Gjon pagëzori—Një shembull si ta ruajmë gëzimin
A DËSHIRON me zjarr një caktim në kongregacion që tani nuk mund ta kesh? Mund të jetë një përgjegjësi që e ka dikush tjetër a mbase është një caktim ose privilegj shërbimi që e gëzoje dikur. Mirëpo tani mosha, shëndeti i dobët, vështirësitë ekonomike ose përgjegjësitë familjare të kufizojnë në atë që mund të bësh. Ose ndoshta, për shkak të ndryshimeve organizative, t’u desh të hiqje dorë nga një përgjegjësi që e mbaje prej kohësh. Cilado qoftë arsyeja, mbase ndihesh sikur nuk po bën gjithë sa do të doje në shërbim të Perëndisë. Në situata të tilla, është e kuptueshme që ndonjëherë mund të ndihesh i zhgënjyer. Sidoqoftë, ç’mund të bësh që ndjenjat negative, si shkurajimi, mllefi ose acarimi të mos hedhin rrënjë? Si mund ta ruash gëzimin?
Mund të mësojmë si ta ruajmë gëzimin duke shqyrtuar shembullin e Gjon Pagëzorit. Ai gëzonte privilegje të jashtëzakonshme, por me shumë gjasa, priste që jeta e tij në shërbim të Jehovait të rridhte ndryshe. Mbase nuk i kishte shkuar në mendje se do të kalonte më shumë kohë në burg sesa në shërbim. Megjithatë, Gjoni nuk e humbi gëzimin dhe këtë qëndrim e ruajti gjithë jetën. Çfarë e ndihmoi? Dhe si mund ta ruajmë ne gëzimin edhe kur përballemi me zhgënjime?
NJË CAKTIM QË I FALTE GËZIM
Në pranverën e vitit 29 të e.s., Gjoni nisi caktimin si ai që do të përgatiste udhën për Mesinë, duke thënë: «Pendohuni, sepse mbretëria e qiejve është afruar.» (Mat. 3:2; Luka 1:12-17) Shumë veta reaguan mirë. Në fakt, turma njerëzish shkonin nga të gjitha anët për të dëgjuar mesazhin e tij, dhe si rezultat mjaft veta pendoheshin e pagëzoheshin. Veç kësaj, Gjoni i paralajmëronte me guxim udhëheqësit fetarë, që e mbanin veten si të drejtë, për gjykimin që i priste po të mos ndryshonin. (Mat. 3:5-12) Pika kulmore e shërbimit të tij ishte në vjeshtën e vitit 29 të e.s. kur pagëzoi Jezuin. Që nga ai moment, Gjoni i drejtonte njerëzit të shkonin pas Jezuit, Mesisë së premtuar.—Gjoni 1:32-37.
Për shkak të rolit unik të Gjonit, Jezui tha: «Ndër ata që kanë lindur nga gratë, s’ka dalë asnjë më i madh se Gjon Pagëzori.» (Mat. 11:11) Pa dyshim, Gjoni gëzonte për bekimet që merrte. Ashtu si Gjoni, shumë veta sot kanë marrë bekime fantastike nga Perëndia. Të shohim shembullin e një vëllai që quhet Teri. Ai dhe e shoqja, Sandra, kanë shërbyer mbi 50 vjet në kohë të plotë. Teri thotë: «Kam pasur shumë privilegje të mrekullueshme. Kam shërbyer si pionier, bethelit, pionier special, mbikëqyrës qarkor, mbikëqyrës krahinor dhe tani sërish si pionier special.» Jemi të gëzuar kur marrim privilegje teokratike, por siç do të mësojmë nga shembulli i Gjonit, duhen përpjekje për ta ruajtur gëzimin kur na ndryshojnë rrethanat.
MOS E HUMB MIRËNJOHJEN
Një çelës pse Gjon Pagëzorit nuk iu shua gëzimi, ishte se nuk e humbi kurrë çmueshmërinë për privilegjet që gëzonte. Mendo për këtë: pas pagëzimit të Jezuit, shërbimi i Gjonit filloi të pakësohej, kurse shërbimi i Jezuit filloi të shtohej. Të shqetësuar, dishepujt e Gjonit vajtën tek ai dhe i thanë për Jezuin: «Ai . . . po pagëzon dhe të gjithë po shkojnë tek ai.» (Gjoni 3:26) Gjoni ua ktheu: «Ai që ka nusen, është dhëndri. Megjithatë, miku i dhëndrit, që rri dhe e dëgjon, gëzohet shumë kur dëgjon zërin e dhëndrit. Prandaj, gëzimi im është bërë i plotë.» (Gjoni 3:29) Gjoni nuk konkurronte me Jezuin e as mendonte se privilegjit të tij i kishte rënë vlera ngaqë Jezui kishte rol më të rëndësishëm. Përkundrazi, Gjoni ruajti gëzimin, sepse vazhdoi ta çmonte rolin e tij si «miku i dhëndrit».
Ky qëndrim e ndihmoi Gjonin të vazhdonte të ishte i kënaqur, edhe pse nuk kishte një caktim të lehtë. Për shembull, Gjoni ishte nazire që kur lindi, prandaj e kishte të ndaluar të pinte verë. (Luka 1:15) Jezui tha për jetën e thjeshtë që bënte ai: ‘Gjoni nuk hante e nuk pinte.’ Nga ana tjetër, Jezui dhe dishepujt e tij nuk kishin kufizime të tilla dhe bënin një jetë më normale. (Mat. 11:18, 19) Veç kësaj, Gjoni nuk kreu ndonjë mrekulli, por e dinte se dishepujve të Jezuit, mes të cilëve edhe disa që kishin qenë dishepuj të Gjonit, u ishte dhënë fuqia të bënin mrekulli. (Mat. 10:1; Gjoni 10:41) Në vend që të lejonte ta shpërqendronin ndryshime të tilla, Gjoni vazhdoi plot zell caktimin që i kishte dhënë Jehovai.
