Jehovai i dëgjon thirrjet tona për ndihmë
«Jehovai i kthen sytë nga të drejtët, dhe veshët nga thirrja e tyre për ndihmë.»—PSAL. 34:15.
1, 2. (a) Si ndihen sot shumë njerëz? (b) Pse nuk na befason kjo?
A PO vuan? Nëse po, nuk je i vetmi. Miliona njerëz luftojnë për të përballuar ditë për ditë presionet e jetës në këtë sistem të lig. Për disa duket pothuajse e pamundur të durojnë. Ata ndihen si psalmisti David i cili shkroi: «Jam i mpirë dhe i dërrmuar sa s’ka ku të vejë. Ulërij nga rënkimet e zemrës. Zemra më rreh fort, fuqitë më kanë lënë, dhe drita e syve po më fiket.»—Psal. 38:8, 10.
2 Si të krishterë ne nuk befasohemi nga vuajtjet e jetës. E kuptojmë se këto vuajtje ose ‘dhembje lindjeje’ janë pjesë e shenjës së parathënë të pranisë së Jezuit. (Mar. 13:8; Mat. 24:3) Fjala greke që këtu është përkthyer ‘dhembje lindjeje’ mund t’u referohet vuajtjeve në përgjithësi. Me sa saktësi i përshkruan vuajtjet e mëdha të njerëzve në këto kohë «kritike» ose «të egra», që janë kaq «të vështira për t’u përballuar»!—2 Tim. 3:1; Kingdom Interlinear.
Jehovai i kupton vuajtjet tona
3. Për çfarë është më se i vetëdijshëm populli i Perëndisë?
3 Populli i Jehovait është më se i vetëdijshëm se nuk është i paprekshëm nga pasojat e këtyre vuajtjeve dhe ka shumë mundësi që këto kushte do të keqësohen edhe më tepër. Përveç asaj që përjeton njerëzimi në përgjithësi, si shërbëtorë të Perëndisë duhet të përballojmë një ‘kundërshtar’, Djallin, i cili është i vendosur të na minojë besimin. (1 Pjet. 5:8) Fare lehtë mund të ndihemi si Davidi: «Poshtërimi ma ka thyer zemrën dhe plaga është e pashërueshme. Shpresoja që dikush të ma qante hallin, por s’kishte asnjeri; që dikush të më ngushëllonte, por s’gjeta asnjë.»—Psal. 69:20.
4. Çfarë na ngushëllon kur vuajmë?
4 A donte të thoshte Davidi se ishte pa shpresë fare? Jo. Vër re fjalët e tij të mëtejshme: «Jehovai i dëgjon të varfrit, dhe nuk ka për t’i përbuzur të burgosurit e vet» ose siç thotë versioni Simon Filipaj, «të vetët që janë të robëruar». (Psal. 69:33) Disa herë mund të ndihemi sikur jemi robër të vuajtjeve ose të mundimeve. Mund të na duket se të tjerët nuk e kuptojnë vërtet situatën tonë—e mbase është kështu. Por, ashtu si Davidi, mund të ngushëllohemi duke ditur se Jehovai i kupton plotësisht vuajtjet tona.—Psal. 34:15.
5. Për çfarë ishte i sigurt mbreti Solomon?
5 I biri i Davidit, Solomoni, e theksoi këtë fakt në kushtimin e tempullit në Jerusalem. (Lexo 2 Kronikave 6:29-31.) Ai iu përgjërua Jehovait të dëgjonte çdo njeri të sinqertë kur t’i lutej Atij për «plagën dhe dhembjen e vet». Si do të reagonte Perëndia ndaj lutjeve të këtyre njerëzve që vuanin? Solomoni shprehu sigurinë se Perëndia jo vetëm do t’i dëgjonte lutjet e tyre, por edhe do të bënte diçka për ta. Pse? Sepse ai e di vërtet se çfarë kanë në ‘zemër bijtë e njerëzve’.
6. Si mund t’i përballojmë ankthet dhe pse?
6 Po kështu edhe ne mund t’i lutemi Jehovait për ‘plagën dhe dhembjen tonë’, pra, për vuajtjet tona. Duhet të ngushëllohemi duke e ditur se ai i kupton vuajtjet tona dhe interesohet për ne. Apostulli Pjetër e pranoi këtë kur tha: «Hidhni gjithë ankthin tuaj mbi të, sepse ai interesohet për ju.» (1 Pjet. 5:7) Jehovai interesohet për atë që na ndodh. Jezui e theksoi interesimin e dashur të Jehovait duke thënë: «A nuk shiten dy harabela për një qindarkë? E megjithatë, asnjë prej tyre nuk bie përtokë pa dijeninë e Atit tuaj. Megjithatë edhe fijet e flokëve tuaj janë të gjitha të numëruara. Prandaj, mos kini frikë: ju vleni më tepër se shumë harabela.»—Mat. 10:29-31.
