KAPITULLI KATËRMBËDHJETË
«Iu afruan turma të mëdha»
1-3. Ç’ndodhi kur prindërit sollën fëmijët e tyre te Jezui dhe çfarë tregon ky episod për Jezuin?
JEZUI e dinte se jetës së tij në tokë po i vinte fundi. I kishin mbetur vetëm pak javë, por ende kishte shumë gjëra për të bërë. Bashkë me apostujt po predikonte në Pere, një krahinë që ndodhej në lindje të lumit Jordan. Ata po udhëtonin për në jug, drejt Jerusalemit, dhe rrugës predikonin. Në Jerusalem, Jezui do të kremtonte Festën e tij të fundit të Kalimit.
2 Pas një diskutimi me disa udhëheqës fetarë për një temë të rëndësishme, rreth Jezuit filloi të mblidhej një turmë. Njerëzit po sillnin fëmijët që të shihnin Jezuin. Me sa duket, fëmijët duhej të ishin të moshave të ndryshme, pasi Marku i përshkruan me të njëjtën fjalë që kishte përdorur më parë për një 12-vjeçare, kurse Luka përdor një fjalë që mund të përkthehet edhe ‘foshnja’. (Luka 18:15, shënimi; Marku 5:41, 42; 10:13) Zakonisht, kudo ku ka fëmijë, ka edhe zhurmë e rrëmujë. Ndaj, dishepujt, duke menduar që Zotëria ishte tepër i ngarkuar dhe s’kishte nge të merrej me fëmijët, i qortuan prindërit që po i sillnin tek ai. Por çfarë bëri Jezui?
3 Kur pa ç’po ndodhte, ai u indinjua. Po me kë? Me fëmijët? Me prindërit? Jo, me dishepujt e tij! Jezui u tha: «Lërini fëmijët të vijnë tek unë dhe mos u mundoni t’i ndalni, sepse Mbretëria e Perëndisë u përket atyre që janë si këta. Vërtet po ju them: kushdo që nuk e pranon Mbretërinë e Perëndisë si një fëmijë, nuk do të hyjë kurrsesi në të.» Pastaj, i mori fëmijët «në krahë» dhe i bekoi. (Marku 10:13-16) Fjalët që përdor këtu Marku, lënë të kuptohet se Jezui i përqafoi me përzemërsi. Imagjinoje teksa përqafonte e mbante në krahë fëmijë, e mbase edhe foshnja! Kuptohet qartë se i donte shumë fëmijët. Megjithatë, nga ky episod mësojmë edhe diçka tjetër për të: ishte i afrueshëm.
4, 5. (a) Pse jemi të sigurt se Jezui ishte i afrueshëm? (b) Cilat pyetje do të shqyrtojmë në këtë kapitull?
4 Nëse Jezui do të kishte qenë i ashpër, i ftohtë ose krenar, as fëmijët dhe as prindërit nuk do të ishin ndier rehat për t’iu afruar. Përfytyro fytyrat e kënaqura të prindërve ndërsa ky njeri i dashur u shfaqte përzemërsi fëmijëve të tyre, duke u treguar sa vlerë kanë në sytë e Perëndisë dhe duke i bekuar. Po, edhe pse mbante mbi supe një përgjegjësi me shumë peshë, Jezui vazhdonte të ishte njeriu më i afrueshëm që ekzistonte.
5 Kujt tjetër i pëlqente shoqëria e Jezuit? Pse ishte kaq e lehtë t’i afroheshe atij? Si të mësojmë ta imitojmë Jezuin në këtë drejtim? Le të shohim.
Kujt i pëlqente shoqëria e Jezuit?
6-8. Me kë shoqërohej shpesh Jezui dhe si ndryshonte qëndrimi i tij nga ai i udhëheqësve fetarë?
6 Teksa lexon tregimet e ungjijve, me siguri të bën përshtypje sa shumë veta i afroheshin pa ngurrim Jezuit. Për shembull, sa herë që lexojmë për të, përmenden shpesh edhe grupe të mëdha njerëzish: «Turma të mëdha e ndiqnin nga Galilea.» «Përreth iu mblodh një turmë . . . e madhe.» «Iu afruan turma të mëdha.» «Turma të mëdha po ndiqnin Jezuin.» (Mateu 4:25; 13:2; 15:30; Luka 14:25) Po, Jezuin shpesh e rrethonin grupe të panumërta njerëzish.
