Ditët e fundit
Përkufizimi: Bibla përdor shprehjen «ditët e fundit» për t’iu referuar periudhës kohore përfundimtare, që çon në ekzekutimin e caktuar nga Perëndia i cili shënon fundin e një sistemi. Sistemi judaik me adhurimin që kishte si qendër tempullin e Jerusalemit, i përjetoi ditët e tij të fundit gjatë periudhës që arriti kulmin me shkatërrimin e atij sistemi në vitin 70 të e.s. Ajo që ndodhi atëherë, ishte një ilustrim i gjërave që do të ndodhnin në një masë shumë më të madhe dhe në shkallë botërore në kohën kur të gjitha kombet do të përballeshin me ekzekutimin e gjykimit të dekretuar nga Perëndia. Sistemi i sotëm i lig, i cili shtrihet në të gjithë botën, hyri në ditët e tij të fundit në vitin 1914.
Ç’gjë tregon se po jetojmë në «ditët e fundit»?
Bibla përshkruan ngjarjet dhe kushtet që shënojnë këtë periudhë kohore të rëndësishme. «Shenja» e «ditëve të fundit» është e përbërë dhe përfshin shumë dëshmi; kështu përmbushja e saj kërkon që të gjitha veçoritë e shenjës të jenë qartësisht të dukshme gjatë një periudhe të historisë. Veçoritë e ndryshme të shenjës janë shkruar te Mateu kapitujt 24, 25; Marku 13 dhe Luka 21; hollësi të tjera ka te 2 Timoteut 3:1-5; 2 Pjetrit 3:3, 4 dhe te Zbulesa 6:1-8. Për ta ilustruar, do të shqyrtojmë disa pjesë të spikatura të shenjës.
«Do të ngrihet komb kundër kombi dhe mbretëri kundër mbretërie» (Mat. 24:7)
Lufta e ka dëmtuar jetën në tokë për mijëra vjet. Janë bërë luftëra ndërkombëtare dhe luftëra brenda një shteti. Megjithatë në vitin 1914 shpërtheu lufta e parë botërore. Ky nuk ishte thjesht një konflikt midis dy ushtrive në fushën e betejës. Për herë të parë, gjithë fuqitë më të mëdha ishin në luftë. Kombe të tëra, përfshirë edhe popullsinë civile, ishin mobilizuar për të mbështetur luftën. Llogaritet se nga fundi i luftës, në të ishte përfshirë 93 për qind e popullsisë së botës. (Në lidhje me domethënien historike të vitit 1914, shih faqet 86, 87.)
Siç ishte parathënë te Zbulesa 6:4, ‘nga toka u hoq paqja’. Pra, që nga viti 1914, bota ka qenë vazhdimisht në një gjendje trazire. Nga viti 1939 deri në vitin 1945 u bë Lufta e Dytë Botërore. Sipas admiralit në pension, Xhin La Rokut, që nga viti 1945 deri në vitin 1982 janë zhvilluar 270 luftëra të tjera. Gjatë shekullit të kaluar, në luftëra janë vrarë më tepër se 100 milionë njerëz. Po ashtu, sipas një botimi të 1982-shit, atë vit, në veprimtaritë që lidheshin me luftën, ishin të përfshirë, drejtpërdrejt ose tërthorazi, 100 milionë njerëz. (World Military and Social Expenditures)
A kërkohet më shumë për të përmbushur këtë veçori të profecisë? Ekzistojnë dhjetëra mijë armë bërthamore, që janë gati të përdoren në çdo çast. Shkencëtarë të shquar kanë thënë që, nëse kombet do të përdornin sikur edhe një pjesë të vogël të arsenaleve të tyre bërthamore, do të shkatërrohej qytetërimi, dhe ndoshta e tërë raca njerëzore. Por Bibla thotë se gjërat nuk do të përfundojnë kështu.
