SHTATZËNIA
Gjendja e gruas gjatë periudhës nga ngjizja deri te lindja e foshnjës.
Urdhri që Jehovai u dha Adamit dhe Evës—«jini të frytshëm, shumohuni dhe mbusheni tokën»—tregonte se shtatzënia do të ishte pjesë normale e rolit të gruas. (Zn 1:28) Kur papërsosmëria hyri në familjen njerëzore, Perëndia shpjegoi se dhembjet e shtatzënisë do të shtoheshin. (Zn 3:16; shih DHEMBJET E LINDJES.) Fjala hebraike haráh do të thotë «ngjiz, mbetem shtatzënë». (Nu 11:12; 1Kr 7:23) Në greqisht, ky mendim përçohej në më të shumtën e rasteve me shprehjen idiomatike «kam në bark», që do të thotë «të jesh me fëmijë» ose të jesh shtatzënë.—Mt 1:18, 23.
Judenjtë i konsideronin fëmijët, e sidomos meshkujt, si një bekim (Ps 127:3; 128:3; Zn 29:32-35; 30:5, 6), kurse shterpësia ishte turp dhe poshtërim. (Lu 1:24, 25; Zn 25:21; 30:1) Prandaj, gratë donin të mbeteshin shtatzëna. (1Sa 1:2, 11, 20) Kur një fëmijë ishte ngjizur, embrioni ose fetusi që po zhvillohej, konsiderohej si një shpirt. Veprimet që shkaktonin vrasjen e fëmijës që po rritej në barkun e nënës, ndëshkoheshin sipas rregullit «shpirt për shpirt». (Da 21:22, 23) Një nga gjërat më të tmerrshme që mund të bënin armiqtë, ishte t’u çanin barkun grave shtatzëna.—Ho 13:16; Am 1:13; 2Mb 8:12; 15:16.
Fundi i shtatzënisë shoqërohet me dhembje (Ps 48:6; 1Se 5:3); sidoqoftë, kjo vuajtje e përkohshme mbaron me lindjen e fëmijës, kështu që, normalisht, shtatzënia ka një fund të lumtur e të gëzuar.—Gjo 16:21, 22.
«Mjerë gratë shtatzëna.» Kur iu përgjigj pyetjes së apostujve në lidhje me përfundimin e sistemit, Jezui tha se duhej të iknin nga Judea dhe shtoi: «Mjerë gratë shtatzëna dhe ato që kanë foshnjë në gji ato ditë!» (Mt 24:19; Mr 13:17; Lu 21:23) Plotësimi dhe vërtetësia e këtyre fjalëve u bënë të dukshme në ngjarjet që ndodhën para dhe gjatë shkatërrimit të Jerusalemit në vitin 70 të e.s. Zakonisht, një grua shtatzënë mund të bëjë disa aktivitete dhe lëvizje të arsyeshme (Lu 1:39, 56; 2:5), mirëpo një ecje e gjatë në terren malor do ta rëndonte atë, sidomos nëse koha e lindjes ishte afër. Gratë shtatzëna dhe ato që kishin foshnja në gji, vuajtën tej mase kur ushtritë romake rrethuan Jerusalemin. Zia e bukës mbizotëronte. Gjatë shtatzënisë është e rëndësishme që gruaja të ushqehet mirë. Për shembull, nëse nuk merr një sasi të mjaftueshme kalciumi, mund të humbasë dhëmbët, sepse trupi e përdor kalciumin për të formuar eshtrat e foshnjës që po zhvillohet. Për më tepër, teksa shihte foshnjat e të tjerëve të vuanin urie e të vdisnin, instinkti mbrojtës prej nëne ia shtonte vuajtjet, sepse e dinte se së shpejti do të sillte në jetë një fëmijë në kushte të tilla. Historiani Jozef Flavi tregon se çfarë bënin disa burra të uritur në Jerusalemin e rrethuar: «S’kishte kurrfarë dhembshurie as për flokëzbardhurit, as për njomëzakët: të vegjlit i ngrinin lart, me gjithë copat e bukës që kishin akoma në dorë, dhe i përplasnin përtokë.»—Lufta judaike, V, 433 (x, 3); krahaso Lu 23:29.