7 Përgjithësisht këta ishin njerëz të thjeshtë, për të cilët udhëheqësit fetarë përdornin me përçmim një shprehje që ka kuptimin «popull i vendit». Farisenjtë dhe priftërinjtë thoshin hapur: «Kjo turmë që nuk e njeh Ligjin, janë njerëz të mallkuar.» (Gjoni 7:49) Shkrime të mëvonshme rabinike e vërtetojnë këtë. Shumë udhëheqës fetarë i shihnin këta njerëz si të neveritshëm, nuk pranonin të hanin me ta, të blinin prej tyre dhe as të shoqëroheshin me ta. Madje disa ngulnin këmbë se ata nuk kishin shpresë ringjalljeje, ngaqë nuk e njihnin ligjin gojor! Ja pse, shumë njerëz të thjeshtë u rrinin larg këtyre udhëheqësve, në vend që të shkonin e t’u kërkonin ndihmë a drejtim. Por me Jezuin ishte ndryshe.
8 Jezui shoqërohej shpesh me njerëzit e thjeshtë. Hante me ta, i shëronte, i mësonte dhe u jepte shpresë për të ardhmen. Sigurisht, ai ishte realist dhe e kuptonte se shumica e njerëzve nuk do ta pranonin mundësinë për t’i shërbyer Jehovait. (Mateu 7:13, 14) Megjithatë, ai e shihte çdokënd si shërbëtor të ardhshëm të Jehovait dhe e dinte se shumë veta do të zgjidhnin të bënin atë që ishte e drejtë. Çfarë ndryshimi nga ata priftërinj e farisenj zemërgur! Është për t’u habitur që Jezuit i afroheshin edhe vetë priftërinjtë e farisenjtë. Madje disa prej tyre ndryshuan qëndrim dhe e ndoqën. (Veprat 6:7; 15:5) Gjithashtu, Jezui u dukej i afrueshëm edhe disa njerëzve të pasur e me pushtet.—Marku 10:17, 22.
9. Pse grave u dukej i afrueshëm Jezui?
9 Gratë nuk ngurronin t’i afroheshin Jezuit, edhe pse duhet ta kenë ndier shpesh përbuzjen poshtëruese të udhëheqësve fetarë. Shumë rabinë predikonin se ishte e gabuar që një burrë të mësonte një grua. Veç kësaj, gratë nuk lejoheshin të dëshmonin në gjyq, sepse nuk konsideroheshin dëshmitare të besueshme. Madje rabinët kishin një lutje ku falënderonin Perëndinë që nuk ishin gra. Ama, me Jezuin ishte krejt ndryshe, gratë e ndienin që ai i respektonte. Shumë gra i afroheshin me dëshirën për të mësuar prej tij. Për shembull, kur Jezui vizitoi Lazarin, motra e tij, Marta, tërë ankth nxitonte nëpër shtëpi për të përgatitur ushqim, ndërsa Maria rrinte ulur te këmbët e Zotërisë, gjithë sy e vesh që të mos i shpëtonte asnjë fjalë e tij. Jezui e lavdëroi Marinë që u dha përparësi gjërave më të rëndësishme.—Luka 10:39-42.
10. Si ndryshonte mënyra si i trajtonte Jezui të sëmurët nga ajo e udhëheqësve fetarë?
10 Shumë të sëmurë i afroheshin Jezuit sepse, ndryshe nga udhëheqësit fetarë, ai i trajtonte me përzemërsi. Është e vërtetë që Ligji i Moisiut kërkonte që të lebrosurit të viheshin në karantinë për arsye shëndetësore, por kjo nuk do të thoshte që njerëzit të tregoheshin shpirtligj me ta. (Levitiku, kapitulli 13) Sipas rregullave të mëvonshme rabinike, të lebrosurit konsideroheshin po aq të neveritshëm sa jashtëqitjet. Disa udhëheqës fetarë arrinin deri aty, sa u gjuanin me gurë për t’i mbajtur larg. Imagjino sa të vështirë duhet ta kenë pasur ata që ishin trajtuar në një mënyrë të tillë, të merrnin guximin për t’iu afruar ndonjë mësuesi! E megjithatë, nuk e kishin problem t’i afroheshin Jezuit. Njëri prej tyre tha këto fjalë prekëse që shprehnin besimin e tij: «Zotëri, po të duash, ti mund të më pastrosh.» (Luka 5:12) Se si veproi Jezui, do ta shqyrtojmë në kapitullin vijues, ama ky shembull tregon qartë se ai ishte i afrueshëm.
