Kush do t’i udhëheqë kombet drejt paqes?
1, 2. Si po plotësohet në ditët tona profecia e Isaisë 2:2-4?
KREU 2 i Isaisë është shumë më tepër, sesa një profeci mbi kthimin e popullit hebre në Jeruzalem, pas 70 vjetësh nën robërinë babilonase. Në të vërtetë, profecia nuk i referohet tjetër, veç kthimit të popujve nga të gjitha kombet, në adhurimin e pastër të të vetmit Perëndi të vërtetë, Jehovait. Kjo nënkupton formimin e një vëllazërie ndërkombëtare që kryen një shërbim të shenjtë dhe të pranueshëm nga Perëndia.
2 Një shndërrim kaq i rëndësishëm, që përfshin njerëz nga çdo pjesë e botës, do të jetë jo vetëm mahnitës, por edhe i dukshëm, sikur të ndodhte mbi një mal para syve të çdokujt. Kjo është pikërisht ajo që po ndodh sot në mes të Dëshmitarëve të Jehovait në mbarë botën. Me miliona njerëz të feve të krishterimit kanë mësuar se Perëndia është një dhe nuk e adhurojnë më Trinitetin. Në Indi, disa hindusë kanë braktisur panteonin e tyre të perëndive, si dhe miliarda idhuj, për Perëndinë e vetëm të vërtetë. Njësoj është edhe me njerëz nga Afrika, nga ishuj të largët dhe nga Lindja e Mesme. Ata që janë ngjitur në malin e shenjtë të Jehovait, në adhurimin e tij të pastër, kanë hedhur tej të gjitha urrejtjet racore, fisnore dhe politike; ata me të vërtetë «nuk mësojnë më të luftojnë.»—Isaia 2:2-4.
Identiteti i Mesisë—një burim kundërshtimi
3. Çfarë ndikimi pati Mesia mbi kombet, sipas Isaisë 11:10?
3 Kjo vëllazëri ndërkombëtare është e lidhur edhe me plotësimin e qëllimit të Perëndisë për të gjithë njerëzimin: që njerëz nga të gjitha kombet do të bekoheshin përmes «farës» së premtuar, pasardhësit të Abrahamit dhe kështu do të adhuronin Perëndinë në të vërtetë dhe në unitet. (Zanafilla 3:15; 22:18, JP) Profecitë e mëvonshme treguan se kjo «farë» duhet të ishte, gjithashtu, «profeti si Moisiu», që do të ndërmjetësonte një besëlidhje të re, e cila do të shërbente si bazë ligjore për njerëzit e sinqertë të të gjitha kombeve në adhurimin e Perëndisë në unitet. (Ligji i përtërirë 18:15, 18, 19; Jeremia 31:31-34) Përveç kësaj, po ky do të ishte edhe Mesia, qeveritar nga brezi i Davidit, fronin e të cilit Perëndia do ta vendoste përgjithmonë. (1. Kronikat 17:11, 12) Sipas profetit Isaia, Mesia do të ishte figura rreth së cilës do të grumbulloheshin popuj nga të gjitha kombet (hebraisht, Gohyim). Isaia 11:10 thotë: «Do të ndodhë në atë ditë, që rrënja e Jeseut, e cila qëndron si shenjë [si sinjal, NW] e popujve, në të do të shikojnë kombet; dhe vendpushimi i saj do të jetë i lavdishëm.»—JP.
4. Çfarë ka thënë një rabi mbi ndikimin e Jezuit në racën njerëzore?
4 Mbi identitetin e Mesisë është debatuar me shekuj. Sipas Isaisë 11:10 dhe teksteve të tjera, ai do të ishte hebre, pasardhës i Mbretit David (të birit të Jeseut) dhe njerëz nga të gjitha kombet do ta pranonin si Mesinë e ligjshëm të dërguar nga Perëndia. Duke iu referuar mësuesit hebre të shekullit të parë, Jezuit, rabini H. G. Enelow ka shkruar: «Asnjë hebre i arsyeshëm nuk mund të jetë indiferent ndaj faktit se një hebre duhet të ketë pasur një pjesë kaq të jashtëzakonshme në edukimin dhe drejtimin fetar të racës njerëzore.» 10 Cili hebre tjetër është pranuar nga kaq shumë paganë si Mesia? A mund të pranohej ndonjë hebre tjetër nga një numër më i madh njerëzish? Megjithatë, ka ende nga ata që i shqetëson shumë ideja se Jezui mund të jetë Mesia. Ia vlen që të shqyrtojmë arsyetimet e tyre.
Apostazia e krishterimit
5-7. Përse shumë veta e shohin neveritës edhe vetë emrin e Jezuit dhe të krishterimit?
5 Për shumicën e jo të krishterëve, është krishterimi, anëtarët e të cilit hiqen sikur ndjekin mësimet e Krishtit, ai që ka shkaktuar antipati ndaj vetë emrit të Jezuit. Në emër të Jezuit, shumë kombe kanë vuajtur nga duart e krishterimit, por me siguri populli hebre ka vuajtur më tepër se cilido prej tyre.