«Do të ketë mungesë ushqimi . . . nga njëri vend në tjetrin» (Mat. 24:7)
Në historinë njerëzore ka pasur shumë zi buke. Në ç’masë kanë ndodhur ato në shekullin e 20-të? Luftërat botërore sollën urinë në mbarë Evropën dhe Azinë. Afrika është goditur nga thatësira, e cila ka sjellë mungesa të mëdha ushqimi. Në fund të viteve 80 të shekullit të 20-të, Organizata për Ushqimin dhe Bujqësinë llogariti se 450 milionë njerëz po vdisnin nga uria dhe më tepër se 1 miliard të tjerë nuk kishin mjaftueshëm për të ngrënë. Nga këta, kanë vdekur rreth 40 milionë veta në vit—në disa vjet edhe 50 milionë njerëz—për shkak të mungesës së ushqimit.
A ka diçka të veçantë në këto mungesa ushqimi? Zbulesa 6:6 tregonte se një sasi e vogël e një ushqimi bazë si gruri ose elbi, do të shitej me çmimin e pagës së një dite pune (një denar; shih Mateun 20:2), dhe ajo paralajmëronte që të mos e harxhonim shpejt e shpejt vajin e ullirit dhe verën. Në atë kohë, në Lindjen e Mesme, këto ushqime shiheshin si gjëra të domosdoshme për jetën; pra, parathuhej një mungesë e madhe ushqimi. Kjo gjendje nuk është më vetëm në një vend të caktuar, por në mbarë botën. Në vitin 1981, gazeta The New York Times raportonte: «Përmirësimi i nivelit të jetesës dhe kërkesa gjithnjë e më e madhe për ushqim në mbarë botën, kanë shkaktuar ngritjen e çmimeve të ushqimeve, duke ua vështirësuar vendeve më të varfra importimin e ushqimeve të nevojshme.» Në shumë vende prodhimi i ushqimit, madje edhe me ndihmën e shkencës moderne, nuk ka mundur të ecë në një hap me rritjen e popullsisë. Ekspertët e sotëm të ushqimit nuk shohin ndonjë zgjidhje reale të problemit.
«Do të ketë tërmete të mëdha» (Luka 21:11)
Është e vërtetë se në shekujt e kaluar kanë ndodhur tërmete të mëdha; gjithashtu sot shkencëtarët me pajisjet e tyre të ndjeshme regjistrojnë më se një milion tërmete në vit. Gjithsesi njerëzit nuk kanë nevojë për instrumente të veçanta për ta kuptuar kur një tërmet është i madh.
A kanë ndodhur në të vërtetë shumë tërmete të mëdha që nga viti 1914? Në vitin 1984, me të dhënat e siguruara nga Qendra Kombëtare e të Dhënave Gjeofizike në Boulldër të Kolorados, bashkë me disa të dhëna shtesë nga mjaft vepra referimi standarde, u përpilua një tabelë ku përfshiheshin vetëm tërmete të shkallës 7,5 Rihter e më shumë, tërmete që kishin shkaktuar dëme prej më tepër se 5 milionë dollarësh ose nga të cilët kishin vdekur mbi 100 veta. U llogarit se gjatë 2.000 vjetëve, para 1914-s, kishin ndodhur 856 tërmete të tilla. E njëjta tabelë tregonte se vetëm gjatë 69 vjetëve pas 1914-s kishin ndodhur 605 tërmete të tilla. Kjo do të thotë se në krahasim me 2.000 vitet e mëparshme, që nga 1914-a, mesatarja për çdo vit ka qenë 20 herë më e madhe.
«Murtaja . . . nga njëri vend në tjetrin» (Luka 21:11)
Në fund të Luftës së Parë Botërore, gripi spanjoll përfshiu mbarë rruzullin, duke u marrë jetën më tepër se 20 milionë njerëzve, dhe me një shpejtësi të pakrahasueshme në historinë e sëmundjeve. Me gjithë përparimet e shkencës mjekësore, çdo vit vdesin shumë njerëz nga kanceri, sëmundjet e zemrës, sëmundjet e shumta të transmetuara seksualisht, SIDA, skleroza e shumëfishtë, malaria, onkocerkoza (verbimi i lumit) dhe sëmundja e Çagasit.
