Pyetje nga lexuesit
Në Bibël përmendet ‘libri i Jasharit’ dhe ‘libri i Luftërave të Jehovait’. (Jos. 10:13; Num. 21:14) Por këta nuk renditen ndër librat e Biblës. A janë këto shkrime të frymëzuara që kanë humbur?
Nuk ka arsye për të arritur në përfundimin se këta dy libra u shkruan nën frymëzimin e Perëndisë dhe më vonë humbën. Shkrimtarët e frymëzuar të Biblës kanë përmendur edhe mjaft libra të tjerë. Disa prej tyre mund të jenë vërtet pjesë të Biblës, por që thjesht emërtoheshin me terma të tjerë, të panjohur për lexuesit e asaj kohe. Për shembull, te 1 Kronikave 29:29 përmenden «fjalët e parashikuesit Samuel», «fjalët e profetit Natan» dhe «fjalët e vegimtarit Gad». Këto tri emërtime mund t’u referohen librave që ne i njohim si 1 dhe 2 Samuelit, ose ndoshta librit të Gjykatësve.
Nga ana tjetër, disa herë mund t’u jenë referuar librave që kanë emra të ngjashëm me librat e Biblës, por që në të vërtetë nuk janë pjesë të saj. Këtë mund ta ilustrojmë me katër libra të lashtë: «librin e ngjarjeve të mbretërve të Judës», «Librin e Mbretërve të Judës dhe të Izraelit», «Librin e Mbretërve të Izraelit» dhe «Librin e Mbretërve të Izraelit dhe të Judës». Edhe pse këta emra mund të tingëllojnë të ngjashëm me emrat e librave të Biblës që ne i njohim si 1 Mbretërve dhe 2 Mbretërve, këta katër libra as u frymëzuan, as bëjnë pjesë në listën e librave të Biblës. (1 Mbret. 14:29; 2 Kron. 16:11; 20:34; 27:7) Ka mundësi të kenë qenë thjesht dokumente historike që përdoreshin në ato kohë kur profeti Jeremia dhe Ezdra shkruan librat që kemi në Bibël.
Po, disa shkrimtarë të Biblës i përmendën ose i përdorën si burim informacioni pjesët a dokumentet historike ekzistuese, por që nuk ishin të frymëzuara. Te Estera 10:2 përmendet ‘Libri i ngjarjeve të mbretërve të Medisë dhe të Persisë’. Po kështu edhe Luka, për të përgatitur Ungjillin e tij, ‘i gjurmoi me saktësi të gjitha gjërat që nga fillimi’. Ndoshta me këto fjalë po thoshte se kishte përdorur si burim informacioni disa dokumente që ekzistonin në ato kohë, ndërsa përpilonte linjën gjenealogjike të Jezuit që gjejmë në Ungjillin e tij. (Luka 1:3; 3:23-38) Këto burime që përdori Luka nuk ishin të frymëzuara, por Ungjilli i tij sigurisht që po. Dhe ky Ungjill është ende me vlerë për ne.
Për sa u përket dy librave të përmendur në pyetje,—‘libri i Jasharit’ dhe ‘libri i Luftërave të Jehovait’—me sa duket, mund të kenë qenë dokumente që ekzistonin, por nuk ishin të frymëzuara. Për këtë arsye, Jehovai nuk u kujdes që të ruheshin deri në ditët e sotme. Duke iu referuar rasteve kur këta dy libra përmenden në Bibël, studiuesit arrijnë në përfundimin se ata kanë qenë përmbledhje poezish dhe këngësh që flisnin për luftërat midis Izraelit dhe armiqve të tij. (2 Sam. 1:17-27) Një enciklopedi biblike sugjeron se përmbajtja e këtyre librave mund të ketë qenë «repertori i njohur gojor i këngëtarëve profesionistë në Izraelin e lashtë, të cilët dokumentonin epikën dhe lirikën tradicionale të Izraelit». Edhe disa burra që ndonjëherë Perëndia i përdori si profetë ose vegimtarë, shkruan libra që Jehovai nuk i kishte frymëzuar ose nuk i kishte zgjedhur për t’i përfshirë në Shkrime, të cilat janë ‘të dobishme për të mësuar, për të qortuar, për të ndrequr’ në ditët e sotme.—2 Tim. 3:16; 2 Kron. 9:29; 12:15; 13:22.
Fakti që disa libra u përmendën në Bibël dhe që ishin burime të dobishme, nuk do të thotë se ishin të frymëzuar nga Perëndia. Megjithatë, Perëndia Jehova i ka ruajtur të gjitha shkrimet që përmbajnë ‘fjalën e Perëndisë tonë’ dhe këto ‘mbeten përgjithmonë’. (Isa. 40:8) Po, ajo që Jehovai vendosi të përfshinte në 66 librat e Biblës që kemi, është pikërisht çka na nevojitet për të qenë ‘krejtësisht të zotë, plotësisht të pajisur për çdo vepër të mirë’.—2 Tim. 3:16, 17.