6 Në kohën tonë, antisemitizmi në të ashtuquajturin krishterim arriti kulmin me Shfarosjen naziste. Megjithëse qenë përfshirë shumë faktorë, nuk mund të harrojmë se urrejtja fetare ishte një nga më kryesorët. Dhe nëse dikush në krishterim do ta mohonte këtë, fakti se midis atyre që kanë vrarë apo mundësuar vrasjet ka pasur «të krishterë», katolikë dhe protestantë, është i pamohueshëm. Elie Wiesel e përmbledh pikëpamjen hebreje në librin e vet A Jew Today (Një hebre sot): «Si t’i shpjegojmë dikujt se as Hitleri, as Himleri nuk u përjashtuan kurrë nga kisha? Se Piu XII kurrë nuk e quajti të nevojshme, për të mos thënë të domosdoshme, të dënonte Aushvitcin dhe Treblinkën? Se në mes të S.S.-ëve një pjesë e madhe ishin besimtarë që u mbetën besnikë deri në fund lidhjeve të tyre të krishtere? Se kishte nga ata vrasës që shkonin të rrëfeheshin nga njëra masakër në tjetrën? Dhe se të gjithë ata vinin nga familje të krishtere dhe kishin marrë një edukatë të krishterë?» 11 Pra, a mund të pritet me të vërtetë që hebrenjtë të tregonin besim tek dikush, emri i të cilit me shekuj ishte i lidhur me çdo lloj poshtërsie dhe goditjeje që kanë pësuar?
7 Duke lënë mënjanë persekutimin e hapur, çfarë shembulli moral i kanë dhënë vendet «e krishtere» pjesës tjetër të botës? Jo më shumë se luftërat, kryqëzatat dhe inkuizicionin «e shenjtë». Madje edhe Lufta e Parë dhe e Dytë Botërore filluan në vendet «e krishtere». A mund të themi se morali «i krishterë» ka qenë shembullor? SIDA, për shembull, është e pafrenueshme në vendet ku pjesa më e madhe e popullsisë është e krishtere. Skandalet në gjirin e klerit të krishterë janë të njohura. Telepredikuesit imoralë që mbledhin me miliona dollarë dhe jetojnë si mbretër, si dhe klerikët homoseksualë, disa prej të cilëve madje janë paditur për abuzime seksuale të kryera ndaj meshkujve të mitur, janë vetëm disa nga gjërat që jo të krishterët mendojnë se karakterizojnë krishterimin—fryte që njollosin emrin e Jezuit, të cilin «të krishterët» pohojnë se ndjekin.
8-10. (a) Përse krishterimi nuk mund të pohoj me të drejtë se përfaqëson Jezuin dhe krishterimin e vërtetë? (b) Ç’paralajmërim jepnin Shkrimet në lidhje me apostazinë nga mësimet e vërteta të Jezuit?
8 Përveç kësaj, si judaizmi edhe islamizmi me të drejtë ndiejnë neveri pikërisht nga idhujtaria e shfrenuar e krishterimit. Shumica e doktrinave jobiblike të krishterimit, si nderimi i thellë ndaj Marisë, si «Nënë e Perëndisë», janë, gjithashtu, gjëra që hasin kundërshtimin e këtyre feve. Doktrina e Trinitetit shihet në mënyrë të veçantë me përbuzje nga hebrenjtë, pasi është një kundërshtim i qartë i esencës së judaizmit—i konceptit monoteist që shprehet nga fjalët: «DËGJO, O IZRAEL: ZOTI PERËNDIA YNË, ZOTI ËSHTË NJË.»—Ligji i përtërirë 6:4, JP.
9 Persekutimet e kryera prej krishterimit, luftërat e tij, imorali, hipokrizia dhe doktrinat e tij blasfemuese, janë të pafalshme jo vetëm para syve të jo të krishterëve, por edhe në sytë e Perëndisë të Gjithëfuqishëm. Për këtë arsye, Dëshmitarët e Jehovait, megjithëse janë ithtarë të Jezu Krishtit, nuk janë pjesë e krishterimit. Nga ana tjetër, i ashtuquajturi krishterim, nuk është pjesë e krishterimit të vërtetë. Praktikisht, ngjashmëria e vetme në mes të krishterimit dhe të krishterëve të parë është përdorimi i emrit Jezu. Por, nëse mësimet e Jezuit ishin jashtëzakonisht të mira dhe praktike, nga ka ardhur gjithë kjo apostazi?
10 Në të vërtetë, vetë Jezui, si dhe shkrimtarët e Shkrimeve të Krishtere Greke, të quajtura pa të drejtë Dhiata e Re, profetizuan se do të lindnin të krishterë të rremë dhe se do të ndodhte një apostazi nga mësimet e vërteta të Jezuit. (Veprat 20:29, 30; 2. Selanikasve 2:1-12; 1. Timoteut 4:1-3; 2. Pjetrit 2:1, 2) Në përputhje me Mateun 7:21-23, vetë Mesia do t’i gjykonte këta apostatë dhe do t’u thoshte: «Kurrë nuk ju kam njohur! Ikni prej meje, ju që kryeni paligjshmëri.»—NW; krahaso Mateu 13:24-30, 37-43.
