Çfarë tha Jezui për ferrin?
«Po qe se edhe syri yt të çon në mëkat,—tha Jezui,—nxirre! Më mirë është për ty të hysh në Mbretërinë e Hyjit me një sy se t’i kesh të dy e të hidhesh në ferr. Ku ‘krimbi i tyre nuk cof e zjarri nuk fiket’.»—MARKU 9:47, 48, Simon Filipaj, kursivi nuk është yni.
Në një rast tjetër, Jezui foli për një periudhë gjykimi kur ai do t’u thoshte të ligjve: «Largohuni nga unë, të mallkuar, në zjarrin e përjetshëm, të përgatitur për djallin dhe engjëjt e tij.» Ai gjithashtu tha se këta «do të shkojnë në ndëshkim të përjetshëm».—MATEU 25:41, 46, The New American Bible.
NË PAMJE të parë, nga fjalët e mësipërme, mund të duket sikur Jezui po mbështeste besimin te ferri. Me siguri, Jezui nuk kishte për qëllim të kundërshtonte Fjalën e Perëndisë që thotë qartë: «Të vdekurit s’dinë më asgjë.»—Eklisiastiu 9:5, Simon Filipaj.
Po atëherë, për çfarë e kishte fjalën Jezui kur tha se një njeri mund të hidhej «në ferr»? A është i mirëfilltë apo simbolik ‘zjarri i përjetshëm’ për të cilin paralajmëroi Jezui? Në ç’kuptim të ligjtë «shkojnë në ndëshkim të përjetshëm»? Le t’i shqyrtojmë me radhë këto pyetje.
Për çfarë e kishte fjalën Jezui kur tha se një njeri mund të hidhej «në ferr»? Fjala greke e përkthyer «ferr» te Marku 9:47 është Géena. Kjo fjalë vjen nga hebraishtja Geh Hinóm, që do të thotë «lugina e Hinomit». Lugina e Hinomit ndodhej jashtë rrethinave të Jerusalemit të lashtë. Në ditët e mbretërve izraelitë, ajo përdorej për flijimin e fëmijëve—një praktikë e neveritshme që Perëndia e dënonte. Perëndia tha se do t’i ekzekutonte ata që bënin një akt të tillë të adhurimit të rremë. Atëherë lugina e Hinomit do të quhej «Lugina e masakrës» ku «kufomat e këtij populli» do të liheshin aty pa u varrosur. (Jeremia 7:30-34, Diodati i Ri) Pra, Jehovai paratha se lugina e Hinomit do të bëhej një vend, jo për torturimin e të gjallëve, por për eliminimin në masë të kufomave.
Në ditët e Jezuit, banorët e Jerusalemit e përdornin luginën e Hinomit si vend për grumbullimin e plehrave. Ata hidhnin në këtë vend kufomat e disa kriminelëve të poshtër dhe mbanin vazhdimisht ndezur një zjarr për të djegur plehrat dhe kufomat.
Kur Jezui foli për krimbat që nuk ngordhin dhe zjarrin e pashueshëm, ai me sa duket po i referohej Isaisë 66:24. Në lidhje me «kufomat e njerëzve që rebeluan kundër [Perëndisë]» Isaia thotë se «krimbi i tyre nuk do të vdesë dhe zjarri i tyre nuk do të shuhet». (Dio) Jezui dhe ata që po e dëgjonin, e dinin se këto fjalë të Isaisë i referoheshin trajtimit të kufomave të atyre që nuk meritonin të varroseshin.
Pra, Jezui e përdori luginën e Hinomit, ose Gehenën, si një simbol të përshtatshëm të vdekjes pa shpresë për ringjallje. Ai e qartësoi këtë pikë kur paralajmëroi se Perëndia «mund të shkatërrojë edhe shpirtin, edhe trupin në Gehenë». (Mateu 10:28) Gehena simbolizon vdekjen e përhershme, jo mundimin e përhershëm.