‘Rritje të paligjshmërisë, dhe si pasojë ftohje të dashurisë së shumicës’ (Mat. 24:11, 12)
Një kriminolog i shquar thotë: «Gjëja e parë që të bie në sy kur sheh krimet në shkallë botërore, është shtrirja e gjerë dhe rritja e tyre e vazhdueshme anembanë. Përjashtimet janë si raste të izoluara dhe shumë shpejt mund të përmbyten nga batica e rritjes së krimeve.» (The Growth of Crime, Nju-Jork, 1977, Sër Leon Raxhinoviç dhe Xhon King, f. 4, 5) Rritja është reale; nuk është vetëm çështje e një raportimi më të mirë të rasteve të ndodhura. Është e vërtetë se edhe në brezat e shkuar kishte kriminelë, megjithatë, krimi kurrë nuk ka qenë kaq i përhapur sa tani. Njerëzit që kanë njëfarë moshe, e dinë këtë nga përvoja e tyre.
Paligjshmëria që përmend profecia, përfshin mungesën e respektit për ligjet e Perëndisë, si dhe të vësh në vend të parë në jetë dëshirat vetjake, e jo Perëndinë. Si pasojë e këtij qëndrimi, përqindja e divorceve po rritet në mënyrë marramendëse, marrëdhëniet seksuale jashtë martese dhe homoseksualizmi pranohen gjerësisht dhe çdo vit kryhen dhjetëra milionë aborte. Një paligjshmëri e tillë lidhet (te Mateu 24:11, 12) edhe me ndikimin e profetëve të rremë, atyre që lënë mënjanë Fjalën e Perëndisë dhe parapëlqejnë mësimet e veta. Fakti që njerëzit u vënë veshin filozofive të tyre, në vend që t’i përmbahen Biblës, ndikon që të ketë një botë pa dashuri. (1 Gjonit 4:8) Lexo përshkrimin e kësaj te 2 Timoteut 3:1-5.
«Njerëzit do të shohin pamje të frikshme» (Luka 21:11)
«Në të vërtetë, emocioni më i madh që mbizotëron sot në jetën tonë, është frika»,—thotë një revistë amerikane. (U.S. News & World Report, 11 tetor 1965, f. 144) «Njerëzimi nuk ka pasur kurrë kaq frikë sa tani»,—thotë një revistë gjermane.—Hörzu, nr. 25, 20 qershor 1980, f. 22.
Për këtë atmosferë botërore me frikë, ndikojnë shumë faktorë: krimet e dhunshme, papunësia, paqëndrueshmëria ekonomike, ngaqë shumë kombe janë mbytur në borxhe pa pasur asnjë shpresë të rimëkëmben, ndotja botërore e mjedisit, mungesa e lidhjeve të forta e të dashura familjare dhe ndjenja mbizotëruese se njerëzimi është në prag të rrezikut të asgjësimit nga armët bërthamore.
‘Ithtarët e vërtetë të Krishtit do t’i urrejnë të gjitha kombet për shkak të emrit të tij’ (Mat. 24:9)
Kjo përndjekje nuk ndodh ngaqë përzihen në politikë, por ‘për shkak të emrit të Jezu Krishtit’, sepse ithtarët e tij i qëndrojnë besnikë atij si Mbreti Mesianik i Jehovait, i binden Krishtit përpara çdo qeveritari tokësor, mbështetin besnikërisht Mbretërinë e tij dhe nuk përfshihen në çështjet e qeverive njerëzore. Siç dëshmon historia e ditëve të sotme, kështu ka ndodhur me Dëshmitarët e Jehovait në të gjitha viset e tokës.
«Ky lajm i mirë për mbretërinë do të predikohet në gjithë tokën e banuar si dëshmi» (Mat. 24:14)
Lajmi i mirë për të cilin flitet këtu, është se Mbretëria e Perëndisë, e drejtuar nga Jezu Krishti, ka filluar të sundojë në qiell, se së shpejti do t’i japë fund krejt sistemit të lig, se nën sundimin e saj njerëzimi do të bëhet i përsosur dhe toka do të kthehet në parajsë. Ky lajm i mirë po predikohet sot në më tepër se 200 vende dhe ishuj, deri në viset më të largëta të tokës. Çdo vit Dëshmitarët e Jehovait i kushtojnë kësaj vepre qindra milionë orë, duke i vizituar vazhdimisht njerëzit shtëpi më shtëpi, në mënyrë që të gjithëve t’u jepet mundësia për të dëgjuar.
