KAPITULLI NJËMBËDHJETË
«Asnjeri tjetër nuk ka folur kurrë kështu»
1, 2. (a) Pse rojat që u dërguan për të arrestuar Jezuin u kthyen duarbosh? (b) Pse Jezui ishte mësues i jashtëzakonshëm?
JEZUI ishte në tempull dhe po u mësonte njerëzve për Atin e tij. Edhe pse disave prej tyre nuk po u pëlqente ajo që po dëgjonin, shumë të tjerë treguan besim te Jezui. Kur panë këtë, udhëheqësit fetarë s’e përmbajtën dot zemërimin, prandaj dërguan disa roja që ta arrestonin. Mirëpo rojat u kthyen duarbosh. Krerët e priftërinjve dhe farisenjtë u kërkuan shpjegim: «Pse nuk e sollët?» Rojat u përgjigjën: «Asnjeri tjetër nuk ka folur kurrë kështu.» Kaq shumë përshtypje u kishte bërë mënyra si mësonte Jezui, saqë nuk e kishin arrestuar dot.a—Gjoni 7:45, 46.
2 Rojat nuk ishin të vetmit që u kishte bërë përshtypje mësimdhënia e Jezuit. Turma të mëdha njerëzish mblidheshin rreth tij që ta dëgjonin teksa mësonte. (Marku 3:7, 9; 4:1; Luka 5:1-3) Pse Jezui ishte mësues kaq i jashtëzakonshëm? Siç e pamë në kapitullin 8, ai i kishte përzemër të vërtetat që u përcillte të tjerëve dhe i donte njerëzit që mësonte. Gjithashtu ishte mjeshtër në përdorimin e metodave të mësimdhënies. Le të shqyrtojmë tri metoda të efektshme që përdori dhe si mund ta imitojmë.
Fjalë të thjeshta
3, 4. (a) Pse Jezui përdorte fjalë të thjeshta kur mësonte të tjerët? (b) Pse Predikimi në Mal është një shembull i thjeshtësisë me të cilën mësonte Jezui?
3 A mund ta përfytyrosh sa fjalor të gjerë e të larmishëm mund të ketë pasur Jezui? Megjithatë, ai përdorte gjithmonë fjalë që mund të kuptoheshin lehtë nga dëgjuesit e tij, shumë prej të cilëve ishin «të pashkolluar e të thjeshtë». (Veprat 4:13) I merrte parasysh kufizimet e tyre dhe kurrë nuk i ngarkonte me informacione të tepërta. (Gjoni 16:12) Fjalët e tij ishin të thjeshta, por të vërtetat që shprehte, ishin të thella.
4 Si shembull, le të shqyrtojmë Predikimin në Mal, që e gjejmë te Mateu 5:3–7:27. Në këtë fjalim, Jezui dha këshilla që shkojnë gjer në rrënjë të problemeve. Por, mënyra si i shpjegoi ishte e qartë, dhe fjalët e tij ishin të thjeshta. Madje, edhe një fëmijë mund t’i kuptonte shumë kollaj! Prandaj nuk habitemi që, kur Jezui mbaroi së foluri, turma—me shumë gjasa e përbërë kryesisht nga bujq, barinj e peshkatarë—«mbeti e mahnitur nga mënyra si mësonte».—Mateu 7:28.
5. Jep shembuj të fjalive të thjeshta e plot kuptim të Jezuit.
5 Kur mësonte të tjerët, Jezui shpesh përdorte fjali të thjeshta e të shkurtra që ishin plot kuptim. Kjo ua bënte të lehtë dëgjuesve që të ngulitnin në mendjen e në zemrën e tyre mesazhin e tij, në një kohë kur ende nuk kishte libra të shtypur. Ja disa shembuj: «Mos gjykoni më, që të mos gjykoheni.» «Të shëndetshmit nuk kanë nevojë për mjek, kurse të sëmurët, po.» «Zemra është gati, por trupi është i dobët.» «Paguajini Cezarit gjërat e Cezarit, kurse Perëndisë gjërat e Perëndisë.» «Ka më shumë lumturi të japësh se të marrësh.»b (Mateu 7:1; 9:12; 26:41; Marku 12:17; Veprat 20:35) Edhe sot që kanë kaluar afro 2.000 vjet nga koha kur u thanë, këto fjalë mbeten të paharrueshme.
