AFROJUNI PERËNDISË
«Cili është i pari i të gjitha urdhërimeve?»
Çfarë duhet të bëjmë që të kënaqim Perëndinë? A duhet të ndjekim ndonjë kod me rregulla të pafundme? E themi me shumë kënaqësi që përgjigjja është jo! Sipas vetë Birit të Perëndisë, Jezu Krishtit, ajo që Perëndia kërkon nga ne, mund të përmblidhet me një fjalë të vetme.—Lexo Markun 12:28-31.
Së pari, mendo për kontekstin e fjalëve të Jezuit. Ai po mësonte në tempull më 11 nisan, pak ditë para se të vdiste. Armiqtë e tij u përpoqën ta zinin në grackë duke i bërë pyetje që shkaktonin debat. Por Jezui çdo herë ua mbyllte gojën me përgjigjet e tij. Më pas, i bënë këtë pyetje: «Cili është i pari i të gjitha urdhërimeve?»—Vargu 28.
Kjo ishte pyetje sfiduese. Ligji i Moisiut përmbante më tepër se 600 ligje dhe disa judenj debatonin se cili prej tyre ishte i pari ose më i rëndësishmi. Me sa duket, të tjerë thoshin se të gjitha ligjet ishin të rëndësishme dhe ishte e gabuar që disa t’i ngrije më lart. Si do t’i përgjigjej Jezui kësaj pyetjeje?
Në përgjigjen që dha, Jezui përmendi jo një, por dy urdhërime. Së pari, ai tha: «Duaje Jehovain, Perëndinë tënd, me gjithë zemrën tënde, me gjithë shpirtin tënd, me gjithë mendjen tënde dhe me gjithë forcën tënde.» (Vargu 30; Ligji i përtërirë 6:5) Megjithëse Jezui i renditi më vete zemrën, mendjen, shpirtin dhe forcën, këto katër fjalë nuk kanë kuptim krejt të ndryshëm nga njëra-tjetra, por çdonjëra i referohet njeriut të brendshëm.a Kështu, Jezui po theksonte me forcë sa e plotë duhet të jetë dashuria jonë për Perëndinë. Kuptimi është ky: dashuria për Jehovain duhet të përfshijë tërë personin, të gjitha aftësitë, forcën dhe gjërat e tij materiale. Një vepër shpjeguese për Biblën (The Expositor’s Bible Commentary) thotë kështu: «Perëndinë duhet ta duam plotësisht dhe tërësisht.» Nëse ke këtë lloj dashurie për Perëndinë, do të bësh çmos të jetosh çdo ditë në atë mënyrë që ai të të buzëqeshë me miratim.—1 Gjonit 5:3.
Së dyti, Jezui tha: «Duaje të afërmin tënd si veten.» (Vargu 31; Levitiku 19:18) Dashuria për Perëndinë dhe për të afërmin janë vërtet të pandashme. E dyta është rrjedhojë e së parës. (1 Gjonit 4:20, 21) Nëse i duam të tjerët si veten, do t’i trajtojmë ashtu si duam të na trajtojnë ata. (Mateu 7:12) Kështu, tregojmë se e duam Perëndinë që na ka krijuar sipas shëmbëlltyrës së tij, si ne, edhe të tjerët.—Zanafilla 1:26.
Gjithçka që Jehovai kërkon nga adhuruesit e tij mund të përmblidhet me një fjalë të vetme: dashuri
Sa të rëndësishme janë urdhërimet për të dashur Perëndinë dhe të afërmin? «Nuk ka urdhërim tjetër më të madh se këta»,—tha Jezui. (Vargu 31) Në një tregim paralel, Jezui tha se nga këto dy urdhërime varen të gjitha urdhërimet e tjera.—Mateu 22:40.
Nuk është e ndërlikuar të kënaqësh Perëndinë. Gjithçka që na kërkon ai, mund të përmblidhet me një fjalë të vetme: dashuri. Ajo ka qenë dhe do të jetë gjithmonë thelbi i adhurimit të vërtetë. Por dashuria nuk është thjesht çështje fjalësh ose ndjenjash; ajo shprehet me vepra. (1 Gjonit 3:18) Pse të mos mësosh si të zhvillosh dhe të tregosh dashuri për Jehovain, Perëndinë që «është dashuri»?—1 Gjonit 4:8.
Sugjerim për leximin e Biblës në mars
a Në Bibël, fjala ‘shpirt’ i referohet gjithë personit në tërësi. Prandaj, ‘shpirti’ mund të përfshijë «zemrën», «mendjen» dhe «forcën».