Çfarë tregojnë të gjitha këto ngjarje të «ditëve të fundit»?
Luka 21:31, 32: «Kur t’i shihni të ndodhin këto gjëra, dijeni se mbretëria e Perëndisë është afër [domethënë koha kur ajo do ta shkatërrojë botën e sotme të ligë dhe do të marrë tërësisht nën kontroll çështjet e tokës]. Vërtet po ju them se ky brez nuk do të kalojë kurrsesi, gjersa të ndodhin të gjitha gjërat.» (Shenja ka qenë e dukshme që nga viti 1914, prandaj koha e mbetur duhet të jetë shumë e shkurtër. Kushtet botërore e vërtetojnë plotësisht këtë.)
Pse Dëshmitarët e Jehovait thonë se «ditët e fundit» filluan në vitin 1914?
Viti 1914 është një vit i shënuar në profecinë biblike. Për hollësi në lidhje me kronologjinë, shih faqet 67-70, te tema «Datat». Kjo datë është e saktë, dhe këtë e tregon fakti që, duke filluar nga viti 1914, kushtet botërore që do të karakterizonin këtë periudhë kohore, kanë filluar të realizohen tamam siç ishin parathënë. Faktet e paraqitura më sipër e tregojnë këtë.
Çfarë mendojnë historianët për vitin 1914?
«Sot, kur hedhim vështrimin në të kaluarën dhe e shohim nga pozita e favorshme e së tashmes, ne shohim me qartësi se shpërthimi i Luftës së Parë Botërore e futi shekullin e 20-të në ‘një kohë trazirash’,—po të shprehemi me fjalët e historianit britanik Arnold Toinbi,—nga e cila qytetërimi ynë nuk ka dalë ende. Drejtpërdrejt ose tërthorazi, të gjitha trazirat e gjysmës së dytë të shekullit e kanë burimin te 1914-ta.»—The Fall of the Dynasties: The Collapse of the Old Order (Nju-Jork, 1963), Edmond Tejlor, f. 16.
«Njerëzit e brezit të Luftës së Dytë Botërore, pra brezi im, do të mendojnë gjithmonë se konflikti i kohës së tyre ka qenë një pikë kthese e rëndësishme me ndryshime. . . . Kemi të drejtë të mburremi se kemi jetuar në një periudhë të veçantë të historisë. Por duhet të dimë se, nga pikëpamja shoqërore, një ndryshim shumë më vendimtar ndodhi me Luftën e Parë Botërore. Në atë kohë, sistemet politike dhe shoqërore që qëndronin prej shekujsh, u copëtuan, madje disa herë brenda pak javësh. Kurse sisteme të e tjera u shndërruan përfundimisht. Pikërisht në Luftën e Parë Botërore humbi ajo siguri që ekzistonte prej shekujsh. . . . Lufta e Dytë Botërore e vazhdoi, e zgjeroi dhe e përforcoi këtë ndryshim. Nga pikëpamja shoqërore, Lufta e Dytë Botërore ishte beteja e fundit e Luftës së Parë Botërore.»—The Age of Uncertainty (Boston, 1977), Xhon K. Galbreith, f. 133.
«Ka kaluar një gjysmë shekulli, e megjithatë, shenja që tragjedia e Luftës së Madhe [Luftës së Parë Botërore, që nisi në vitin 1914] la në trupin dhe në shpirtin e kombeve, nuk është zhdukur. . . . Përmasat fizike dhe morale të kësaj përvoje të hidhur ishin të tilla saqë, asgjë tjetër që kishte mbetur, nuk ishte më si përpara. Shoqëria në tërësi: sistemet e qeverisjes, kufijtë kombëtarë, ligjet, forcat e armatosura, marrëdhëniet mes shteteve, por edhe ideologjitë, jeta familjare, pasuritë, pozitat, marrëdhëniet individuale—gjithçka ndryshoi kryekëput. . . . Si përfundim, njerëzimi humbi ekuilibrin dhe nuk e ka rifituar më deri sot.»—Gjenerali Sharl de Gol, nga një fjalim mbajtur më 1968 (Le Monde, 12 nëntor 1968, f. 9).
