T’i shërbejmë Jehovait me frymë vetëflijimi
«Nëse dikush dëshiron të vijë pas meje, të mohojë vetveten, të marrë shtyllën e tij të mundimeve dhe të më ndjekë vazhdimisht.»—MATEU 16:24, NW.
1. Si i njoftoi Jezui dishepujt mbi vdekjen e tij të afërt?
NË AFËRSI të malit Hermon, të mbuluar me borë, Jezu Krishti mbërriti në një etapë të rëndësishme të jetës së tij. I ka mbetur më pak se një vit jetë. Ai e di, dishepujt jo. Ka ardhur çasti për t’ua thënë. Është e vërtetë se më parë Jezui e ka përmendur vdekjen e tij të afërt, por kjo është hera e parë që ai flet hapur. (Mateu 9:15; 12:40) Tregimi i Mateut thotë: «Qysh atëherë Jezusi filloi t’u dëftojë nxënësve të vet se i duhej të shkonte në Jerusalem, të vuante shumë prej anës së pleqve, të kryepriftërinjve e të skribëve, se do ta vrasin e të tretën ditë do të ngjallet.»—Mateu 16:21; Marku 8:31, 32.
2. Si reagoi Pjetri ndaj fjalëve të Jezuit mbi vuajtjet që do të pësonte dhe si u përgjigj Jezui?
2 Jezui i ka ditët e numëruara. Por, Pjetri, reagon me indinjatë ndaj atij mendimi që i duket jonormal. Ai nuk mund ta pranojë idenë që Mesia do të vritet me të vërtetë. Prandaj guxon të qortojë Mësuesin. I shtyrë nga qëllimet më të mira, ai thotë me vrull: «Ji i mirë me veten, Zotëri; ti nuk do të përfundosh kurrë kështu.» Por Jezui e hedh menjëherë tej këtë mirësi të pavend të Pjetrit, me të njëjtën vendosmëri që do t’i shtypte kokën një gjarpëri helmues. «Hiqu prej meje, Satana! Je për mua një gur pengese, sepse nuk mendon mendimet e Perëndisë, por ato të njerëzve.»—Mateu 16:22, 23, NW.
3. (a) Edhe pse pa dashje, në ç’mënyrë Pjetri u kthye në një vegël të Satanait? (b) Përse ishte Pjetri një gur pengese, në lidhje me bërjen e një jete vetëflijuese?
3 Pa dashur, Pjetri ishte kthyer në një vegël të Satanait. Kundërshtimi i Jezuit është i vendosur, ashtu si atëherë kur iu përgjigj Satanait në shkretëtirë. Atje, Djalli ish përpjekur ta tundonte Jezuin, duke i ofruar një jetë të qetë, një mbretëri që mund të arrihej pa vuajtje. (Mateu 4:1-10) Tani, Pjetri e nxit të jetë i mirë me veten. Jezui e di që ky nuk është vullneti i Atit të tij. Jeta e tij duhej të ishte vetëflijuese, pa anuar nga shpërblimi i vetvetes. (Mateu 20:28) Në këtë qëllim, Pjetri i bëhet një gur pengese; dhembshuria e tij me qëllim të mirë, shndërrohet në një kurth.a Megjithatë, Jezui e kupton qartësisht se po ta guduliste idenë e një jete pa sakrifica, do të humbte favorin e Perëndisë dhe do të binte në morsën vdekjeprurëse të një kurthi satanik.
4. Përse një jetë me rehati dhe komoditet nuk i shkonte për shtat as Jezuit, as ithtarëve të tij?
4 Pra, mënyra e të menduarit e Pjetrit kishte nevojë për korrigjim. Fjalët që i kishte drejtuar Jezuit ishin fryt i idesë së njeriut, jo të Perëndisë. Një jetë rehatie dhe komoditeti, një rrugë e lehtë për të shmangur vuajtjet, nuk i shkonte për shtat Jezuit dhe as ithtarëve të tij, sepse më vonë Jezui i tha Pjetrit dhe pjesës tjetër të dishepujve: «Nëse dikush dëshiron të vijë pas meje, të mohojë vetveten, të marrë shtyllën e tij të mundimeve dhe të më ndjekë vazhdimisht.»—Mateu 16:24, NW.