Përse ishin të nevojshme Shkrimet e tjera?
11, 12. (a) Ç’janë Shkrimet e Krishtere Greke? (b) Kush i ka shkruar ato? (c) Përse ishte i nevojshëm frymëzimi i Perëndisë për ato shkrime?
11 Së pari, të gjithë ithtarët e Jezuit ishin hebrenj. Në fakt, me mijëra hebrenj në shekullin e parë, duke përfshirë edhe «një shumicë të madhe priftërinjsh», e pranuan Jezuin si «profetin si Moisiu», Mesia. (Veprat 2:5, 37, 41; 4:4; 6:7; Ligji i përtërirë 18:18) Po këta hebrenj, u bënë themeli i grupit të ri ndërkombëtar të adhuruesve të Perëndisë Jehova, i vendosur ligjërisht mbi bazën e «besëlidhjes së re», të ndërmjetësuar nga ky profet si Moisiu—Jeremia 31:31-34.
12 Me besëlidhjen e re lindi edhe nevoja për shkrime të mëtejshme të frymëzuara, që do të siguronin informata për ata që do t’i shërbenin Perëndisë nën rregullimin e kësaj besëlidhjeje të re. Këto shkrime, Shkrimet e Krishtere Greke, u shkruan të gjitha nga hebrenj. Ato raportojnë mbi jetën dhe mësimet e Jezuit, japin hollësira në lidhje me shumë profeci që gjenden në Shkrimet Hebreje dhe sqarojnë pika që lidhen me Mesinë dhe rolin e tij në qëllimin hyjnor. Përveç kësaj, ato përfshijnë letra që shërbejnë si këshilla dhe inkurajim për grupin e ri ndërkombëtar të adhuruesve.a
A ishte Jezui Mesia i premtuar?
13-16. Çfarë i bindi shumë hebrenj të shekullit të parë se Jezui ishte Mesia?
13 Por, a nuk e mohuan Jezuin krerët fetarë të kohës së vet? Po, madje ndikuan edhe mbi popullin. Por, a nuk u mohua edhe Jeremia dhe profetët e tjerë nga krerët fetarë të kohës së tyre? (Jeremia 7:25, 26; 20:1-6; 2. Kronikat 36:15, 16) Kundërshtimi i krerëve fetarë, që shihnin se po u kërcënohej monopoli i tyre fetar, nuk ua ktheu mendjen atyre njerëzve nga brezi i Jezuit që besuan në të dhe që patën mundësinë për të shqyrtuar mësimet dhe veprat e tij, si edhe profecitë që lidheshin me të. Ajo, për çfarë këta hebrenj të sinqertë qenë personalisht dëshmitarë, i bindi se profecitë mesianike u plotësuan tek Jezui. Cilat ishin provat e fuqishme që i shtynë këta hebrenj të shekullit të parë të rrezikojnë çdo gjë, madje edhe të vdesin, duke treguar besim tek Jezui, si Mesia i premtuar?—Gjoni 9:22; 16:2.
14 Në radhë të parë, ishte koha e caktuar. Profecia e Danielit, kreu 9, në lidhje me Mesinë, tregonte se ai do të shfaqej para shkatërrimit të tempullit të dytëb—Danieli 9:24-27.
15 Së dyti, ishte njeriu i duhur. Ishte nga fisi i Judës dhe pasardhës i mbretit David. (Zanafilla 49:10; 1. Kronikat 17:11-14; krahaso Mateu 1:1-16; Luka 3:23-31) Veç kësaj, ai kish lindur në Bethlehem, që ndër hebrenjtë e shekullit të parë, zakonisht konsiderohej si vendlindja e caktuar për Mesinë.c (Mikea 5:1 [Mi 5:2, NW]; krahaso Mateu 2:4-6; Luka 2:1-7; Gjoni 7:42) Të gjitha këto ishin kredenciale të rëndësishme që hebrenjtë e ditëve të Jezuit i prisnin si mjete identifikimi për Mesinë.
16 Veç kësaj, mësimi i atij njeriu ishte i drejtë. Nuk ishte i një natyre politike apo i prerë sipas ligjit, por frymor dhe etik.d Mjaft thjesht, ai hynte në thelb të çështjeve. Për më tepër, ai guxoi t’i citonte Shkrimet në një mënyrë të veçantë, si autoritetin e vet më të lartë dhe jo duke thënë fjalët e krerëve të mëparshëm fetarë, siç ishte bërë zakon. Kjo i habiste turmat, sepse «ai i mësonte ata si një njeri që ka autoritet e jo si skribët e tyre.» (Mateu 7:29) Tregimet e jetës së Jezuit zbulojnë një personalitet kaq të fuqishëm dhe një mësim kaq të pastër, saqë historianët e përmendin këtë si një nga arsyet, për të cilat mund të pohohet se ai nuk ishte një personazh mitologjik.e
17-20. (a) Cilat profeci të Shkrimeve Hebreje flisnin mbi kohën e ardhjes së Mesisë dhe vdekjes së tij flijuese? (b) Përse ishte e domosdoshme vdekja e Mesisë?