A është i mirëfilltë apo simbolik ‘zjarri i përjetshëm’ për të cilin paralajmëroi Jezui? Vër re që ‘zjarri i përjetshëm’ që përmendi Jezui te Mateu 25:41 ishte përgatitur «për djallin dhe engjëjt e tij». A mendon se krijesat frymore mund të digjen në një zjarr të mirëfilltë? Mos vallë Jezui po e përdorte fjalën «zjarr» në kuptimin simbolik? Sigurisht «delet» dhe «cjeptë» që përmenden në të njëjtin fjalim nuk janë të mirëfilltë, por janë simbole që përfaqësojnë dy lloje njerëzish. (Mateu 25:32, 33) Zjarri i përjetshëm që përmendi Jezui i djeg krejtësisht të ligjtë në kuptim të figurshëm.
Në ç’kuptim të ligjtë «shkojnë në ndëshkim të përjetshëm»? Megjithëse shumica e përkthimeve përdorin fjalën «ndëshkim» te Mateu 25:46, kuptimi bazë i fjalës greke kólasin është «të kontrollosh rritjen e pemëve», ose të krasitësh, të presësh degët e panevojshme. Prandaj, ndërsa ata që krahasohen me delet marrin jetën e përhershme, të papenduarit që krahasohen me cjeptë, vuajnë «ndëshkimin e përjetshëm», domethënë u pritet jeta njëherë e mirë.
Po ti, çfarë mendon?
Jezui nuk tha kurrë se njerëzit kanë një shpirt të pavdekshëm. Megjithatë, ai foli shpesh për ringjalljen e të vdekurve. (Luka 14:13, 14; Gjoni 5:25-29; 11:25) Pse do të thoshte Jezui se të vdekurit do të ringjalleshin, nëse ai besonte që shpirtrat e tyre nuk kishin vdekur?
Jezui nuk mësoi se Perëndia, me ligësi, do t’i torturonte të ligjtë përgjithmonë. Përkundrazi, Jezui tha: «Perëndia e deshi aq shumë botën, sa dha Birin e tij të vetëmlindur, që kushdo që tregon besim tek ai, të mos shkatërrohet, por të ketë jetë të përhershme.» (Gjoni 3:16) Pse Jezui la të kuptohej se ata që nuk besonin tek ai, do të vdisnin? Nëse në të vërtetë ai donte të thoshte se ata do të jetonin përgjithmonë duke vuajtur në një ferr të zjarrtë, a nuk do ta kishte thënë hapur?
Doktrina që ferri është një vend mundimi, nuk bazohet në Bibël. Përkundrazi, është një besim pagan i maskuar si një mësim i krishterë. (Shih kutinë «Përmbledhje e shkurtër për origjinën e ferrit», në faqen 6.) Jo, Perëndia nuk i torturon njerëzit përjetësisht në ferr. Si mund të ndikojë e vërteta për ferrin në marrëdhënien tënde me Perëndinë?
[Kutia në faqen 6]
PËRMBLEDHJE E SHKURTËR PËR ORIGJINËN E FERRIT
I KA RRËNJËT NË BESIMET PAGANE: Egjiptianët e lashtë besonin te ferri i zjarrtë. Libri Ȧm-Ṭuat, që daton nga viti 1375 p.e.s., flet për ata që «duhen hedhur me kokë në gropat me zjarr dhe . . . nga ku nuk do të dalin dhe . . . nuk do të jenë në gjendje të ikin nga flakët». Filozofi grek, Plutarku, (rr.46-120 të e.s.) shkroi për ata në botën e poshtme: «[Ata] lëshonin klithma vajtimi ndërsa vuanin tortura të frikshme dhe ndëshkime poshtëruese e të mundimshme.»
INFEKTOHEN SEKTET E JUDAIZMIT: Historiani Jozef (37-rr.100 të e.s.) tregoi se esenët, një sekt judaik, besonin se «shpirtrat janë të pavdekshëm dhe jetojnë përgjithmonë». Ai shtoi: «Kjo është njësoj siç mendojnë grekët . . . Ata besojnë se shpirtrat e këqij përfundojnë në një vend të errët e të frikshëm ku ndëshkimet s’kanë fund.»