Të mbështetemi te Jehovai për ndihmë
7. Çfarë ndihme na sigurohet?
7 Mund të jemi të sigurt se, kur vuajmë, Jehovai do dhe është në gjendje të na ndihmojë. «Perëndia është strehë dhe forcë për ne, ndihmë që gjendet me lehtësi gjatë vuajtjeve.» (Psal. 34:15-18; 46:1) Si na e siguron Perëndia ndihmën? Shqyrto se ç’thotë 1 Korintasve 10:13: «Perëndia është i besueshëm dhe nuk do të lejojë që të tundoheni përtej asaj që mund të mbani, por bashkë me tundimin do të sigurojë edhe rrugëdaljen, që të jeni në gjendje t’i qëndroni.» Jehovai mund t’i drejtojë gjërat në mënyrë që të na e heqë vuajtjen ose mund të na japë forcën për ta përballuar. Pavarësisht se si, ai do të na ndihmojë.
8. Si mund të marrim ndihmë nga Jehovai?
8 Si mund të marrim ndihmë nga Jehovai? Vër re se çfarë këshillohemi të bëjmë: «Hidhni gjithë ankthin tuaj mbi të.» Kjo do të thotë që, në kuptimin e figurshëm, t’ia lëmë Jehovait përgjegjësinë që të kujdeset për shqetësimet tona. Përpiqemi të mos shqetësohemi më dhe me durim besojmë se ai do të kujdeset për nevojat tona. (Mat. 6:25-32) Një besim i tillë kërkon përulësi dhe të mos mbështetemi te forca ose mençuria jonë. Duke u përulur «nën dorën e fuqishme të Perëndisë», pranojmë pozitën tonë më të ulët. (Lexo 1 Pjetrit 5:6.) Kjo, si rrjedhim, na ndihmon të përballojmë çdo gjë që Perëndia e lejon. Mund të dëshirojmë me zjarr lehtësim të menjëhershëm, por kemi besim se Jehovai e di saktësisht se kur dhe si të veprojë për të mirën tonë.—Psal. 54:7; Isa. 41:10.
9. Ç’barrë i hodhi Davidi Jehovait?
9 Kujto fjalët e Davidit te Psalmi 55:22: «Hidhja barrën tënde Jehovait, dhe ai vetë do të të mbështetë. Ai nuk do të lejojë kurrë që i drejti të lëkundet.» Kur i shkroi këto fjalë, Davidi po vuante shumë. (Psal. 55:4) Mendohet se ky psalm u shkrua kur i biri, Absalomi, thuri një plan për t’i rrëmbyer mbretërinë. Në këtë komplot u përfshi edhe këshilltari më i besuar i Davidit, Ahithofeli. Davidit iu desh të ikte nga Jerusalemi që të shpëtonte. (2 Sam. 15:12-14) Edhe pse në rrethana plot vuajtje, Davidi vazhdoi të kishte besim te Perëndia, dhe nuk u zhgënjye.
10. Çfarë duhet të bëjmë kur vuajmë?
10 Është jetësore që edhe ne, si Davidi, t’i lutemi Jehovait për çfarëdo vuajtjeje që mund të jemi duke hequr. Le të shqyrtojmë se çfarë na nxiti të bëjmë apostulli Pavël në këtë rast. (Lexo Filipianëve 4:6, 7.) Ç’rezultat do të kemi nga një lutje e tillë e zjarrtë? «Paqja e Perëndisë, që kapërcen çdo mendim, do të ruajë zemrën dhe fuqitë [tona] mendore me anë të Krishtit Jezu.»
11. Si i mbron «paqja e Perëndisë» zemrën dhe fuqitë tona mendore?
11 A do ta ndryshojë situatën tonë lutja? Ndoshta po. Megjithatë, duhet të kuptojmë se Jehovai nuk u përgjigjet gjithnjë lutjeve tona siç duam ne. Prapëseprapë, lutja na ndihmon të ruajmë ekuilibrin mendor, në mënyrë që vuajtjet të mos na vënë përposhtë. «Paqja e Perëndisë» mund të na qetësojë kur jemi të rënduar nga ndjenjat e dëshpërimit. Si një garnizon me ushtarë që është caktuar të mbrojë një qytet nga armiqtë, «paqja e Perëndisë» do të mbrojë zemrën dhe fuqitë tona mendore. Gjithashtu ajo do të na ndihmojë të mposhtim dyshimet, frikën dhe mendimet negative e nuk do të na lejojë të reagojmë me nxitim e pa mençuri.—Psal. 145:18.