17 Profeci të ndryshme të Shkrimeve Hebreje, të pranuara prej kohësh si mesianike, janë plotësuar përmes vuajtjeve dhe vdekjes së Jezuit. Këto profeci e lidhin vdekjen e Mesisë me faljen e mëkateve. Në Shkrimet e Krishtere Greke, për këtë shlyerje të mëkatit, të siguruar përmes vdekjes së Mesisë, flitet si për «flijimin shpërblerës». (Mateu 20:28; Romakëve 3:24) Cilat ishin disa nga këto profeci?
18 Vëreni fjalët e profecisë së Danielit 9:24, 25 (JP): «Shtatëdhjetë javë janë vendosur mbi popullin tënd dhe qytetin tënd të shenjtë, që të marrë fund shkelja dhe t’i jepet fund mëkatit dhe të falet padrejtësia dhe të sillet drejtësia e përhershme . . . deri tek i mirosuri [Mesia, hebraisht Mashiʹach], princi.» Nuk mund të lihet pa vërejtur lidhja e vendosur në tekst midis «Mesisë» (Të mirosurit) dhe «fundit të shkeljes dhe fundit të mëkatit». Rreshti 26 vazhdon të konstatojë se «pas gjashtëdhjetë e dy javëve, një i mirosur [Mesia, hebraisht Mashiʹach], do të pritej», me fjalë tjera, do të vritej. (Shiko kutinë, faqe 26.)
19 Një tekst tjetër që lidhet me «prerjen» apo vrasjen e Mesisë si flijim pajtues, gjendet tek Isaia 52:13 deri 53:12. (Shiko kutinë, faqe 28.) Rabinët e shekullit të parë ia aplikonin këtë tekst Mesisë, siç bënë Rambami dhe të tjerë në Mesjetë. Teksti e bën plotësisht të qartë, se falja lidhet me Mesinë dhe vdekjen e tij.
20 Për këto arsye të lartpërmendura, mësimi se vdekja e Mesisë do të mundësonte faljen e plotë të mëkatit në sytë e Perëndisë, u kuptua pa vështirësi nga shumë hebrenj të shekullit të parë. Ata e dinin se Shkrimet flisnin për papërsosmërinë e trashëguar të njeriut. (Eklisiastiu 7:20) Nevoja e një flijimi që do të fshinte mëkatin, ishte një mësim që kuptohej çdo ditë; nënkuptohej edhe nga vetë forma dhe natyra e besëlidhjes së Ligjit. Ngjarjet e përshkruara në tregimet e jetës së Jezuit, e paraqesin atë si njeri të përsosur, vdekja e të cilit mund të sjellë fshirjen e mëkateve të njerëzimit.f (Mateu 20:28; Luka 1:26-38) Duke nxjerrë në pah faktin se flijimet e ndryshme në Ligj parashikonin këtë flijim të vetëm, përfundimtar dhe të plotë, Shkrimet e Krishtere Greke jepnin një kuptim më të plotë për të gjithë kuadrin e Ligjit, si edhe për pjesët e tjera të Shkrimeve.g—Hebrenjve 10:1-10.
Një profet i besueshëm, si Moisiu
21, 22. (a) Në ç’mënyrë provojnë ngjarjet historike që lidhen me shkatërrimin e Jeruzalemit, se Jezui ishte një profet i vërtetë? (b) Si e provojnë këtë gjë edhe ngjarjet historike të ditëve tona?
21 Përveç se shpjegojnë se vdekja e Jezuit shërbeu si një flijim shpërblerës, Shkrimet e Krishtere Greke theksojnë edhe rolin e tij si një «profet si Moisiu». (Ligji i përtërirë 18:18; shiko faqen 14, paragrafët 17-19.) Si i tillë, ai profetizoi shkatërrimin e Jeruzalemit dhe i udhëzoi dishepujt e vet që të iknin nga qyteti, kur ta shihnin të rrethuar nga ushtritë. (Mateu 23:37–24:2; Luka 21:20, 21) Por, si mund të ikësh nga një qytet i rrethuar nga ushtritë? Historiani hebre Yoseph ben Mattatiyahu (Jozefi), që ka qenë vetë dëshmitar i atyre ngjarjeve, ka shkruar këtë përgjigje: «Cestiusi [komandanti romak, më 66 të e.s.] . . . papritur i tërhoqi njerëzit e vet, e humbi shpresën pa pësuar asnjë disfatë dhe pa pasur as më voglën arsye, u tërhoq nga Qyteti.»13 Ky ishte edhe rasti që u nevojitej të krishterëve, për të ikur nga qyteti. Katër vjet më vonë, në vitin 70 të e.s., trupat romake, kësaj radhe nën udhëheqjen e gjeneralit Tit, u kthyen dhe e rrethuan përsëri qytetin. Në lidhje me qytetin, Jezui kishte profetizuar se armiku do të ndërtonte «një fortifikatë me shtylla të mprehta dhe do ta rrethonte e do të shkaktonte vajtime nga çdo anë.» (Luka 19:43, NW) Jozefi pohoi se Titi e ndërtoi këtë fortifikatë me shtylla të mprehta, afro 8 km të gjatë, duke e zhveshur fushën nga drurët në një rreze prej 16 km. Profecitë e Jezuit jepnin udhëzime të sakta, se si të shmangej shkatërrimi nga duart e romakëve, ndërsa vërtetësia e tyre është provuar nga fakti se të gjithë ata që i dëgjuan, shpëtuan.—Luka 21:20-24.
