KAPITULLI 21
Mbretëria e Perëndisë zhduk armiqtë e saj
1, 2. (a) Cila dëshmi tregon se Mbreti ynë ka filluar të qeverisë që nga 1914-a? (b) Çfarë do të shqyrtojmë në këtë kapitull?
KA QENË besimforcuese të shihnim çfarë ka arritur Mbretëria e Perëndisë mes armiqve të saj. (Psal. 110:2) Mbreti ynë ka organizuar një ushtri predikuesish vullnetarë, si dhe ka pastruar e rafinuar dishepujt frymësisht e moralisht. Me gjithë përpjekjet e armiqve të Mbretërisë për të na përçarë, gëzojmë unitet mbarëbotëror. Këto e shumë arritje të tjera të Mbretërisë që kemi trajtuar, japin dëshmi të jashtëzakonshme se Mbreti ynë ka nisur të qeverisë mes armiqve të Mbretërisë që nga 1914-a.
2 Mbretëria do të bëjë së shpejti gjëra edhe më të mrekullueshme. ‘Do të vijë’ që ‘të thërrmojë dhe t’u japë fund’ armiqve të saj. (Mat. 6:10; Dan. 2:44) Por, para se të vijë ajo kohë, do të ndodhin ngjarje të tjera domethënëse. Cilat? Disa profeci biblike i përgjigjen kësaj pyetjeje. Të shqyrtojmë disa prej tyre për të kuptuar cilat ngjarje presim akoma.
Pak para ‘shkatërrimit të beftë’
3. Cila është ngjarja e parë që presim?
3 Shpallet paqja. Kur u shkroi selanikasve, apostulli Pavël përshkroi ngjarjen e parë që presim. (Lexo 1 Selanikasve 5:2, 3.) Në këtë letër, Pavli përmend ‘ditën e Jehovait’, e cila do të nisë kur të sulmohet «Babilonia e Madhe». (Zbul. 17:5) Mirëpo, pak para se të fillojë dita e Jehovait, kombet do të jenë duke thënë: «Paqe dhe siguri!» Kjo shprehje mund t’i referohet një shpalljeje ose një serie deklaratash të spikatshme. A do të përfshihen udhëheqësit fetarë? Meqë janë pjesë e botës, ka të ngjarë që edhe ata të bashkohen me kombet e të thonë: «Ka paqe!» (Jer. 6:14; 23:16, 17; Zbul. 17:1, 2) Kjo shpallje për paqe dhe siguri do të sinjalizojë se dita e Jehovait është në prag. Armiqtë e Mbretërisë së Perëndisë «kurrsesi nuk do të shpëtojnë».
4. Si nxjerrim dobi ngaqë e kuptojmë domethënien e profecisë së Pavlit për shpalljen paqe dhe siguri?
4 Si nxjerrim dobi ngaqë e kuptojmë domethënien e kësaj profecie? Pavli thotë: «Nuk jeni në errësirë, që ajo ditë t’ju zërë si hajdutët.» (1 Sel. 5:3, 4) Ndryshe nga njerëzimi në përgjithësi, ne e dallojmë ku çojnë ngjarjet e sotme. Si do të plotësohet saktësisht kjo profeci për paqe dhe siguri? Duhet të presim e të shohim ç’do të ndodhë. Ndaj le «të rrimë zgjuar dhe të ruajmë gjykimin».—1 Sel. 5:6; Sof. 3:8.
Fillon shtrëngimi i madh
5. Çfarë do të shënojë fillimin e ‘shtrëngimit të madh’?