5. (a) Përse një jetë e krishterë përbën një sfidë? (b) Cilat janë tri gjërat e nevojshme që i krishteri duhet të jetë gati për t’i bërë?
5 Gjithnjë e përsëri, Jezui i kthehet temës së tij kyçe: sfidës për të jetuar një jetë të krishterë. Për të qenë ithtarë të Jezuit, të krishterët, si edhe Udhëheqësi i tyre, duhet t’i shërbejnë Jehovait me frymë vetëflijimi. (Mateu 10:37-39) Prandaj, Jezui rendit tri gjëra të nevojshme, të cilat i krishteri duhet të jetë i gatshëm që t’i bëjë: (1) të mohojë vetveten, (2) të marrë shtyllën e vet të mundimeve, (3) ta ndjekë Atë vazhdimisht.
«Nëse dikush dëshiron të vijë pas meje»
6. (a) Si mohohet vetvetja? (b) Cilit duhet t’i pëlqejmë më parë se vetes tonë?
6 Ç’do të thotë të mohosh vetveten? Do të thotë që dikush të bëjë hasha vetveten, si një lloj vdekjeje e unit personal. Kuptimi kryesor i fjalës greke të përkthyer «mohoj», është «them jo» dhe do të thotë «bëj hasha plotësisht». Prandaj, ai që pranon sfidën e jetës së krishterë heq dorë vullnetarisht prej dëshirave të veta, ambicjeve, komoditetit, lumturisë dhe kënaqësive. Në thelb, i japim përgjithmonë dhe plotësisht Perëndisë Jehova jetën tonë dhe gjithçka që ajo përfshin. Të mohosh vetveten do të thotë më shumë sesa t’i ndalosh vetes herë pas herë disa kënaqësi. Do të thotë që individi duhet të heqë dorë nga pronësia e vetes në favor të Jehovait. (1. Korintasve 6:19, 20) Kush ka mohuar vetveten nuk jeton më për t’i pëlqyer vetes, por Perëndisë. (Romakëve 14:8; 15:3) Kjo do të thotë që në çdo çast të jetës, ai u thotë jo dëshirave egoiste dhe po Jehovait.
7. Çfarë është shtylla e mundimeve e të krishterit dhe si mbahet ajo?
7 Pra, të marrësh shtyllën tënde të mundimeve, ka ndërlikime serioze. Marrja e shtyllës është një peshë dhe simbol i vdekjes. Nëse është e nevojshme, i krishteri është gati që të vuajë, të jetë i përbuzur, torturuar apo edhe vrarë, sepse është një ithtar i Jezu Krishtit. Jezui tha: «Kush nuk e pranon shtyllën e vet të mundimeve dhe nuk më ndjek, nuk është i denjë për mua.» (Mateu 10:38, NW) Jo të gjithë ata që vuajnë e marrin shtyllën e mundimeve. Të ligjtë kanë shumë «dhimbje», por nuk mbajnë asnjë shtyllë mundimesh. (Psalmi 32:10) Ndërsa jeta e një të krishteri konsiston në mbajtjen e shtyllës së mundimeve të shërbimit me sakrifica ndaj Jehovait.
8. Çfarë shembulli jetese u la Jezui ithtarëve të tij?
