-
‘Perëndia e rrit’ farën!Kulla e Rojës—2008 | 15 Korrik
-
-
Mbjellësi që fle
13, 14. (a) Jepni një përmbledhje të ilustrimit të Jezuit që është dokumentuar te Marku 4:26-29. (b) Kë përfaqëson mbjellësi dhe çfarë është fara?
13 Te Marku 4:26-29, gjejmë një ilustrim tjetër lidhur me një mbjellës: «Kështu, mbretëria e Perëndisë është tamam si një njeri që hedh farën në tokë. Ai fle natën e çohet ditën, dhe fara mbin e rritet, por se si ai nuk e di. Toka vetvetiu jep fryt dalëngadalë: më parë filizin, pastaj kallirin e së fundi kokrrën e pjekur në kalli. Dhe, sapo fryti është gati, ai i vë draprin, sepse koha për korrje ka ardhur.»
14 Kush është mbjellësi? Disa në të ashtuquajturin krishterim besojnë se është vetë Jezui. Por, si mund të thuhet se Jezui fle e nuk e di se si rritet fara? Patjetër që Jezui e kupton procesin e rritjes! Prandaj, ky mbjellës, ashtu si ai i përmendur më sipër, përfaqëson secilin nga lajmëtarët e Mbretërisë, pra, ata që mbjellin farën e Mbretërisë me anë të veprës së tyre të zellshme të predikimit. Fara që hidhet në tokë është fjala që predikojnë.b
15, 16. Çfarë të vërtete për rritjen e farës dhe bërjen e një dishepulli theksoi Jezui në ilustrimin për mbjellësin?
15 Jezui thotë se mbjellësi «fle natën e çohet ditën». Kjo nuk do të thotë se ai po tregohet i pakujdesshëm. Këto fjalë thjesht përshkruajnë rutinën normale të jetës që bën shumica e njerëzve. Fjalët e përdorura në këtë varg tregojnë një proces të vazhdueshëm gjatë një periudhe kohe kur punohet ditën dhe flihet natën. Jezui shpjegon se çfarë ndodh gjatë asaj kohe. «Fara mbin e rritet»,—thotë ai. Më pas shton: «Se si ai nuk e di.» Këtu theksohet fakti që rritja ndodh «vetvetiu».c
16 Çfarë pike po theksonte Jezui këtu? Vini re se theksi bie te rritja dhe te mënyra e ngadaltë se si ndodh ajo. «Toka vetvetiu jep fryt dalëngadalë: më parë filizin, pastaj kallirin e së fundi kokrrën e pjekur në kalli.» (Mar. 4:28) Kjo rritje ndodh dalëngadalë dhe me faza. Ajo nuk mund të bëhet me të shtyrë ose të përshpejtohet. E njëjta gjë vlen edhe për një person që rritet frymësisht derisa bëhet dishepull. Kjo ndodh me faza, teksa Jehovai lejon që e vërteta të rritet në zemrën e një njeriu që është i prirur ndaj fjalës së Tij.—Vep. 13:48; Hebr. 6:1.
17. Cilët gëzojnë kur fara e së vërtetës jep fryt?
17 Si merr pjesë në korrje mbjellësi «sapo fryti është gati»? Kur Jehovai bën që e vërteta për Mbretërinë të rritet në zemrën e dishepujve të rinj, së fundi, nga dashuria për Perëndinë, nxiten t’ia kushtojnë jetën atij. Ata e simbolizojnë kushtimin e tyre me anë të pagëzimit në ujë. Vëllezërit që vazhdojnë të përparojnë drejt pjekurisë, dalëngadalë janë në gjendje të marrin më shumë përgjegjësi në kongregacion. Frytin e Mbretërisë e korr si mbjellësi i fillimit, ashtu edhe lajmëtarë të tjerë të Mbretërisë që mund të mos jenë përfshirë personalisht në mbjelljen e farës që prodhoi dishepullin. (Lexo Gjonin 4:36-38.) Po, «mbjellësi dhe korrësi . . . gëzojnë së bashku».
-
-
‘Perëndia e rrit’ farën!Kulla e Rojës—2008 | 15 Korrik
-
-
b Më parë, në këtë revistë ishte shpjeguar se fara përfaqëson cilësi të personalitetit që duhet të rriten derisa të arrijnë pjekurinë dhe që gjatë këtij procesi ndikohen nga faktorë të mjedisit. Megjithatë, duhet theksuar se në ilustrimin e Jezuit, fara nuk shndërrohet në farë të keqe ose fryt të kalbur. Thjesht ajo rritet derisa piqet.—Shih Kullën e Rojës, 15 qershor 1980, faqet 17-19, anglisht.
c Rasti tjetër i vetëm kur përdoret kjo shprehje gjendet te Veprat 12:10, ku thuhet se një portë hekuri hapet automatikisht ose «vetë».
-