5 Sulmohet feja. Sill ndër mend se Pavli shkroi: «Kur të thonë: ‘Paqe dhe siguri!’, atëherë një shkatërrim i beftë do të bjerë në çast mbi ta.» Ashtu si shkreptima e rrufesë pasohet shpejt nga gjëmimi i bubullimës, po kështu koha kur të thuhet: «Paqe dhe siguri!», do të pasohet në çast nga një «shkatërrim i beftë». Çfarë do të shkatërrohet? E para, «Babilonia e Madhe», perandoria botërore e fesë së rreme e njohur edhe si «prostituta». (Zbul. 17:5, 6, 15) Shkatërrimi i krishterimit të rremë dhe i të gjitha organizatave të tjera të rreme fetare shënon fillimin e ‘shtrëngimit të madh’. (Mat. 24:21; 2 Sel. 2:8) Për shumë njerëz, kjo ngjarje do të ndodhë befasisht. Pse? Sepse deri në atë moment, prostituta do ta konsiderojë veten porsi «mbretëreshë» që ‘nuk do të vajtojë kurrë’. Por papritur do të zbulojë se siguria e saj ishte e pavend. Ajo do të zhduket shumë shpejt, si «në një ditë të vetme».—Zbul. 18:7, 8.
6. Çfarë ose kush do ta ndërmarrë sulmin kundër ‘Babilonisë së Madhe’?
6 Çfarë ose kush do ta ndërmarrë sulmin kundër ‘Babilonisë së Madhe’? «Një bishë» me «dhjetë brirë». Libri i Zbulesës tregon se bisha përfaqëson Kombet e Bashkuara (OKB). Dhjetë brirët paraqesin të gjitha fuqitë e tanishme politike që mbështetin këtë «bishë me ngjyrë të kuqe të ndezur». (Zbul. 17:3, 5, 11, 12) Sa shkatërrimtar do të jetë sulmi? Kombet e OKB-së do t’ia plaçkitin pasurinë prostitutës, do ta gllabërojnë dhe «do ta djegin krejtësisht me zjarr».—Lexo Zbulesën 17:16.a
7. Si u plotësuan në shekullin e parë të e.s., fjalët e Jezuit te Mateu 24:21, 22 dhe çfarë plotësimi do të kenë në të ardhmen?
7 Shkurtohen ditët. Mbreti ynë zbuloi çfarë do të ndodhë në këtë moment, gjatë shtrëngimit të madh. Jezui tha: «Për hir të të zgjedhurve, ato ditë do të shkurtohen.» (Lexo Mateun 24:21, 22.) Fjalët e Jezuit u plotësuan në shkallë të vogël më 66 të e.s., kur Jehovai ‘shkurtoi’ sulmin e ushtrisë romake ndaj Jerusalemit. (Mar. 13:20) Falë kësaj, të krishterët në Jerusalem dhe në Jude shpëtuan. Çfarë do të ndodhë më pas, në shkallë globale, gjatë shtrëngimit të madh që presim? Jehovai, me anë të Mbretit tonë, ‘do të shkurtojë’ sulmin e Kombeve të Bashkuara kundër fesë, që feja e vërtetë të mos shkatërrohet bashkë me të rremen. Kështu, ndërsa të gjitha organizatat e rreme fetare do të shkatërrohen, feja e vetme e vërtetë do të mbijetojë. (Psal. 96:5) Të shohim çfarë ngjarjesh do të ndodhin pasi të ketë kaluar kjo pjesë e shtrëngimit të madh.
Ngjarjet që çojnë në Harmagedon
8, 9. Për çfarë dukurish mund ta kishte fjalën Jezui dhe si do të reagojnë njerëzit kur t’i vënë re?
8 Profecia e Jezuit për ditët e fundit tregon se do të ndodhin disa ngjarje domethënëse gjatë kohës që çon në Harmagedon. Dy ngjarjet e para që do të shqyrtojmë janë përmendur në Ungjillin e Mateut, të Markut dhe të Lukës.—Lexo Mateun 24:29-31; Mar. 13:23-27; Luka 21:25-28.
9 Dukuri qiellore. Jezui parathotë: «Dielli do të errësohet e hëna nuk do të japë dritën e saj. Yjet do të bien nga qielli.» Pa dyshim, udhëheqësit fetarë nuk do të shihen si dritë—njerëzit nuk do të kërkojnë më drejtim prej tyre. A po fliste Jezui edhe për një shenjë të mbinatyrshme në qiell? Ndoshta po. (Isa. 13:9-11; Joe. 2:1, 30, 31) Si do të reagojnë njerëzit nga ajo që do të vënë re? «Do të jenë në ankth, sepse nuk do të dinë nga t’ia mbajnë.» (Luka 21:25; Sof. 1:17) Po, armiqtë e Mbretërisë së Perëndisë, nga ‘mbretërit te skllevërit’, «do të mpaken nga frika dhe nga pritja e gjërave që do të ndodhin» e do të vrapojnë për t’u fshehur. Gjithsesi nuk do të gjejnë asnjë vend të fshehtë mjaft të sigurt që t’i shpëtojnë zemërimit të Mbretit tonë.—Luka 21:26; 23:30; Zbul. 6:15-17.