11. Cili shembull tregon se njerëzit që i mundojnë ndjenjat e fajit e kishin të lehtë t’i afroheshin Jezuit dhe çfarë mësimi nxjerrim?
11 Shpesh Jezuit i afroheshin edhe ata që i mundonin ndjenjat e fajit. Për shembull, në një rast ai ishte shtruar për të ngrënë në shtëpinë e një fariseu. Aty erdhi një grua që njihej si mëkatare, e cila, pasi u gjunjëzua te këmbët e tij, qau, sepse ndihej keq për gjërat që kishte bërë. Kur lotët iu derdhën mbi këmbët e Jezuit, ajo ia fshiu me flokët e saj. I zoti i shtëpisë, i tronditur nga kjo, nisi ta kritikonte me vete Jezuin që e lejoi këtë grua t’i afrohej, kurse Jezui me dashamirësi e lavdëroi gruan dhe e siguroi se Jehovai e kishte falur ngaqë ishte penduar vërtet. (Luka 7:36-50) Sot më shumë se kurrë, ata që i mundojnë ndjenjat e fajit, kanë nevojë për ndihmë që të ndreqin marrëdhënien me Perëndinë. Ja pse kushdo që mund t’i ndihmojë, duhet t’ua bëjë të lehtë që t’i afrohen. Por, pse ishte kaq i afrueshëm Jezui?
Pse ishte i afrueshëm Jezui?
12. Pse nuk habitemi që Jezui ishte i afrueshëm?
12 Mos harro se Jezui e imitonte me përsosmëri Atin e tij të dashur qiellor. (Gjoni 14:9) Bibla na kujton se Jehovai «nuk është larg nga secili prej nesh». (Veprat 17:27) Si ‘Dëgjuesi i lutjes’, ai është gjithnjë pranë shërbëtorëve të tij besnikë dhe kujtdo që e kërkon e dëshiron t’i shërbejë. (Psalmi 65:2) Imagjino, Personi më i fuqishëm e më i rëndësishëm në univers është edhe më i afrueshmi! Edhe Jezui i do njerëzit, ashtu si Ati i tij. Në kapitujt vijues do të shqyrtojmë dashurinë e thellë që ai kishte për ta. Njerëzit e kishin të thjeshtë t’i afroheshin sepse e dallonin qartë se Jezui i donte. Le të shqyrtojmë disa mënyra si Jezui e shfaqte këtë dashuri.
13. Si mund ta imitojnë prindërit Jezuin?
13 Njerëzit e kishin kollaj ta dallonin se Jezui tregonte interes të sinqertë për ta. Ai e bënte këtë edhe kur ishte nën presion. Siç e pamë, kur prindërit i sollën fëmijët që ta shihnin, Jezui u tregua i afrueshëm dhe kaloi kohë me ta, edhe pse ishte shumë i ngarkuar. Ç’shembull i shkëlqyer për prindërit! Në botën e sotme është e vështirë të rritësh fëmijë. Megjithatë, është jetësore që prindërit të jenë të afrueshëm dhe fëmijët ta ndiejnë këtë. Nëse je prind, e di që do të ketë raste kur do të jesh tepër i zënë dhe nuk do t’i kushtosh dot fëmijës vëmendjen që kërkon. Gjithsesi, a mund ta sigurosh se do të gjesh kohë për të sapo të jetë e mundur? Po ta mbash fjalën, fëmija yt do të mësojë se durimi shpërblehet. Do të mësojë edhe se është gjithnjë i mirëpritur të të afrohet për çdo problem a shqetësim.
14-16. (a) Cilat rrethana çuan në mrekullinë e parë të Jezuit dhe pse mund të quhet mrekulli? (b) Çfarë tregon për Jezuin mrekullia në Kanë dhe çfarë mësimi përmban për prindërit?