6, 7. (a) Pse është e rëndësishme të përdorim fjalë që njerëzit i kuptojnë kollaj? (b) Çfarë të bëjmë që të mos e ngarkojmë studentin e Biblës me informacione të tepërta?
6 Po ne, si ta bëjmë sa më të thjeshtë mësimdhënien tonë? Është e rëndësishme të zgjedhim fjalë që njerëzit i kuptojnë kollaj. Të vërtetat themelore të Fjalës së Perëndisë nuk janë të ndërlikuara. Jehovai ua ka zbuluar qëllimet e tij atyre që kanë zemër të sinqertë e të përulur. (1 Korintasve 1:26-28) Fjalët e thjeshta dhe të zgjedhura me kujdes mund t’i përcjellin me efektshmëri të vërtetat e Fjalës së Perëndisë.
7 Që mësimdhënia jonë të jetë e thjeshtë, duhet të bëjmë kujdes të mos e ngarkojmë studentin e Biblës me informacione të tepërta. Pra, kur drejtojmë një studim, s’ka nevojë të shpjegojmë çdo hollësi dhe as është e nevojshme ta mbarojmë mësimin shpejt e shpejt, sikur gjëja kryesore është të studiojmë sa më shumë material. Është e mençur që ritmin e studimit ta përcaktojnë nevojat dhe aftësitë e studentit. Synimi ynë është ta ndihmojmë studentin të bëhet dishepull i Krishtit dhe adhurues i Jehovait. Për ta arritur këtë, duhet t’i lëmë kohën e nevojshme që ta kuptojë qartë çfarë po mëson. Vetëm atëherë e vërteta nga Bibla do t’i prekë zemrën dhe do ta shtyjë të zbatojë atë që ka mësuar.—Romakëve 12:2.
Pyetjet e duhura
8, 9. (a) Pse Jezui bënte pyetje? (b) Si i përdori Jezui pyetjet për ta ndihmuar Pjetrin të arrinte përfundimin e duhur nëse duhej ta paguante apo jo taksën e tempullit?
8 Jezui i përdorte me mjeshtëri pyetjet edhe atëherë kur do ta kishte më të lehtë po t’ua thoshte vetë përfundimin dëgjuesve. Pse e bënte këtë? Ndonjëherë përdorte pyetje zhbiruese për të nxjerrë në pah motivet e këqija të kundërshtarëve të tij, dhe kështu ua mbyllte gojën. (Mateu 21:23-27; 22:41-46) Në shumë raste të tjera, pyetjet i përdorte me qëllim që dishepujt të shprehnin ç’kishin në mendje, si dhe t’u nxiste e t’u stërviste aftësinë e të menduarit. Prandaj bënte pyetje të tipit: «Si mendoni?» dhe «A e beson këtë?» (Mateu 18:12; Gjoni 11:26) Me pyetje të tilla, Jezui arrinte t’u prekte zemrën dishepujve. Të shohim një rast.
9 Një herë, taksambledhësit e pyetën Pjetrin a e paguante Jezui taksën e tempullit.c Aty për aty, Pjetri u përgjigj: «Po.» Më vonë, Jezui arsyetoi me të: «Si mendon Simon? Nga cilët i marrin mbretërit e tokës taksat ose haraçet për kokë? Nga bijtë e tyre apo nga të huajt?» Pjetri u përgjigj: «Nga të huajt.» Jezui i tha: «Ashtu është, bijtë janë të përjashtuar nga taksat.» (Mateu 17:24-27) Pjetri e dinte që familjarët e mbretërve nuk paguanin taksa, ndaj e kuptoi ku donte të dilte Jezui me ato pyetje. Duke qenë Biri i vetëmlindur i Mbretit qiellor, Jezui nuk ishte nën detyrimin për të paguar taksën, sepse ai që adhurohej në tempull ishte Ati i tij. Siç e shikon, në vend që t’ia thoshte vetë përgjigjen e saktë Pjetrit, Jezui përdori me takt pyetje që ai të arrinte në përfundimin e duhur, dhe ndoshta të kuptonte se herë tjetër duhej të mendohej më me kujdes para se të përgjigjej.