12. Ilustroni se si mund të kemi paqe mendore.
12 Si mund të kemi paqe mendore kur vuajmë? Të shqyrtojmë një ilustrim që në disa drejtime përputhet me situatën tonë. Një punëtor ka një përgjegjës që flet gjithnjë me vrazhdësi. Por punëtorit i jepet rasti të flasë me pronarin e firmës ku punon, i cili është mirëdashës dhe i arsyeshëm. Pronari e siguron punëtorin se ai e kupton situatën dhe i tregon që së shpejti përgjegjësi do të hiqet. Si ndihet punëtori? Duke pasur këtë siguri dhe duke e ditur se ç’do të ndodhë, do të jetë më i vendosur të vazhdojë punën, edhe pse ndërkohë do t’i duhet të durojë disa vështirësi. Po kështu, ne e dimë se Jehovai e kupton situatën tonë dhe na siguron se së shpejti «sundimtari i kësaj bote do të dëbohet». (Gjoni 12:31) Sa na ngushëllon kjo!
13. Ç’gjë tjetër duhet të bëjmë, përveçse të lutemi?
13 Por, a mjafton t’i lutemi Jehovait për problemet? Jo. Kërkohet edhe diçka tjetër. Duhet të veprojmë në përputhje me lutjet tona. Kur mbreti Saul dërgoi njerëz te shtëpia e Davidit për ta vrarë, Davidi u lut: «Çliromë nga armiqtë e mi, o Perëndia im! Mbromë nga ata që ngrihen kundër meje! Çliromë nga ata që merren me të këqija dhe shpëtomë nga fajtorët e gjakut!» (Psal. 59:1, 2) Përveçse u lut, Davidi e dëgjoi gruan e tij dhe veproi për të shpëtuar. (1 Sam. 19:11, 12) Në mënyrë të ngjashme, edhe ne mund të lutemi për mençuri praktike që të na ndihmojë të përballojmë dhe ndoshta të përmirësojmë rrethanat që na shkaktojnë vuajtje.—Jak. 1:5.
Si mund të kemi forcë për të qëndruar?
14. Ç’gjë do të na ndihmojë të qëndrojmë kur hasim vuajtje?
14 Vuajtjet tona mund të mos kalojnë menjëherë. Ato mund të vazhdojnë për ca kohë. Nëse është kështu, ç’gjë do të na ndihmojë të qëndrojmë? Së pari, duhet të kujtojmë se kur vazhdojmë t’i shërbejmë Jehovait me besnikëri, pavarësisht nga vështirësitë, tregojmë se e duam. (Vep. 14:22) Të mbajmë parasysh akuzën që bëri Satanai kundër Jobit: «Vallë, më kot ka frikë Jobi nga Perëndia?! A nuk ke ngritur një gardh rreth tij, rreth shtëpisë së tij dhe rreth gjithçkaje që ka përqark? Ti ke bekuar punën e duarve të tij dhe kopetë e tij janë përhapur në mbarë tokën. Por, a mund ta zgjatësh dorën e të prekësh çdo gjë që ka? Pastaj shih po nuk të mallkoi sy më sy!» (Jobi 1:9-11) Me integritetin e tij Jobi tregoi se ajo akuzë ishte një gënjeshtër e poshtër. Edhe ne, nëse qëndrojmë kur hasim vuajtje, kemi mundësinë të tregojmë se Satanai është gënjeshtar. Pastaj qëndrueshmëria na e forcon shpresën dhe sigurinë te Jehovai.—Jak. 1:4.
15. Cilët shembuj mund të na forcojnë?
15 Së dyti, të mbajmë ndër mend se «të njëjtat vuajtje po ndodhin në gjithë vëllazërinë [tonë] nëpër botë». (1 Pjet. 5:9) Po, «asnjë tundim nuk [na] ka rënë, përveç asaj që është e zakonshme për njerëzit». (1 Kor. 10:13) Prandaj, mund të marrim forcë e kurajë duke medituar rreth shembujve të të tjerëve, në vend se të përqendrohemi te vuajtjet tona. (1 Sel. 1:5-7; Hebr. 12:1) Të ndalemi e të mendojmë rreth shembujve të individëve që e dimë se kanë qëndruar me besnikëri, pavarësisht nga vuajtjet që kanë kaluar. A kemi bërë kërkime për ndonjë jetëshkrim ku flitet për vëllezër që kanë përjetuar diçka të ngjashme me situatën tonë? Këto jetëshkrime mund të na japin shumë forcë.