14 Jezui e tregonte se kishte merak për ndjenjat e njerëzve. Për shembull, mendo për mrekullinë e tij të parë. Ai ishte në një dasmë në Kanë, një qytet të Galilesë. Gjatë festës, lindi një problem që e vuri në siklet çiftin: mbaroi vera. Maria, nëna e Jezuit, i tregoi të birit për atë që kishte ndodhur. Çfarë bëri ai? U tha shërbyesve të mbushnin me ujë gjashtë qypa të mëdhenj guri dhe t’i çonin ca të parit të gostisë për ta provuar. Ai tha se ishte verë e shkëlqyer. Mos ishte ky ndonjë mashtrim a ndonjë numër shpejtësie? Jo, uji vërtet «ishte kthyer në verë». (Gjoni 2:1-11) Njerëzit gjithnjë kanë ëndërruar të kthejnë një gjë në një tjetër. Për shekuj me radhë, alkimistët u përpoqën të kthenin plumbin në ar, por kurrë nuk ia dolën dot mbanë, edhe pse plumbi dhe ari janë elemente jashtëzakonisht të ngjashme.a Ç’të themi për ujin dhe verën? Nga ana kimike, uji është një komponim i thjeshtë, bashkim i dy elementeve kimike. Kurse vera përmban thuajse një mijë komponime, shumë prej të cilave janë komplekse. Pse Jezui e kreu këtë mrekulli? Tekefundit mungesa e verës në një dasmë nuk duket ndonjë problem kaq madhor.
15 Ama problemi ishte madhor për dhëndrin e për nusen. Në lashtësi, në Lindjen e Mesme, mikpritja ishte shumë e rëndësishme. Po të mbaronte vera në dasmë, dhëndri me nusen do të ishin ndier në siklet e të turpëruar, dhe dita e dasmës do të ishte prishur e do të ishte kthyer në një kujtim të hidhur. Ndaj për ta, ai problem ishte serioz, e po ashtu edhe për Jezuin. Ja pse ai bëri diçka për ta zgjidhur. A mund ta kuptosh tani pse njerëzit i afroheshin për problemet e tyre?
16 Edhe në këtë rast, prindërit mund të nxjerrin një mësim me vlerë. Imagjino sikur fëmija yt vjen për të folur me ty sepse është shumë i shqetësuar. Ndoshta reagimi i parë mund të jetë t’i thuash se po shqetësohet për diçka të parëndësishme, e madje mund të të vijë edhe për të qeshur. Në krahasim me problemet e tua, ai i fëmijës mund të duket krejt i papërfillshëm. Por mos harro se nuk është i tillë për të! Kur për fëmijën që ti e do aq shumë, ky problem është i rëndësishëm, a nuk duhet të jetë edhe për ty? Nëse fëmija yt e ndien se interesohesh për problemet e tij, do ta ketë më të lehtë të të afrohet.
17. Çfarë shembulli la Jezui në lidhje me butësinë dhe pse duhet forcë për të qenë të butë?
17 Siç e shqyrtuam në kapitullin 3, Jezui ishte i butë e i përulur. (Mateu 11:29) Butësia është një cilësi e bukur, pjesë e frytit të frymës së shenjtë. Ajo është provë e fuqishme që dikush është i përulur dhe ka mençurinë e Jehovait. (Galatasve 5:22, 23; Jakovi 3:13) Edhe kur e trajtonin shumë keq, Jezui e ruante gjithmonë qetësinë. Butësia e tij s’ishte aspak dobësi. Një studiues tha se pas kësaj cilësie «fshihet një forcë çeliku». Vërtet, shpeshherë na duhet forcë që ta përmbajmë temperamentin tonë dhe t’i trajtojmë të tjerët me butësi. Por, me ndihmën e Jehovait, mund të imitojmë butësinë e Jezuit, dhe si rezultat do të jemi më të afrueshëm.
18. Cili shembull nxjerr në pah arsyetueshmërinë e Jezuit dhe pse mendon se kjo cilësi e bën të afrueshëm dikë?
18 Jezui ishte i arsyeshëm. Në Tir atij iu afrua një grua, vajza e së cilës ‘vuante tmerrësisht prej demonëve’. Jezui i bëri të ditur, në 3 mënyra të ndryshme, se nuk do t’ia plotësonte kërkesën. Në fillim nuk i ktheu përgjigje, herën e dytë i shpjegoi pse nuk mund ta ndihmonte dhe herën e tretë i bëri një ilustrim që e qartësonte edhe më shumë pikën. Gjithsesi, a i foli ashpër dhe a u tregua kokëfortë duke këmbëngulur tek e tija? A i la të nënkuptonte se ajo po sillej pa respekt me një mësues të rëndësishëm si ai? Jo, dukej qartë se gruaja ndihej rehat me Jezuin. Ajo jo vetëm që kërkoi ndihmë, por nguli këmbë, edhe pse ai i tha se nuk do ta ndihmonte. Jezui pa që pas ngulmimit të asaj gruaje qëndronte një besim i jashtëzakonshëm, ndaj ia shëroi vajzën. (Mateu 15:22-28) Sigurisht, arsyetueshmëria e Jezuit, gatishmëria e tij për të dëgjuar dhe për të hapur rrugë kur ishte e përshtatshme, ua bënte shumë të lehtë njerëzve t’i afroheshin.