10. Si t’i përdorim me efektshmëri pyetjet kur predikojmë shtëpi më shtëpi?
10 Po ne, si t’i përdorim me efektshmëri pyetjet në shërbim? Kur predikojmë shtëpi më shtëpi, mund t’i përdorim për të ngjallur interesin, dhe kjo mund të na hapë rrugën për të folur për lajmin e mirë. Për shembull, në qoftë se na del te dera një i moshuar, me respekt mund të bëjmë pyetjen: «Si ka ndryshuar bota gjatë jetës suaj?» Pasi të dëgjojmë përgjigjen, mund ta pyesim: «Sipas mendimit tuaj, si mund të kemi një botë më të mirë?» (Mateu 6:9, 10) Nëse na del një nënë me fëmijë të vegjël, mund ta pyesim: «A keni menduar ndonjëherë si do të jetë bota kur të rriten fëmijët tuaj?» (Psalmi 37:10, 11) Duke qenë vëzhgues të mirë kur i afrohemi një shtëpie, mund të gjejmë një pyetje që i ngjall interesin të zotit të shtëpisë.
11. Si t’i përdorim me efektshmëri pyetjet kur drejtojmë studime të Biblës?
11 Si t’i përdorim me efektshmëri pyetjet kur drejtojmë studime të Biblës? Pyetjet e zgjedhura me kujdes na ndihmojnë të kuptojmë si ndihet studenti. (Proverbat 20:5) Për shembull, ta zëmë se po studiojmë mësimin 43, «Çfarë thotë Bibla për pirjen e alkoolit?», në librin Gëzoje jetën përgjithmonë.d Në këtë mësim shqyrtohet pikëpamja e Perëndisë për pirjen me tepri dhe dehjen. Edhe pse përgjigjet e studentit mund të tregojnë se e kupton çfarë mëson Bibla, a tregojnë ato se ai e pranon vërtet atë që po mëson? Ndaj mund ta pyesim: «A të duket e arsyeshme pikëpamja e Perëndisë për këto çështje?» Ose, një pyetje tjetër: «Si mund ta zbatosh në jetën tënde këtë informacion?» Megjithatë, asnjëherë mos harro se duhet të tregosh takt dhe ta trajtosh me dinjitet studentin. Kurrë nuk duam t’i bëjmë pyetje që e vënë në siklet pa qenë nevoja.—Proverbat 12:18.
Logjikë e fortë
12-14. (a) Si e përdori Jezui logjikën në arsyetimet e tij? (b) Çfarë arsyetimi përdori Jezui kur farisenjtë thanë se e merrte fuqinë nga Satanai?
12 Duke pasur një mendje të përsosur, Jezui ishte mjeshtër për të arsyetuar me të tjerët. Nganjëherë e përdorte logjikën e fortë për të hedhur poshtë akuzat e rreme të kundërshtarëve. Ndërsa në shumicën e rasteve, përdorte arsyetime bindëse për t’u dhënë dishepujve mësime të vlefshme. Le të shqyrtojmë disa shembuj.
13 Pasi Jezui shëroi një njeri të verbër e të pagojë që e kishin pushtuar demonët, farisenjtë e akuzuan: «Ky njeri i dëbon demonët vetëm me anë të Belzebubit [Satanait], sundimtarit të demonëve.» Ata e pranonin se duhej një fuqi mbinjerëzore për të dëbuar demonët. Megjithatë thoshin se këtë fuqi Jezuit ia jepte Satanai. Akuza jo vetëm që ishte e rreme, por edhe e palogjikshme. Për të nxjerrë në pah sa gabim e kishin, Jezui u përgjigj: «Çdo mbretëri e përçarë, përfundon në shkretim dhe çdo qytet apo shtëpi e përçarë, nuk do të qëndrojë. Po ashtu, nëse Satanai dëbon Satanain, do të thotë se është përçarë. Si do të qëndrojë, pra, mbretëria e tij?» (Mateu 12:22-26) Me fjalë të tjera, Jezui po thoshte: «Nëse fuqia ime vjen nga Satanai dhe unë e përdor këtë fuqi kundër tij, a s’do të thotë kjo që Satanai po vepron kundër interesave të veta? Po pse do ta bënte këtë?» A mund ta hidhnin poshtë ata një logjikë kaq bindëse?!