FUTET NË «KRISHTERIM»: Në shekullin e dytë të erës sonë, libri apokrif Apokalipsi i Pjetrit thoshte për të ligjtë: «Ata i pret një zjarr i pashueshëm.» Aty gjithashtu thuhej: «Ezraeli, engjëlli i zemërimit, sjell burra e gra me gjysmën e trupit në flakë dhe i hedh në një vend të errët, në ferrin e njerëzve; dhe një frymë e zemëruar i ndëshkon.» Gjatë së njëjtës periudhë, shkrimtari Teofili i Antiokisë, citon Sibilën, profeteshën greke, që parathoshte ndëshkimet e të ligjve: «Mbi ju zjarri përvëlues do të bjerë dhe do të digjeni në flakë çdo ditë, përgjithmonë.» Këto renditen ndër ato fjalë që Teofili thotë se janë «të vërteta, të dobishme, të drejta dhe me përfitim për të gjithë njerëzit».
FERRI I ZJARRTË JUSTIFIKONTE DHUNËN NË MESJETË: Maria I, mbretëresha e Anglisë (1553-1558), e njohur si «Maria Gjakatare» ngaqë dogji gati 300 protestantë në turrën e druve, thuhet se është shprehur: «Meqë shpirtrat e heretikëve në botën e përtejme do të digjen përjetësisht në ferr, nuk ka gjë më të drejtë sesa të imitoj hakmarrjen Hyjnore duke i djegur në tokë.»
NJË PËRKUFIZIM I KOHËVE TË FUNDIT: Vitet e fundit, disa organizata fetare e kanë rishikuar shpjegimin e tyre në lidhje me ferrin. Për shembull, Komisioni i Doktrinave në Kishën Anglikane tha në vitin 1995: «Ferri nuk është mundimi i përjetshëm, por zgjedhja përfundimtare dhe e pakthyeshme e asaj që është në kundërshtim me Perëndinë në një mënyrë kaq të plotë e kaq absolute, saqë fundi i vetëm është mosekzistenca e plotë.»
[Kutia dhe figura në faqen 7]
ÇFARË ËSHTË ‘LIQENI I ZJARRIT’?
Zbulesa 20:10 thotë se Djalli do të hidhet «në liqenin e zjarrit» dhe ‘do të mundohet ditë e natë në shekuj të shekujve’. (Diodati i Ri) Nëse Djalli do të torturohej gjithë përjetësinë, Perëndisë do t’i duhej ta mbante gjallë atë, por Bibla thotë se Jezui ‘do ta shkatërrojë’. (Hebrenjve 2:14, Dio) Liqeni simbolik i zjarrit paraqit ‘vdekjen e dytë’. (Zbulesa 21:8) Kjo nuk është vdekja që përmendet në fillim në Bibël, domethënë vdekja nga mëkati i Adamit, nga e cila njeriu mund të çlirohet me anë të ringjalljes. (1 Korintasve 15:21, 22) Përderisa Bibla nuk thotë se ‘liqeni i zjarrit’ do t’i çlirojë ata që gjenden aty, atëherë «vdekja e dytë» duhet të nënkuptojë një tjetër lloj vdekjeje, pa mundësi kthimi.
Në ç’kuptim mundohen përjetësisht ata në «liqenin e zjarrit»? Ndonjëherë, ‘të mundosh’ mund të nënkuptojë «të kufizosh» dikë. Një herë, kur Jezui u përball me demonët, ata bërtitën: «Mos ke ardhur këtu të na mundosh [të na kufizosh në humnerë] para kohe?» (Mateu 8:29; Luka 8:30, 31; Dio) Prandaj, të gjithë ata në këtë ‘liqen’ do të vuajnë ‘mundimin’ e kufizimit të përjetshëm, pra, ‘vdekjen e dytë’.