10. Çfarë gjykimi do të shpallë Jezui dhe si do të reagojnë përkrahësit dhe kundërshtarët e Mbretërisë së Perëndisë?
10 Shpallet gjykimi. Të gjithë armiqtë e Mbretërisë së Perëndisë do të detyrohen të shohin një ngjarje që do t’ua rëndojë agoninë. Jezui thotë: «Do të shohin Birin e njeriut që do të vijë në re me fuqi dhe lavdi të madhe.» (Mar. 13:26) Kjo shfaqje e mbinatyrshme fuqie do të sinjalizojë se Jezui ka ardhur që të shpallë gjykimin. Më tej në profecinë për ditët e fundit, Jezui jep më shumë hollësi për gjykimin që do të shpallë. Këtë informacion e gjejmë në shëmbëlltyrën e deleve dhe të cjepve. (Lexo Mateun 25:31-33, 46.) Përkrahësit besnikë të Mbretërisë së Perëndisë do të gjykohen si ‘dele’ dhe ‘do të ngrenë kokën lart’, sepse ‘çlirimi po afrohet’. (Luka 21:28) Kurse kundërshtarët e Mbretërisë do të gjykohen si ‘cjep’ dhe «do të godasin gjoksin e do të vajtojnë», sepse i pret ‘vdekja e përhershme’.—Mat. 24:30; Zbul. 1:7.
11. Çfarë duhet të mbajmë parasysh ndërsa shqyrtojmë ngjarjet e ardhshme?
11 Pasi Jezui të shpallë gjykimin e tij ndaj ‘tërë kombeve’, duhet të ndodhin disa ngjarje domethënëse para se lufta e Harmagedonit të fillojë. (Mat. 25:32) Do të trajtojmë dy nga këto ngjarje: sulmin e Gogut dhe mbledhjen e të mirosurve. Ndërsa shqyrtojmë këto dy ngjarje, është mirë të mbajmë parasysh se Fjala e Zotit nuk e zbulon kohën e saktë kur do të ndodhin. Në fakt, duket se pa mbaruar njëra ngjarje do të fillojë tjetra.
12. Cili do të jetë sulmi i pamëshirshëm i Satanait kundër Mbretërisë?
12 Një sulm i pamëshirshëm. Gogu i Magogut do të sulmojë mbetjen e mirosur dhe shokët e tyre, delet e tjera. (Lexo Ezekielin 38:2, 11.) Ky sulm kundër qeverisjes së Mbretërisë do të jetë beteja e fundit e luftës që Satanai ka bërë kundër mbetjes së mirosur që kur u dëbua nga qielli. (Zbul. 12:7-9, 17) Satanai është përpjekur të shkatërrojë begatinë e tyre frymore veçanërisht që kur të mirosurit filluan të mblidheshin në kongregacionin e krishterë të përtërirë, por pa sukses. (Mat. 13:30) Sidoqoftë, Satanai do të shohë një mundësi të artë në momentin kur të gjitha organizatat e rreme fetare të jenë shkatërruar dhe kur populli i Perëndisë të banojë në dukje ‘i parrethuar me mure dhe pa derë e shul’. Ai do t’i nxitë forcat e tij të liga të hidhen në një sulm të pamëshirshëm ndaj përkrahësve të Mbretërisë.