Përdorimi figurativ. Periudha e shtatzënisë që arrin kulmin me lindjen e fëmijës, është përdorur disa herë në kuptimin figurativ. Izraeli e humbi miratimin e Perëndisë, sepse populli i tij i pabesë ‘kishte ngjizur telashe dhe kishte pjellë të këqija’. (Is 59:2-8; krahaso Ps 7:14.) Procesi niste pasi lejonin që mendja dhe zemra e tyre të mbarsej me ‘mendime të këqija’ e dëshira të gabuara, të cilat ngroheshin aty dhe, përfundimisht e në mënyrë të pashmangshme, sillnin në jetë ‘vepra të këqija’.—Krahaso Jk 1:14, 15.
Në një varg tjetër Isaia e përshkruan Izraelin si një grua që thërret nga dhembjet e lindjes dhe i thotë Perëndisë: «Kështu jemi bërë edhe ne për shkakun tënd, o Jehova. Kemi mbetur shtatzënë, kemi pasur dhembje lindjeje dhe, si të thuash, kemi lindur erë. Vendit nuk i sollëm shpëtim të vërtetë dhe tokës nuk i lindi asnjë banor.» (Is 26:17, 18) Këtu mund ta ketë fjalën se, pavarësisht nga bekimet e Jehovait (krahaso Is 26:15) dhe mundësisë që i vuri para Izraelit për t’u bërë «një mbretëri priftërinjsh dhe një komb i shenjtë» (Da 19:6), izraelitët nuk e kishin parë ende të përmbushur premtimin e shumëpritur të Farës, përmes së cilës bekimet do të vërshonin. (Zn 22:15-18) Përpjekjet e Izraelit për ta sjellë vetë shpëtimin ishin të kota dhe s’kishin sjellë rezultat; si një komb, ai nuk mund të sillte lirinë nga «skllavëria e prishjes», sepse e gjithë krijesa «vazhdon të rënkojë së bashku dhe të përjetojë dhembje së bashku». (Ro 8:19-22; krahaso 10:3; 11:7.) Pas pushtimit babilonas, vendi ‘u ligështua’, ngaqë ishte ndotur duke shkelur besëlidhjen e bërë me Jehovain, kurse «banorët e vendit u pakësuan».—Is 24:4-6.
Në dallim me këtë, kur e ktheu popullin e vet nga mërgimi, Jehovai e bëri Jerusalemin si një grua që kishte mbetur shtatzënë me burrin e saj dhe do të lindte shumë fëmijë.—Is 54:1-8.
Apostulli Pavël e citoi këtë profeci të kapitullit 54 të Isaisë dhe e zbatoi për ‘Jerusalemin lart i cili është i lirë dhe është nëna jonë’. (Ga 4:26, 27) Në të vërtetë, këto fjalë përmbajnë çelësin për të kuptuar vegimin e Zbulesës 12:1-5, ku një «grua» qiellore shtatzënë lind «një fëmijë, një djalë, i cili do të sundojë mbi të gjitha kombet me një shkop të hekurt». Sundimi i kombeve me një shkop të hekurt lidhet drejtpërdrejt me Mbretërinë mesianike të Perëndisë, kështu që vegimi ka të bëjë me lindjen e kësaj Mbretërie; në fakt, pas dështimit të sulmit të Satanait mbi ‘fëmijën’ e sapolindur, dëgjohet kjo thirrje: «Tani erdhi shpëtimi, fuqia, mbretëria e Perëndisë tonë dhe autoriteti i Krishtit të tij.» (Zb 12:10) Mundimi që kalon para lindjes «gruaja» qiellore shtatzënë, të sjell në mendje shprehjen «dhembjet e lindjes» që Pavli e përdori te Galatasve 4:19. Këtu shprehja tregon interesimin e gjallë dhe dëshirën e zjarrtë për t’i parë gjërat të zhvilluara plotësisht (në rastin e Pavlit, për të parë zhvillimin e plotë të besimtarëve galatas si të krishterë).