Dikush interesohet me të vërtetë
MIJËRA njerëz e tregojnë se interesohen me të vërtetë për të tjerët. Ata nuk kanë pikëpamjen egoiste e të pashpirt se problemet e të tjerëve nuk u përkasin aspak atyre. Përkundrazi, këta njerëz bëjnë gjithçka që munden, disa herë duke vënë madje jetën e tyre në rrezik, për të lehtësuar vuajtjet. Kjo është një punë kolosale, e cila ndërlikohet nga forcat e fuqishme që janë përtej kontrollit të tyre.
Një punonjës i ndihmave humanitare tha se faktorë të tillë, si: lakmia, intrigat politike, luftërat dhe katastrofat natyrore mund të bëjnë që të dështojnë edhe «përpjekjet më të mëdha e më këmbëngulëse për të çrrënjosur urinë». Eliminimi i urisë është vetëm një prej problemeve të shumta që hasin njerëzit të cilët interesohen për të tjerët. Ata luftojnë edhe me gjëra të tilla, si: sëmundjet, varfëria, padrejtësitë dhe vuajtjet e jashtëzakonshme që shkakton lufta. Por, a po fitojnë?
Kryeadministratori i një agjencie ndihmash humanitare tha se ata që bëjnë këto «përpjekje të mëdha e këmbëngulëse» për të lehtësuar urinë dhe dhimbjen, janë si samaritani i dhembshur, që përshkruhej në ilustrimin e Jezu Krishtit. (Luka 10:29-37) Por, siç thoshte ai, pavarësisht nga çdo gjë që bëjnë ata, numri i viktimave veçse vazhdon të rritet. Kështu, ai pyeti: «Çfarë duhet të bëjë samaritani i mirë, nëse për disa vjet me radhë udhëton në po atë rrugë çdo ditë dhe anës rrugës gjen një viktimë të grabitësve çdo javë?»
Do të ishte e lehtë të nënshtroheshe ndaj asaj që është përshkruar si ‘sëmundja vdekjeprurëse e sfilitjes së personit që ndihmon’ dhe thjesht të dorëzoheshe i zhgënjyer. Por, ata që interesohen me të vërtetë për të tjerët nderohen, pasi nuk dorëzohen. (Galatasve 6:9, 10) Për shembull, një burrë që shkroi në Jewish Telegraph të Britanisë, i lavdëroi Dëshmitarët e Jehovait, të cilët gjatë kohës së Gjermanisë naziste «ndihmuan mijëra hebrenj që t’u mbijetonin torturave të Aushvicit». «Kur ushqimi ishte me pakicë,—tha shkrimtari,—ata e ndanin bukën e tyre me vëllezërit e motrat tona [hebrenj]!» Dëshmitarët vazhduan të bënin atë që mundnin me burimet që kishin.
Megjithatë, realiteti është se asnjë sasi buke e ndarë me të tjerët nuk do t’i heqë plotësisht vuajtjet njerëzore. Kjo nuk do të thotë në asnjë mënyrë të zhvlerësojmë atë që kanë bërë njerëzit e dhembshur. Çdo veprim që i lehtëson në të vërtetë vuajtjet, ia vlen të bëhet. Ata Dëshmitarë ia lehtësuan disi dhimbjen të burgosurve të tjerë dhe përfundimisht nazizmi u shpartallua. Megjithatë, sistemi botëror që shkakton këtë shtypje vazhdon të ekzistojë dhe njerëzit që nuk interesohen për të tjerët janë ende të shumtë. Në fakt, «ka një kategori njerëzish, dhëmbët e të cilëve janë si shpata dhe dhëmballët e tyre si thika, për të gëlltitur të varfërit mbi faqen e dheut dhe nevojtarët në mes të njerëzve». (Fjalët e urta 30:14) Ndoshta pyet veten se përse ndodh kështu.
Përse ka varfëri dhe shtypje?
Një herë, Jezu Krishti tha: «Të varfërit do t’i keni gjithmonë me ju dhe kur të doni, mund t’u bëni mirë.» (Marku 14:7) A donte të thoshte Jezui se varfëria dhe shtypja nuk do të mbaronin kurrë? A besonte ai, ashtu si disa njerëz, se këto vuajtje janë pjesë e planit që ka bërë Perëndia, për t’u dhënë njerëzve të dhembshur mundësi që të tregojnë se sa shumë interesohen për të tjerët? Jo! Jezui nuk e besonte këtë. Ai thjesht po theksonte se varfëria do të ishte pjesë e jetës për sa kohë që do të ekzistonte ky sistem gjërash. Por Jezui dinte edhe këtë fakt: nuk kishte qenë qëllimi fillestar i Atit të tij qiellor që të ekzistonin kushte të tilla në tokë.