8 Kushti i fundit që përmendi Jezui është që ta ndjekim vazhdimisht. Jezui kërkon që jo vetëm të pranojmë atë që ai na ka mësuar dhe t’i besojmë, por edhe që gjatë gjithë jetës të ndjekim vazhdimisht shembullin që na la. Por, cilat janë disa nga karakteristikat kryesore të shembullit të tij të jetës? Kur ua besoi ithtarëve të tij detyrën e fundit, Jezui tha: «Shkoni, pra, dhe bëni dishepuj . . . , duke i mësuar ata të mbajnë të gjitha gjërat që ju urdhërova.» (Mateu 28:19, 20, NW) Jezui predikoi dhe u mësoi lajmin e mirë të Mbretërisë. Të njëjtën gjë bënë edhe dishepujt e tij të parë dhe gjithë kongregacioni i parë i krishterë. Ky aktivitet i zellshëm, përveç faktit që ishin të ndarë prej botës, tërhoqi mbi ta urrejtjen dhe kundërshtimin e botës, gjë që e bëri shtyllën e tyre të mundimeve akoma më të rëndë për t’u mbajtur.—Gjoni 15:19, 20; Veprat 8:4.
9. Në ç’mënyrë i trajtonte Jezui të tjerët?
9 Një tjetër aspekt i rëndësishëm i shembullit të jetës që na la Jezui, është mënyra se si i trajtonte të tjerët. Ai ishte i mirë, «me karakter të butë dhe zemër të thjeshtë». Prandaj dëgjuesit e tij ndiheshin me frymë të rinuar dhe të inkurajuar në praninë e tij. (Mateu 11:29) Ai nuk i detyronte ta ndiqnin, duke iu futur frikën, nuk vendoste një seri të pafund rregullash mbi mënyrën se si duhej ta bënin këtë dhe as që ngjallte tek ata ndjenja faji, për t’i detyruar që të ishin dishepuj të tij. Edhe pse bënin një jetë vetëflijuese, rrezatonin një gëzim të vërtetë. Çfarë ndryshimi i thellë me ata që kanë frymën e botës për të shpërblyer vetveten, tipike për «ditët e fundit»!—2. Timoteut 3:1-4.
Zhvilloni dhe mbani frymën e vetëflijimit të Jezuit
10. (a) Sipas Filipianëve 2:5-8, në ç’mënyrë e mohoi Jezui vetveten? (b) Nëse jemi ithtarë të Krishtit, cilën shprehi mendore duhet të tregojmë?
10 Jezui ishte shembull për sa i përket mohimit të vetvetes. E mori shtyllën e vet të mundimeve dhe e mbajti vazhdimisht, duke bërë vullnetin e Atit. Pavli u shkroi të krishterëve në Filipi: «Mbani ndër ju këtë shprehi mendore që ishte edhe në Krishtin Jezu, i cili, edhe pse ekzistonte në formën e Perëndisë, nuk e konsideroi si rrëmbim, d.m.th., se duhej të ishte njëlloj me Perëndinë. Jo, por e zbrazi veten e tij dhe mori formën e një skllavi, duke u bërë i ngjashëm me njerëzit. Për më tepër, kur u gjend me figurë njeriu, e poshtëroi vetveten dhe u tregua i bindur deri në vdekje, po, vdekje mbi një shtyllë mundimesh.» (Filipianët 2:5-8, NW) Kush mund ta mohojë veten në mënyrë më të plotë? Nëse i përkisni Krishtit Jezu dhe jeni ithtarë të tij, duhet të mbani të njëjtën shprehi mendore.
11. Të bësh një jetë vetëflijuese do të thotë të jetosh për të bërë vullnetin e kujt?
11 Një apostull tjetër, Pjetri, na thotë që, pasi Jezui vuajti dhe vdiq për ne, të krishterët, si ushtarë të përgatitur mirë, duhet të armatosen me të njëjtën frymë që kishte Krishti. Pjetri shkroi: «Prandaj, ashtu si Krishti vuajti në mish, edhe ju armatosuni me të njëjtin rregull mendor; sepse njeriu që ka vuajtur në mish i ka ndërprerë mëkatet, me qëllim që ta jetojë pjesën tjetër të kohës në mish jo më për dëshirat njerëzore, por për vullnetin e Perëndisë.» (1. Pjetrit 3:18; 4:1, 2, NW) Me jetën e tij vetëflijuese Jezui tregoi qartësisht se çfarë mendonte në lidhje me bërjen e vullnetit të Perëndisë. Devotshmëria e tij nuk njohu lëkundje, pasi gjithmonë ai vuri vullnetin e Atit të tij mbi të vetin, deri në atë pikë, sa iu nënshtrua një vdekjeje të turpshme.—Mateu 6:10; Luka 22:42.