22 Jezui profetizoi, gjithashtu, edhe mbi shkatërrimin e ardhshëm nga Perëndia, të të gjitha ligësive dhe atyre që i shkaktojnë ato. Në Lukën 21:24 (NW), ai përmendi «kohët e caktuara të kombeve», duke treguar se Perëndia e kishte kufizuar kohëzgjatjen e sundimit njerëzor.h Jezui paratha edhe se ditët e fundit të sundimit të njeriut do të karakterizoheshin nga luftëra, uri, tërmete, sëmundje epidemike, krime dhe dhunë dhe se para fundit do të kryhej një vepër botërore edukative, për të informuar njerëzit e të gjitha kombeve se qeveria e Perëndisë po mbretëronte nga qiejt. (Shiko Mateu 24:3-14; Luka 21:10, 11) Dëshmitarët e Jehovait besojnë se kjo shenjë e madhe e përbërë, është bërë e dukshme që prej 1914-ës, kur «kohët e caktuara të kombeve» morën fund. Shumë kohë më parë se kjo, ata kishin lajmëruar se 1914-a do të ishte një datë e shënuar në historinë njerëzore. Kur filloi Lufta e Parë Botërore në gusht të atij viti, ajo çka ata prisnin u vërtetua. Në të vërtetë, asnjë nga Dëshmitarët nuk pati ndonjë vizion hyjnor; ishte studimi i tyre i zellshëm i Shkrimeve të Shenjta, që i çoi në këtë përfundim.
Kombet edukohen në rrugët e paqes
23. Si mund të bëhej Jezui Mbreti i emëruar i Mbretërisë së Perëndisë?
23 Megjithatë, roli i Mesisë në sigurimin e flijimit shpërblerës dhe si profet ngjashëm Moisiut, do të kishte një vlerë të kufizuar, sikur të mos plotësohej aspekti përfundimtar i rolit të tij në kryerjen e qëllimit të Perëndisë, pra, që të bëhej Mbret i emëruar i Mbretërisë së Perëndisë. (Isaia 9:5, 6 [Is 9:6, 7, NW]) Por, si do të mund ta mbante Jezui atë pozitë nëse do të vdiste? Në harmoni me profecitë e lidhura me Mesinë, Perëndia e ringjalli Jezuin ditën e tretë pas vdekjes. (Psalmi 16:8-11; Isaia 53:10, 12; krahaso Mateu 28:1-7; Luka 24:44-46; Veprat 2:24-32; 1. Korintasve 15:3-8) Perëndia e risolli atë në jetë, jo si njeri, pasi ai e ofroi jetën e vet të përsosur njerëzore si flijim, por si një krijesë të fuqishme frymore, duke pritur në krahun e djathtë të Perëndisë, për udhëzime të mëtejshme.—Psalmi 110:1; Veprat 2:33-35; Hebrenjve 10:12, 13.
24-26. Në ç’mënyrë Dëshmitarët e Jehovait marin pjesë në plotësimin e profecisë së Isaisë?
24 Mbreti David shkroi se në kohën kur Mesia do të fillonte së sunduari, «populli i Perëndisë do të paraqitej vetë, vullnetarisht.» (Psalmi 110:3) Megjithëse kushtet botërore po keqësohen gjithnjë e më shumë nga viti i caktuar 1914, është plotësuar, gjithashtu, edhe aspekti pozitiv i profecisë; populli i Perëndisë e ka ofruar vullnetarisht kohën e vet, për predikimin e «lajmit të mirë të mbretërisë në të gjithë tokën e banuar, për dëshmi në të gjitha kombet». (Mateu 24:14, NW) Për shembull, çdo vit Dëshmitarët harxhojnë me qindra milionë orë, duke u folur njerëzve mbi Mbretërinë e Perëndisë dhe duke udhëhequr studime biblike në shtëpi, pa pagesë, me ata që interesohen për shqyrtimin e fakteve.
25 Gjithë kjo kohë jepet falas. Ata që kryejnë këtë vepër janë nga çdo shtresë shoqërore, çdo moshë dhe nga çdo profesion që mund të imagjinohet. Këta janë përshkruar në Isaian 2:3, me fjalët: «Shumë njerëz do të shkojnë dhe do të thonë: ‘Ejani, le të shkojmë në Malin e ZOTIT [hebraisht, יהוה, Jehova].’» Kjo nuk është thjesht një fushatë për «të fituar shpirtëra». Është një program edukativ me përmasa botërore me dy qëllime: (1) të njoftojë njerëzit e çdo kombi se Mbretëria e Perëndisë po qeveris dhe t’u thotë saktësisht se ç’do të bëjë ajo së shpejti dhe (2) të edukojë, pa pagesë, të gjithë ata që dëshirojnë të shqyrtojnë fakte dhe t’i shërbejnë Perëndisë së gjallë, ashtu si dëshiron ai. Suksesi i veprës dhe plotësimi i profecisë janë të siguruara. Përse? Sepse pas kësaj qëndron vetë Perëndia Jehova.—Zaharia 4:6.