13. Si do të ndërhyjë Jehovai për popullin e tij?
13 Ezekieli përshkruan çfarë do të ndodhë. Për Gogun, profecia thotë: «Ti do të vish nga vendi yt, nga viset më të thella të veriut, bashkë me shumë popuj, që të gjithë të hipur në kuaj, një turmë e madhe dhe një ushtri e madhe. Ke për t’u sulur mbi Izraelin, popullin tim, si retë që mbulojnë vendin.» (Ezek. 38:15, 16) Cila do të jetë përgjigjja e Jehovait ndaj këtij pushtimi në dukje të pandalshëm? Jehovai pohon: «Mua do të më hipë tërbimi» dhe «unë do të thërras kundër tij shpatën». (Ezek. 38:18, 21; lexo Zakarinë 2:8.) Jehovai do të ndërhyjë për shërbëtorët e tij në tokë. Kjo ndërhyrje është lufta e Harmagedonit.
14, 15. Cila ngjarje tjetër do të ndodhë diku pas fillimit të sulmit të pamëshirshëm të Satanait?
14 Para se të konsiderojmë si do ta mbrojë Jehovai popullin e tij gjatë luftës së Harmagedonit, të ndalemi për një çast dhe të shqyrtojmë një ngjarje tjetër domethënëse. Kjo ngjarje do të ndodhë diku pas fillimit të sulmit të pamëshirshëm të Satanait dhe para fillimit të ndërhyrjes së Jehovait në Harmagedon. Siç e kemi parë në paragrafin 11, kjo ngjarje e dytë është mbledhja e të mirosurve që janë ende në tokë.
15 Mblidhen të mirosurit. Si Mateu, edhe Marku dokumentuan thënien e Jezuit për ‘të zgjedhurit’—të krishterët e mirosur nga fryma—brenda një serie ngjarjesh që do të ndodhin para shpërthimit të Harmagedonit. (Shih paragrafin 7.) Duke folur për veten si Mbret, Jezui profetizon: «Atëherë ai do të dërgojë engjëjt dhe do t’i mbledhë të zgjedhurit e tij nga të katër anët, nga skaji i tokës deri në skajin e qiellit.» (Mar. 13:27; Mat. 24:31) Për cilën mbledhje e ka fjalën këtu Jezui? Ai nuk po flet për vulosjen përfundimtare të mbetjes së të krishterëve të mirosur, që do të ndodhë pak para se shtrëngimi i madh të fillojë. (Zbul. 7:1-3) Përkundrazi, Jezui po i referohet një ngjarjeje që do të ndodhë gjatë shtrëngimit të madh që presim. Kështu që, me sa duket, diku pas fillimit të sulmit të pamëshirshëm të Satanait ndaj popullit të Perëndisë, të mirosurit që janë ende në tokë do të mblidhen në qiell.
16. Çfarë roli do të kenë të mirosurit e ringjallur në luftën e Harmagedonit?
16 A do të përfundojë mbledhja e mbetjes së të mirosurve para ngjarjes që do të ndodhë më pas, Harmagedonit? Koha e mbledhjes tregon se të gjithë të mirosurit do të jenë në qiell para se të fillojë Harmagedoni, lufta e Perëndisë. Në qiell, 144.000 bashkëqeveritarët do të marrin autoritet, që bashkë me Krishtin të shkatërrojnë me «një shkop të hekurt» të gjithë armiqtë e Mbretërisë së Perëndisë. (Zbul. 2:26, 27) Më pas, së bashku me engjëjt e fuqishëm, të mirosurit e ringjallur do të ndjekin Krishtin, Mbretin-Luftëtar, kur të niset që të përballet me ‘ushtrinë e madhe’ të armiqve, e cila po rrethon prenë e vet—popullin e Jehovait. (Ezek. 38:15) Kur të ndodhë kjo përballje e dhunshme, fillon lufta e Harmagedonit!—Zbul. 16:16.
Finalja madhështore e shtrëngimit të madh
17. Çfarë do t’u ndodhë ‘cjepve’ gjatë Harmagedonit?