12. A ishte e papëlqyeshme për Jezuin jeta vetëflijuese që bënte? Shpjego.
12 Edhe pse për Jezuin jeta vetëflijuese përbënte një ecje të mundimshme dhe të vështirë, ai nuk e shihte si të papëlqyeshme. Përkundrazi, gjente kënaqësi që i nënshtrohej vullnetit të Perëndisë. Kryerja e veprës së të Atit, për të ishte si ushqim. Nxirrte prej saj një kënaqësi të vërtetë, ashtu si nga një gjellë e mirë. (Mateu 4:4; Gjoni 4:34) Prandaj, nëse dëshiron të ndihesh me të vërtetë i plotë në jetë, gjëja më e mirë që mund të bësh është ndjekja e shembullit të Jezuit, duke kultivuar të njëjtin rregull mendor.
13. Përse mund të themi se forca nga buron fryma e vetëflijimit është dashuria?
13 Në të vërtetë, cila është forca prej nga lind fryma e vetëflijimit? Një fjalë, dashuria. Jezui tha: « ‘Duhet ta duash Jehovain, Perëndinë tënd, me gjithë zemrën tënde, me gjithë shpirtin tënd dhe me gjithë mendjen tënde.’ Ky është më i madhi dhe më i pari urdhër. I dyti, ngjashëm atij, është ky: ‘Duhet ta duash të afërmin tënd, si veten tënde.’ » (Mateu 22:37-39) Një i krishterë nuk mund të kërkojë kënaqësinë personale dhe njëkohësisht t’u bindet këtyre fjalëve. Lumturia e tij dhe interesi i tij duhet të qeverisen para së gjithash dhe mbi të gjitha nga dashuria për Jehovain dhe më tej nga dashuria për të afërmin. Kjo është mënyra në të cilën jetoi Jezui dhe po këtë ai pret prej ithtarëve të tij.
14. (a) Cilat përgjegjësi shpjegohen në Hebrenjve 13:15, 16? (b) Çfarë na nxit për të predikuar me zell lajmin e mirë?
14 Apostulli Pavël e kuptoi këtë ligj për dashurinë. Ai shkroi: «Nëpërmjet tij i ofrojmë gjithmonë Perëndisë një flijim lavdie, d.m.th. frytin e buzëve që shpallin publikisht emrin e tij. Veç kësaj, mos harroni të bëni mirë dhe të ndani me të tjerët, sepse Perëndisë i pëlqejnë flijime të tilla.» (Hebrenjve 13:15, 16, NW) Të krishterët nuk i ofrojnë Jehovait flijime kafshësh apo gjëra të tilla; prandaj edhe në adhurim nuk kanë nevojë për priftërinj që të shërbejnë në një tempull material. Flijimi ynë i lavdisë ofrohet nëpërmjet Krishtit Jezu. Dhe kryesisht nëpërmjet këtij flijimi lavdie, kësaj shpalljeje publike të emrit të tij, ne tregojmë dashurinë tonë për Perëndinë. Në veçanti fryma altruiste që buron prej dashurisë, na nxit që të predikojmë me zell lajmin e mirë, duke qenë gjithnjë të gatshëm për t’i ofruar Perëndisë frytin e buzëve tona. Duke vepruar kështu tregojmë dashuri edhe për të afërmin.
Vetëflijimi sjell bekime të pasura
15. Çfarë pyetjesh hetuese mund t’i bëjmë vetes në lidhje me frymën e vetëflijimit?