26 A nuk është e logjikshme të shihet vepra e Dëshmitarëve të Jehovait si plotësim i kësaj profecie të Isaisë 2:3? A njeh dikë tjetër që kryen këtë vepër? Apo mendon se kjo është vetëm një koincidencë që miliona njerëz gjejnë kohë në jetën e tyre, për të folur mbi një lajm të profetizuar rreth 2.000 vjet më parë, lajm që duhej të lajmërohej gjatë një kohe me ndryshime pa precedent? Po, në këto ditë të fundit, Dëshmitarët e Jehovait janë bërë «dritë për kombet». (Isaia 42:6; 49:6) Janë e vetmja vëllazëri ndërkombëtare që i shërben Perëndisë Jehova, e bashkuar dhe në paqe, nën drejtimin e Mesisë, «rrënjës së Jeseut», që e shpallin si «sinjal» për kombet.—Isaia 11:10, NW, JP.
[Shënimet]
a Disa pohojnë se këto shkrime janë kontradiktore apo se kundërshtojnë Shkrimet Hebreje. Mirëpo, shqyrtimi i këtyre të ashtuquajturave kontradikta, dëshmon se nuk është ashtu. Në të vërtetë, këtu zbatohet i njëjti kriter që zbatohej edhe për të ashtuquajturat kontradikta brenda vetë Shkrimeve Hebreje. (Shiko faqet 6 dhe 8, paragrafët 9-12.) Pasi të gjithë të krishterët e parë, duke përfshirë edhe ata që shkruan librat që përbëjnë Shkrimet e Krishtere Greke, ishin hebrenj, ata nuk nxitën antisemitizmin, si edhe profetët hebrenj para tyre që denoncuan krerët fetarë të kohës së tyre.
b Në mes të hebrenjve të shekullit të parë, ekzistonte një kuptim i përgjithshëm se kjo profeci do të plotësohej në kohën e tyre. (Luka 3:15) Në veprën e tij De Termino Vitae (Mbi fundin e jetës) një rabin i shekullit të 17-të, Menasseh ben Israel, shkroi: «Kuptimi që disa u japin atyre 70 javëve, është se në përfundim të tyre do të vinte Mesia që do t’i vendoste si qeveritarë të mbarë botës. Në të vërtetë, të gjithë ata që në atë kohë rrokën armët kundër romakëve, kishin atë mendim.»
c Parafrazimi i vjetër aramaik i hebraishtes, ose Targumi, i Mikeas 5:1 konstaton: «Nga [Betlehemi] Mesia do të dalë para meje.»
d Historiani hebre Joseph Klausner shkroi: «Një njeri si Jezui, për të cilin ideali etik ishte gjithçka, ishte diçka e padëgjuar për judaizmin e kohës. . . . Prandaj, mësimi i tij etik, është dukshëm mbi atë të Pirkē Aboth-it dhe të çdo literature tjetër të Talmudit dhe Midrashit. Ai nuk humbet në detin e urdhrave ligjore dhe neneve të informatave botërore.»
e Për një tregim të plotë mbi jetën dhe shërbimin e Jezuit, shiko librin Njeriu më i madh i cili ka jetuar ndonjëherë, botuar nga Watchtower Bible and Tract Society of New York, Inc.
f Apostulli Pavël iu referua Jezuit si «Adami i dytë», vdekja e të cilit ka sjellë shlyerjen e mëkatit të trashëguar nga Adami. (1. Korintasve 15:45-47; Romakëve 5:12, 15-19) Për më shumë informata se përse një përgatitje e tillë ishte e domosdoshme, shiko faqen 14, paragrafët 15, 16 dhe shënimin.
g Nën këtë dritë, e gjithë historia e Abrahamit merr një kuptim të ri. Perëndia nuk kërkonte nga Abrahami që të vriste të birin vetëm për të provuar besimin e tij, por edhe për të paraqitur një dramë simbolike, në mënyrë që njerëzit të kuptonin që vetë Perëndia do të siguronte një flijim, dikë që ishte mjaft i dashur për të, për dobinë e përhershme të njerëzimit. Ai që do të sigurohej, do të ishte vetë Fara e Abrahamit, përmes së cilës Perëndia kishte premtuar se «do të bekoheshin të gjitha kombet në tokë.» (Zanafilla 22:10-12, 16-18; krahaso Gjoni 3:16, NW) Ngjashmëria dhe koncepti janë mjaft të pastra dhe mjaft specifike për të qenë një koincidencë apo një trillim i mençur njerëzish.
h Duke përmendur «kohët e caktuara të kombeve», është e dukshme se Jezui iu referua profecisë së Danielit 4:10-34 (4:10-37, NW) Për një shpjegim më të thellë të kësaj profecie, shiko Insight on the Scriptures, (angl.), vol. 1, faqe 132-135 dhe librin «Let Your Kingdom Come» (Ardhtë mbretëria jote, angl.), kap. 14 dhe shtojcën, botuar nga Watchtower Bible and Tract Society of New York, Inc.