17 Ekzekutohet gjykimi. Lufta e Harmagedonit do të jetë finalja e shtrëngimit të madh. Në këtë moment, Jezui do të marrë edhe një caktim tjetër. Përveç rolit si Gjykatësi i ‘tërë kombeve’, ai do të bëhet edhe Ekzekutuesi i kombeve, pra i të gjithë njerëzve që më parë i ka gjykuar si ‘cjep’. (Mat. 25:32, 33) Me ‘një shpatë të gjatë dhe të mprehtë’, Mbreti ynë ‘do të godasë kombet’. Po, të gjithë ata ngjashëm cjepve, nga ‘mbretërit te skllevërit’, «do të përfundojnë në vdekjen e përhershme».—Zbul. 19:15, 18; Mat. 25:46.
18. (a) Si do të ndryshojnë rrethanat për «delet»? (b) Si do ta plotësojë Jezui fitoren e tij?
18 Ç’ndryshim rrethanash për ata që Jezui i gjykoi si ‘dele’! ‘Shumica e madhe’ me ‘dele’, në dukje të pambrojtura, nuk do të shtypen nga ushtria e madhe e ‘cjepve’ të Satanait, por do t’i mbijetojnë sulmit të armikut dhe ‘do të dalin nga shtrëngimi i madh’. (Zbul. 7:9, 14) Më tej, pasi Jezui të ngadhënjejë e t’i zhdukë gjithë armiqtë njerëzorë të Mbretërisë së Perëndisë, do të hedhë Satanain dhe demonët e tij në humnerë. Këtu ata do të mbahen si në vdekje, në një gjendje joaktive për 1.000 vjet.—Lexo Zbulesën 6:2; 20:1-3.
Si të përgatitemi?
19, 20. Si mund ta zbatojmë mësimin që përmbajnë fjalët e Isaisë 26:20 dhe 30:21?
19 Si të përgatitemi për ngjarjet tronditëse që presim? Kulla e Rojës tha disa vjet më parë: «Mbijetesa do të varet nga bindja.» Pse? Përgjigjen e gjejmë në paralajmërimin që Jehovai u dha judenjve të robëruar në Babiloninë e lashtë. Jehovai paratha se Babilonia do të pushtohej. Çfarë duhej të bënte populli i Perëndisë që të përgatitej për këtë ngjarje? Jehovai tha: «Shko, populli im, hyr në dhomat ku je më i sigurt dhe mbylli dyert. Fshihu veç për një çast, derisa të kalojë indinjata.» (Isa. 26:20) Vër re se foljet: «shko», «hyr», «mbylli», «fshihu» në këtë varg janë të gjitha në mënyrën urdhërore. Judenjtë që ua vunë veshin këtyre urdhrave duhet të kenë qëndruar në shtëpi, larg ushtarëve pushtues nëpër rrugë. Ata mbijetuan, ngaqë iu bindën udhëzimeve të Jehovait.b
20 Çfarë mësojmë? Si në rastin e atyre shërbëtorëve të lashtë të Perëndisë, mbijetesa jonë në ngjarjet e ardhshme do të varet nga bindja ndaj udhëzimeve të Jehovait. (Isa. 30:21) Këto udhëzime i marrim në kongregacion. Ndaj duam të zhvillojmë bindje nga zemra për drejtimin që marrim. (1 Gjon. 5:3) Nëse bëjmë kështu sot, do të jemi më të prirur të bindemi me gatishmëri në të ardhmen, dhe Ati ynë, Jehovai, me Mbretin Jezu do të na mbrojnë. (Sof. 2:3) Falë mbrojtjes hyjnore, do të shohim me sytë tanë si do t’i zhdukë një herë e mirë Mbretëria e Perëndisë armiqtë e saj. Ç’ngjarje e paharrueshme do të jetë!
a Duket e arsyeshme që shkatërrimi i ‘Babilonisë së Madhe’ t’i referohet kryesisht shkatërrimit të institucioneve fetare e jo një masakre ndaj gjithë njerëzve fetarë. Prandaj, shumica e ish-besimtarëve të Babilonisë do t’i mbijetojnë këtij shkatërrimi dhe, të paktën në dukje, ka të ngjarë që më pas të distancohen nga feja, siç tregohet te Zakaria 13:4-6.
b Për më shumë informacion, shih Profecitë e Isaisë—Dritë për gjithë njerëzimin I, faqet 282-283.