14 Por, Jezui s’e kishte mbaruar ende arsyetimin e tij. Duke e ditur se edhe disa dishepuj të farisenjve kishin dëbuar demonë, u bëri një pyetje të thjeshtë, por të goditur: «Nëse unë i dëboj demonët me anë të Belzebubit, me anë të kujt i dëbojnë bijtë [ose dishepujt] tuaj?» (Mateu 12:27) Thelbi i arsyetimit të Jezuit ishte ky: «Nëse unë i dëboj demonët me fuqinë e Satanait, atëherë edhe dishepujt tuaj duhet të jenë duke përdorur të njëjtën fuqi.» E ç’mund të thoshin farisenjtë?! Ata s’do ta pranonin kurrë se dishepujt e tyre vepronin nën autoritetin e Satanait. Kështu Jezui nxori në pah absurditetin e arsyetimit të tyre, gjë që nuk u pëlqeu aspak. A nuk mahnitesh kur lexon si arsyetoi Jezui me ta? Imagjino atëherë si duhet të jenë ndier turmat që po e dëgjonin, pasi prania e tij dhe toni i zërit, me siguri do t’ia kenë shtuar forcën fjalëve që tha.
15-17. Trego një shembull si arsyetoi Jezui duke përdorur shprehjen «aq më shumë» për të mësuar të vërteta zemërdhënëse për Atin e tij.
15 Jezui përdori arsyetime logjike e bindëse edhe për t’u mësuar njerëzve të vërteta të dobishme dhe zemërdhënëse për Atin e tij. Ai shpesh e bënte këtë duke përmendur ide që njerëzit i njihnin mirë dhe më pas bënte një krahasim duke përdorur shprehjen «aq më shumë».e Kështu u jepte një arsye edhe më të fortë që të bindeshin se ajo që po u mësonte ishte e vërtetë. Ky lloj arsyetimi që ka si bazë krahasimin, mund të lërë gjurmë të thella. Le të shqyrtojmë vetëm dy shembuj.
16 Në një rast dishepujt i kërkuan Jezuit që t’i mësonte të luteshin. Në përgjigjen që u dha, Jezui theksoi se prindërit njerëzorë, edhe pse të papërsosur, duan ‘t’u japin dhurata të mira’ fëmijëve të tyre. Pastaj përfundoi me fjalët: «Nëse ju, edhe pse mëkatarë, dini t’u jepni fëmijëve tuaj dhurata të mira, aq më shumë Ati që është në qiell do t’u japë frymë të shenjtë atyre që ia kërkojnë.» (Luka 11:1-13) Kështu Jezui përdori një krahasim për t’ua bërë të qartë pikën. Nëse prindërit e papërsosur njerëzorë kujdesen për nevojat e fëmijëve të tyre, aq më shumë Ati ynë qiellor që është i përsosur dhe i drejtë në çdo gjë, do t’u japë frymë të shenjtë adhuruesve të tij besnikë që ia kërkojnë me përulësi në lutje.
17 Jezui përdori një arsyetim të ngjashëm kur dha këshilla të mençura për përballimin e ankthit. Ai tha: «Korbat . . . as mbjellin e as korrin dhe nuk kanë as hambar e as depo, e megjithatë Perëndia i ushqen. A nuk vleni ju shumë më tepër se zogjtë?! Mendoni pak si rriten zambakët: as robtohen, as tjerrin. . . . Tani, nëse Perëndia i vesh kështu bimët e fushës, që sot janë e nesër hidhen në zjarr, aq më shumë do t’ju veshë ju, ju që keni kaq pak besim!» (Luka 12:24, 27, 28) Nëse Jehovai kujdeset për zogjtë e për lulet, aq më shumë do të kujdeset për njerëzit që e duan dhe e adhurojnë! Me këtë arsyetim, me siguri që Jezui u preku zemrën dëgjuesve të tij.
18, 19. Si mund të arsyetojmë me dikë që thotë se nuk beson dot te një Perëndi që s’e sheh?