Perëndia Jehova e krijoi tokën që të ishte parajsë e jo një vend i pllakosur nga varfëria, padrejtësitë dhe shtypja. Ai e tregoi se sa shumë interesohej për familjen njerëzore, duke marrë masa të mrekullueshme që do ta shtonin edhe më shumë gëzimin e jetës. Ja për shembull, shqyrto vetë emrin e kopshtit ku gjendeshin prindërit tanë të parë, Adami dhe Eva. Ai quhej Eden, që do të thotë «kënaqësi». (Zanafilla 2:8, 9) Jehovai nuk i kufizoi njerëzit, duke u dhënë vetëm gjërat e nevojshme për të mbijetuar në një mjedis monoton dhe shtypës. Në përfundim të veprës së tij krijuese, Jehovai e shqyrtoi atë që kishte bërë dhe deklaroi se ajo ishte «shumë mirë».—Zanafilla 1:31.
Por, atëherë, përse varfëria, shtypja dhe shkaqet e tjera të vuajtjeve po bëjnë kërdinë sot në të gjithë tokën? Sistemi i tanishëm i lig i gjërave ekziston ngaqë prindërit tanë të parë zgjodhën të rebeloheshin kundër Perëndisë. (Zanafilla 3:1-5) Kjo ngriti çështjen nëse ishte apo jo e drejtë që Perëndia të kërkonte bindje prej krijesave të tij. Kështu, Jehovai u ka lejuar pasardhësve të Adamit një periudhë të kufizuar pavarësie. Gjithsesi, Perëndia interesohej për atë që i ndodhte familjes njerëzore. Ai mori masa për të zhbërë të gjithë dëmin që do të shkaktonte rebelimi ndaj tij. Veç kësaj, shumë shpejt Jehovai do t’i japë fund varfërisë dhe shtypjes, në fakt, të gjitha vuajtjeve.—Efesianëve 1:8-10.
Një problem që njerëzit nuk mund ta zgjidhin
Në shekujt që kanë kaluar që nga krijimi i njeriut, njerëzimi është larguar gjithnjë e më shumë nga normat e Jehovait. (Ligji i përtërirë 32:4, 5) Duke hedhur poshtë vazhdimisht ligjet dhe parimet e Perëndisë, njerëzit kanë luftuar me njëri-tjetrin dhe ‘një njeri ka sunduar mbi një tjetër për ta dëmtuar’. (Predikuesi 8:9) Të gjitha përpjekjet për të sjellë një shoqëri vërtet të drejtë, pa asnjë nga ato gjëra që mundojnë masat e vuajtura, janë prishur nga egoizmi i atyre që duan t’i bëjnë gjërat sipas mënyrës së tyre, në vend që t’i nënshtrohen sovranitetit të Perëndisë.
Ekziston edhe një problem tjetër, të cilin shumë veta do ta hidhnin poshtë si një gjë të kotë besëtytnore. Nxitësi i rebelimit kundër Perëndisë po i nxit ende njerëzit që të bëjnë të keqen dhe të jenë egoistë. Ky është Satana Djalli dhe Jezu Krishti e quajti «sundimtari i kësaj bote». (Gjoni 12:31; 14:30, BR; 2. Korintasve 4:4; 1. Gjonit 5:19) Në zbulesën që iu dha apostullit Gjon, Satanai identifikohet si burimi mbizotërues i mjerimeve, ai që është përgjegjësi kryesor për ‘mashtrimin e gjithë dheut’.—Zbulesa 12:9-12.
Pavarësisht se sa shumë interesohen disa njerëz për të tjerët, ata nuk do të jenë kurrë në gjendje të zhdukin Satana Djallin ose të ndryshojnë këtë sistem që shkakton një numër gjithnjë në rritje viktimash. Çfarë kërkohet, atëherë, për të zgjidhur problemet e njerëzimit? Zgjidhja nuk është thjesht dikush që interesohet për të tjerët. Ekziston nevoja për dikë që ka dëshirën dhe fuqinë për të zhdukur Satanain dhe gjithë sistemin e tij të padrejtë.
«U bëftë vullneti yt në tokë!»
Perëndia premton se do ta shkatërrojë këtë sistem të lig gjërash. Ai ka edhe dëshirën, edhe fuqinë që nevojitet për ta bërë këtë. (Psalmi 147:5, 6; Isaia 40:25-31) Në librin e Danielit, një libër profetik i Biblës, është parathënë se: «Perëndia i qiellit do të nxjerrë një mbretëri, që nuk do të shkatërrohet kurrë. Kjo mbretëri nuk do t’i lihet një populli tjetër, por do të copëtojë dhe do të asgjësojë tërë këto mbretëri dhe do të ekzistojë përjetë», po, përgjithmonë. (Danieli 2:44) Jezu Krishti kishte në mendje këtë qeveri qiellore të qëndrueshme dhe mirëdashëse, kur i mësoi dishepujt e tij t’i kërkojnë Perëndisë në lutje: «Ardhtë mbretëria jote. U bëftë vullneti yt në tokë si në qiell.»—Mateu 6:9, 10.