[Kutia në faqen 26]
KUSH ISHTE «I MIROSURI»? KUR DUHEJ TË VINTE?
Danieli 9:24 (JP): «Shtatëdhjetë javë janë vendosur mbi popullin tënd.»
◆ Cili është qëllimi i periudhës së përmendur kohore?
«T’i japë fund mëkatit, të falë ligësinë dhe të sjellë drejtësinë e përhershme, të vulosë vizionin dhe profecinë.» Këto fjalë mjaftojnë për të kuptuar se kjo duhej të ishte njëra nga profecitë më të rëndësishme të Shkrimeve.
Danieli 9:26 (JP): «Pas gjashtëdhjetë e dy javëve, i mirosuri [«Mesia», hebraisht, Mashiach] do të pritet dhe nuk do të jetë më.» Vërej se prerja apo vdekja e Mesisë, do të ndodhte para shkatërrimit të tempullit të dytë në vitin 70 të e.s., ashtu siç thotë vargu në vazhdim: «Dhe njerëzit e një princi që do të vijë, do ta shkatërrojnë qytetin dhe shenjtëroren.»
◆ Si e kuptojnë këtë profeci komentuesit hebrenj?
Nuk ekziston ndonjë kriter i veçantë intepretimi për këtë profeci, që të jetë pranuar nga komentuesit hebrenj. Disa përpiqen të lidhin disa pjesë të saj me kthimin nga mërgimi babilonas (539-537 p.e.s.), të tjerë me periudhën e rebelimit të makabeasve kundër forcave të helenizmit (168-165 p.e.s.), disa e lidhin me shkatërrimin e tempullit të dytë nga romakët në vitin 70 të e.s. dhe të tjerë i lidhin disa pjesë të profecisë me ardhjen e Mesisë, që ende pritej.
Në përgjithësi, mund të thuhet se interpretimet e hebrenjve të sotëm nuk janë të mjaftueshme në dy pika themelore:
1. Ata kanë prirje për të zvogëluar rëndësinë e kësaj profecie, duke mos përfillur plotësisht qëllimin e saj të njohur, që t’i japë fund mëkatit dhe padrejtësisë dhe të vendosë drejtësinë e përhershme.
2. Asnjë nga këto shpjegime standarde, nuk i përshtatet saktësisht ndonjë llogaritjeje të logjikshme të kohës, gjë që ishte edhe qëllimi i dhënies së kësaj profecie të Danielit në atë formë që të mund të përdorej për të përcaktuar se kur do të ndodhte plotësimi i saj.—Krahaso Danieli 9:2.
◆ A ka ndonjë shpjegim për këtë profeci, që të jetë në harmoni me qëllimin e saj të shpallur dhe me faktet historike?
Vërej pjesën që vijon:
Shtatëdhjetë javë: Komentuesit hebrenj, janë pothuajse unanimisht dakort se kjo nënkupton javë vjetore, me fjalë të tjera, 490 vjet. Kjo përputhet me llogaritjen profetike të Shkrimeve «një vit për çdo ditë».—Numrat 14:34; Levitiku 25:8; Ezekieli 4:6.
◆ Prej daljes së fjalës për përtëritjen dhe ndërtimin e Jeruzalemit: Nehemia tregon se në vitin e 20-të të mbretit Artakserks, ai mori autorizimin për përtëritjen dhe rindërtimin e Jeruzalemit. Kjo ndodhi në vitin 455 p.e.s.—Nehemia 2:1-8; shiko Insight on the Scriptures (ang.), vol. 2, faqe 614-616, 899, 900, botuar nga Watchtower Bible and Tract Society of New York, Inc.
Shtatë javë: Të shtatë javët (vjetore, apo 49 vjet) kanë lidhje me periudhën e përfundimit të përtëritjes së qytetit, Jeruzalemit.
Gjashtëdhjetë e dy javët: Gjashtëdhjetë e dy javët (vjetore, apo 434 vitet), tregojnë periudhën pas përfundimit të qytetit, deri tek ardhja e Mesisë.i
Duke llogaritur së bashku këto dy periudha kohore, kemi 69 javët vjetore apo 483 vitet. Duke llogaritur që nga pika fillestare e vitit 455 p.e.s., shohim se java e 69-të përfundon në vitin 29 të e.s.
29 e.s.: Një hebre i quajtur Jezu (hebraisht, Yeshua), i lindur në Betlehem dhe i rritur në Nazaret, nga brezi i Davidit, filloi predikimin përgjatë vendit të Izraelit.—Luka 3:1-3, 21, 22.
◆ «Dhe pas gjashtëdhjetë e dy javëve Mesia do të pritet» (Danieli 9:26, NW): Në vitin 33 të e.s., Jezui u vra, pasi predikoi për tre vjet e gjysëm. Kjo përputhet me atë që thotë Danieli 9:27.