A do të mbijetojë ndonjë njeri në tokë kur të vijë fundi i sistemit të sotëm botëror?
Patjetër. Fundi i sistemit të sotëm botëror nuk do të vijë si pasojë e një masakre të përgjithshme në një luftë bërthamore, por nga një shtrëngim i madh, që do të përfshijë «luftën e ditës së madhe të Perëndisë së Plotfuqishëm». (Zbul. 16:14, 16) Ajo luftë nuk do të shkatërrojë tokën dhe as njerëzimin.
Mat. 24:21, 22: «Atëherë do të ketë një shtrëngim aq të madh, sa nuk ka pasur që nga fillimi i botës e deri tani, dhe as që do të ketë përsëri. Në të vërtetë, po të mos shkurtoheshin ato ditë, asnjë mish nuk do të shpëtonte. Por, për hir të të zgjedhurve, ato ditë do të shkurtohen.» (Pra, disa «mish», disa njerëz do të mbijetojnë.)
Prov. 2:21, 22: «Vetëm të drejtët do të banojnë në tokë dhe të paqortueshmit do të mbeten në të. Kurse të ligjtë do të shfarosen nga toka dhe të pabesët do të shkulen prej saj.»
Psal. 37:29, 34: «Të drejtët do të trashëgojnë tokën dhe do të banojnë përgjithmonë në të. Shpreso te Jehovai dhe ndiq udhët e tij, e ai do të të lartësojë dhe ti do të trashëgosh tokën. Ti do të shohësh kur të shfarosen të ligjtë.»
Pse Perëndia po lejon të kalojë kaq shumë kohë para se të shkatërrojë të ligjtë?
2 Pjet. 3:9: «Jehovai nuk është i ngadalshëm në lidhje me premtimin e tij, siç e konsiderojnë ngadalësinë disa njerëz, por është i durueshëm me ju, sepse nuk dëshiron që të shkatërrohet ndonjë, por dëshiron që të gjithë të arrijnë pendimin.»
Mar. 13:10: «Më parë duhet të predikohet lajmi i mirë në të gjitha kombet.»
Mat. 25:31, 32, 46: «Kur Biri i njeriut [Jezu Krishti] të mbërrijë në lavdinë e tij, dhe bashkë me të edhe të gjithë engjëjt, atëherë ai do të ulet në fronin e tij të lavdishëm. Tërë kombet do të mblidhen para tij, dhe ai do t’i ndajë njerëzit njërin nga tjetri, ashtu si ndan bariu delet nga cjeptë. Ata [që nuk i pranojnë vëllezërit frymorë të Krishtit si përfaqësues të Mbretit] do të përfundojnë në vdekjen e përhershme, kurse të drejtët do të marrin jetën e përhershme.»
Shih edhe faqet 349, 350 dhe 220-223.
Nëse dikush thotë:
‘Kushtet sot nuk janë më të këqija se më parë; gjithmonë ka pasur luftëra, zi buke, tërmete dhe krime’
Mund të përgjigjesh: ‘E kuptoj pse mendoni kështu. Kemi lindur në një botë ku gjithë këto gjëra janë bërë të zakonshme. Megjithatë historianët shpjegojnë se shekulli i 20-të ka diçka krejtësisht të ndryshme. (Lexo citimet në faqen 87.)’
Ose mund të thuash: ‘Nuk janë domethënëse vetëm luftërat, zia e bukës, tërmetet dhe krimet. A e dini se shenja që dha Jezui, ishte e përbërë nga disa elemente?’ Pastaj mund të shtosh: ‘Ai nuk tha se çdo ngjarje e vetme do të provonte se jemi në «ditët e fundit». Por, kur e tërë shenja do të bëhej e dukshme, kjo do të ishte një gjë domethënëse—e sidomos kur të vërehej në shkallë botërore dhe duke filluar nga viti që ishte paracaktuar nga profecia biblike.’ (Shih faqet 82-86, gjithashtu shih faqet 67-70.)
