?
◻ Çfarë mund të mësojnë burrat nga shembulli i Jezuit?
◻ Si mund të kontribuojnë gratë për një martesë të lumtur?
[Figura në faqen 19]
Si kontribuoi Sara në suksesin e martesës së saj?