◆ «Ai do të bëjë që të pushojnë flijimet dhe ofrimet e dhuratave» (Danieli 9:27, NW): Jezui foli për vdekjen e vet si për një flijim. (Mateu 20:28) Në sytë e Perëndisë ky ishte kulmi i flijimeve të ofruara nën besëlidhjen e Ligjit. (Hebrenjve 8:1-13) Vdekja flijuese e Jezuit siguroi themelin për gjithçka që ishte përmendur në Danielin 9:24.
Do të sillte faljen e mëkatit.
Vërtetoi premtimet dhe profecitë e Perëndisë.
Siguroi një themel ligjor në përputhje me rregullat e Perëndisë për drejtësi të përhershme në të ardhmen.
Siç tregon profecia, e gjithë kjo ndodhi, para shkatërrimit të tempullit të dytë.
A nuk do të ishte një dështim i qëllimit të shpallur çdo shpjegim tjetër që do të tregonte një plotësim të mëparshëm?
Po të tregohej ndonjë plotësim i ardhshëm i kësaj profecie, kjo do të kërkonte shumë më tepër kohë, se periudha e saj prej 70 javësh vjetore dhe s’do të ndodhte para shkatërrimit të tempullit të dytë të Jeruzalemit.
[Shënimi]
i Shenjat e pikësimit të gjetura në tekstin e sotëm hebrej (teksti origjinal hebrej nuk ka pasur zanore apo shenja pikësimi), që kanë shkaktuar një kuptim të ndryshëm të kësaj ndarjeje të kohës, nuk janë origjinale, por janë shtuar nga skribët e periudhës mesjetare, të cilëve me sa duket nuk u ka pëlqyer interpretimi që ky tekst u plotësua tek Jezui.
[Kutia në faqen 28]
«SHËRBËTORI IM»—KUSH ËSHTË AI?
«‘Vërtet, Shërbëtorin tim . . . njerëzit e përbuzën, e shmangën . . . Nuk e llogaritën për asgjë. Ndërsa ai ka mbajtur sëmundjet tona, ka duruar vuajtet tona. . . . Por, është plagosur për mëkatet tona, është shtypur për shkak të padrejtësive tona. . . . Ne të gjithë ishim në rrugë të gabuar, si delet . . . Dhe ZOTI lëshoi mbi të fajin e të gjithë neve.’ . . . Megjithatë, ai nuk bëri padrejtësi dhe nuk foli gënjeshtra . . . ‘Shërbëtori im i drejtë e bën të drejtë shumicën, dënimin e tyre do të mbajë . . . Ai ia ekspozoi veten [«derdhi shpirtin e vet», NW] vdekjes dhe u numërua midis mëkatarëve, ndërsa mban fajet e shumicës dhe ndërmjetëson për mëkatarët.’»—Isaia 52:13–53:12.
Përshkrimi që paraqet këtu Isaia, është i një individi plotësisht të pafajshëm, të pastër, vuajtja dhe vdekja e të cilit siguroi shlyerjen e fajit për kombin e tij, që nuk e pranoi.
Mirëpo, sot, pjesa më e madhe e komentuesve hebrenj e pranon si një fakt të vendosur që referimi ka të bëjë me popullin izraelit si tërësi apo me një grup të drejtë brenda kombit.
Pyetja është: A i është përshtatur ndonjëherë këtij përshkrimi kombi izraelit, ose edhe ndonjë pjesë e tij, apo ky zbatohet për një individ?
Për më tepër se 800 vjet, pasi Isaia i shkroi këto fjalë të profecisë (në 732 p.e.s.), nuk ka asnjë shënim të ndonjë hebreu apo rabini, që të ketë mësuar se ky «shërbëtor» duhej parë në një kuptim të përgjithshëm. Gjatë gjithë kësaj periudhe, kuptimi unanim ishte se profecia i referohej një individi dhe në përgjithësi u konsiderua si një profeci e lidhur me Mesinë.
Përveç kësaj, vër re edhe komentin e parathënies së librit The Fifty–Third Chapter of Isaiah According to the Jewish Interpreters: «Interpretime hebreje, të mbijetuara prej fundit të periudhës amoreje [deri në shekullin e gjashtë të e.s.] sugjerojnë se atëherë shumë shpesh, ndoshta edhe në përgjithësi, pranohej pa asnjë dyshim se figura e përmendur ishte Mesia, interpretim që diçka më vonë, u bë natyrisht edhe nga Targumi.»—Botuar nga H. M. Orlinsky, 1969, faqe 17.
Cili mund të jetë shkaku i refuzimit dhe i interpretimit të sërishëm të kuptimit më të natyrshëm se ky shkrim i referohet një individi, Mesisë? A nuk ishte thjesht një përpjekje për të shmangur çfarëdo lidhje midis kësaj profecie dhe Jezuit, hebreut të shekullit të parë që i përshtatet përshkrimit të saj në çdo hollësi?
[Figura në faqen 25]
Dëshmitarët e Jehovait, që shihen këtu pranë Detit të Galilesë, në Izrael, veprojnë, gjithashtu, në mbarë botën, duke ftuar njerëz nga të gjitha kombet, që të mësojnë më tepër mbi qëllimet dhe kërkesat e Perëndisë