KAPITULLI 110
Dita e fundit e Jezuit në tempull
MATEU 23:25–24:2 MARKU 12:41–13:2 LUKA 21:1-6
JEZUI VAZHDON TË DEMASKOJË KRERËT FETARË
TEMPULLI DO TË SHKATËRROHET
NJË VEJUSHË E VARFËR HEDH SI KONTRIBUT DY MONEDHA ME VLERË TË VOGËL
Është hera e fundit e Jezuit në tempull, dhe ai vazhdon të demaskojë hipokrizinë e skribëve dhe të farisenjve duke i quajtur hapur hipokritë. Me një gjuhë të figurshme, Jezui u thotë: «Ju pastroni nga jashtë kupën dhe pjatën, por brenda ato janë plot me lakmi dhe shfrenime. Farise i verbër, kupën dhe pjatën pastroji më parë nga brenda, që të jenë të pastra edhe nga jashtë.» (Mateu 23:25, 26) Farisenjtë janë shumë striktë në lidhje me pastrimin ceremonial dhe paraqitjen e jashtme, por nuk i kushtojnë vëmendje njeriut të brendshëm dhe nuk pastrojnë zemrën e figurshme.
Hipokrizia e tyre duket edhe te gatishmëria për të ndërtuar e zbukuruar varret e profetëve. Megjithatë, siç tha Jezui, ‘janë bij të atyre që vranë profetët’. (Mateu 23:31) Dhe këtë e kanë vërtetuar kur janë përpjekur të vrasin Jezuin.—Gjoni 5:18; 7:1, 25.
Pastaj Jezui tregon se çfarë i pret këta krerë fetarë nëse nuk pendohen: «Gjarpërinj, pjellë nepërkash! Si do të shpëtoni nga gjykimi i Gehenës?» (Mateu 23:33) Fjala «Gehenë» do të thotë «lugina e Hinomit». Meqë në këtë luginë digjen plehrat, ajo shërben më së miri si simbol i shkatërrimit të përhershëm që i pret skribët dhe farisenjtë e ligj.
Dishepujt do të përfaqësojnë Jezuin si «profetë, njerëz të mençur dhe mësues». Por, si do t’i trajtojnë? Duke iu drejtuar krerëve fetarë, Jezui thotë: «Disa [nga dishepujt e mi] do t’i vritni e do t’i ekzekutoni në shtyllë, disa do t’i fshikulloni në sinagogat tuaja dhe do t’i përndiqni qytet më qytet, që të bjerë mbi ju gjithë gjaku i të drejtëve që është derdhur mbi tokë, nga gjaku i Abelit të drejtë, deri te gjaku i Zakarisë . . . të cilin e vratë.» Ai paralajmëron: «Vërtet po ju them: të gjitha këto gjëra do të bien mbi këtë brez.» (Mateu 23:34-36) Fjalët e Jezuit dalin të vërteta në vitin 70 të e.s., kur ushtritë romake shkatërrojnë Jerusalemin dhe vrasin qindra mijë judenj.
Jezuit i pikon në zemër kur mendon për këtë situatë të tmerrshme dhe thotë i trishtuar: «Jerusalem, Jerusalem, vrasës i profetëve, që i vret me gurë ata që janë dërguar te ti! Sa herë desha t’i mblidhja bashkë fëmijët e tu, ashtu si i mbledh klloçka zogjtë nën krahë! Por ju nuk deshët. Ja, shtëpia juaj është braktisur dhe është lënë në dorën tuaj.» (Mateu 23:37, 38) Dëgjuesit vrasin mendjen se për cilën ‘shtëpi’ e ka fjalën. Mos ndoshta po flet për tempullin madhështor në Jerusalem që duket sikur gëzon mbrojtjen e Perëndisë?
Jezui shton: «Vërtet po ju them: që sot e tutje nuk do të më shihni më kurrë, derisa të thoni: ‘I bekuar është ai që vjen në emër të Jehovait!’» (Mateu 23:39) Ai po citon fjalët profetike të Psalmit 118:26: «Bekuar qoftë ai që vjen në emër të Jehovait! Ne ju bekojmë nga shtëpia e Jehovait.» Është e qartë se, kur tempulli të shkatërrohet, askush nuk do ta adhurojë më Perëndinë atje.
Tani Jezui shkon në zonën e tempullit ku gjenden arkat e thesarit. Këtu njerëzit mund të hedhin kontribute përmes një të çare të vogël në pjesën e sipërme të arkave. Jezui sheh shumë judenj që kontribuojnë dhe të pasur që ‘hedhin goxha’ pará. Pastaj vëren një vejushë të varfër, e cila hedh «dy monedha me vlerë shumë të vogël». (Marku 12:41, 42) Patjetër që Jezui e di sa ia gëzon zemrën Perëndisë dhurata e saj.
Ndaj thërret pranë dishepujt dhe u thotë: «Vërtet po ju them se kjo vejushë e varfër hodhi më shumë se gjithë të tjerët që hodhën pará në arkat e thesarit.» Si ka mundësi? Ai shpjegon: «Sepse ata të gjithë hodhën nga tepricat, kurse ajo, në skamjen e saj, hodhi gjithë sa kishte, gjithçka kishte për të jetuar.» (Marku 12:43, 44) Sa ndryshon mënyra si mendon e vepron kjo grua nga ajo e krerëve fetarë!
Është akoma 11 nisan, hera e fundit që Jezui ndodhet në tempull. Kur del prej aty, një nga dishepujt i thotë: «Mësues, shiko, ç’gurë e ç’ndërtesa të mrekullueshme!» (Marku 13:1) Vërtet, disa nga gurët e murit të tempullit janë tejet të mëdhenj dhe e bëjnë të duket i fortë dhe i qëndrueshëm. Ja pse tingëllon e çuditshme kur Jezui thotë: «A i sheh këto ndërtesa madhështore? Me siguri, këtu nuk do të mbetet gur mbi gur pa u rrëzuar.»—Marku 13:2.
Pas këtyre gjërave, Jezui dhe apostujt kalojnë luginën e Kidronit dhe ngjiten në Malin e Ullinjve. Në një moment, Jezui është me katër apostuj—Pjetrin, Andrean, Jakovin dhe Gjonin. Nga vendi ku po qëndrojnë, mund të vështrojnë tempullin madhështor.