16. Si na forcon Perëndia kur hasim sprova të ndryshme?
16 Së treti, të kujtojmë se Jehovai është «Ati i mëshirave të buta dhe Perëndia i çdo ngushëllimi, i cili na ngushëllon në të gjitha shtrëngimet tona, që të jemi në gjendje të ngushëllojmë ata që janë në ndonjë lloj shtrëngimi, me anë të ngushëllimit me të cilin ne vetë po ngushëllohemi nga Perëndia». (2 Kor. 1:3, 4) Është sikur Perëndia të qëndronte pranë nesh për të na dhënë zemër e forcë, jo vetëm gjatë shtrëngimit që po hasim tani, por «në të gjitha shtrëngimet tona». Kjo pastaj na ndihmon të ngushëllojmë të tjerët në çdo «lloj shtrëngimi». Pavli e përjetoi vetë vërtetësinë e këtyre fjalëve.—2 Kor. 4:8, 9; 11:23-27.
17. Si mund të na ndihmojë Bibla të përballojmë vuajtjet e jetës?
17 Së katërti, kemi Fjalën e Perëndisë, Biblën, e cila është ‘e dobishme për të mësuar, për të qortuar, për të ndrequr dhe për të disiplinuar në drejtësi, që njeriu i Perëndisë të jetë krejtësisht i zoti, plotësisht i pajisur për çdo vepër të mirë’. (2 Tim. 3:16, 17) Fjala e Perëndisë jo vetëm na bën ‘të zotë’ dhe ‘të pajisur për çdo vepër të mirë’, por na ndihmon edhe të përballojmë vuajtjet e jetës. Ajo na bën ‘krejtësisht të zotë’ dhe ‘plotësisht të pajisur’. Fjala në gjuhën origjinale, e cila është përkthyer «plotësisht i pajisur», mund të jetë përdorur në kohët e lashta për një anije që ishte e pajisur me gjithçka që nevojitej për udhëtimin ose për një mjet që ishte në gjendje të kryente gjithçka që pritej prej tij. Në mënyrë të ngjashme Jehovai, nëpërmjet Fjalës së tij, na pajis me gjithçka që na nevojitet për të përballuar çfarëdo gjëje që hasim. Prandaj, mund të themi: «Nëse Perëndia e lejon, mund ta përballoj me ndihmën e tij.»
Çlirim nga të gjitha vuajtjet
18. Ku të përqendrohemi që të marrim ndihmë të mëtejshme për të qëndruar me besnikëri?
18 Së pesti, të përqendrohemi gjithnjë te fakti i mrekullueshëm se së shpejti Jehovai do ta çlirojë njerëzimin nga të gjitha vuajtjet. (Psal. 34:19; 37:9-11; 2 Pjet. 2:9) Përfundimisht, çlirimi që do të sjellë Perëndia nuk do të nënkuptojë vetëm çlirimin nga vuajtjet e tanishme, por falë tij do të kemi mundësinë për të gëzuar jetën e përhershme, qoftë në qiej me Jezuin, qoftë në parajsën në tokë.
19. Si mund të qëndrojmë me besnikëri?
19 Ndërsa presim atë kohë, vazhdojmë të përballojmë kushtet e vështira të kësaj bote të ligë. Sa e dëshirojmë kohën kur ato nuk do të jenë më! (Psal. 55:6-8) Le të kujtojmë se, kur qëndrojmë me besnikëri, tregojmë që Djalli është gënjeshtar. Le të marrim forcë nga lutjet dhe nga vëllazëria e krishterë, duke mbajtur ndër mend se vëllezërit tanë po hasin sprova të ngjashme me tonat. Të vazhdojmë të jemi krejtësisht të zotë dhe plotësisht të pajisur duke përdorur mirë Fjalën e Perëndisë. Të mos lejojmë të na lëkundet besimi se «Perëndia i çdo ngushëllimi» do të kujdeset me dashuri për ne. Të kujtojmë se «Jehovai i kthen sytë nga të drejtët, dhe veshët nga thirrja e tyre për ndihmë».—Psal. 34:15.
A mund të përgjigjeni?
• Si u ndie Davidi për vuajtjet që hasi?
• Ç’siguri shprehu mbreti Solomon?
• Ç’gjë mund të na ndihmojë të përballojmë sprovat që lejon Jehovai?
[Figura në faqen 13]
Solomoni ishte i sigurt se Jehovai do t’i ndihmonte shërbëtorët e Tij kur të ishin duke vuajtur
[Figura në faqen 15]
Davidi ia hodhi barrën Jehovait në lutje dhe më pas veproi në përputhje me atë që u lut