‘Si e dini që në të ardhmen nuk do të ketë një brez tjetër ku kjo profeci të përputhet më mirë sesa te ky sot?’
Mund të përgjigjesh: ‘Kjo është një pyetje interesante dhe përgjigjja thekson faktin se vërtet po jetojmë në «ditët e fundit». Në ç’kuptim? E pra, një pjesë e shenjës që dha Jezui, përfshin luftërat midis kombeve dhe mbretërive. Por, çfarë do të ndodhte sot nëse përmbushja e shenjës do të kërkonte që të prisnim derisa të shpërthente një tjetër luftë e përgjithshme midis superfuqive? Nga kjo luftë, do të mbeteshin pak ose aspak të mbijetuar. Pra, siç e shihni, qëllimi i Perëndisë që të ketë të mbijetuar, tregon se tani jemi shumë afër fundit të këtij sistemi të vjetër.’
Ose mund të thuash: ‘Të krahasosh ngjarjet botërore me këtë profeci, është si të krahasosh shenjat e gishtërinjve të dikujt, me vetë gishtërinjtë e tij. Nuk ka asnjë tjetër me të njëjtat shenja gishtërinjsh. Po kështu modeli i ngjarjeve që filluan në vitin 1914, nuk do të përsëritet më në ndonjë brez tjetër të ardhshëm.’ Pastaj mund të shtosh: (1) ‘Gjithçka që është pjesë e shenjës, shihet qartë sot.’ (2) ‘Sigurisht ne nuk duam të jemi si njerëzit në ditët e Noesë. (Mat. 24:37-39)’
‘Fundi nuk do të vijë gjatë jetës sonë’
Mund të përgjigjesh: ‘Sidoqoftë, ju besoni se herët a vonë Perëndia do të ndërhyjë, apo jo?’ Pastaj mund të shtosh: (1) ‘E vetmja mënyrë që secili prej nesh mund ta dijë se kur do të vijë ajo ditë, është që Ai të na e tregojë. Vërtet që Jezui e tha qartë se asnjeri nuk e di ditën dhe orën, prapëseprapë ai i përshkroi me hollësi gjërat që do të ndodhnin gjatë brezit kur do të vinte fundi.’ (2) ‘Ai përshkrim ka të bëjë me ngjarje që ju i njihni mirë. (Nëse është e mundur, diskuto hollësira të shenjës, duke përdorur faktet që tregohen në faqet e mëparshme.)’
‘Unë nuk shqetësohem për këto gjëra; e jetoj jetën ditë pas dite’
Mund të përgjigjesh: ‘Patjetër që nuk është mirë të jesh tejet në ankth për të ardhmen. Por të gjithë ne përpiqemi të bëjmë plane në jetë, që të mbrojmë veten dhe njerëzit tanë të dashur. Të bësh plane realiste, është gjë praktike. Bibla tregon se na presin gjëra të mrekullueshme dhe tregohemi të mençur nëse i bëjmë planet në atë mënyrë që të nxjerrim dobi nga ato që na presin. (Prov. 1:33; 2 Pjet. 3:13)’
‘Unë nuk e mbaj mendjen te gjithë këto kushte të këqija; më pëlqen të jem optimist për të ardhmen’
Mund të përgjigjesh: ‘Është interesante që Jezui tha se ithtarët e tij do të kishin arsye të vlefshme për të qenë optimistë në ditët tona. (Luka 21:31)’ Pastaj mund të shtosh: ‘Megjithatë vini re se ai nuk po u thotë atyre të mbyllin sytë përpara asaj që po ndodh në botë dhe të mos shqetësohen fare. Ai thotë se optimizmi i tyre do të kishte një bazë të fortë, sepse ata do të kuptonin domethënien e ngjarjeve botërore dhe do të dinin përfundimin.’