18 Edhe ne duam të përdorim në shërbim arsyetime logjike për të hedhur poshtë bindjet e rreme. Gjithashtu duam të përdorim argumente bindëse për t’u mësuar njerëzve të vërteta të dobishme për Jehovain. (Veprat 19:8; 28:23, 24) Mos duhet të përdorim ndonjë logjikë të ndërlikuar? Aspak. Nga Jezui mësojmë se kur argumentet logjike paraqiten thjesht, janë edhe më të efektshme.
19 Për shembull, si të përgjigjemi kur dikush thotë se nuk beson dot te një Perëndi që s’e sheh? Mund të arsyetojmë për ligjin shkak-pasojë. Kur shohim pasojat, e pranojmë se duhet të ketë një shkak. Mund të themi: «Po të ishit në një zonë të shkretë dhe ju del para një shtëpi e ndërtuar mirë plot me ushqime (pasoja), a nuk do ta pranonit menjëherë se e ka bërë dikush (një shkak)? Po kështu, kur shohim tokën tonë të bukur, si dhe bollëkun e ushqimit që ka në të (pasoja), a nuk duket e logjikshme të mendojmë se e ka bërë dikush (një shkak)? Edhe vetë Bibla bën këtë arsyetim: ‘Çdo shtëpi ndërtohet nga dikush, por ai që ka ndërtuar gjithçka, është Perëndia.’» (Hebrenjve 3:4) Natyrisht, sado i fortë të jetë arsyetimi ynë, jo të gjithë do të binden.—2 Selanikasve 3:2.
20, 21. (a) Si mund të arsyetojmë duke bërë krahasime me shprehjen «aq më shumë» për të theksuar cilësitë e Jehovait dhe mënyrën si vepron? (b) Çfarë do të shqyrtojmë në kapitullin tjetër?
20 Kur mësojmë të tjerët, qoftë në shërbim, qoftë në kongregacion, mund të arsyetojmë duke bërë krahasime me shprehjen «aq më shumë» për të theksuar cilësitë e Jehovait dhe mënyrën si vepron. Për shembull, për të treguar se doktrina e mundimit të përjetshëm në ferr në të vërtetë e njollos emrin e mirë të Jehovait, mund të themi: «Cili është ai baba i dashur që do ta ndëshkonte fëmijën e vet duke ia vënë dorën në zjarr? Aq më shumë duhet të jetë e neveritshme për Atin tonë të dashur qiellor edhe vetë ideja e ferrit!» (Jeremia 7:31) Për ta siguruar një bashkëbesimtar të dëshpëruar se Jehovai e do, mund t’i themi: «Nëse Jehovai i kushton vëmendje edhe një harabeli të vogël, aq më shumë do të kujdeset dhe do të tregojë dashuri për secilin nga adhuruesit e tij në tokë, përfshirë edhe ty!» (Mateu 10:29-31) Ky arsyetim mund të na ndihmojë t’u prekim zemrën të tjerëve.
21 Pasi kemi shqyrtuar vetëm tri nga metodat e mësimdhënies që përdorte Jezui, e kuptojmë fare lehtë pse rojat që nuk e arrestuan, nuk po e ekzagjeronin kur thanë: «Asnjeri tjetër nuk ka folur kurrë kështu.» Në kapitullin vijues, do të shqyrtojmë metodën më të njohur të Jezuit—përdorimin e ilustrimeve.
a Ka të ngjarë që rojat të ishin në shërbim të Sinedrit, nën autoritetin e krerëve të priftërinjve.
b Këtë pohim që gjendet te Veprat 20:35, e përmend vetëm apostulli Pavël. Atij mund t’ia ketë thënë vetë Jezui i ringjallur a dikush që e kishte dëgjuar prej tij, ose mbase ia ka zbuluar Perëndia.
c Judenjve u kërkohej të paguanin si taksë vjetore për tempullin dy drahma, pak a shumë sa paga e dy ditëve. Në një vepër referimi thuhet: «Kjo taksë përdorej kryesisht për të mbuluar shpenzimet e blatimit të djegur që bëhej përditë dhe, në përgjithësi, të të gjitha flijimeve që bëheshin në emër të popullit.»
d Botuar nga Dëshmitarët e Jehovait.
e Ky lloj arsyetimi disa herë quhet «a fortiori», një frazë latine që do të thotë «aq më tepër; edhe më e sigurt; për një arsye edhe më të fortë».