Jehovai do t’u përgjigjet këtyre lutjeve, sepse ai interesohet me të vërtetë për familjen njerëzore. Sipas fjalëve profetike të Psalmit 72, Perëndia do të autorizojë Birin e tij, Jezu Krishtin, që t’u sjellë çlirim të përhershëm të varfërve, të pikëlluarve dhe të shtypurve, të cilët mbështetin sundimin e Jezuit. Kështu, psalmisti i frymëzuar këndoi: «Ai [Mbreti Mesianik i Perëndisë] do t’u sigurojë drejtësi të pikëlluarve të popullit, do të shpëtojë bijtë e nevojtarëve dhe do të dërrmojë shtypësin. . . . Ai do ta çlirojë nevojtarin që bërtet dhe të mjerin që nuk ka se kush ta ndihmojë. Atij do t’i vijë keq për të dobëtin dhe për nevojtarin dhe do të shpëtojë jetën e nevojtarëve. Ai do të çlirojë jetën e tyre nga shtypja dhe nga dhuna dhe gjaku i tyre do të jetë i çmuar para syve të tij.»—Psalmi 72:4, 12-14.
Në një vizion që kishte të bënte me ditët tona, apostulli Gjon pa «një qiell të ri dhe një dhe të ri», një sistem krejtësisht të ri gjërash, të vendosur nga Perëndia. Çfarë bekimi për njerëzimin që vuan! Duke parathënë atë që do të bënte Jehovai, Gjoni shkroi: «Dëgjova një zë të madh nga qielli që thoshte: ‘Ja! Tabernakulli i Perëndisë me njerëzit. Dhe ai do të banojë me ta edhe ata do të jenë populli i tij dhe vetë Perëndia do të jetë bashkë me ta, Perëndi i tyre. Dhe Perëndia do të thajë çdo lot nga sytë e tyre, dhe vdekja nuk do të jetë më, as brengë, as klithma, as mundim, sepse gjërat e mëparshme shkuan.’ Dhe ai që rrinte mbi fron tha: ‘Ja! Unë i bëj të gjitha gjërat të reja.’ Dhe më tha: ‘Shkruaj, sepse këto fjalë janë të vërteta dhe besnike.’»—Zbulesa 21:1-5.
Po, ne mund t’u besojmë këtyre fjalëve, sepse janë të vërteta dhe besnike. Së shpejti, Jehovai do të veprojë për ta çliruar tokën nga varfëria, uria, shtypja, sëmundjet dhe nga të gjitha padrejtësitë. Siç e ka bërë shpesh të qartë me anë të Shkrimeve kjo revistë, një shumicë dëshmish tregojnë se po jetojmë në kohën kur këto premtime do të përmbushen. Bota e re e premtuar nga Perëndia është te pragu! (2. Pjetrit 3:13) Së shpejti, Jehovai do ta «shkatërrojë përgjithnjë vdekjen» dhe do të «thajë lotët nga çdo fytyrë».—Isaia 25:8.
Derisa të ndodhë kjo, ne mund të jemi të kënaqur që edhe tani ekzistojnë njerëz që interesohen sinqerisht për të tjerët. Një shkak edhe më i madh kënaqësie është se vetë Perëndia Jehova interesohet me të vërtetë. Së shpejti, ai do të eliminojë të gjithë shtypjen dhe vuajtjet.
Mund të kesh besim të patundur në premtimet e Jehovait. Shërbëtori i tij, Josiu, patjetër që e kishte këtë besim. Pa asnjë rezervë, ai i tha popullit të lashtë të Perëndisë: «Pranoni, pra, me gjithë zemër e me gjithë shpirt që nuk ka rënë përtokë asnjë nga fjalët e mira që Zoti, Perëndia juaj, ka thënë lidhur me ju. Të tëra u vërtetuan për ju, as edhe një nuk ra përtokë.» (Jozueu 23:14) Prandaj, për sa kohë që të mbetet ky sistem i tanishëm gjërash, mos e lër veten të mbytesh nga sprovat që mund të hasësh. Hidhe të gjithë ankthin tënd mbi Jehovain, sepse ai interesohet me të vërtetë për njerëzit.—1. Pjetrit 5:7.
[Figurat në faqen 7]
Në botën e re të premtuar nga Perëndia, toka do të jetë pa varfëri, shtypje, sëmundje dhe padrejtësi