A je i afrueshëm?
19. Si ta kuptojmë nëse jemi vërtet të afrueshëm?
19 Shumë mund të mendojnë se janë të afrueshëm me të tjerët. Për shembull, disa njerëz me autoritet thonë tërë mburrje se janë gjithë kohën në dispozicion të të tjerëve. Por Bibla përmban këtë paralajmërim të fuqishëm: «Shumë thonë se kanë dashuri besnike, por kush mund të gjejë një njeri vërtet besnik?» (Proverbat 20:6) Është e lehtë të themi se jemi të afrueshëm, por, a po e imitojmë vërtet këtë aspekt të dashurisë së Jezuit? Përgjigjja e kësaj pyetjeje mund të mos gjendet te pikëpamja që kemi për veten, por te mënyra si na shohin të tjerët. Pavli tha: «Arsyetueshmërinë tuaj le ta njohin të gjithë njerëzit.» (Filipianëve 4:5) Secili bën mirë të pyesë veten: «Si më njohin të tjerët? Çfarë reputacioni kam?»
20. (a) Pse është e rëndësishme që pleqtë e krishterë të jenë të afrueshëm? (b) Pse duhet të jemi të arsyeshëm e të mos presim tepër nga pleqtë e kongregacionit?
20 Pleqtë e krishterë e kuptojnë se sidomos për ta, ka shumë rëndësi të jenë të afrueshëm. Ata kanë shumë dëshirë të jenë siç i përshkruan Isaia 32:1, 2: «Secili do të jetë si një strehë për t’u mbrojtur nga era dhe si një vend për t’u fshehur nga shtrëngata, si rrëke uji në një vend të thatë, si hija e një shkrepi të madh në një tokë të zhuritur.» Një plak mund t’u sjellë freskim, t’i mbrojë e t’i lehtësojë të tjerët vetëm nëse është i afrueshëm. Kuptohet, kjo nuk është gjithnjë e lehtë, sepse në këto kohë të vështira pleqtë kanë shumë përgjegjësi. Gjithsesi, ata përpiqen të mos u japin kurrë të tjerëve përshtypjen se janë kaq të zënë, sa nuk mund të kujdesen dot për nevojat e deleve të Jehovait. (1 Pjetrit 5:2) Nga ana tjetër, është e rëndësishme që edhe motrat e vëllezërit në kongregacion të jenë të arsyeshëm dhe të mos presin tepër nga këta burra të besueshëm, por të tregohen të përulur dhe bashkëpunues.—Hebrenjve 13:17.
21. Çfarë mund të bëjnë prindërit që fëmijët të mos ngurrojnë t’u afrohen dhe çfarë do të shqyrtojmë në kapitullin tjetër?
21 Prindërit bëjnë çmos që fëmijët e tyre të mos ngurrojnë t’u afrohen sa herë që kanë nevojë. Kjo është shumë e rëndësishme! Ata duan që fëmijët ta dinë se mund t’i hapen pa rezerva babit ose mamit. Prandaj, prindërit e krishterë sigurohen që të tregojnë butësi e arsyetueshmëri, duke shmangur reagimet e ekzagjeruara kur fëmija u tregon se ka bërë një gabim ose kur mënyra si i mendon gjërat nuk është e duhura. Ndërkohë që i stërvitin me durim fëmijët, prindërit përpiqen të jenë përherë të gatshëm për të dëgjuar e për t’i mbajtur të hapura rrugët e komunikimit. Në fakt, të gjithë ne duam të jemi përherë të afrueshëm, ashtu si Jezui. Në kapitullin tjetër, do të flasim për dhembshurinë e sinqertë të Jezuit, një nga cilësitë kryesore që e bënin të afrueshëm.
a Ata që studiojnë kiminë e dinë se plumbi dhe ari janë shumë afër në tabelën e sistemit periodik. Ndryshimi qëndron vetëm te fakti se një atom plumbi ka në bërthamë tre protone më tepër se ari. Fizikanët e sotëm kanë arritur madje të kthejnë në ar sasi të vogla plumbi, por ky proces harxhon kaq shumë energji, sa nuk ia vlen për shkak të kostos.