KAPITULLI 118
Debat se kush është më i madhi
MATEU 26:31-35 MARKU 14:27-31 LUKA 22:24-38 GJONI 13:31-38
JEZUI NDREQ PIKËPAMJEN QË KANË APOSTUJT PËR POZITËN
PARATHOTË QË PJETRI DO TA MOHOJË
DASHURIA, SHENJË DALLUESE E DISHEPUJVE TË JEZUIT
Mbrëmjen e fundit me apostujt, Jezui jep një mësim të shkëlqyer për përulësinë duke u larë këmbët. Ky mësim është me vend, sepse apostujt kanë ende një dobësi që duhet të përmirësojnë. Edhe pse i shërbejnë me besnikëri Perëndisë, akoma shqetësohen se kush është më i madhi. (Marku 9:33, 34; 10:35-37) Kjo dobësi del në pah edhe këtë mbrëmje.
Apostujt përfshihen në ‘një debat të zjarrtë se cili nga ata konsiderohet më i madhi’. (Luka 22:24) Imagjino sa trishtohet Jezui kur i sheh të grinden përsëri! Si reagon ai?
Në vend që t’i qortojë apostujt për qëndrimin dhe sjelljen e tyre, Jezui arsyeton me durim: «Mbretërit e kombeve sillen si zotër me to, dhe ata që kanë autoritet mbi kombet, quhen Bamirës. Kurse ju nuk duhet të jeni kështu. . . . Sepse kush është më i madh, ai që shtrohet në tryezë apo ai që shërben?» Pastaj, duke u kujtuar shembullin që u ka lënë vazhdimisht, Jezui shton: «Por unë jam mes jush si ai që shërben.»—Luka 22:25-27.
Pavarësisht nga të metat e tyre, apostujt e kanë mbështetur Jezuin në shumë situata të vështira. Ndaj u thotë: «Unë po bëj me ju një besëlidhje për një mbretëri, ashtu si Ati im ka bërë një besëlidhje me mua.» (Luka 22:29) Këta burra i kanë qëndruar besnikë Jezuit. Prandaj, me anë të një besëlidhjeje, ai i siguron se do të jenë bashkëqeveritarë të Mbretërisë.
Ndonëse kanë këtë shpresë të mrekullueshme, apostujt janë ende të papërsosur. Jezui u thotë: «Satanai ka kërkuar t’ju shoshitë të gjithëve si grurin.» (Luka 22:31) Gjithashtu i paralajmëron: «Këtë natë, të gjithëve ju do t’ju lëkundet besimi për shkakun tim, sepse është shkruar: ‘Do të godas bariun dhe delet e kopesë do të hallakaten.’»—Mateu 26:31; Zakaria 13:7.
Pjetri e kundërshton me forcë: «Edhe sikur të gjithëve t’u lëkundet besimi për shkakun tënd, mua kurrë nuk do të më lëkundet besimi!» (Mateu 26:33) Por, Jezui parathotë se Pjetri do ta mohojë po këtë natë, para se gjeli të këndojë dy herë. Gjithsesi shton: «Unë kam bërë përgjërime për ty, që besimi yt të mos mpaket. Prandaj, kur të kthehesh, forco vëllezërit e tu!» (Luka 22:32) Megjithatë, Pjetri këmbëngul: «Edhe sikur të më duhej të vdisja me ty, kurrsesi nuk do të të mohoja!» (Mateu 26:35) Të njëjtën gjë thonë edhe apostujt e tjerë.
Jezui vazhdon: «Edhe për pak kohë jam me ju. Ju do të më kërkoni, por po ju them siç u thashë edhe judenjve: ‘Atje ku shkoj unë, ju nuk vini dot.’» Pastaj shton: «Po ju jap një urdhërim të ri: ta doni njëri-tjetrin. Ashtu si ju kam dashur unë, ta doni edhe ju njëri-tjetrin. Nga kjo do ta dinë të gjithë se jeni dishepujt e mi: nëse keni dashuri për njëri-tjetrin.»—Gjoni 13:33-35.
Kur dëgjon se Jezui do të jetë me ta edhe për pak kohë, Pjetri e pyet: «Zotëri, ku po shkon?» Ai i përgjigjet: «Atje ku po shkoj unë, ti nuk më ndjek dot tani, por më vonë do të më ndjekësh.» Ngaqë s’e kupton, Pjetri e pyet prapë: «Zotëri, pse nuk të ndjek dot tani? Unë do të jap jetën për ty.»—Gjoni 13:36, 37.
Jezui u kujton apostujve kohën kur i dërgoi në një fushatë predikimi në Galile, pa kuletë dhe pa trastë buke me vete. (Mateu 10:5, 9, 10) Ai i pyet: «A patët nevojë për gjë?» Ata i përgjigjen: «Jo!» Megjithatë, çfarë duhet të bëjnë tani e tutje? Jezui u jep këtë udhëzim: «Ai që ka një kuletë, le ta marrë, po ashtu edhe trastën e bukës. Ai që nuk ka shpatë, le të shesë mantelin e vet dhe ta blejë një, sepse unë po ju them se duhet të përmbushen këto fjalë që u shkruan për mua: ‘Ai u llogarit si shkelës i ligjit.’ Në fakt, këto fjalë që u shkruan për mua, po përmbushen tani.»—Luka 22:35-37.
Jezui po flet për kohën kur do ta gozhdojnë në shtyllë bashkë me shkelësit e ligjit, pra me kriminelët. Më pas, dishepujt do të përballen me një valë të egër përndjekjesh. Ata mendojnë se janë të përgatitur për atë që i pret, ndaj i thonë: «Zotëri, ja ku janë dy shpata.» Ai u përgjigjet: «Mjaftojnë.» (Luka 22:38) Në fakt, këto shpata që kanë me vete, do t’i japin mundësi Jezuit që pas pak t’u mësojë dishepujve diçka tejet të rëndësishme.