15 Ndalo për një çast dhe mendo mbi këto pyetje: A mund të quhet mënyra ime e tanishme e jetesës një jetë vetëflijimi? A u sjell shembulli im dobi frymore pjesëtarëve të familjes sime? (Krahaso 1. Timoteut 5:8.) Ç’mund të themi për jetimët dhe gratë e veja? A përfitojnë edhe ato prej frymës sime vetëflijuese? (Jakovi 1:27) A mund ta shtoj kohën që i dedikoj flijimit tim publik të lavdisë? A mund të aftësohem për të ndërmarrë shërbimin si pionier, në Bethel apo si misionar, ose a mund të transferohem në një zonë ku ka më shumë nevojë për lajmëtarë të Mbretërisë?
16. Në ç’mënyrë mund të na ndihmojë mendjemprehtësia për të bërë një jetë vetëflijuese?
16 Disa herë mjafton që të jemi pak mendjemprehtë për të arritur potencialin tonë të plotë në shërbim të Jehovait me një frymë vetëflijimi. Për shembull Zhaneta, pioniere e rregullt në Ekuador, kishte një punë të rregullt në botë. Pas pak, programi i saj ia vështirësoi punën për të plotësuar me gëzim orët e kërkuara nga pionierët e rregullt. Vendosi t’ia shpjegojë problemin punëdhënësit dhe i kërkoi një shkurtim të orarit të punës. Pasi ai nuk kishte ndër mend t’ia plotësonte kërkesën, herën tjetër Zhaneta mori me vete Marijen, e cila po kërkonte një punë gjysmë ditore për të qenë pioniere. Propozuan që secila të punonte gjysmë dite, në mënyrë që të mund të mbulonin një ditë të plotë pune. Punëdhënësi pranoi. Tani, që të dyja motrat janë pioniere të rregullta. Duke parë këtë rezultat inkurajues, Kaffa, që ndihej e këputur nga puna e plotë kohore në ndërmarrje dhe arritja e orëve si pioniere, mori me vete Magalinë dhe bëri të njëjtin propozim. Edhe ky u pranua. Kështu, në vend të dy motrave që ishin duke e lënë shërbimin e plotë kohor, tani kemi katër që janë të gatshme për të qenë pioniere. Mendjemprehtësia dhe fryma e iniciativës dhanë rezultate të mira.
17-21. Çfarë rishqyrtimi të qëllimit të jetës bëri një çift dhe me çfarë rezultati?
17 Le të shqyrtojmë edhe frymën e vetëflijimit që ka treguar Ivona në dhjetë vitet e fundit. Në maj të 1991-shit i shkroi Shoqatës (Watch Tower):
18 «Në maj të 1982-shit vizitova Bethel-in në Bruklin me familjen time. Ajo që pashë ngjalli tek unë dëshirën për të punuar atje si vullnetare. Sigurova një kërkesë për në Bethel dhe në mes të pyetjeve të ndryshme për t’u përgjigjur, vura re edhe këtë: ‘Cila është mesatarja e orëve të tua në shërbimin në fushë gjatë gjashtë muajve të fundit? Nëse mesatarja e orëve është më e vogël se dhjetë, shpjego përse.’ Nuk munda të mendoj asnjë shkak të vlefshëm që të justifikonte mesataren time të ulët, prandaj i caktova vetes një synim dhe e arrita brenda pesë muajve.»
19 «Edhe pse kisha në mendje disa arsye për të mos qenë pioniere, kur lexova Librin vjetor të Dëshmitarëve të Jehovait, 1983 (angl.), u binda se për të qenë pionierë të tjerët kishin kaluar pengesa më të mëdha se të miat. Kështu, më 1 prill 1983 lashë punën e rregullt dhe me një pagë të mirë dhe u bëra pioniere ndihmëse; më 1 shtator 1983 hyra në radhët e pionierëve të rregullt.»