Nëse e çmojmë si thesar caktimin që kemi tani në shërbim të Jehovait, edhe ne mund ta ruajmë gëzimin. Teri, që u përmend më sipër, thotë: «Përqendrohesha te çdo caktim që më jepej.» Ndërsa kujton jetën e tij në shërbimin e plotkohor, ai thotë: «Nuk kam asnjë pishmanllëk, vetëm kujtime të mrekullueshme.»
Gëzimin në shërbim të Perëndisë mund ta thellojmë duke medituar se ku qëndron vlera e vërtetë e çdo caktimi ose përgjegjësie teokratike, pra te privilegji që jemi «bashkëpunëtorë të Perëndisë». (1 Kor. 3:9) Kur pastrojmë një stoli të çmuar që kemi trashëguar, i ruajmë shkëlqimin. Po njësoj, kur meditojmë për nderin e madh që i shërbejmë Perëndisë, nuk lejojmë që pikëpamjet e gabuara të na venitin gëzimin. Kështu do t’i rezistojmë prirjes për t’i krahasuar sakrificat tona me ato të të tjerëve. Nuk do t’i shohim privilegjet tona si më me pak vlerë për shkak të privilegjeve që u jepen të tjerëve.—Gal. 6:4.
PËRQENDROHU TE GJËRAT QË KANË RËNDËSI PËR JEHOVAIN
Gjoni mund ta ketë ditur se shërbimi i tij nuk do të zgjaste shumë, por ndoshta nuk e mendonte se do të merrte fund aq befas. (Gjoni 3:30) Në vitin 30 të e.s., gjashtë muaj pas pagëzimit të Jezuit, Gjonin e burgosi mbreti Herod. Gjithsesi, Gjoni bënte çmos që të vazhdonte të jepte dëshmi. (Mar. 6:17-20) Çfarë e ndihmoi të ruante gëzimin përballë atyre ndryshimeve? Ai vazhdoi të përqendrohej te gjërat e rëndësishme për Jehovain.
Kur ishte në burg, Gjoni dëgjonte si po e zgjeronte shërbimin Jezui. (Mat. 11:2; Luka 7:18) Gjoni ishte i bindur se Jezui ishte Mesia, por mbase vriste mendjen si do të përmbushte gjithçka që thoshin Shkrimet për Mesinë. Meqë Mesia do të bëhej mbret, mos do të fillonte të mbretëronte së shpejti Jezui? A do të sillte kjo lirimin e Gjonit nga burgu? I etur për të kuptuar më qartë rolin e Jezuit, Gjoni dërgoi dy nga dishepujt e tij, që t’i bënin këtë pyetje: «A je ti Ai që duhet të vijë, apo duhet të presim një tjetër?» (Luka 7:19) Kur u kthyen, Gjoni duhet t’i ketë dëgjuar tërë sy e veshë teksa i tregonin se si Jezui kishte shëruar me anë të mrekullive dhe pastaj i kishte dërguar t’i thoshin: «Të verbrit po fitojnë shikimin, të çalët po ecin, të lebrosurit po pastrohen dhe të shurdhrit po dëgjojnë, të vdekurit po ngrihen dhe të varfërve po u thuhet lajmi i mirë.»—Luka 7:20-22.
Pa dyshim, Gjoni mori zemër nga fjalët e dishepujve. Kjo vërtetonte se Jezui po përmbushte profecitë për Mesinë. Edhe pse Jezui nuk do të sillte lirimin e tij nga burgu, Gjoni e dinte se shërbimi i tij nuk kishte qenë i kotë. Pavarësisht nga rrethanat ku ndodhej, Gjoni kishte arsye të ishte i lumtur.
Ashtu si Gjoni, nëse përqendrohemi te gjërat që kanë rëndësi për Jehovain, do t’ia dalim të qëndrojmë me gëzim e durim. (Kolos. 1:9-11) Këtë mund ta bëjmë duke lexuar Biblën e duke medituar rreth saj, çka do të na kujtojë se çdo gjë që bëjmë në shërbim të Perëndisë nuk është kurrë e kotë. (1 Kor. 15:58) Sandra tregon: «Leximi i një kapitulli të Biblës çdo ditë më ndihmon të afrohem më shumë me Jehovain. Më ndihmon të përqendrohem tek ai dhe jo te vetja.» Gjithashtu mund të përqendrohemi te lajmet për veprën e Mbretërisë, dhe kjo do të na ndihmojë të shohim përtej rrethanave ku ndodhemi e të përqendrohemi tek ajo që po kryen Jehovai sot. Sandra thotë: «Programet mujore në JW Broadcasting® na ndihmojnë të ndihemi më afër organizatës dhe të ruajmë gëzimin në caktimin tonë.»
Gjon Pagëzori e kreu caktimin e tij të shkurtër «me frymën dhe fuqinë e Elijas», dhe ashtu si Elija, «ishte njeri me ndjenja si tonat». (Luka 1:17; Jak. 5:17) Le të imitojmë shembullin e tij duke ushqyer mirënjohjen dhe duke u përqendruar te gjërat që kanë rëndësi për Jehovain. Kështu mund ta ruajmë gëzimin në shërbim të Mbretërisë, çfarëdo të na ndodhë në jetë.