20 «Në prill 1985, pata gëzimin që të martohesha me një shërbëtor ndihmës. Tre vjet më vonë, në një kongres krahinor, gjatë një fjalimi mbi shërbimin si pionier, im shoq u kthye nga unë dhe më pëshpëriti në vesh: ‘A ka ndonjë arsye për të mos filluar shërbimin si pionier më 1 shtator?’ U bashkua me mua në këtë vepër gjatë dy viteve pasues.»
21 «Im shoq doli vullnetar edhe për punimet e ndërtimit në Bethel në Bruklin për dy javë dhe bëri pyetjet për të marrë pjesë në Programin Ndërkombëtar [të ndërtimeve]. Kështu, në maj 1989 shkuam për një muaj në Nigeri për të ndihmuar në ndërtimin e degës së atjeshme. Nesër nisemi për në Gjermani, ku do të marrim vizën për në Poloni. Jemi entuziastë që do të marrim pjesë në realizimin e këtij projekti ndërtimi me rëndësi historike [ndërtimi i Bethel-it në Poloni] dhe që kryejmë këtë lloj të ri shërbimi të plotë kohor.»
22. (a) Në ç’mënyrë mund të bëhemi pa dashur, ashtu si edhe Pjetri, gurë pengese? (b) Nga ç’gjë nuk varet shërbimi me frymë vetëflijimi ndaj Jehovait?
22 Nëse personalisht nuk je në gjendje për të qenë pionier, a mund të inkurajosh ata që janë në shërbim të plotë kohor që ta ruajnë privilegjin e tyre apo ndoshta edhe t’i ndihmosh në këtë drejtim? Apo do të jesh si disa familjarë dhe miq që pa të keq, ashtu si Pjetri, i thonë dikujt që është në shërbim të plotë-kohor që ta marrë shtruar, që të jetë i mirë me veten, pa e kuptuar se kjo mund të përbëjë një gur pengese? Sigurisht, nëse një pionier ka probleme serioze shëndeti apo ka lënë pas dore detyrime të tjera të krishtere, duhet që për pak kohë ta lërë shërbimin e plotë kohor. T’i shërbesh Jehovait me frymë vetëflijimi, nuk varet nga ndonjë etiketë si pionier, bethelit apo ndonjë tjetër. Varet nga ajo se si jemi si njerëz: si mendojmë, si i trajtojmë të tjerët, si e jetojmë jetën tonë.
23. (a) Si mund të vazhdojmë të ndiejmë gëzim, duke qenë bashkëpunëtorë të Perëndisë? (b) Çfarë sigurie gjejmë në Hebrenjve 6:10-12?
23 Nëse kemi me të vërtetë një frymë vetëflijimi, do të ndiejmë gëzim që jemi bashkëpunëtorë të Perëndisë. (1. Korintasve 3:9) Do të kemi kënaqësinë të dimë se po e gëzojmë zemrën e Jehovait. (Proverbat 27:11) Dhe Jehovai na siguron se nuk do të na harrojë dhe nuk do të na braktisë kurrë, derisa do t’i qëndrojmë besnikë.—Hebrenjve 6:10-12.
[Shënimi]
a Në greqisht «gurë pengese» (σκάνδαλον, skàndalon) fillimisht ishte «emri i asaj pjese të kurthit, në të cilën vihet karremi, pra, vetë kurthi ose laku».—Vine’s Expository Dictionary of Old Testament Words.
Pyetjet për përsëritje
◻ Në ç’mënyrë Pjetri u bë pa dashur gur pengese në lidhje me një jetë vetëflijuese?
◻ Ç’do të thotë të mohosh vetveten?
◻ Në ç’mënyrë e mban i krishteri shtyllën e vet të mundimeve?
◻ Si zhvillohet dhe si mbahet fryma e vetëflijimit?
◻ Cila është forca nga e cila buron fryma e vetëflijimit?
[Figura në faqen 10]
A je i gatshëm për të mohuar vetveten, për të marrë shtyllën tënde të mundimeve dhe për të ndjekur Jezuin vazhdimisht?